Loja pingpong me emigrantët

27 Gusht 2015 - 08:28 - Augustin Palokaj      

Kancelarja gjermane, Merkel, ka të drejtë kur thotë se për BE-në problemi me refugjatët do të jetë edhe më i vështirë sesa kriza greke apo shpëtimi i eurozonës. Vërtet për asnjë temë shtetet e BE-së nuk kanë treguar mungesë aq të madhe solidariteti sesa rreth ndarjes së barrës për strehimin e refugjatëve që vërtet kanë nevojë për strehim, e në mesin e tyre nuk janë kosovarët, të cilët kësaj radhe në shumicën e rasteve do të kthehen në Kosovë. Ndoshta në një të ardhme jo aq të largët edhe Kosova do të bëhet vend, i cili do të duhet të strehojë emigrantë.

Dy të rinj nga Kosova para disa ditësh i kishte kafshuar gjarpri në pjesën më jugore të Kroacisë, në brendësi të Dalmacisë, afër qytetit të Dubrovnikut. Kjo kishte ndodhur pasi ata ilegalisht kishin hyrë në Kroaci nga territori i Malit të Zi. Fati i tyre ishte se kishin kërkuar ndihmë nga fshatarët dhe ata kishin thirrur ndihmën e shpejtë. Pas tri ditësh shërimi në spitalin e Dubrovnikut jeta e tyre më nuk ishte në rrezik.

Por, me të dalë nga spitali, ata u morën në polici, ku do të intervistohen për hyrje ilegale në territorin kroat Për këtë rast kishin shkruar javën e shkuar gazetat kroate më shumë si një kuriozitet sesa shqetësim. Të gjitha shtetet e BE-së, përkundër ndonjë simpatie që mund të kenë për gjendjen e rëndë sociale të njerëzve në Kosovë, e kanë të lehtë t’i kthejnë ata në vendin e vet, dhe madje, nëse duan, t’ua ndalojnë për disa vjet hyrjen në territorin e Bashkimit Evropian.

Shqetësimin mediat e kishin lënë për një zonë tjetër të Kroacisë dhe për një grup tjetër refugjatësh, të cilët pritet të arrijn në Kroaci, pasi Hungaria të mbarojë punën në ndërtimin e një muri me tela gjemborë përgjatë kufirit të saj me Serbinë. Numri i madh i refugjatëve nga Siria, Iraku, Afganistani dhe Eritrea po arrin në Maqedoni nga Greqia, nga shkojnë në Serbi për të kaluar në Hungari.

Asnjë nga këto vende nuk është destinacioni i dëshiruar, por vetëm vend transiti për të shkuar në ndonjë vend më të pasur të Bashkimit Evropian. Ata vërtet ikin nga lufta dhe nga përndjekja, qoftë e regjimit diktatorial, qoftë nga ekstremistët islamikë. Por pos lirisë duan të strehohen në një vend ku mund të ketë edhe një të ardhme më të mirë ekonomike. E numri i tyre është aq i madh, saqë asnjë vend i BE-së, e as BE-ja si tërësi, nuk mund të përballojnë lehtë.
Pamjet dramatike të cilat për muaj vinin nga Deti i Mesdheut tash janë duke ardhur nga e ashtuquajtura “Ruta Ballkanike”.

Më saktësisht nga kufiri mes Greqisë dhe Maqedonisë, nga Lugina e Preshevës, nga Beogradi dhe kufiri i Serbisë me Hungarinë. Tash kjo rutë është bërë kanali kryesor përmes të cilit refugjatët nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika vijnë në Evropën Perëndimore. Rrugëtimi i tyre është i rëndë, dramatik dhe me plot vështirësi. Udhëtojnë me muaj të tërë. Dhe kalimi i secilit kufi për ta është sfidë. Nuk është kurrsesi aventurë për të cilën dikush vendos lehtë ta ndërmarrë.

Numri aq i madh i emigrantëve ka bërë që fati i tyre të jetë sot problemi më i rëndë për Bashkimin Evropian. Kancelarja gjermane, Merkel, ka të drejtë kur thotë se për BE-në problemi me refugjatët do të jetë edhe më i vështirë sesa kriza greke apo shpëtimi i eurozonës.

Vërtet për asnjë temë shtetet e BE-së nuk kanë treguar mungesë aq të madhe solidariteti sesa rreth ndarjes së barrës për strehimin e refugjatëve që vërtet kanë nevojë për strehim, e në mesin e tyre nuk janë kosovarët, të cilët kësaj radhe në shumicën e rasteve do të kthehen në Kosovë. Ndoshta në një të ardhme jo aq të largët edhe Kosova do të bëhet vend i cili do të duhet të strehojë emigrantë.

Me refugjatët në Evropë shtetet po luajnë pingpong dhe kjo pikërisht për shkak se askush nuk i do dhe secili mendon se problemi i tyre nuk ka të bëjë me ta. Gjermania këtë vit mund të ketë deri në 800.000 azilkërkues. Dy herë më shumë sesa rekordi i shënuar në këtë shtet në vitin 1992 gjatë luftës në territorin e ish-Jugosllavisë kur shumë njerëz, duke ikur nga lufta, gjetën strehim në Evropë.

Hungaria tashmë ka më shumë se 120.000 azilkërkues vetëm këtë vit. Greqia dhe Italia kanë numrin më të madh të ardhjes së refugjatëve, por Gjermania, Franca dhe Suedia kanë numrin më të madh të kërkesave për azil e vendet tjera heshtin. Mendojnë se ky nuk është problem i tyre.

Komisioni Evropian ka dështuar të bindë shtetet anëtare që të arrihet një zgjidhje gjithevropiane përmes mekanizmave të rivendosjes së refugjatëve kur një shtet anëtar të përballet me ndonjë valë të madhe të tyre. Por propozimi i Komisionit u refuzua, disa shtete e quajtën “të papranueshëm” e disa madje edhe “propozim të çmendur”.

Plani për vendosjen e kuotave obliguese dhe mekanizmave të përhershëm nuk e realizua dhe shtetet u pajtuan që të strehojnë deri në 32.000 refugjatë nga Siria dhe Eritrea, të cilët kanë arritur në Greqi dhe Itali, apo janë në qendrat e refugjatëve jashtë BE-së, por i plotësojnë kushtet për të marrë strehim politik.

Në vend të kësaj vendet anëtare të BE-së po veprojnë në mënyrë unilaterale. Hungaria po ndërton murin përgjatë tërë kufirit me Serbinë për të ndalur valën e emigrantëve që të hyjnë në territorin e tyre. Greqia i drejton kah Maqedonia, kjo u hap kanalin për në Serbi e Serbia kah Hungaria, e në të ardhmen ndoshta drejt Kroacisë. Sllovakia thotë se do të pranojë 200 emigrantë, por me kusht që ata të jenë të krishterë e jo myslimanë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të këtij vendi të BE-së thotë se “në Sllovaki nuk ka xhami dhe ata nuk do ta ndienin veten mirë këtu”. Sikur ideja e Sllovakisë ashtu edhe ajo e Hungarisë kanë shokuar shumë diplomatë, por BE-ja nuk ka mekanizma të veprojë ndaj këtyre shteteve.

Problemi i refugjatëve ka ndarë Evropën edhe mes Lindjes dhe Perëndimit. Vendet e vjetra anëtare të BE-së, të cilat kanë një komunitet të madh emigrantësh, tashmë të integruar, mendojnë se u takon vendeve të reja anëtare që të marrin më shumë refugjatë. Në një anë vendet e reja nuk kanë pranuar deri tash shumë refugjatë e në anën tjetër ato vende edhe ashtu përmes fondeve kohezive janë duke përfituar nga shtetet e vjetra anëtare, ato më të pasura, për zhvillimin e tyre, prandaj edhe duhet të mbajnë një barrë më të madhe edhe në këtë rast.

Në anën tjetër vendet e reja anëtare nga Evropa Lindore mendojnë se janë ende shumë më pak të zhvilluara, nuk kanë përgjegjësi për atë që po ndodh në Siri e Irak, dhe nuk u takon atyre që të shqetësohen për këtë punë. E po ashtu thonë se edhe ashtu refugjatët duan të shkojnë në vendet e Perëndimit.

Kjo dëshmon se Evropa e ka humbur atë shpirtin solidar që ka pasur. Falë këtij solidariteti edhe strehuan numër aq të madh të shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, kur këta vërtet kishin arsye të ikin për shkaqe sigurie. Falë këtij solidariteti edhe ndërhynë për të çliruar Kosovën. Por sot solidariteti ndaj refugjatëve nga Siria ekziston vetëm në fjalë, me shpresën se ata nuk do të vijnë në vendin e tyre, por do të shkojnë në një tjetër. Refugjatët sot nga një pjesë e shoqërisë evropiane shihen si kërcënim e jo si njerëz që kanë nevojë për ndihmë.

Ironik duket fakti se më të zëshmit kundër ndihmës emigrantëve janë ata që jetojnë në shtetet nga të cilat miliona njerëz jo shumë vonë gjetën strehim në vendet tjera. Në Gjermani ksenofobët dhe racistët kryesisht vijnë nga pjesa lindore, ish-komuniste e këtij vendi. Sllovakët, çekët dhe hungarezët po ashtu gjatë komunizmit gjenin strehim kur arrinin të iknin nga diktatura.

Me këtë sfidë këtë vjeshtë do të merret seriozisht Bashkimi Evropian, por gjetjen e zgjidhjes do ta ketë të vështirë. Sepse ky problem nuk zgjidhet me para. BE-ja, siç dëshmon rasti i Greqisë, më pak e ka problem gjetjen e parave sesa arritjen e një qëndrimi të përbashkët politik për zgjidhjen e ndonjë krize.

Për të qenë edhe më e vështirë kjo çështje përdoret edhe terrorizmi në rritje edhe në Evropë, që kryesisht vjen nga emigrantët të cilët qëmoti është menduar se janë integruar në BE, por sot sulmojnë trena, muze dhe dyqane për të vrarë njerëz. Kjo ka shkaktuar frikë tek qytetarët të cilët gjithnjë e më shumë shikojnë kah partitë e ekstremit të djathtë të cilat ndjekin një politikë kundër emigrantëve. Ata fajësojnë edhe rregullat e tashme të BE-së, sikur ato të lëvizjes së lirë, pa kufi, brenda zonës së Shengenit.

Dhe si pasojë e problemeve me terrorizmin dhe me emigrantët ka lindur edhe ideja për suspendimin apo ndryshimin e rregullave të Shengenit. Për të gjitha këto në muajt e ndoshta edhe vitet e ardhshme do të debatohet në BE. Por këto debate vështirë se do ta zgjidhin fatin e emigrantëve të mjerë, të cilët kërkojnë ndihmë nëpër rrugët, hekurudhat apo fushat e Ballkanit apo në Detin e Mesdheut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...