Williamsoni nuk e hoqi mjegullën

6 Gusht 2014 - 09:05 - Augustin Palokaj      

Prokurori amerikan ishte i qartë në pohimet e tij se ka dëshmi të mjaftueshme për ngritje të aktakuzave ndaj ish-liderëve kryesorë të UÇK-së për disa lloj krimesh. Por ai vuri në siklet përsëri edhe një pjesë të mirë të diplomatëve perëndimorë, duke përsëritur se „beson se ka pasur edhe raste të nxjerrjes së organeve“, edhe pse pranoi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme që do të qëndronin në një proces gjyqësor. Ndoshta Williamsoni është dashur ta heshtte këtë pjesë, përderisa të mos gjenden dëshmitë. Kjo për shkak se ai ka bërë hetime profesionale juridike dhe nuk ka bërë raport politik. Në këtë mënyrë edhe Williamsoni ka hyrë në sferën politike me deklaratën e tij

Kur në raportin e tij Dick Marty pati akuzuar një grup të ish-liderëve të UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi, se kanë bërë një sërë krimesh të rënda në periudhën e luftës dhe pas saj, dhe kishte përmendur ndër to edhe kidnapimet e serbëve dhe nxjerrjen e organeve të tyre për t’i trafikuar, kjo pati një jehonë të madhe në mediet perëndimore dhe shkaktoi një shqetësim të madh ndër zyrtarët e lartë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Shqetësimi i tillë ishte i arsyeshëm. Fjala ishte për një akuzë morbide, monstruoze. Deri atëherë pati dëshmi, akuza e madje edhe dënime për krimet më të rënda në territorin e ish- Jugosllavisë. Ishin dënuar njerëz për krime lufte, për krime kundër njerëzimit, për ngritje të kampeve të përqendrimit, për përdhunime, për bombardime të qëllimshme të caqeve civile, për pastrim etnik e deri tek dënimet për gjenocid. Por Marti përmendi një akuzë, e cila goditi thellë në ndërgjegjen e evropianëve. Ai një grup shqiptarësh i akuzoi se ua kanë nxjerrë njerëzve të gjallë organet për t’i shitur.

Kjo akuzë dukej e pabesueshme. Disa diplomatë thoshin se nuk besojnë të ketë ndodhur kjo gjë. Disa të tjerë dyshimin e tyre ndaj pohimeve të Martit e bazonin në mendimet e ekspertëve të mjekësisë duke thënë se „në atë kohë, në atë pjesë të Shqipërisë kjo nuk ka qenë e mundur“. Kishte edhe të tillë që thoshin se „të apostrofuarit nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë, sepse kjo është e pamundur“.

Por kur këto akuza u përfshinë edhe në një raport të Këshillit të Evropës, atëherë edhe pozita e zyrtarëve ndërkombëtarë u bë më e vështirë. Disa prej tyre thoshin se, derisa kjo të mos sqarohet, do ta kenë të vështirë të kenë kontakte normale me lidershipin e Kosovës, posaçërisht me kryeministrin Thaçi. Por për shkaqe politike Thaçi nuk mund të evitohej. Në të njëjtën kohë ishte përgatitur skenari për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe Thaçi ishte identifikuar si interlokutori kryesor i bashkësisë ndërkombëtare për këtë. Kështu që bashkësia ndërkombëtare zgjodhi një qasje të dyfishtë. Në njërën anë e pranuan Thaçin si interlokutor, e në anën tjetër formuan një ekip të posaçëm për hetimin e rasteve për të cilat ka shkruar në raport Dick Marti. Kjo situatë mbeti e tillë deri javën e shkuar, kur shefi i Task Focës speciale Williamson dha deklaratën e tij. Këtu duhet saktësuar se vetë ai flet për „deklaratë“ e jo për „raport“.

Krijimi i Task Forcës që e udhëhoqi deri më tash Williamson, e cila tash qartë do të shndërrohet në një prokurori speciale, e cila për një kohë të gjatë do të hetojë krimet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë, u arsyetua duke thënë se është e domosdoshme për të “ndriçuar një herë e përgjithmonë akuzat e rënda për trafikim organesh“.

Kjo ishte e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet të cilat kishin punuar me udhëheqësit e saj, përfshirë edhe me ata të cilët Marti i përmendte me dyshimet e tija. Përderisa pritej rezultati i hetimeve, të cilat ishte thënë se do të jenë juridike e jo politike, siç i bëri Marti, u veprua sipas parimit të supozimit të pafajësisë, përderisa të mos dëshmohet e kundërta. Tash shefi i kësaj task force speciale ka dalë me deklaratë dhe thotë se ka mbledhur dëshmi për ngritjen e aktakuzave, ndërsa e lë ende të hapur çështjen kryesore, atë të nxjerrjes së organeve për qëllim të trafikimit.

Prokurori amerikan ishte i qartë në pohimet e tij se ka dëshmi të mjaftueshme për ngritje të aktakuzave ndaj ish-liderëve kryesorë të UÇK-së për disa lloj krimesh. Por ai vuri në siklet përsëri edhe një pjesë të mirë të diplomatëve perëndimorë, duke përsëritur se „beson se ka pasur edhe raste të nxjerrjes së organeve“ edhe pse pranoi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme që do të qëndronin në një proces gjyqësor. Ndoshta Williamsoni është dashur ta heshtte këtë pjesë, përderisa të mos gjenden dëshmitë. Kjo për shkak se ai ka bërë hetime profesionale juridike dhe nuk ka bërë raport politik. Në këtë mënyrë edhe Williamsoni ka hyrë në sferën politike me deklaratën e tij. Ai vetëm i është bashkuar asaj që më parë, po ashtu duke besuar por duke pos pasur dëshmi të mjaftueshme, patën pohuar ish- kryeprokurorja Carla del Ponte dhe senatori zviceran Dick Marti.

Kosova tash është në një pozitë jo të mirë, edhe pse fajin e individëve nuk mund ta marrë i tërë shteti apo e tërë shoqëria. Por duke qenë shoqëri, e cila, së paku deri më tash, nuk ka dëshmuar aftësi të përballet vetë me këto dukuri, atëherë ky raport është sfidë për tërë shoqërinë kosovare. Ajo e cila duket si një lloj padrejtësie historike në këtë pikë është përshtypja se „ individë nga të gjitha grupet etnike në ish- Jugosllavi kanë kryer krime të tmerrshme, por vetëm shqiptarët ua kanë nxjerrë organet njerëzve të gjallë“ dhe se „sistemet e të të gjitha shteteve në ish- Jugosllavi mund të përballen vetë me krimet më të rënda, përpos Kosovës për të cilën proceset duhet të ndodhin jashtë territorit të saj“.

Pa marrë parasysh se Williamsoni thotë se akuzat do të jenë ndaj individëve e jo ndaj UÇK-së apo Kosovës, imazhi i tërë Kosovës goditet rëndë.

Në një të ardhme të afërt pritet të krijohet Gjykata Speciale, krijimin e së cilës e kishin pranuar edhe të gjitha partitë politike të Kosovës, përpos “Vetëvendosjes”. Aty do të gjykohen ish-liderët e UÇK-së dhe dëshmitë do të dëgjohen (nëse do të dëgjohen fare apo do të jenë të fshehta) jashtë territorit të Kosovës. Kjo do të jetë edhe një sfidë politike për Kosovën, por edhe për tërë bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka bashkëqeverisur në Kosovë, sidomos në sistemin e drejtësisë. Por situata më e pakëndshme do të jetë mbetja e mjegullës për trafikim organesh, për të cilat do të priten „dëshmi të reja“ me shpresë që pas 15 vjetësh do të dalin dëshmi të cilat nuk kanë dalë deri më tash.

© KOHA DITORE

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...