28 Dhjetor 2016 - 08:16 - Augustin Palokaj
A është e mundur që të bëhet debat konstruktiv rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në një ambient në të cilin nuk është lehtë të bëhet asnjë lloj debati, sepse nuk ekziston kultura e mirëfilltë e debatit. E tillë është Kosova ku cilindo pyetje që ta paraqesë dikush, argumentet bëhen aq banale dhe konflikti devijon aq shumë dhe aq shpejt saqë debati duket më shumë si luftë e pafund sesa një shkëmbim i qëndrimeve të argumentuara.
Që nga dalja e idesë për nisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka lindur një kritikë rreth këtij dialogu. Kritikat nuk kanë qenë kundër dialogut, por më shumë të drejtuara nga mënyra se si Kosova po hynte në të. Të rikujtojmë se ideja për dialog erdhi nga Serbia pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Dhe kështu Serbia arriti që diskursin ndërkombëtar për Kosovën në atë kohë ta kthejë nga dialogu në Bruksel për të lënë në harresë mendimin e Gjykatës më të lartë ndërkombëtare, mendim i cili pritej të sillte valë të mëdha njohjesh, përfshirë edhe nga shtetet që fuqishëm kundërshtonin këtë njohje e atë kundërshtim e bazonin në pohimin se “shpallja e Pavarësisë ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare”. Në vend që të ishte kjo temë dominuese, në vend që edhe Brukseli të përfshihej tash në fushatë drejt Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë e Sllovakisë për të njohur Kosovën, pasi që argumenti i tyre kishte rënë poshtë, u nis një dialog në të cilin, për shkak të kundërshtimeve të pavarësisë nga 5 shtete, BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit e në dialog “palë tjetër” është Beogradi, i cili jo vetëm se nuk e njeh Kosovën si shtet, por territorin e saj e konsideron si pjesë të Serbisë.
Nisja e dialogut fuqizoi status quonë e re, kuptimin se Kosova për BE-në edhe nuk ka status, edhe është shtet, edhe nuk është shtet, edhe është pjesë e Serbisë, edhe nuk është pjesë e Serbisë. Dhe duke u bërë prioritet i BE-së, dialogu fundosi të gjitha prioritetet e tjera për Kosovën. Më së shumti pësoi demokratizimi. Sepse, nëse demokratizimi rrezikon dialogun, atëherë ai nuk mund të jetë prioritet. Kështu BE-ja heshti ndaj manipulimeve të zgjedhjeve, nuk insistoi aq shumë as në luftë kundër korrupsionit, dhe, kur pati nevojë, ndikoi edhe për të mbajtur në pushtet strukturat që garantonin vazhdimin e dialogut. E në këtë dialog Kosova në asnjë mënyrë nuk ishte palë e barabartë, edhe pse dialogu ishte për çështje të brendshme të Kosovës.
Kritikuesit e dialogut sulmoheshin nga Qeveria e Kosovës, duke u akuzuar se janë “antievropianë” dhe “antiamerikanë”. Kjo ndodhte sepse, kur nuk kishin argumente për të mbrojtur dialogun dhe pasojat e tij, zyrtarët e Qeverisë gjithmonë fshiheshin prapa “kërkesave të miqve tanë ndërkombëtarë, amerikanë dhe evropianë ” dhe “hapjen e rrugës evropiane të Kosovës” dhe “paketave të tjera të dhuratave” që, sipas zonjës Edita Tahiri (shefe e delegacionit kosovar në dialog), do të duhej t’i vinin Kosovës.
Edhe në BE, pa menduar fare rreth argumenteve, banalizonin kritikuesit duke paraqitur kundërpyetjet se “çka është alternativa e dialogut”. Me fjalë të tjera, donin të tonin, “ju që jeni kundër dialogut doni luftë dhe konflikt”.
Kritikat ishin se në dialog Kosova ka hyrë e papërgatitur, se kryeministri i atëhershëm Thaçi nuk do të duhej të ishte në pozitë për të marrë përgjigje në emër të Kosovës pa marrë së pari mbështetjen në Kuvend, se në dialog Kosova pranon se nuk ka status, se Kosova pranon të përdoret emri i saj me fusnotë, pra që të dallohet nga shtetet e tjera, pranon që Serbisë t’i jepet rol në çështjet e brendshme të Kosovës dhe për asnjë nga lëshimet që bën nuk ka asnjë garanci nga ana e BE-së se do të përfitojë diçka.
Dhe tash rezultati i dialogut shihet më së miri për nga simbolika që ka krijuar muri, i cili po ndërtohen në veri, menjëherë pas urës mbi lumin Ibër, e cila ende nuk është “rivitalizuar”.
Përderisa Qeveria e Kosovës tenton ta paraqesë dialogun me Serbinë si proces që ka shtrirë sovranitetin e Kosovës në veri dhe që ka ndihmuar integrimin e serbëve të Kosovës në strukturat e saj, ekziston edhe një realitet tjetër që ka krijuar ky dialog: legjitimimin dhe legalizimin e segregacionit etnik dhe dhënien e rolit kyç Qeverisë së Serbisë në jetën politike të Kosovës.
Dialogu ka krijuar realitet të paparë diku tjetër në botë, ku Qeveria e shtetit fqinj, Serbia në këtë rast, ka përfaqësuesit e vet në Qeverinë e Kosovës. Ministrat me përkatësi etnike serbe në Qeverinë e Kosovës, kur thonë “qeveria jonë”, mendojnë në Qeverinë e Serbisë. Ata shkojnë në Beograd, siç thotë një fjalë serbe “ për të marrë mendimin e vet” (idu u Beograd po svoje mišljenje). Qeveria e Serbisë jo vetëm se nuk bën tentime të mohojë këtë realitet, por e paraqet si garë: “të shohim se kush është Vuçiqi e kush Mustafa”, thotë shefi i Serbisë në dialogun e Brukselit, Marko Gjuriq. E po i njëjti hyn në Kosovë edhe pse zyrtarisht i është ndaluar, dhe pas hyrjes tallet me Qeverinë e Kosovës. E sa e mjerë është Qeveria e Kosovës dëshmojnë deklaratat se pas secilit incident nuk kanë asnjë përgjigje tjetër pos se “do t’i raportojnë Brukselit”. E Brukseli (këtu nuk e dimë se kujt i drejtohen në Bruksel, mbretit të Belgjikës, shefit të NATO-s, zyrës së përfaqësueses së lartë, Mogherini, Komitetit të rajoneve evropiane, Parlamentit Evropian, kryetarit të ndonjërës nga 19 komunat e Brukselit apo kujt) nuk ka as vullnet e as kapacitete për të ndërhyrë. Më i madh është ndikimi i kryeministrit të Serbisë në BE sesa i BE-së tek Vuçiqi.
E dimë se pse ky realitet është i tillë në Kosovë dhe nuk ka qenë e vështirë të parashihej se kështu do të ndodhë. Sepse Beogradi asnjëherë nuk fshihte qëllimet e veta. Ata serbë të cilët edhe para dialogut kishin nisur të integroheshin në sistemin e Kosovës u dënuan, morën epitetin e tradhtarëve të interesave të Serbisë. Në vend të tyre u instaluan serbët që mbrojnë interesat e Beogradit dhe urdhra të Beogradit. Ndoshta në kushte normale nuk do të kishte problem të madh, por raportet nuk janë normale. Kosova për Serbinë nuk është shtet, por është një krijesë e cila nga ta krahasohet me ISIS-in. Ata serbë të cilët japin ndonjë shenjë që do të jenë besnikë ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila në kushte normale do të ishte e tyre, menjëherë thirren në raport në Beograd dhe atje qortohen si tradhtarë të interesave të tyre dhe “shërbëtorë të shqiptarëve”. Ky është ai “normalizim” për të cilin na lodhën duke na folur në Bruksel.
Si pasojë e dialogut raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më jonormale sesa që ishin. Normalizimi i raporteve mes njerëzve në Kosovë, mes shqiptarëve dhe serbëve, ndoshta do të ndodhte me inercion edhe ashtu pa këtë dialog, përmes ndonjë dialogu spontan të brendshëm. Me kalimin e kohës, nga lufta njerëzve u kthehet një racionalitet në mënyrë të natyrshme. Por tash, për shkak të dialogut, normalizimi është bërë proces politik. Niveli i normalizimi bëhet po aq sa është edhe niveli i interesit politik. Pra, për shkak të interesave politike nuk mund të lejohet ndonjë nivel më i lartë i normalizimit sesa që është i nevojshëm për interesa momentale politike. Kështu edhe serbët e Kosovës janë bërë vegël e interesave politike të Beogradit, sepse përmes tyre Beogradi faktorizohet në skenën ndërkombëtare dhe merr rol në skenën e brendshme të Kosovës. E pala kosovare, e humbur në këtë dialog, duke u marrë herë me urë e herë me mur, e ka sjellë shtetin të një situatë nga e cila nuk duket të ketë rrugëdalje të lehtë. Po të bëhet tashmë më e ashpër në rastin e veriut të Kosovës, do të rrezikojë ndarjen edhe më të madhe të Kosovës dhe për këtë të fajësohet Kosova.
Duke marrë parasysh edhe paqartësitë në skenën politikë ndërkombëtare, pasivitetin e plotë amerikan në pritje të ardhjes së administratës së re, humbjen e fuqisë së BE-së dhe rritjen e rolit të Rusisë, edhe zhvillimet në Kosovë mund të shkojnë në drejtim të rrezikshëm. “Situata e qetë, por e brishtë”, siç vlerësohet tash e sa vjet nga NATO-ja, nuk ka ndryshuar as me dialog e ndërkohë Kosova ka mbetur e izoluar, e pafuqishme dhe gjithmonë në pritje se çka do të bëjnë të tjerët. Dialogu ka edhe anën tjetër të tij, sepse 17 vjet pas luftës nuk mund të quhet sukses vetëm fakti se “palët po takohen në Bruksel” dhe se “po bisedojnë”. Siç po shohim në bazë të asaj që flasin vetë pjesëmarrësit në dialog, një sjellje kanë në Bruksel dhe një tjetër kur kthehen në Beograd e Prishtinë. E njerëzit mbesin të hutuar, sepse askush nuk ua thotë të vërtetën e plotë për dialogun dhe rezultatet e tij.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...