19 Nëntor 2014 - 08:28 - Augustin Palokaj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar bërë Serbisë (Enver Hoxha kishte vizituar Jugosllavinë) arriti të bëhet hero i shqiptarëve për shkak të performancës që bëri në një paraqitje para mediave me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.
Ndoshta reagimet e shqiptarëve janë të tepruara. Ndoshta ato janë të motivuara nga frika se mos ai, duke qenë se është në Beograd dhe për t’u pëlqyer mikpritësve dhe bashkësisë ndërkombëtare, nuk do ta përmendë fare Kosovën, ose, siç bëjnë shpesh disa pjesëtarë të Qeverisë së Kosovës në takime private në Bruksel, të shprehin mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë. Kosova dhe Shqipëria kanë pasur shumë politikanë deri më tash, të cilët prononcimet e tyre ia përshtatin ambientit ku ndodhen.
Nuk e thonë të njëjtën gjë në Prishtinë, Tiranë, Bruksel apo Washington. Kështu ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në fjalimin me rastin e ngritjes së parë flamurit të Shqipërisë në selinë e NATO-s, foli për gjithçka, madje edhe për turizmin, por me asnjë fjalë nuk e përmendi Kosovën. Kosova iu kujtua më vonë vetëm kur atë e përmendi në fjalën e tij kryeministri i Kroacisë.
Ministra të Qeverisë së Kosovës, nëse është për t’u besuar disa diplomatëve evropianë në Bruksel, për të treguar se sa “realistë” janë, shpesh kanë thënë se ata “e kuptojnë se Serbia nuk mund ta njohë Kosovën”. Ndoshta ky mirëkuptim i tyre, për t’u hyrë në qejf disa burokratëve në Bruksel, ka qenë edhe një prej arsyeve pse kanë pranuar që Kosova të jetë në takime ndërkombëtare me fusnotë dhe me “fjollën e borës? Prapa emrit të saj. Tash vetë disa ministra të Kosovës, të cilët i shprehin mirënjohje Edi Ramës për qëndrimet e tij dhe prononcimet në Beograd, siç ka vërejtur me të drejtë kolegu Halil Matoshi, kishin detyruar në dorëheqje zyrtarin e parë të Kosovës të dërguar në Beograd vetëm pse ai atje kishte thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Dhe Rama bëri mirë që tha në Beograd atë që thotë edhe në Tiranë dhe atë që, me sa dimë, është qëndrim zyrtar i Qeverisë së tij. E ai qëndrim është se pavarësia e Kosovës është realitet i vetëm pa marrë parasysh se mund të ketë qëndrime të ndryshme. Me këtë ai nuk bëri ndonjë trimëri të madhe e as ndonjë vepër patriotike. E tha atë që është qëndrim zyrtar i shtetit të tij. Sikur të mos kishte reaguar në mënyrë aq patetike kryeministri i Serbisë, dhe i tërë opinioni serb, deklarata e Ramës nuk do të kishte lënë ndonjë përshtypje të madhe.
Ndoshta me stil tjetër apo me fjali të ndryshme të njëjtën gjë e thonë në takimet me përfaqësuesit e Serbisë shumica e liderëve, të cilët e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Dhe për shkak të reagimit të Vuçiqit, në cilin “askush nuk mund ta përulë Serbinë” dhe “ky është një provokim”, qëndrimi i Ramës mori përmasa të tjera. Sa më shumë të hidhërohen politikanët në Serbi dhe opinioni, aq më i dashur bëhet ai i cili në sy ua tha të vërtetën. Dhe kjo performancë e Ramës gëzoi jo vetëm shqiptarët, por edhe kroatët.
U komentua shumë ky qëndrim në mediat kroate, që të gjitha duke e quajtur Ramën si një lider që thotë atë që mendon. Komentet e lexuesve në Kroaci shkonin aq larg saqë kërkonin që Rama të kandidohet për kryeministër kroat. Dhe në Kroaci janë të mësuar me reagimet patetike në Serbi kur u thuhet e vërteta. Prandaj sa më shumë dikush të arrijë të provokojë reagime të tilla në Serbi, aq më i popullarizuar do të bëhet në Kroaci.
Duke e ditur se kush janë sot liderët e Serbisë, kush ishin ata dikur dhe çfarë thoshin, derti më i vogël i bashkësisë ndërkombëtare dhe i fqinjëve të Serbisë do të duhej të ishte se a ndihen ata të provokuar apo jo, a po ofendohen apo jo me ndonjë deklaratë. Vetëm duke ua thënë të vërtetën do t’u ndihmohet vetë atyre që ta pranojnë realitetin. A mos është dashur Rama në Beograd të thotë se “unë kam një qëndrim, por nuk mund ta them, sepse nuk dua të ndiheni të fyer”.
Nuk befasojnë reagimet patetike të politikanëve të Serbisë, të cilët çdo përmendje të realitetit e konsiderojnë “provokim” dhe fyerje. Ajo që befason është niveli i mirëkuptimit që reagimet e tyre kanë në mesin e diplomatëve evropianë. Ata sikur pajtohen se vetëm serbët kanë të drejtë të ndihen “të fyer” dhe për ta duhet pasur mirëkuptim. Kjo sjellje e diplomatëve shkon kundër politikës së deritashme, e cila kishte për qëllim t’i ndihmonte Serbisë të tejkalonte të kaluarën e errët dhe të shkojë nga e ardhmja evropiane.
Ata diplomatë evropianë të cilët mendojnë se Rama nuk është dashur të thotë atë që ka thënë, do të duhej të na tregojnë se çfarë ka qenë e pasaktë në atë që tha kryeministri i Serbisë. Nëse ata mendojnë se pavarësia e Kosovës nuk është realitet, atëherë le ta thonë këtë. Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe shumë diplomatë edhe pse vinë nga shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, bëhen sikur që Kosova është “edhe e pavarur”, edhe “pjesë e Serbisë”.
Në këto baza është ndërtuar edhe filozofia e dialogut në Bruksel, të cilin e ka ndërmjetësuar Bashkimi Evropian. Rama nuk ka thënë se Kosova është pjesë e Shqipërisë. Për dallim nga Serbia, e cila ka pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj, Kosovës, Shqipëria nuk ka pretendime të tilla ndaj askujt.
I tërë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është zhvilluar duke menduar se si do të reagojë Serbia, edhe dialogu në Bruksel bëhet duke menduar në qëndrimet e Serbisë.
Edhe kur Mali i Zi u bë i pavarur mendohej se sa do të “ofendohet” Serbia me këtë, sepse askush nuk do të rrijë me Serbinë. Edhe kur Malit të Zi iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, para se ai status t’i jepej Serbisë, kishte të shumtë në Bruksel që thoshin se kjo është “një provokim për Serbinë, e cila tash po mbetet edhe prapa Malit të Zi”. Madje edhe kur Kroacia përmbylli negociatat e anëtarësimit në nivelin më të lartë, mendohej se si duhet shtyrë këtë për të pritur që Serbia, në momentin kur Kroacia të përmbyllë negociatat e anëtarësimit, Serbia ta ketë së paku statusin e kandidatit.
Gjithmonë ka pasur mirëkuptim të tepruar ndaj Serbisë dhe kjo nuk i ka ndihmuar as Serbisë, sepse, derisa të pranohet se mund të ketë më shumë “realitete” rreth pavarësisë së Kosovës, vetëm do të rriten iluzionet. Kështu tash po jetojnë me iluzione në Serbi se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe se “Kosova nuk është e pavarur, sepse BE-ja nuk e trajton si të tillë”. Në anën tjetër, edhe Kosova dhe BE-ja e NATO-ja po jetojnë me iluzione se të gjitha qëllimet e integrimeve të Kosovës mund të arrihen pa pasur nevojë që ajo të njihet nga të gjitha shtetet. Liderët e sotëm të Serbisë kishin dhënë disa shenja fillestare se po e njohin gradualisht realitetin, por tash sikur atyre u thuhet se nuk duhet të nxitohen, sepse askush nga ta nuk kërkon ta njohë Kosovën, së paku jo në këtë moment. Tash ata, të inkurajuar me hapjen e dyerve në qendrat ndërkombëtare, kanë filluar të krijojnë një ndjenjë rreziku nga “Shqipëria e madhe” dhe të shprehin shqetësim për këtë “rrezik”.
Kryeministri i tashëm i Serbisë, Vuçiq, dhe presidenti Nikoliq, jo vetëm se kanë folur në fjalime për projektin e Serbisë së madhe, por edhe kanë marrë pjesë aktive në nxitjen e luftërave që ky projekt të realizohet. E tash ata bëhen se kinse janë të provokuar kur u thuhet se Kosova është e pavarur.
Nëse BE-ja dëshiron që të ketë pajtim të mirëfilltë në Ballkan, atëherë duhet ta dijë se kjo gjë do të jetë e mundshme vetëm duke pranuar realitetin dhe duke i shëruar plagët nga e kaluara. Jo duke e harruar të kaluarën, kurrsesi, por duke e thënë të vërtetën për të kaluarën, duke i dënuar krimet, duke zbuluar fatin e të zhdukurve, duke njohur kufijtë e shteteve të krijuara në rajon, dhe vetëm atëherë do të krijohen bazat për pajtim. Nëse duhet të gjithë të kenë kujdes që të mos e thonë realitetin, atëherë nuk do të ketë baza për të ndërtuar bashkëpunimin e mirëfilltë.
Shqipëria si vend i rëndësishëm në rajon, si anëtarë i NATO-s, si kandidat për BE dhe mbi të gjitha si shtet sovran dhe i pavarur, ka të drejtë të ketë qëndrimin e saj edhe rreth Kosovës. Madje e ka edhe për detyrë që këtë ta shpreh jo vetëm në Beograd, por kudo që shkojnë politikanët e Shqipërisë. Sidomos duhet ta bëjë këtë gjatë kontakteve me politikanët e shteteve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, sepse ata nuk kanë kontakte me politikanë kosovarë.
Edhe shumë shtete të tjera, si Britania e Madhe, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Turqia, Kroacia dhe shumë të tjera angazhohen që sa më shumë shtete ta njohin pavarësinë e Kosovës, sepse kjo tash është realitet. T’ia rikujtosh këtë realitet edhe Serbisë nuk është kurrfarë provokimi për vetëm një shprehje e realitetit dhe kontribut drejt njohjes së këtij realiteti.
Ata të cilët e quajnë deklaratën e Ramës si jodiplomatike duhet ta dinë edhe një gjë. Në kohën e zhvillimit të medieve edhe sjelljet diplomatike kanë ndryshuar. Sot nuk është e mundur të thuash një gjë në një vend dhe një gjë tjetër në një vend tjetër. Mund ta thuash, por do të dukesh joserioz.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...