Çka është Kosova për BE-në dhe për NATO-n

1 Prill 2015 - 08:21 - Augustin Palokaj      

Përmendja “e sovranitetit” të Kosovës nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, nuk do të heqë asnjë nga pengesat formale në raportet e Kosovës me BE-në. Megjithatë, Mogherini do t’i bënte shërbim jo vetëm Kosovës, por edhe asaj pak politike të përbashkët të jashtme të BE-së që ekziston sikur të angazhohej për njohjen e Kosovës si shtet nga 5 shtetet anëtare që nuk e kanë bërë këtë deri tash. Ajo në cilësinë e saj do të duhej të kishte autoritet që të kërkonte një gjë të tillë në emër të unitetit të BE-së.

Kosova është shtet i shpallur si i pavarur tash e më shumë se shtatë vjet, por ende i gëzohet çdo njohjeje të saj, çfarëdo përmendjeje nga ndonjë figurë e rëndësishme botërore, anëtarësim në ndonjë organizatë apo pjesëmarrje në ndonjë zhvillim të rëndësishëm ndërkombëtar, e besa edhe rajonal. Mediet e Kosovës nuk e lënë pa regjistruar secilën ftesë që ndonjë shtet i bën ndonjë politikani të Kosovës për vizitë, secilin telegram që ua dërgon formalisht sipas kodit të mirësjelljes diplomatike dikush për festat kombëtare. Të gjitha këto i shohim si një dëshmi se Kosovën po e trajtojnë si shtet, si të barabartë me shtetet tjera. E nëse ka ndonjë zhvillim ku ftohet edhe Serbia, e zyrtarët e këtij shteti fqinj kushtëzojnë pjesëmarrjen, duke kërkuar që të mos ftohet Kosova, atëherë pjesëmarrja e Kosovës shihet si fitore e madhe.

Por shtetësia e Kosovës ende nuk është e përmbyllur krejtësisht në aspektin e njohjes ndërkombëtare. Problemet kryesore qëndrojnë në raportet me tri organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare: OKB-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Me asnjërën nga këto tri organizata Kosova nuk ka raporte formale si shtet sovran dhe i pavarur. Në organin kryesor të OKB-së, Këshillin e Sigurimit, ekziston e drejta e vetos nga 5 shtete anëtare të përhershme e Rusia deri tash ka thënë qartë se nuk do ta njohë Kosovën si shtet, ndërkohë që as Kina nuk e ka njohur e as që ka dhënë ndonjë sinjal që mund ta bëjë një gjë të tillë.

Në NATO dhe BE, dy organizatat të cilat padyshim kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin ndihmën më të madhe për Kosovën, vendimet merren me konsensus të të gjitha anëtareve dhe, duke pasur parasysh se 4 shtetet e NATO-s dhe 5 të BE-së nuk e njohin Kosovën, formalisht Kosova nuk mund të trajtohet si shtet. Si pasojë me Kosovën nuk mund të kenë raporte sikur me secilin shtet sovran. Kosova është i vetmi shtet i rajonit i cili nuk është pjesëmarrës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. Kosova është i vetmi shtet i rajonit, i cili nuk ka me Bashkimin Evropian një Marrëveshje Stabilizim-Asocimi dhe, edhe pse do ta ketë së shpejti një të tillë të nënshkruar, ajo do ta bëjë të qartë se me të nuk prejudikohen qëndrimet e shteteve anëtare për statusin dhe si pasojë nuk do të mund të quhet si hap formal drejt procesit të integrimit në BE.

Se Kosova nuk trajtohet si shtet kemi pasur shumë shembuj në këto shtatë vite të fundit edhe nga NATO-ja, edhe nga BE-ja. Madje ka pasur edhe raste qesharake sikur njoftimet e NATO-s për takime me kryeministrin e Kosovës, ku i përmendet vetëm emri, por jo edhe funksioni e as shteti. Në BE me javë diskutojnë se cilën fjalë do ta përdorin kur i referohen Kosovës. Edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e quajnë “dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Dhe në gjithë këtë kohë Parlamenti Evropian, ku rezolutat miratohen me shumicë votash, trajton Kosovën si shtet dhe kërkon nga 5 shtetet e BE-së që ta njohin këtë pavarësi. Këto rezoluta na gëzojnë, kanë një rëndësi politike, por nuk kanë ndonjë fuqi obliguese për vendet anëtare.

Në këto rrethana në Kosovë u vërejt dhe pati jehonë një përgjigje e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila Kosovës iu referua si “vend sovran”, duke folur për dialogun si një dialog mes “dy palëve, dy vendeve sovrane”. Në Bruksel u habitën me këtë deklaratë, sepse deri tash asnjëherë një përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri nuk i është referuar Kosovës si shtet. Këtë asnjëherë nuk e ka bërë baronesha Catherine Ashton, paraardhëse e Mogherinit. Por ishin të menjëhershme sqarimet se “asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e BE-së” dhe se “njohja është në kompetenca të shteteve anëtare”.

Përmendja “e sovranitetit” të Kosovës nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, nuk do të heqë asnjë nga pengesat formale në raportet e Kosovës me BE-në. Megjithatë Mogherini do t’i bënte shërbim jo vetëm Kosovës, por edhe asaj pak politike të përbashkët të jashtme të BE-së që ekziston sikur të angazhohej për njohjen e Kosovës si shtet nga 5 shtetet anëtare që nuk e kanë bërë këtë deri tash. Ajo në cilësinë e saj do të duhej të kishte autoritet që të kërkonte një gjë të tillë në emër të unitetit të BE-së. Si mund të flitet për unitet të BE-së rreth problemeve në pjesë tjera të botës nëse nuk ka unitet sa i përket Kosovës?! Vërtet disa prej problemeve që ka Kosova nuk janë të shkaktuara nga mosnjohja e saj nga këto shtete të BE-së apo NATO-s. Liberalizimi i vizave nuk pengohet nga 5 shtetet e BE-së, as ndihma ekonomike nuk pengohet nga askush. Misioni i EULEX-it nuk ka dështuar për shkak se Spanja nuk merr pjesë në të, ndërsa mosnjohja nuk ka faj për korrupsionin e lartë në Kosovë. Por pa këto njohje Kosova nuk do të mund të lëvizë në raportet formale me BE-në dhe NATO-n.

Deri tash janë lëshuar dy raste shumë të mira që pa ndonjë problem 5 shtetet e BE-së ta njohin Kosovën. Së pari, atëherë kur Kosova shpalli pavarësinë, në shkurt të vitit 2008, mungoi uniteti. Sikur atëherë të gjitha shtetet e BE-së ta kishin njohur Kosovën gjithçka do të ishte më lehtë. Edhe Serbia do ta kishte më lehtë ta njihte realitetin dhe me këtë edhe normalizimi i raporteve do të mund të bëhej më lehtë. Asnjë normalizim, i cili nuk do të qartësonte raportet si raporte të dy shteteve sovrane dhe të pavarura nuk do të ishte normal. Raporte normale mund të kenë vetëm shtetet sovrane që respektojnë njëra- tjetrën e jo një shtet me shtetin fqinj, i cili ka aspirata territoriale.

Rasti i dytë për të bërë trysni për njohje ishte pas shpalljes së Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila pikërisht duke iu përgjigjur pyetjes së parashtruar nga Serbia, tha se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm që Brukseli të bënte presion ndaj 5 shteteve të BE-së apo 4 të NATO-s, që ta njohin Kosovën, sidomos për shkak se ato shtete mosnjohjen e argumentonin duke thënë se “respektojnë të drejtën ndërkombëtare”. Sikur të ishte njohur Kosova atëherë, Serbia, e cila vetë kërkoi një deklarim të GJND-së, do ta kishte më lehtë ta njihte realitetin dhe do të mund të ecte më shpejt drejt integrimeve të saj anëtare. Në vend të kësaj të gjithë filluan të merren me dialogun dhe normalizimin e raporteve, pa pasur nevojë që dikush të ndryshojë qëndrimet rreth statusit. Dhe në këtë dialog BE-ja pikërisht mosnjohjen nga 5 shtetet anëtare filloi ta shfrytëzonte si përparësi të saj. Vetë njëri prej personave kryesorë në dialog na e kishte pranuar një gjë të tillë, duke thënë se “serbëve u themi se jemi neutral ndaj statusit, sepse 5 shtete nuk e kanë njohur. Shqiptarëve u themi se shumica e madhe e shteteve ua kanë njohur shtetësinë dhe kjo është punë e kryer. Kështu ne jemi lehtësuesit më të mirë të mundur”. Kështu BE-ja, pa marrë parasysh thënies së sinqertë të shefes së saj të diplomacisë, Mogherini, do të vazhdojë të kërkojë formula të ndryshme për raportet me Kosovën, pa tentuar që të zgjidhë ndasinë mes shteteve të saj anëtare rreth njohjes së shtetësisë dhe sovranitetit.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...