18 Qershor 2014 - 08:35 - Augustin Palokaj
”Ajo që sot më së shumti u intereson qytetarëve të Evropës është se kush do ta fitojë Kupën botërore në futboll. Vetëm një numër i vogël i tyre do të ndjekin debatin rreth kryetarit të ardhshëm të Komisionit Evropian“. Me këto fjalë e ka nisur një editorial të botuar në shumë gazeta evropiane kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, në të cilin ai shpreh qëndrimet e shtetit të tij kundër zgjedhjes së ish-kryeministrit të Luksemburgut, Jean Claude Juncker, në postin e kryetarit të Komisionit Evropian si pasardhës të Jose Manuel Barrosos për 5 vitet e ardhshme.
Mes tjerash Cameron argumenton se në zgjedhjet evropiane, ku shumicën e votave e fitoi grupimi i Partive Popullore Evropiane (EPP), njerëzit kanë votuar për deputetë të Parlamentit Evropian e jo për zgjedhjen e Junckerit si kryetar të Komisionit.
Përmendëm këtë rast për të sqaruar dy gjëra për opinionin kosovar. E para është se askujt në BE nuk i intereson se kush do ta formojë Qeverinë e Kosovës. Nëse vërtet qytetarëve nuk u intereson as kush do të jetë kryetar i Komisionit, pse t’u interesojë se a do të jetë Ramush Haradinaj apo Hashim Thaçi në krye të Qeverisë së ardhshme të Kosovës.
As institucioneve në BE nuk u intereson shumë, sepse krerët e saj janë më së shumti të fokusuar, pos në Botërorin e futbollit, në gjetjen e përgjigjes në pyetjen se sa do t’u zgjasë mandatit për ndonjë muaj nëse nuk formohet me kohë Komisioni i ardhshëm i BE-së. E vetmja gjë që u intereson rreth Qeverisë së ardhshme të Kosovës është se a do të vazhdojë apo jo dialogu me Serbinë dhe a do të zbatojë Kosova të gjitha marrëveshjet të cilat në emër të saj Hashim Thaçi i ka arritur deri tash me Beogradin.
Nëse përgjigjja do të ishte “jo”, atëherë Kosova nuk do të mund të priste nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, dhe nëse përgjigjja do të ishte “po”, atëherë Kosova do të kishte gjasa të mira për ta nënshkruar këtë marrëveshje, edhe pse nuk do ta kishte të garantuar.
E dyta është që të shihet se në Evropë, në demokraci funksionale janë marrëveshjet politike dhe logjika e numrave, e cila zgjidh dilemat e jo kush ka dalë i pari në zgjedhje. Pra përgjigjen përfundimtare në pyetjen se kush do të jetë pasardhës i Jose Manuel Barrosos në krye të Komisionit Evropian do ta japin konsultimet politike pas të cilave do të shihet se për cilin kandidat është siguruar mbështetja e shumicës së kualifikuar në Këshill (pra nga shtetet anëtare) dhe a do të mund i njëjti kandidat të ketë edhe shumicën e deputetëve në Parlamentin Evropian. Nëse Juncker siguron këtë atëherë ai mund të bëhet kryetar i Komisionit Evropian. Nëse këtë e siguron dikush tjetër pra do të mund të marrë të njëjtin post.
Bashkimi Evropian nuk është shtet dhe mund të thuhet se kjo logjikë është një kombinim i përvojave nga shtetet anëtare. Por, me përjashtim të mbretërve, edhe në shtetet anëtare askush nuk e ka të siguruar se mund të jetë në krye të qeverisë vetëm pse ka më së shumti vota. Edhe këtu zgjedhjet e përgjithshme, që edhe quhen „parlamentare“ janë për të zgjedhur deputetët në Parlament. Vetëm atëherë, në bazë të mbështetjes së shumicës së deputetëve, mund të formohet dhe të marrë mandatin qeveria.
Sipas interpretimeve të PDK-së se vetëm partia apo koalicioni që ka dalë në vendin e parë me rezultate në zgjedhje mund ta krijojë Qeverinë përjashton demokracinë. Pjesë përbërëse e demokracisë janë edhe marrëveshjet politike dhe ato bëhen në bazë të numrave. Nuk ka as edhe një vend të vetëm demokratik në Evropë ku forcat politike të cilat do t’i mblidhnin shumicën e votave në Kuvend të mos jenë në gjendje të formojnë qeverinë. Janë shumë shembuj në BE ku partia me numrin më të madh të votave është në opozitë.
Shembuj kemi nga Luksemburgu, Belgjika, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Republike Çeke e deri tek Holanda. Pa marrë parasysh se duket e logjikshme edhe pyetja se a i takon apo jo një lideri të një partie, e cila ka fituar vetëm 10 % të votave të jetë kryeministër (siç është rasti me Ramush Haradinajn) një pyetje e tillë është e parëndësishme nëse, me marrëveshje politike, janë siguruar votat në Kuvend për të mbështetur Qeverinë e tij.
Është shqetësuese se si PDK-ja mundohet me çdo kusht që të pengojë formimin e Qeverisë edhe në rast se do të siguroheshin votat. Është edhe më shqetësuese siguria me të cilën deklarohen disa anëtarë të rëndësishëm të PDK-së se Gjykata Kushtetuese do t’u japë vetëm atyre të drejtë që ta formojnë Qeverinë.
Politikanët kosovarë sillen sikur të mos ketë jetë jashtë pushtetit. Kjo acaron skenën politike, dhe jo vetëm politike në Kosovë dhe rrit tensionet. Interpretimet politike të Kushtetutë politizojnë edhe Gjykatën dhe nxisin dyshimin në të.
Nuk kemi arritur të gjejmë as edhe një zyrtar të vetëm të BE-së, as edhe një diplomat, i cili do të mohonte të drejtën që LDK, AAK dhe Nisma të krijojnë Qeverinë e Kosovës, nëse i kanë numrat. Për këtë marrëveshje pranojnë se janë të befasuar, por befasinë e tyre e shprehin edhe për shkak se kanë besuar në informatat që u vinin „nga burimet e tyre në Prishtinë“ se „Thaçi dhe Haradinaj kanë marrëveshje“.
Thënë sinqerisht një pjesë e zyrtarëve të BE-së, sidomos nga kabineti i baroneshës Catherine Ashton, do të preferonin ndoshta më shumë Thaçin si kryeministër për shkak se ai është mirë i njohur nga ata dhe ka qenë shumë konstruktiv në dialog me Beogradin. Por shpresojnë se, edhe nëse mbetet në opozitë, Thaçi dhe PDK-ja do të mbështesin edhe Qeverinë e ardhshme në vazhdimin e dialogut me Beogradin. „Sikurse Partia e zotit Haradinaj, me zotin Shala si koordinator, ka mbështetur dialogun gjatë kohës sa ishte në opozitë, edhe Partia e zotit Thaçi do të duhej ta mbështeste Haradinajn nëse ai bëhet kryeministër dhe PDK mbetet në opozitë“, thotë një diplomat evropian.
Në përgjithësi në BE thonë se „u takon vetë kosovarëve të vendosin për Qeverinë e tyre“, por pohimet se vetëm partia e cila del e para në zgjedhje mund të krijojë qeverinë, u duken „jologjike, jodemokratike, joevropiane dhe bizare“. Kosova është sui generis dhe dallon për shumë gjëra nga shtetet tjera. Por nuk do të duhej të dallonte në elementet bazë të demokracive parlamentare evropiane.
Dhe sipas kësaj, nëse vërtet e bindin presidenten se i kanë numrat në Kuvend, tri partitë nënshkruese të Marrëveshjes do të duhej të formonin Qeverinë. Dy shumica në Kuvend nuk mund të ekzistojnë dhe, nëse PDK, AAK, Nisma me disa pjesëtarë të pakicave i bëjnë numrat duhet ta formojnë Qeverinë dhe BE-ja do t’i pranojë si përfaqësues legjitimë të popullit të Kosovës. Nëse Thaçi, si lider i koalicionit që doli me më së shumti vota i dëshmon presidentes Jahjaga se ai i ka shumicën e votave në Kuvend, atëherë atij i takon mandati. Krijimi i Qeverisë, edhe pse duhet të jetë i bazuar në ligj dhe Kushtetutë, nuk është një procedurë ligjore, por një proces politik. E me marrëveshje politike, siç është zgjedhur edhe presidentja Jahjaga, mund të krijohen numrat në Kuvend, të cilët e legalizojnë dhe legjitimojnë më vonë një marrëveshje të tillë.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...