BE-ja nuk do obligime rreth zgjerimit të mëtejmë

27 Maj 2015 - 08:26 - Augustin Palokaj      

Në BE për zgjerimin mendojnë se është diçka që ka qenë mirë deri tash, por tani duhet pasur kujdes. Nëse ndodh me Ballkanin ndonjëherë mund të kalojë, por më shumë jo. Prandaj edhe BE-ja zhgënjeu qytetarët e vendeve të partneritetit lindor me refuzimin që nga Samiti i Rigës t’u japin premtime për të ardhmen e tyre evropiane. Riga nuk ishte për Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe vendet e tjera lindore ajo që Selaniku në vitin 2003 ishte për vendet e Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian fundjavën e shkuar ka zhvilluar një samit të madh në kryeqytetin e Letonisë, Riga. Pothuajse të gjithë shefat e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare kanë ardhur për t’u takuar me homologët e tyre nga vendet e “partneritetit lindor”, që në fakt janë shtetet fqinje të BE-së që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ky samit ishte përgatitur për një kohë të gjatë dhe ka pasur për qëllim të konfirmojë përkushtimin e Bashkimit Evropian për lidhje më të forta me këto shtete, përmes marrëveshjeve të partneritetit dhe atyre tregtare.

Samiti, sipas BE-së, arriti qëllimin e vet, por nuk mund të thuhet se ai përmbushi edhe pritjet e qytetarëve të vendeve të Evropës Lindore, të cilët dëshirojnë t’i ikin zonës ruse të interesit dhe të bëhen një ditë edhe vetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Por, para së gjithash, me insistimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe të presidentit të Francës, François Hollande, këtyre vendeve në konkluzionet e takimit dhe në deklaratën e samitit nuk iu dha asnjë hapësirë për të besuar se kanë mundësi të llogarisin në të ardhmen që të përfshihen në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, deri në anëtarësim në BE. Kjo “perspektivë evropiane” për ta nuk u përmend në dokument fare, edhe pse disa vende të BE-së, sidomos shtetet baltike dhe Polonia, ishin të interesuara që t’u lihet atyre një derë e hapur për të ardhmen. Në prononcimet e tyre disa liderë të BE-së ishin të qartë. Kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha se “as ne e as ato vende nuk jemi të gatshme për një gjë të tillë” ndërkohë që Merkel ishte edhe më e qartë duke thënë se “nuk duam t’u japim shpresa të rrejshme”.

Në BE për zgjerimin mendojnë se është diçka që ka qenë mirë deri tash, por tani duhet pasur kujdes. Nëse ndodh me Ballkanin Perëndimor ndonjëherë mund të kalojë, por më shumë jo. Prandaj edhe BE-ja zhgënjeu qytetarët e vendeve të partneritetit lindor me refuzimin që nga Samiti i Rigës t’u japin premtime për të ardhmen e tyre evropiane. Riga nuk ishte për Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe vendet e tjera lindore ajo që Selaniku në vitin 2003 ishte për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata të cilët kanë krijuar shpresa të rrejshme për qytetarët në lindje të Evropës, të cilët do të donin të bëheshin pjesë e BE-së, e të cilëve nuk mund t’u mohohet se janë evropianë, është dashur të kishin nxjerrë mësime nga procesi me vendet e Ballkanit Perëndimor. Është dashur të analizojnë sesa vështirë ka qenë që shteteve të cilat janë të rrethuara si enklavë në barkun e BE-së t’u premtohet një e ardhme e integrimit të plotë në BE. Por edhe kur u premtua realizimi u pa si diçka shumë, shumë e vështirë, në kufijtë e të pamundurës.

Kanë kaluar plot 15 vjet kur në Samitin e Zagrebit u përmend për herë të parë “perspektiva evropiane e rajonit të Ballkanit” dhe plot 12 vjet prej Samitit të Selanikut, kur me një deklaratë të posaçme u konfirmua një perspektivë e tillë. Por prej atëherë vetëm Kroacia arriti të bëhet anëtare e BE-së. Madje Kroacinë qysh atëherë disa e shihnin më shumë si një “mbetje” nga vala e fundit e zgjerimit që duhet futur disi në atë tren. Vendet e tjera kanë bërë shumë pak përparim në procesin e integrimit, nëse ky përparim krahasohet me periudhën kohore që ka kaluar prej atëherë. Disa si Shqipëria mezi janë bërë me status kandidati, Mali i Zi dhe Serbia mezi kanë nisur negociatat. Maqedonia është duke u mbajtur e bllokuar, ndërsa Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kanë nisur fare procesin. Turqia, në anën tjetër, konsiderohet nga shumë diplomatë evropianë si vend i cili vështirë se mund të paramendohet ndonjëherë si anëtar i BE-së, edhe pse është anëtar i NATO-s ndërsa negociatat e anëtarësimit në BE i kishte hapur pak para Kroacisë. Për dhjetë vjetët e ardhshëm pakkush beson se ndonjë nga vendet e Ballkanit do të bëhet anëtar i BE-së. Madje edhe zyrtarisht në BE pohojnë se në mandatin e Komisionit të tashëm, pra deri në vitin 2020, nuk do të ketë zgjerim. Kjo nuk ishte vetëm një deklaratë parazgjedhore e presidentit të tashëm të Komisionit, Jean Claude Juncker, por është edhe platformë e vlerësimit të Komisionit Evropian, që reflekton edhe qëndrimin e vendeve kryesore anëtare rreth procesit të zgjerimit.

Pra, edhe kur të hyjë ndonjë vend tjetër i rajonit të Ballkanit në BE, kjo do të jetë diku 25 apo 20 vjet pas premtimeve që kishin marrë për këtë. E nëse është aq e vështirë për Ballkanin, atëherë duhet kuptuar se pse është e pamundur për vendet e fqinjësisë lindore të BE-së.

Gjërat nuk kanë shkuar mirë për procesin e zgjerimit. Në BE kanë ndodhur shumë gjëra në dëm të këtij procesi, ndërsa në vendet e Ballkanit dhe ato lindore nuk kanë ndodhur shumë përparime që do të ndihmonin ata të cilët do të tentonin ta përshpejtonin procesin e zgjerimit. Kriza në Ukrainë ndoshta ka rritur simpatinë për popullin e këtij shteti, dhe ka acaruar raportet me Rusinë, por nuk ka ndikuar që të rritet gatishmëria politike për t’u dhënë perspektivë evropiane. Procesi i zgjerimit nuk shikohet më si një projekt idealist i bashkimit të kontinentit, por më shumë si një proces nga i cili duhet pasur kujdes në mënyrë që BE-ja të mos dëmtohet.

Në këto rrethana duhet thënë të vërtetën qytetarëve e jo të krijohen iluzione tek ata. Qytetarët e Ukrainës kur rrezuan diktaturën proruse të Viktor Yanukoviqit ndoshta kanë shpresuar se do të mund të hyjnë në BE. Por duhet të kenë qenë të zhgënjyer sepse një gjë e tillë së paku në një të ardhme të parashikueshme nuk është e mundur. BE-ja është e gatshme t’u ndihmojë, t’ua hapë tregun, t’u japë para përmes kredive apo mjeteve pa kthim, t’ua heqë ndoshta një ditë edhe vizat, por nuk ka gatishmërinë që t’u premtojë integrim në BE.

Sa të pabaza janë iluzionet, ukrainasit, moldavët, bjellorusët dhe të tjerët mund të mësojnë nga kosovarët, të cilët vazhdojnë të jetë “optimistë të papërmirësueshëm”. Edhe pse vetë BE-ja thotë se nuk do të ketë zgjerim deri në vitin 2020, edhe pse Kosova nuk trajtohet fare si shtet nga BE-ja, edhe pse ende nuk e ka nënshkruar as Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në ( e cila edhe kur të nënshkruhet saktëson se Kosova nuk trajtohet si shtet), sipas anketave, shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se deri në vitin 2020 vendi i tyre do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Kjo i bën kosovarët optimistët më të mëdhenj rreth procesit të zgjerimit, ndërsa politikanët e tyre nuk duan t’ua humbin shpresat e t’u thonë se nuk është e mundur një gjë e tillë. E pritjet e tepruara, joreale, shkaktojnë edhe zhgënjime të mëdha. Prandaj duhet thënë të vërtetën për procesin e zgjerimit dhe ajo e vërtetë është se në këtë proces Bashkimi Evropian nuk do të marrë obligime më.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...