Asnjë komisioner nuk do të refuzohet nga Parlamenti Evropian

1 Tetor 2014 - 08:34 - Augustin Palokaj      

Këtë javë fillon dëgjimi i komisionerëve të ardhshëm evropianë në komisionet e Parlamentit Evropian. Pasi pa bekimin e Parlamentit Komisioni nuk mund të fillojë mandatin, kjo procedurë vlerësohet si njëra ndër fuqitë më të mëdha të Parlamentit. Por kësaj radhe pritet që gjithçka të jetë vetëm një formalitet, pasi që tri grupet më të mëdha politike kanë arritur pajtim dhe nuk do ta rrëzojnë kandidatin e njëri- tjetrit. Befasi mund të ndodhë vetëm nëse ndonjë kandidat bën ndonjë gabim të rëndë gjatë interpelancës me parlamentarë

Nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë pas një muaji, më saktësisht më 1 nëntor Komisioni i ri Evropian i udhëhequr nga ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, do të fillojë mandatin pesëvjeçar deri në fund të vitit 2019.

Për të ndodhur kjo do të duhej që përbërja e re e Komisionit të fitojë mbështetjen nga Parlamenti Evropian. Këtë javë fillon dëgjimi i komisionerëve të ardhshëm evropianë në komisionet e Parlamentit Evropian. Pasi pa bekimin e Parlamentit, komisioni nuk mund të fillojë mandatin, kjo procedurë vlerësohet si njëra ndër fuqitë më të mëdha të Parlamentit. Por kësaj radhe pritet që gjithçka të jetë vetëm një formalitet, pasi që tri grupet më të mëdha politike kanë arritur pajtim dhe nuk do ta rrëzojnë kandidatin e njëri-tjetrit. Befasi mund të ndodhë vetëm nëse ndonjë kandidat bën ndonjë gabim të rëndë gjatë interpelancës me parlamentarë.

Juncker tashmë e ka formuar ekipin e tij dhe i ka nënresorët kryesorë të komisionit të kandidatëve të cilët ishin nominuar nga qeveritë e tyre. Në këto emërime ka pasur disa befasi dhe disa emërime janë vlerësuar si kontroverse. Kështu njëra prej mënkryetareve të Komisionit Evropian do të jetë Alenka Bratushek nga Sllovenia e cila, kur ishte ende kryeministre në detyrë, e kishte emëruar vetveten si kandidate për anëtare të Komisionit Evropian.

Duke pasur parasysh se të ardhurat mujore në këtë post janë mbi 20 mijë euro, ky emërim kishte shkaktuar reagime të mëdha në Slloveni, por Jean Claude Juncker kishte insistuar që ajo të jetë komisionere e ardhshme, edhe pse partia e saj ndërkohë i humbi zgjedhjet dhe nuk do të jetë më në pushtet. Kontrovers është konsideruar edhe emërimi i spanjollit Miguel Arisas Canete si komisioner për Energji dhe Veprime Klimatike, edhe pse ai ka pasur interesa të drejtpërdrejta në disa kompani të energjisë dhe ka pasur aksione në to.

Phil Hogan nga Irlanda konsiderohet si i papërshtatshëm nga ana e deputetëve të cilët vijnë nga ky shtet dhe dyshohet edhe për parregullsi. I çuditshëm duket edhe emërimi i Jonathan Hillit nga Britania e Madhe për komisioner përgjegjës për Tregun Financiar, ndërsa thuhet që ai të jetë ngushtë i lidhur me sistemin e bankave në City të Kondres. Jo më pak i çuditshëm nuk duket as vendimi i Junckerit që si komisioner përgjegjës për Ekonomi dhe Union Monetar, pra i cili duhet të sigurojë që shtetet anëtare t’u përmbahen rregullave strikte të BE-së për disiplinë fiskale, të caktojë ish-ministrin e Financave të Francës, Pierre Moskovici. Ai më parë kishte kërkuar që BE-ja të jetë më fleksibile që disa e shohin si mundësi për heqje dorë nga rregullat fiskale. Ka edhe dyshime për disa kandidatë të tjerë.

Të gjithë këta kandidatë potencialisht do ta kishin mjaft të vështirë që të fitonin mbështetjen e Parlamentit Evropian sikur vërtet të vendosej vetëm në bazë të përgatitjeve të tyre profesionale dhe integritetit personal. Por kësaj radhe pritet që i tërë procesi i dëgjimeve dhe në fund votimi në seancën plenare në pjesën e dytë të tetorit pritet të jetë formalitet. Kjo për disa arsye. E para, është se Parlamenti Evropian kësaj radhe nuk ndien nevojën që të tregojë fuqinë e tij në raport me Komisionin Evropian dhe Këshillin. Kjo për shkak se vetë fakti se Juncker do të jetë president i Komisionit Evropian është një lloj fitore e Parlamentit Evropian.

Me gjithë kundërshtimet që dëgjoheshin nga disa shtete anëtare të BE-së, në fund Parlamenti arriti të sigurojë që personi, grupi politik i të cilit fitoi më së shumti vota në zgjedhjet evropiane, të jetë kryetar i Komisionit. Junker mori mbështetje të madhe edhe nga dy-tre kundërkandidatët e tij: Martin Shultz nga socialistët dhe demokratët, Guy Verhofstadtng, nga liberalët dhe Franciska Keller nga të Gjelbrit. Kështu tash Parlamenti nuk do të dojë të rrëzojë ekipin e Junckerit.

Vetë Juncker, pasi ua kishte ndarë postet kandidatëve, e secili shtet ka një përfaqësues në Komision, ka porositur liderët e grupeve politike në Parlamentin Evropian se ai personalisht secilin kandidat tash e sheh si kandidat të tij dhe do të qëndrojë fuqishëm prapa secilit. Pra, me fjalë tjera, nëse do të votojnë kundër ndonjërit kandidatë në ndonjë komision parlamentar, kjo do të shihet si votë direkt kundër Junckerit.

Arsye e dytë pse Juncker ka fituar mbështetjen e grupeve kryesore, të socialistëve dhe të demokratëve, por edhe të liberalëve, është se ai ka balancuar mirë në ndarjen e resorëve. Ai ka siguruar që nga secila parti të ketë komisioner me resor të rëndësishëm. E të rëndësishëm konsiderohen kryesisht resorët që kanë të bëjnë me ekonomi dhe financa, me energji, ndryshime klimatike, konkurrencë dhe tregti.

Po ashtu, duke u premtuar vendeve të cilat kandidojnë femra se do t’u ndajë një resor më të rëndësishëm, ka siguruar që edhe në Komisionin e ardhshëm prej 28 anëtarëve të këtë 9 femra, pra po aq sa ka pasur edhe Komisioni i Jose Manuel Barrosos, të cilit po i skadon tash mandati. Pa këtë Juncker përballej me kërcënimin se do të refuzohet në Parlament. Por tash edhe kjo dilemë është hequr.

Risi në Komisionin e ardhshëm Evropian të Junkerit do të jetë fuqia të cilën do ta kenë zëvendëspresidentët e Komisionit, të cilët do të mund të bllokojnë nismat e komisionerëve para se ato të bëhen propozime. Në këtë mënyrë Juncker disi ka krijuar komisionerë më të privilegjuar, edhe pse e drejta e votës mbetet e njëjtë për secilin nga 28 anëtarët e tij.

Por edhe ky Komision do të jetë në shënjestër të kritikëve. Vetë Juncker e ka quajtur këtë ekip si “ekip fitues” i cili do ta çojë Evropën përpara. Ai ka thënë se “resorët i ka ndarë në bazë të profileve dhe përvojës së personave e jo në bazë të shtetit nga vinë”. Por jo rastësisht shtetet kryesore kanë marrë edhe resorët më të rëndësishme. Përjashtim bëjnë Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania të cilat kanë marrë resorët shumë të rëndësishme. Por kjo është bërë për shkak se kanë pasur kandidate femra.

Juncker vetë ishte kontradiktorë kur, duke iu përgjigjur pyetjes pse ka insistuar që të zgjedhë Alenka Bratusekun nga Sllovenia, për të cilën edhe Komisioni shtetëror është duke bërë hetime rreth nominimit të saj, është përgjigjur se ajo ka qënë kandidate e duhur pasi që “është femër, ka qenë kryeministre dhe është liberale!”. Në këtë mënyrë vetë pranoi se përparësi nuk kanë që në përgatitjet e saj profesionale. Kandidatja nga Rumania, Corina Cretu, aktualisht deputete e Parlamentit Evropian, do të ketë përsipër resorin e Politikës Rajonale ku bëjnë pjesë edhe fondet strukturale dhe kohezive të BE-së.

Pra, gjatë mandatit të saj do të mbikëqyrë shpenzimin e më shumë se 350 miliardë eurove nga buxheti i BE-së. E ajo thuhet se nuk ka përvojë pune në çështjet financiare apo menaxhuese.
Gjithsesi gjatë këtyre dy javëve do të dëgjojmë shumë pyetje dhe përgjigje gjatë seancave dëgjimore në komisionet e Parlamentit Evropian. Do të ketë edhe pyetje të vështira, do të ketë edhe kërkesa për sqarime shtesë nga ana e kandidatëve. Por deputetët e Parlamentit Evropian janë të vetëdijshëm se nëse refuzojnë qoftë edhe një kandidat kjo mund ta vonojë fillimin e mandatit të Komisionit të ri Evropian dhe do të shënojë një nismë jo të mirë të Komisionit të Junckerit.

Prandaj pritet që në fund edhe në këtë proces të përmbylljes së ndarjeve së posteve kryesore në institucionet e BE-së tregtia politike të jetë kriteri kryesore mbi të cilat është bërë kjo ndarje. Këtu e bazojnë kritikën e tyre edhe kritikët të cilët dyshojnë se ky Komision do të jetë më transparent dhe më profesional sesa që ishte deri me tash.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...