1 Korrik 2015 - 08:18 - Augustin Palokaj
E premtja e shkuar ishte një prej ditëve më të rëndësishme, e ndoshta edhe më të rënda, për Bashkimin Evropian. Këtë ditë më së paku që u interesonte liderëve të BE-së ishte Kosova. Këtë ditë Franca u trondit nga një krim i tmerrshëm, ku një personi i ishte prerë koka në një akt që dyshohej të ketë qenë terrorizëm me motive fetare. Të njëjtën ditë afër 30 shtetas të BE-së kishin humbur jetën në një sulm terrorist në një plazh në Tunizi dhe të njëjtën kohë terrorizmi, me firmën e Shtetit Islamik, kishte vrarë dhjetëra qytetarë të Kuvajtit, të cilët ishin duke u falur në një xhami. Të njëjtën ditë Greqia kishte refuzuar ofertën e fundit të kreditorëve të saj, i kishte thënë “jo”, ishte larguar nga negociatat në Bruksel, ndërsa në Athinë kishte bërë thirrje për referendum, në të cilin qeveria shpreson se populli do t’i thotë “JO” “ultimatumit dhe ofendimit” që i bëjnë Greqisë dhe popullit të saj. Me këtë kishte nisur procesi i bankrotimit për herë të parë të një shteti anëtar të BE-së dhe të Eurozonës. Të njëjtën ditë kryeministri britanik në samitin e BE-së në Bruksel kishte parashtruar kushtet e tij për reformën e BE-së, sipas të cilave Britania e Madhe do të mund të mbetej anëtare e BE-së ose do të dalë nga ky bllok. Të njëjtën ditë ishte paraqitur edhe raporti i “5 presidentëve” të BE-së për “përmbylljen e krijimit të Unionit Monetar dhe Ekonomik”, që ka për qëllim thellimin e mëtejmë të BE-së në drejtim të kundërt nga ajo që kërkon Londra. Dhe të njëjtën ditë liderët e shteteve të BE-së ishin grindur si kurrë më parë rreth propozimit të Komisionit Evropian se si t’i qasen problemit të emigracionit gjithnjë e më masiv. Këtë ditë BE-ja u përball me një realitet të hidhur, se nuk ka solidaritet mes vendeve anëtare kur duhet të ndahet barra e përballjes me numrin e madh të azilkërkuesve. Nëse kalojmë Oqeanin vërejmë se të njëjtën ditë Gjykata Supreme në SHBA vendosi se askush nuk mund t’ua mohojë të drejtat homoseksualëve për t’u martuar, duke shënjuar një revolucion ligjor në shtetin më të fuqishëm të botës.
Nuk mbahet mend të ketë pasur ndonjë ditë me kaq shumë zhvillime historike në Evropë dhe botë sesa të premten më 26 qershor, ditën kur në Kuvendin e Kosovës pas debatit dhe votimit nuk u mbështetën me numër të duhur votash propozimet për ndryshimet Kushtetuese, të cilat do të mundësonin krijimin e një dhome të Gjykatës Speciale, e cila do të merrte përsipër gjykimin e krimeve të luftës që do të dilnin nga hetimet e një Task force speciale, shefi i mëparshëm i së cilës, edhe pas tre vjet hetimesh, kishte dalë me vlerësimin se “nuk ka dëshmi të sigurta, por ende beson se ka pasur nxjerrje organesh të serbëve nga ana e disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së”. Dhe kur merren parasysh të gjitha ato zhvillime nëpër botë, që kishin ndodhur të premten, kuptohet pse në Bruksel nuk kishte askush kohë të merrej me Kosovën dhe nuk pati as reagime. Përgjigjja e vetme ishte se “reagimin do ta bëjë zoti Zhbogar në emër të BE-së”.
I vetmi shqetësim, për të cilin Kosova u përmend të premten në Bruksel, madje nga liderët kryesorë të disa vendeve anëtare, është për shkak të numrit shokues të madh të azilkërkuesve nga Kosova, që në tremujorin e parë të vitit 2015 kishin kërkuar azil në BE. Më shumë sesa për pyetjen se kush dhe si do të mund t’i gjykojë “rreth dhjetë” ish- zyrtarë të lartë të UÇK-së, liderët e BE-së ishin të preokupuar me pyetjen se sa shpejt do të arrijnë t’i kthejnë ata dhjetëra e mijëra kosovarë, të cilët në numër aq të madh kishin ardhur në BE. Se sa i madh ishte ai numër, një zyrtar i BE-së e tha duke konstatuar se “numri i azilkërkuesve nga Kosova është më i madh sesa nga Afganistani dhe Siria së bashku. Pos që është shumë më e vogël, Kosova nuk është në luftë. Prandaj ky numër është dramatik dhe shokues”, tha ai. Pikërisht për shkak të kosovarëve liderët e BE-së edhe u bënë thirrje shteteve anëtare që të përshpejtojnë procesin e riatdhesimit të atyre që nuk u është aprovuar kërkesa për azil në vendet e BE-së. E këtu mendojnë më së shumti në kosovarët, niveli i refuzimit të të cilëve është rreth 99 %. Dhe pikërisht për shkak të kosovarëve Hungaria paraqitej me shifra si shteti ku ka pasur më së shumti azilkërkues në BE në tre muajt e parë, më shumë sesa në Itali, e cila është goditur nga vala e refugjatëve nga Afrika. Në bazë të retorikës që dëgjohej për emigrimin nga Kosova nëpër korridoret e ndërtesës së Këshillit të BE-së, ku zhvillohej samiti i shefave të shteteve të saj anëtare, vetëm mund të konludohet se nuk është afër heqja e vizave për qytetarët e këtij shteti. Madje mendohet që disa shteteve të rajonit, si Shqipërisë dhe Serbisë, t’u kthehen vizat nëse trendi i azilkërkuesve nga këto shtete vazhdon të rritet.
Kur të shqetësohen se “çfarë po thonë në Bruksel për ne” edhe qytetarët e edhe politikanët e Kosovës, duhet të kenë në mend edhe se çfarë tjetër po ndodh në Evropë dhe botë dhe të shohin se nuk janë më temë aq lart në agjendën evropiane.
Por kjo nuk do të thotë se nuk i intereson askujt procesi i krijimit të kësaj Gjykate. Në Bruksel ka shumë zyrtarë të BE-së, të cilët marrin rrogë për t’u marrë me Kosovën, e ka edhe të atillë që janë të paguar vetëm të merren me punën e hetimeve speciale dhe Gjykatës Speciale. Ka të tillë që kanë besuar se kjo është punë e kryer, sepse kështu u kanë premtuar liderët kryesorë të Kosovës. Këtu nuk përmendin vetëm Thaçin dhe Mustafën, por edhe Haradinajn. E tash natyrisht se janë jo vetëm të dëshpëruar pse nuk kaloi ky votim, por nuk besojnë as në sinqeritetin e atyre që votuan pro. “Si është e mundur që Thaçi pati arritur ta bëjë Behgjet Pacollin president e tash nuk arriti të sigurojë votat për Gjykatën Speciale?” pyet një diplomat i një vendi të BE-së.
Miqtë ndërkombëtarë, të cilët kanë insistuar në krijimin e Gjykatës Speciale nuk kanë arritur ta bindin opinionin kosovar se a është kjo një çështje politike apo vetëm gjyqësore. Ndoshta ky mund të jetë një mësim i mirë se nuk është më një strategji e duhur që zyrtarët ndërkombëtarë të merren vesh me dy apo tre politikanë të fuqishëm të Kosovës dhe të besojnë se puna është kryer.
Por ka në BE edhe diplomatë, të cilët mendojnë se dyshimet e muajve të fundit për keqpërdorime në misionin e EULEX-it, rasti i ndaljes së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në Lubjanë, sipas kërkesës së Serbisë, besimi gjithnjë e më i madh se edhe prania e BE-së në Kosovë, sidomos EULEX-i, bënë pazare politike në dëm të sundimit të ligjit, kanë ndikuar që të zvogëlohen gjasat për votim pozitiv për krijimin e Gjykatës Speciale.
Mosvotimi i saj mund të shfrytëzohet nga disa qarqe evropiane për të arsyetuar disa pengesa që i ka Kosova në procesin e përafrimit me BE-në, siç janë nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave. Liberalizimi edhe ashtu nuk do të ndodhte këtë vit, me apo pa Gjykatën Speciale, sepse BE-ja është e shqetësuar me numrin e kosovarëve që lëshojnë vendin e tyre dhe kërkojnë strehim në BE- MSA-ja nuk është gati të nënshkruhet edhe ashtu dhe pak ka lidhje me Gjykatën Speciale. Më shumë është fjala për disa “hollësi” që BE-ja duhet t’i sqarojë me shtete e saj anëtare para se të nënshkruhet kjo. Kosova, e panjohur si shtet nga 5 shtetet anëtare të BE-së, ka një pengesë juridikisht të pakapërcyeshme në procesin e integrimeve në BE, sepse vetëm shtetet mund të bëhen anëtare. Prandaj Gjykata mund të jetë edhe një pengesë, por edhe po të votohej ajo pengesa kryesore do të mbetej. Ndoshta do të nxjerrin të gjithë mësime nga debati dhe votimi rreth Gjykatës Speciale dhe të krijohen rrethana për raporte më të mira, më të sinqerta mes Kosovës dhe BE-së dhe SHBA-së, më transparente dhe më demokratike. Ndoshta ka ardhur koha që përfaqësuesit e popullit të Kosovës që përfaqësojnë vendin e tyre e jo interesat personale dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të negociojnë me partnerët e tyre kosovarë jo rreth çështjeve dhe kërkesave të tyre personale, por për Kosovën në tërësi.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...