Ballkani nuk është aq stabil sa duket

11 Nëntor 2015 - 08:04 - Augustin Palokaj      

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është politikane shumë serioze, ka njohuri të duhura për rajonin e Ballkanit, vendi i saj është më i angazhuari në këtë rajon dhe e di mirë se çfarë thotë. Prandaj, vërejtjen e saj se në Ballkan mund të ketë konflikt, duhet ta marrin seriozisht të gjithë. Dhe nuk është kërcënim vala e refugjatëve aq shumë sa janë hezitimet ndërkombëtare që të reagojnë ashpër ndaj çfarëdo tentimi për mohimin e ekzistimit të disa shteteve në rajon

Javën që shkoi ka bërë shumë bujë një deklaratë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila, duke dashur t’i arsyetojë para partnerëve të vet në koalicionin e Qendrës së djathtë veprimet e politikës së hapur ndaj refugjatëve, për çfarë ajo nga disa qarqe konsiderohet si përgjegjëse për afektin tërheqës të qindra e mijëra refugjatëve, ka thënë se po të mbyllte Gjermania kufijtë për refugjatët, do të mund të shkaktohej konflikt i armatosur në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithsesi ky ka qenë një konstatim për përdorim të brendshëm, por Merkel me siguri ka qenë e vetëdijshme se çfarë do të thotë ajo në këtë temë nuk mund të mbahet brenda mureve të sallës ku ajo u është drejtuar partnerëve të vet e as vetëm brenda Gjermanisë. Më shumë së gjysmë milioni refugjatë kanë kaluar përmes Ballkanit Perëndimor, kryesisht Maqedonisë, Serbisë dhe Kroacisë, për të mbërritur në destinacionet e dëshiruara si Gjermania, Suedia e Holanda. Ka mjaftuar një mbyllje e kufirit të Serbisë me Hungarinë dhe drejtimi i valës nga kufijtë me Kroacinë që të shkaktojë një tensionim të madh të raporteve mes Kroacisë dhe Serbisë, tensionim i cili risolli në mediat e Serbisë fjalorin e kohës së Milosheviqit gjatë luftës.

Tash Kroacia dhe Serbia bashkëpunojnë mirë në menaxhimin e krizës së refugjatëve, por edhe ai shembull ka dëshmuar se sa pak është e nevojshme që të nxiten tensionet. Këtë e ka pasur parasysh, sipas të gjitha gjasave, edhe Merkel, kur ka thënë se efekti i mbylljes së kufijve gjermanë për refugjatë në Ballkan do të mund të ishte katastrofik për Ballkanin. Vërtet, për momentin vendet e Ballkanit po e menaxhojnë mirë këtë valë, por vetëm për shkak të faktit se ata kalojnë në transit dhe shkojnë tutje.

Paramendojeni situatën kur Gjermania nuk pranon më refugjatë të kalojnë nga Austria. Austria do të detyrohet të pengojë hyrjen e refugjatëve nga territori i Sllovenisë. Kjo e fundit ka konfirmuar se tashmë i ka blerë telat gjemborë për të rrethuar kufirin me Kroacinë dhe për të mos lënë refugjatët. Kroacia nuk do të pranojë të jetë “vendparking” për dhjetëra e mijëra refugjatë dhe do të pengojë hyrjen e tyre nga territori i Serbisë. Kjo e fundit do të mund t’i drejtojë refugjatët nga Bosnjë e Hercegovina, e cila edhe ashtu është shtet me stabilitet të brishtë. E Kroacia nuk mund ta mbyllë tërë kufirin, sepse, për shkak të konfiguracionit gjeografik, Kroacia i ka kufijtë më të gjatë të jashtëm të BE-së. Prandaj, Merkel edhe është angazhuar që të menaxhohet më mirë kriza e refugjatëve, të ndahen ata që kanë arsye për azil nga ata të cilët ikin nga vendet e tyre për shkaqe ekonomike, të kthehen të tillët dhe të zvogëlohet presioni.

Ndërkohë, në vendet e Ballkanit do të duhej përkohësisht të strehohen disa refugjatë që të mos pësojnë nga dimri i ftohtë dhe të shmanget kriza humanitare. Dhe në fund i ashtuquajturi “efekti domino” i mbylljes së kufijve të mos shkojë nga Gjermania drejt jugut, që do të kishte pasoja për Ballkanin, por nga kufiri i Turqisë me Greqinë ku edhe është pika hyrëse e tyre në BE.

Në Ballkan gjithçka duket qetë hëpërhë, por ka disa potenciale për shpërthim. Ndonëse heziton të përmend fjalën “konflikt i armatosur” dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahhn, pranon se situata është e brishtë në rajon.

“Unë hezitoj të përdor termint “konflikt i armatosur” por kjo sfidë provokon edhe disa çështje bilaterale, krijon konflikte për të cilat kemi menduar se janë zgjidhur, ushqen popullizmin dhe nacionalizmin, prandaj jam i interesuar që të punojmë për zgjidhje të qëndrueshme, në mënyrë që të mos rrezikojmë atë që kemi arritur me kaq mund në disa vite në arritjen e rezultateve pozitive. Kemi arritje atë mëdha edhe përmes procesit të Berlinit, shohim se si disa liderë shënojnë së bashku përvjetorët si ai i Srebrenicës. Të gjitha këto janë shenja të mira për ripajtim në rajon dhe këtë nuk guxojmë ta rrezikojmë. Por këto arritje ende janë shumë fragjile” ka thënë Hahn në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është politikane shumë serioze, ka njohuri të duhura për rajonin e Ballkanit, vendi i saj është më i angazhuari në këtë rajon, dhe e di mirë se çfarë thotë. Prandaj vërejtjen e saj se në Ballkan mund të ketë konflikt duhet ta marrin seriozisht të gjithë. Dhe nuk është kërcënim vala e refugjatëve aq shumë sa janë hezitimet ndërkombëtare që të reagojnë ashpër ndaj çfarëdo tentimi për mohimin e ekzistimit të disa shteteve në rajon.

Në Bosnjë e Hercegovinë vazhdojnë kërcënimet e liderit të entitetit serb, Milorad Dodig, për referendum, i cili do ta çonte drejt shkëputjes nga Sarajeva gati gjysmën e këtij shteti. Në Mal të Zi opozita, me arsyetimin e kërkimit për më shumë demokraci, me foto të liderit rus, Putin, dhe thirrje “Kosova është Serbi!” dëshiron të pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Përmes partive proserbe dhe proruse në Mal të zi, serbëve në Bosnjë, veriut të Kosovës dhe Serbinë si aleate, Rusia ka siguruar një rol të madh në Ballkan dhe atë mund ta përdorë për t’i krijuar tensione BE-së në oborrin e saj.

Serbia, nga ana tjetër, ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës të cilën e konsideron si pjesë të Serbisë. Kjo Serbia tash blen armatim nga Rusia për të “siguruar interesat e Serbisë”. Arsyetimi i kryeministrit të Serbisë se këtë armatim e duan për të krijuar një balancë në armatim në rajon, për shkak se Kroacia po armatoset, nuk ka shumë kuptim, sepse Kroacia tashmë është anëtare e NATO-s dhe vështirë që do t’i shkonte ndër mend dikujt ta sulmonte një shtet të NATO-s, i cili është nën ombrellën e mbrojtjes kolektive të Aleancës, sikur edhe Shqipëria. Prandaj edhe anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është i domosdoshëm për paqen e qëndrueshme në rajon dhe prandaj ky anëtarësim shihet me aq kundërshtim nga forcat proruse në Mal të Zi.

Por, duke pasur parasysh se Kushtetuta e Serbisë e konsideron Kosovën si pjesë të veten çfarë mund të ndodhë nëse dikujt në Serbi i shkon mendja të ftojë ushtrinë që të “zbatojë Kushtetutën në tërë territorin e vendit!”. Edhe Patriarku serb, Irinej, këto ditë bëri thirrje që Kosova “të kthehet me mjete paqësore apo me forcë nëse ka nevojë”.

Tani për tani lidershipi në Serbi vazhdon të dërgojë mesazhe të përziera. Dhe është vështirë të definohet se cila është politika e saktë e Serbisë. A është ajo kur kryeministri Vuçiq zotohet për integrime në BE, apo kur shkon dhe blen armë në Rusi. A është ajo kur Vuçiq shkon në Sarajevë dhe flet për bashkëpunim me Bosnjë e Hercegovinën apo ajo ku ai mohon se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi. A është ajo kur Vuçiq shkon edhe në homazhin për viktimat e Srebrenicës apo ajo kur me ndihmën e Rusisë në OKB bllokon Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, duke e quajtur këtë bllokim si fitore të madhe diplomatike. A është politikë e Serbisë ajo kur në dialog në Bruksel “normalizon” raportet me Kosovën apo ajo kur qeveria nga Beogradi dërgon letra zyrtare ku Kosovën e krahason me ISISI-in. Këto lojëra të Serbisë tani për tani mund t’i sjellin asaj një pozitë të favorshme ndërkombëtare, sepse edhe Perëndimi, edhe Rusia duan të bashkëpunojnë me të, por ajo nuk i kontribuon kurrsesi krijimit të stabilitetit afatgjatë në ajon, sidomos jo në këto rrethana në të cilat Rusia, në njërën anë, dhe BE-ja e NATO-ja, në tjetrën, nuk shihen më si partnerë por si kundërshtarë dhe rrezik për njëri-tjetrin. Ballkani do të ketë stabilitet të qëndrueshëm dhe paqe afagjatë vetëm atëherë kur stabiliteti i një shteti të rajonit nuk do të varet më nga pushteti në një vend fqinj. Për këtë përgjegjësi ka bashkësia ndërkombëtare e sidomos BE-ja. Do të ishte tragjike sikur në kohën kur Merkel, si politikania më e fuqishme e Evropës, tërheq vërejtjen për mundësinë e konfliktit në Ballkan, në vend të angazhimit më të madh në këtë rajon faktorët kryesorë ndërkombëtarë perëndimor të tërhiqen edhe më shumë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...