Në Ballkan nuk do të ketë luftë, por as qetësi

28 Shtator 2016 - 08:41 - Augustin Palokaj      

Serbët në Bosnjë e Hercegovinë nuk i njohin ligjet e këtij shteti, serbët në veri të Kosovës nuk i njohin ligjet e Kosovës, por të Serbisë. Beogradi mbështet dhe dirigjon serbët jashtë Serbisë, duke përfshirë edhe në aventura të rrezikshme siç ishte të dielën referendumi në entitetin Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Këtë e mbështet edhe Moska, që ka një mundësi të jashtëzakonshme që të sfidojë Perëndimin, i cili tashmë është lodhur nga Ballkani. E Beogradi, derisa destabilizon vendet fqinje, mburret se është një faktor stabiliteti në rajon. Për të gjitha partitë politike të Kosovës është naivitet pse nuk e shohin se nga vjen rreziku i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe mundohen t’i bindin të tjerët se më e rrezikshmja për tërë rajonin na qenka Lëvizja Vetëvendosje.

Prej së dielës së fundit mund të thuhet se gjërat kanë filluar të ndryshojnë në Bosnjë e Hercegovinë, vend i cili është thembra e Akilit për Ballkanin Perëndimor. Vend ku ndodhi lufta më e përgjakshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, dhe vend ku ndodhi edhe gjenocidi, i konfirmuar edhe formalisht edhe nga Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës, edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. E kur në Bosnjë e Hercegovinë gjërat nuk do të jenë më sikur kanë qenë, nuk dihet se në cilin drejtim ato do të shkojnë.

Të jemi të qartë: Bosnjë e Hercegovina është vend plot bizaritet, sepse ashtu e la bashkësia ndërkombëtare, duke menduar se një shtet mund të funksionojë normalisht në bazë të një marrëveshjeje të paqes, të arritur në një bazë ushtarake në Amerikë për ta ndalur luftën. Për shkak të këtij bizariteti, Bosnjë e Hercegovina nuk mund ta njohë as Kosovën, edhe pse të dyja këto shtete do të duhej të kenë një miqësi të madhe, sepse, mes tjerash, i lidh edhe fati se ishin dy viktimat më të mëdha të agresionit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Nuk është edhe histori aq e largët, por sa për t’ua rikujtuar atyre që kanë qenë tepër të rinj në atë kohë, Bosnjë e Hercegovinë është e tillë pasi që në Dayton, në vitin 1995, me presionin amerikan dhe më të gjerë ndërkombëtar, u arrit marrëveshje për të ndalur luftën e përgjakshme. Kjo marrëveshje u arrit pasi kishte ndodhur gjenocidi në Srebrenicë. Dhe me këtë marrëveshje pikërisht Srebrenica, sikur edhe gjysma e territorit të Bosnjë e Hercegovinës, ua dha serbëve të Bosnjës që janë bartës të entitetit të quajtur “Republika Srpska”. Gjysma tjetër e Bosnjë e Hercegovinës u quajt “Federata e Bosnjë e Hercegovinës” që përbëhet nga boshnjakët që dikur quheshin edhe si kombësi “musliman” dhe kroatët. Pos kësaj ndarjeje territoriale, të tre popujt (boshnjakët, serbët dhe kroatët) janë popuj konstituivë të shtetit që quhet “Bosnjë e Hercegovina” e që përbëhet nga një Federatë dhe një Republikë. Është vendi me më së shumti kryeministra dhe ministra në Evropë, sepse ka qeveri shtetërore, të entiteteve, të kantoneve, të distrikteve. Ka edhe presidentë, ministra sa të duash.

Kjo ndarje ishte, pak a shumë, njohje e realitetit në terren, pra edhe njohje e pastrimit etnik. Thëniet se pas luftës të gjithë do të kenë të drejtë të kthehen në shtëpitë e veta ishin vetëm shprehje e parimeve, duke e ditur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Dhe kështu sot e kësaj dite, 21 vjet më vonë, Bosnjë e Hercegovina vazhdon të çaloj si shtet jofunksional i ndarë në dy entitete. Dhe kjo ndarje ka bërë që edhe raportet mes boshnjakëve dhe kroatëve, të cilët me përjashtim të disa episodeve të turpshme të luftës mes vete, kryesisht ishin aleatë në luftë. Tash kroatët, numri i të cilëve është zvogëluar, duken të margjinalizuar në entitetin e dominuar nga boshnjakët. Kjo bën që askush të mos jetë i kënaqur.

Prej mbarimit të luftës e deri më sot, bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar status quo-në në Bosnjë e Hercegovinë, edhe pse është e qartë se dështimi në këtë shtet, së paku, është përgjegjësi e barabartë edhe e vendorëve, edhe e ndërkombëtarëve. Kanë toleruar që Republika Srpska, me ndihmën e Beogradit, kohëve të fundit edhe të Moskës, të injorojë organet e përbashkëta të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Edhe këtë të diel u zhvillua referendumi në të cilën qytetarët e këtij entiteti u shprehen kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës lidhur me datën e caktuar si festë shtetërore në Republika Srpska, për të cilën Gjykata konstatoi se fyen ndjenjat e grupeve etnike joserbe.

Dhe ky referendum ishte vetëm një testim se si do të mundë të reagonte bota sikur të zhvillohej në të ardhmen një referendum për shkëputjen e Republika Srpskas nga Bosnjë e Hercegovina. Reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ishe shumë i paqartë. Në Bruksel në fillim nuk shprehnin shqetësime të mëdha. Madje, komisioneri Johanes Hahn, që merret me fqinjësi dhe negociata të zgjerimit, pra ka në resorin e tij edhe Ballkanin, vetëm e konsideronte si pak të rëndësishëm këtë referendum duke thënë se “ai është vetëm konsultativ”. Nuk tha se është i rrezikshëm.
Rusia mbështeti pa dyshim këtë referendum. Nuk pati nevojë që presidenti rus Putin të dalë para kamerave dhe të shprehte mbështetjen, por mjaftoi që dy ditë para referendumit në Moskë ta pranojë në takim presidentin e Republika Srpskas, Milorad Dodik. Pas këtij takimi nuk pati më nevojë për fjalë.

Edhe Beogradi, si zakonisht, u mundua të luajë një rol të dyfishtë. Nuk u shpreh në mbështetje të referendumit por u shpreh në mbështetje të popullit e të institucioneve të Republika Srpskas. Pas një deklarate të ish-komandantit të forcave të Bosnjë e Hercegovinës, Sefer Haliloviq, se mund të ketë luftë, ish-megafoni i Slobodan Milosheviqit, Ivica Daçiq, përsëri, sikur edhe para 26 vjetësh, doli të kërcënojë se “Serbia nuk do të rrijë duarkryq”.
Është naive të besohet se Serbia nuk e ka mbështetur këtë referendum. Sikur vërtet Beogradi të mos e kishte mbështetur, ky referendum nuk do të kishte ndodhur. Por Beogradit nuk duhet t’i zihet për të madhe. Ai vetëm po zbaton politikën e vet.

Problemi është te Bashkimi Evropian e në një masë edhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reagimi i plogësht i tyre ndaj këtij referendumi dhe naiviteti me të cilin kanë besuar në pohimet se Beogradi është “faktor stabilitetit” mund t’u ketë dhënë kurajë atyre që duan të ndajnë Bosnjë e Hercegovinën. Në kokën dhe logjikën e tyre edhe serbët e Bosnjës, edhe Beogradi, edhe Moska, do të gjejnë argumente krahasuese. Do të thonë “pse Kosova bën e Republika Srpska jo”, sikur thotë Putini tash kur ka okupuar pjesë të Ukrainës.

Serbët në Bosnjë e Hercegovinë nuk i njohin ligjet e këtij shteti, serbët në veri të Kosovës nuk i njohin ligjet e Kosovës, por të Serbisë. Beogradi mbështet dhe dirigjon serbët jashtë Serbisë, duke përfshirë edhe në aventura të rrezikshme siç ishte të dielën referendumi në entitetin Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Këtë e mbështet edhe Moska, që ka një mundësi të jashtëzakonshme që të sfidojë Perëndimin, i cili tashmë është lodhur nga Ballkani. E Beogradi, derisa destabilizon vendet fqinje, mburret se është një faktor stabiliteti në rajon. Për të gjitha partitë politike të Kosovës është naivitet pse nuk e shohin se nga vjen rreziku i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe mundohen t’i bindin të tjerët se më e rrezikshmja për tërë rajonin na qenka Lëvizja Vetëvendosje.

Popujt e Ballkanit kanë pasur tepër shumë pasoja, viktima dhe shkatërrime saqë të bien përsëri në ndonjë grackë të politikave dhe të hynë në luftë. Në Ballkan nuk do të ketë më luftë, por nuk do të ketë as qetësi. Politikanëve të dështuar në Ballkan nuk u konvenon qetësia dhe sundimi i rendit dhe i ligjit, nuk u konvenon as reforma që do t’i afronte këto shtete me standarde evropiane. Sepse me ato standarde ato nuk do të ishin aty ku janë. Por edhe ata janë të vetëdijshëm se lufta nuk guxon të kthehet në Ballkan.
E sa ka nxjerrë mësime BE-ja nga Ballkani shihet nga fakti se as që u kujtohet se aty ka pasur luftë të përgjakshme, e cila, nëse llogaritet nga lufta në Kroaci në vitin 1991 e deri te fundi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë, ka zgjatur më shumë se nëntë vite, e nëse llogarisim edhe konfliktin e armatosur në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës, edhe më shumë.

Po para dy javësh presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian, thoshte se “Evropa tash e 70 vite jeton në paqe”. Jo zoti Juncker, Evropa nuk ka jetuar në paqe ta vazhdueshme tash e 70 vite. BE-ja ndoshta, por Evropa jo. Pos nëse Ballkanin nuk e konsideroni Evropë.
E në rastin e Bosnjë e Hercegovinës pamë se si BE-ja nuk di gjë tjetër, pos të bëjë disa hapa formalë në procese të gjata duke besuar se kjo do të mjaftojë që te njerëzit të kthehet besimi kah e ardhmja e jo të mendojnë për të kaluarën.

Këshilli i Ministrave të BE-së këto ditë, dy-tri ditë para referendumit në entitetin e Republika Srpskas në Bosnjë e Hercegovinë, mori vendim që Komisionit Evropian t’i japë mandatin që të nisë procedurën për të dhënë mendimin për kërkesën e këtij shteti për status kandidati për anëtarësim në BE. Një hap shumë teknik në një proces shumëvjeçar që për qytetarët e thjeshtë është edhe i pakuptueshëm. Tepër pak si përgjigje ndaj kërcënimit më të madh të stabilitetit në rajon. Por në Bosnjë e Hercegovinë ndoshta edhe nuk mund pritet më shumë nga BE-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...