29 Prill 2015 - 08:22 - Augustin Palokaj
Këtë javë Komisioni Evropian pritet të miratojë tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me Kosovën. I njëjti tekst pastaj do t’i dërgohet Këshillit të BE-së, ku shtetet anëtare do të duhet të vendosin për të autorizuar nënshkrimin e saj. Pas kësaj, diku para verës apo gjatë verës, në emër të BE-së, përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini, eventualisht edhe komisari Hahn, do të nënshkruajë me Kosovën këtë marrëveshje.
Nuk ka dyshim se ky do të jetë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Nuk ka dyshim po ashtu se Kosova do të mund të përfitojë shumë nga kjo Marrëveshje, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme, duke u ofruar mundësi investitorëve që prodhimet eventuale nga Kosova t’i shesin edhe në tregun e BE-së. Dikush do të thoshte se edhe ashtu Kosova e ka këtë mundësi edhe pa MSA-në, që është e vërtetë, por me MSA-në do ta ketë në baza kontraktuale dhe kjo ofron një parashikueshmëri dhe siguri më të madhe.
Por ka shumë gjëra nga kjo marrëveshje dhe rreth saj që po ashtu duhen sqaruar, në mënyrë që as Kosova e as BE-ja të mos shpenzojnë energji duke festuar së tepërmi rreth MSA-së dhe duke i ekzagjeruar ndikimet e saj. Sot në raporte edhe me BE-në, edhe me Qeverinë e Kosovës është bërë vështirë të thuhet një fakt, një mendim, një vlerësim apo edhe të jepet një koment, e që kjo të mos shkaktojë një keqkuptim në komunikim.
Kështu nëse thuhet një e vërtetë se MSA-ja me Kosovën për nga forma dhe baza ligjore nuk është e njëjtë me MSA-të që kanë shtetet tjera të rajonit, apo se “kjo MSA formalisht nuk hap rrugën e integrimeve evropiane” edhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë e edhe ata të Qeverisë së Kosovës reagojnë sikur dikush po e sulmon MSA-në dhe po e quan si diçka jo të mirë. Të japësh vlerësime për atë çka është e çka jo MSA-ja nuk do të thotë të jesh kundër MSA-së apo të thuash se ajo nuk është e rëndësishme. Përkundrazi, vërtet është deri tash dokumenti më i rëndësishëm në raportet e Kosovës me BE-në do të mbetet si i tillë derisa Kosova një ditë të mos e arrijë momentin kur do të nënshkruajë Traktatin e anëtarësimit në BE.
Disa gjëra duhet thënë qartë dhe shkurt rreth MSA-së. Ajo në asnjë mënyrë nuk e trajton Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, e as që lë ndonjë element që të trajtohet si e tillë. Me të madje sigurohen vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet se qëndrimet e tyre rreth statusit nuk do të paragjykohen. Si pasojë e kësaj është përshtatur edhe teksti i Marrëveshjes. Prandaj në të nuk ka as premtime dhe zotime politike formale për integrime të Kosovës në BE, dhe këtu në aspektin politik ajo dallon nga MSA-të, të cilat i kanë vendet tjera të rajonit. Nga përmbajtja MSA-ja do të jetë e njëjtë me ato të cilat i kanë edhe shtetet tjera. Sa do të jetë Kosova në gjendje të përfitojë nga MSA-ja do të varet nga aftësitë e Kosovës për të rritur prodhimin dhe me këtë edhe eksportin në BE, për të përfituar nga kjo marrëveshje edhe në profesionalizmin e administratës dhe përafrimit të standardeve me ato të BE-së në të gjitha fushat të cilët i përfshin MSA-ja.
Por kjo marrëveshje në asnjë mënyrë formalisht nuk do të hapë rrugën për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit në BE. Sa herë që thuhet se “MSA-ja do të jetë hapi i parë i procesit të integrimit të Kosovës në BE” parashtrohet pyetja se cili do të jetë atëherë hapi i dytë. Hapi i natyrshëm do të duhej të ishte mundësia që Kosova edhe formalisht të aplikojë për anëtarësim në BE. Pa marrë parasysh se çfarë interpretimesh ka rreth mundësisë për një gjë të tillë Traktati i BE-së nuk i mundëson në këto kushte Kosovës që të arrijë statusin e kandidatit. Thjesht, sepse Kosova për BE-në nuk është shtet dhe në procesin e zgjerimit mund të inkuadrohen vetëm shtetet. Dhe këtu BE-ja nuk ka më mundësi që të zbulojë formula magjike, sepse në procesin e zgjerimit me unanimitet vendosin shtetet ekzistuese anëtare. E Kosova nuk është e njohur nga 5 shtete anëtare dhe në këto rrethana nuk i ndihmon shumë fakti se shumica e madhe, më saktë 23 nga 28 vende anëtare, e kanë njohur atë.
Ulrike Lunaçek këto ditë tha se “nuk ka pengesa që Kosova të aplikojë për anëtarësim në BE”, por ka disa probleme me këtë deklaratë. Në njërën anë është e saktë se Kosova mund të aplikojë, sepse secili mund të bëjë një kërkesë për diçka. Por pa njohjen nga 5 shtetet anëtare nuk do të bëhet asnjë hap në këtë drejtim. Sipas procedurës një shtet duhet të aplikojë tek shteti i cili e ka kryesimin e radhës. Pastaj ai shtet do të duhej ta vinte në procedurë kërkesën e tillë dhe, me vendimin unanim të shteteve anëtare, do t’i kalohej detyra Komisionit për të përgatitur opinionin se a i plotëson Kosova apo jo kushtet për t’u bërë shtet me status kandidati. Lunaçek por edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Zhbogar, mund ta përmendin pajtimin e të gjitha shteteve që të nënshkruhet MSA-ja si një shembull se si “mosnjohja nga të gjitha shtetet anëtare nuk e pengon Kosovën që të avancojë”. Por në anën tjetër pikërisht problemet e shumta që kanë krijuar deri tash në negociatat rreth MSA-së shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (këtu duhet veçuar sidomos Spanjën dhe Qipron) dëshmojnë se, pa njohjen nga to, Kosova nuk do të ketë as edhe gjasat minimale për të bërë ndonjë hap tjetër formal në integrimet evropiane. Kështu me MSA-në Kosova dhe BE-ja do të arrijnë maksimumin e mundur në rrethana të tilla, pra pa nevojën që Kosova të trajtohet si shtet. Sepse MSA-ja për nga forma dhe baza juridike do të jetë një “Marrëveshje evropiane”, pra, të cilën, me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare do ta nënshkruajnë institucionet e jo të gjitha shtetet anëtare. Si shembull janë marrë marrëveshjet tregtare dhe ato të bashkëpunimit me “entitete që nuk janë shtetet sovrane” si Hong-Kongu, Tajvani, Makao dhe Autoriteti Palestinez. Ndryshe ajo do të ishte e pamundshme. Por në procesin e zgjerimit pa qenë shtet nuk mund të jesh në proces formalisht fare.
Këtë e bën të qartë edhe Artikulli i famshëm i 49-të i Traktatit të BE-së, i cili së paku në tri raste përmend termin “shtet”, që Kosova nuk mund të jetë për BE-në pa u njohur nga të gjithë.
“Secili shtet evropian, i cili respekton vlerat për të cilat flitet në nenin 2 dhe është i përkushtuar për të promovuar ato mund të aplikojë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Parlamenti Evropian dhe parlamentet nacionale duhet të notifikohen për këtë aplikacion. Shteti aplikues duhet t’i adresojë aplikacionin Këshillit, i cili vepron me unanimitet pas konsultimeve me Komisionin dhe pas marrjes së pajtimit të Parlamentit Evropian, i cili vepron me shumicë absolute të anëtarëve përbërës...”, thuhet në këtë artikull, i cili më pas sqaron se edhe pas nënshkrimit, Traktati i anëtarësimit do të ratifikohej nga parlamentet e secilit shtet ekzistues anëtar.
E në BE nuk shihet ndonjë entuziazëm për të bërë trysni ndaj shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë. Nga institucionet e BE-së Parlamenti Evropian ka mbetur i vetmi që vazhdimisht u bën thirrje 5 shteteve që ta njohin Kosovën. Edhe disa shtete anëtare që e kanë njohur bëjnë përpjekje të bindin ato. Por nga Shërbimi i jashtëm nuk ka përpjekje të tilla. Në një konferencë në Prishtinë, të pranishmit (përfshirë edhe përfaqësues të BE-së dhe të Qeverisë së Kosovës) u habitën kur thashë se për shkak të dialogut, në EEAS mendojnë se është një koincidencë pozitive që ka shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe se BE-ja rreth kësaj është e ndarë. Nuk e di nëse vërtet janë të habitur, sepse nuk e kanë ditur apo bëhen kinse janë të habitur. Ata të cilët e shohin dialogun si prioritetin kryesor të BE-së nuk e kanë fshehur asnjëherë se pikërisht për shkak se është neutrale ndaj statusit BE-ja mund të jetë lehtësuesi më i mirë në dialog. Kjo për shkak se mund t’i thonë Serbisë se “përderisa kemi shtete që nuk e njohin Kosovën, ne jemi neutral ndaj statusit”, ndërsa Kosovës se “ju kanë njohur shumica e vendeve anëtare dhe kjo është punë e kryer”. Për momentin nuk shohim ndonjë shenjë se Shërbimi i jashtëm i BE-ë do të mund të nisë ndonjë trysni për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet anëtare. Madje disa diplomatë që kanë përfaqësuar BE-në në vendet e treta, përfshirë edhe vendet arabe dhe disa vende afrikane, kanë thënë se e kanë gjetur veten në pozitë shumë të vështirë kur nga ta është kërkuar nga vendorët që t’u japin këshilla se si të veprojnë rreth njohjes së Kosovës, duke menduar se BE-ja do të mund t’u ndihmojë, por ata është dashur t’u thonë se “BE-ja nuk ka qëndrim ndaj statusit”.
Një shembull qesharak i qëndrimit “neutral” ndaj statusit ishte edhe ai me deklaratën e përfaqësueses së lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, e cila gjatë vizitës në Prishtinë, duke iu përgjigjur një pyetjeje, iu referua, siç duket rastësisht, Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur duke thënë se “dialogu është mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura”. Kjo i gëzoi shumë kosovarët dhe u raportua nga të gjitha mediet. U mendua në një moment se kjo është një kthesë në qëndrimet e BE-së ndaj Kosovës. Por sapo shkoi në Beograd ajo, nëse është për t’u besuar burimeve të BE-së, “sqaroi se çfarë ka thënë dhe çfarë ka menduar”, ndërsa sipas burimeve serbe ajo madje i ka kërkuar falje Serbisë për këtë deklaratë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se “Mogherini ka kërkuar falje dhe ka sqaruar se ka menduar në dy palë e jo dy shtete”. Kur pyetëm në Bruksel se “a është e vërtetë thënia e ministrit Daçiq se Mogherini ka kërkuar falje për deklaratën në të cilën i është referuar Kosovës si shtet sovran?”, kemi marrë me shkrim këtë përgjigje: “Çështja është sqaruar. Nuk ka nevojë për kërkim falje”.
Në këtë mënyrë dërgohen ndoshta edhe qëllimisht porosi që Beogradi le ta kuptojë se ajo nuk ka menduar dhe nuk ka dashur të thotë se Kosova është shtet, ndërsa Kosova dhe shqiptarët ta kuptojnë se ajo ka thënë qartë se Kosova është shtet sovran. Dhe e tërë sjellja e BE-së me vite është e tillë, e shumëkuptimtë. I tërë roli i BE-së në dialog është që të jetë neutral ndaj statusit dhe të tilla janë edhe të gjitha marrëveshjet e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe e tillë do të jetë edhe MSA-ja. Le të mendojnë kosovarët se BE-ja i trajton si shtet dhe le të mendojë Serbia dhe 5 shtetet e BE-së se Kosova nuk është shtet. Në rrethana të tilla, derisa ato të mos ndryshojnë, MSA-ja mund të konsiderohet si limiti të cilin BE-ja dhe Kosova mund ta arrijnë.
© KOHA
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...