Asociacioni pas interpretimit kushtetues

28 Dhjetor 2015 - 08:12 - Lumir Abdixhiku      

Po të kishim pak vullnet për unitet e mbarësi, që nga nesër një ekip i ri uniteti do të krijohej në Kosovë – për të bartur tutje një platformë të re për secilin negocim ndërshtetëror me Serbinë.

-1-

Ashtu edhe siç ishte pritur, dhe siç ishte thënë shumë herë, disa nga Parimet e Marrëveshjes për Asociacionin kishin prekur në thelb karakterin multietnik të Kosovës – e tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës këtë. Njëetniciteti i paraparë me marrëveshje pra, ishte kundërkushtetues. Me të, kundërkushtetues do të jetë secili veprim i shkuar apo i tashëm që mbështetet në marrëveshjen në fjalë – siç është nënshkruar pra.

Një verdikt i tillë bën dy lajme të mira për vendin. I pari, se, pavarësisht insistimit e garancisë blanko (natyrisht të gabuar) të shtytësve të padëgjueshëm e kokëfortë të pozitës, një marrëveshje e tillë – në formatin e dhënë të saj – është e gabuar, kundërkushtetuese pra, rrjedhimisht nuk mund të jetësohet asnjëherë. Dhe kjo bën një lajm të mirë për vendin, lajm jashtëzakonisht të keq për kredibilitetin e mbështetësve të saj që për katër muajt e fundit nuk reshtën së shprehuri se secila shkronjë e secila frymë e marrëveshjes ishte kushtetuese. Megjithatë nuk është.

I dyti, se, pavarësisht insistimit apriori e paragjykues të revolucionarëve antikushtetues këndej, të atyre që Kushtetutën dhe interpretimin e saj e shohin si meny ushqimi e zgjedhjes, zgjidhja e problematikës së krijuar erdhi pastër nga një institucion i Republikës – nga vetë Kushtetuesja, jo nga rruga, jo nga gazi, jo nga përmbysja. Thjesht, pastër, siç do të duhej të vinte gjithherë – institucionalisht pra.

Kështu, në skenarin më të mirë të mundshëm, përkundër të gjitha gjasave, u ngjall – u ringjall më mirë të themi – një mekanizëm sigurie që një vit më parë, gjatë verdiktit për të drejtën e pushtetit kishte vdekur. Dhe kjo ringjallje erdh në kohën më të nevojshme të mundshme të vendit, në parandalimin e një trupi antievropian, antirepublikan.

-2-

Për rrëzimin e Parimeve të marrëveshjes mbi bazën e njëetnicitetit nga Kushtetuesja – e jo ndryshe – kisha shkruar shpeshherë. Saktësisht një muaj para vendimit, pra më 23 nëntor të këtij viti, në po këtë rubrikë të përjavshme (shih “Theqafja”), kisha shprehur bindjen se parimet e marrëveshjes ishin raciste, dhe se, pavarësisht natyrës së marrëveshjes, zgjidhja e vetme mbetet pritja e interpretimit.

Për të parën kisha thënë se “...mbi të gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike, që derivon nga marrëveshja, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së vlerave evropiane, rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë evropiane po u drejtua si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike është përjashtuese për një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë kemi të bëjmë me trajtim racist e antievropian. Precedenti është krijuar tashmë në rastin e Bosnjës, saktësisht në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnjë e Hercegovinës”, trajtuar në Dhomën e Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

Për të dytën se "...zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të bëhet duke respektuar gjithë rrugën institucionale që të njëjtat parti kanë ndërtuar tash e sa vjet, pa kalimin e kësaj rruge, asnjë formë tjetër nuk merr legjitimim. Pikënisja e tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga Kushtetuesja nga të dyja palët dhe ulja për një konsensus nacional sesi të vazhdohet më tutje, pas vendimit të saj".

-3-

Interpretimi kushtetues trason një kornizë të re zhvillimesh, që duhet të rrjedhin natyrshëm në muajt në vijim. Në relacion me Asociacionin, Qeveria është e obliguar që secilin zhvillim statutor të saj ta zbatojë jo konform një marrëveshjeje që përmban elemente e frymë kundërkushtetuese, por kundër një liste të re parimesh që largohen nga parapraket. Për këtë, javët dhe muajt e tjerë rreth hartimit të statutit të saj janë vendimtarë. Sepse, do të jetë natyra e këtij statuti që do të përcaktojë edhe natyrën e Asociacionit e interferencës së tij me rendin tonë.

Ky element, kaq i rëndësishëm, prek në thelb problematikën e Asociacionit. Sepse, Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë problematik për ekzistencën e tij konfrom rregullativës së tanishme kushtetuese, madje është paraparë si i tillë edhe me Pakon e Ahtisaarit, Pako e inkuadruar tashmë në Kushtetutë. Problematik ka qenë kapërcimi i këtyre të drejtave mbi bazën e thyerjes së karakterit multietnik të Kosovës. Dhe në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese nuk lejon thyerjen e multietnicitetit, atëherë secila alternativë tjetër është më e sigurt – domosdo më e lehtë. Asociacioni, sikur Qeveria të dojë tani, mund të kthehet njëmend në një institucion tërësisht irrelevant për rrezikun kushtetues të vendit. E TËRA çfarë duhet bërë është shmangja nga Parimet e nënshkruara që nuk janë kushtetuese.

Këtu duhet pasur parasysh se pavarësisht vendosjes së kornizës së re, Kushtetuesja nuk detyron Qeverinë të rinegociojë marrëveshje të re në Bruksel. Sheh, sipas interpretimit të saj, disa parime e elemente të tjera – nëse termi “disa” mbetet masë – brenda frymës kushtetuese të Kosovës.

-4-

Në relacion me skenën politike vendore, interpretimi kushtetues – në një ambient normal natyrisht – do të duhej të shërbente si derë e hapur për palët, për të kapërcyer përplasjet e gërditshme, të rënda e të dëmshme politike tash e gjysmë viti.

Interpretimi natyrisht vë në dyshim kredibilitetin e Qeverisë. Pyetje të reja do të ngrihen në ditët në vijim, fillimisht për kredibilitetin e saj për të implementuar tutje Asociacionin, e më pas edhe për të negociuar tutje. Çfarë sigurie mund të ketë nga nënshkrimi i marrëveshjeve me parime kundërkushtetuese në fund të ditës. Dhe jo, marrëveshja nuk është paraparë të dërgohet asnjëherë në Kushtetuese pra, Statuti i Asociacionit e Dekreti qeveritar për formimin e tij po. Sikur marrëveshja të mos dërgohej në Kushtetuese nga Presidentja, Kosova do të mund të përfundonte me një trup konform parimeve kundërkushtetuese lehtë.

Por pavarësisht të gjithave, them se verdikti i ri hap rrugë për marrëveshje të re politike, do të ishte absurde tanimë vazhdimi i përplasjeve për Asociacionin. Verdikti gjithashtu hap rrugë për ridizajnim të politikës së jashtme të Kosovës ndaj Serbisë – veçanërisht pas një agresioni të gjithanshëm të palës tjetër për të penguar Republikën tonë, e pas një dështimi total të politikës sonë të jashtme për të marrë përfitime nacionale nga një proces i tillë. Po të kishim pak vullnet për unitet e mbarësi, që nga nesër një ekip i ri uniteti do të krijohej në Kosovë – për të bartur tutje një platformë të re për secilin negocim ndërshtetëror me Serbinë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...