10 Tetor 2016 - 08:24 - Lumir Abdixhiku
-1-
Në rrethana normale, ku partitë do t’i tejkalonin pikëpamjet e tyre ditore, do të ndërtohej konsensusi politik. Pajtueshmëria e përbashkët, për gjëra, nominalisht të pajtueshme për të gjithë veç e veç, do të duhej të ishte një proces veç për sy e faqe. Pse s’është, e dimë. Partitë politike ka kohë që kanë tejkaluar relacionet e rregullat minimalisht normale të sjelljes; në pikën që sot ato janë të gatshme të takohen me cilindo tjetër, përveçse njëri-tjetrit. Por, kjo çarje e tyre duhet të ketë kthim.
Por t’i kthehemi konsensusit për fillim. Arrestimi i zyrtarit policor të Kosovës, komandantit të Stacionit të Mitrovicës së Jugut, nga autoritetet e Serbisë, për hiç më pak se akuza të luftës – të luftës së vitit 1999 kundër Serbisë dhe regjimit të Milosheviqit; tregon faqen tjetër të relacionit dialogues me Serbinë; të vetmen, të përsëritshmen, të kallëzuarën e stërkallëzuarën vazhdimisht – se, një, Serbia s’ndryshon; dhe dy, se ky proces s’bëhet për të përmirësuar marrëdhëniet në mes shteteve, por bëhet për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar nga qeveritë e dy shteteve.
Pala serbe në veçanti këtë mashtrim e këmben me avancimin drejt negociatave me BE-në; pala kosovare, ndërsa, për të akomoduar veten më mirë si udhëheqëse e moderuar e Republikës. E vërteta mbetet si gjithherë, se relacionet e Kosovës me Serbinë janë po të njëjtat, në mos dhe më të rënda, sesa të pasluftës. Arrestimi i një luftëtari të UÇK-së është deklaratë e Serbisë mbi të ardhmen ndaj Kosovës.
Dhe këtu na duhet konsensusi; siç na është dashur gjithherë. Përpara një politike të tillë s’kemi gjasa të triumfojmë veç e veç; pavarësisht se cila parti e cila nismë politike ka pushtet. Ndarjet e brendshme, ndërsa, na bëjnë më të dobët përballë serbëve, që, karshi Kosovës, megjithatë janë unike e në një zë.
-2-
Kosova e ka të pakuptimtë të dialogojë me një shtet armik, jo pse shteti është “per se” armik (dialogu në fund të ditës me armiq bëhet), porse ky dialogim nuk po vë mjaftueshëm presionin ndërkombëtar në palën serbe për të ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj nesh.
Një Serbi që në vitin 2016 arreston qytetarë e – për më tepër – zyrtarë të Republikës, shpërfaq lirshmërinë e talljes me të gjithë. Me palën kosovare po se po, por me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në veçanti.
Dhe këtë tallje të tyre, ndaj të gjithëve pa dallim, mund ta vërë në pah me forcën e refuzimit e reciprocitetit veç një unitet kosovar. Kosova, këtë javë, tregoi dobësi. Kaluan ditë të tëra para se çështja e arrestimit u bë temë këndej. Dhe ka dy arsye shpjeguese në këtë drejtim. E para, se kemi një qeverisje tërësisht të paaftë për të treguar identitet prej shteti. E dyta, se ka një frikë, në palcë, tek ta për të poentuar opozitën në secilën temë të mundshme. Nga frika e gabimit politik s’ndërmarrin hapa fare.
Relacionet me Serbinë, në një Kosovë normale, nuk do të duhej të ishin tema poentuese partiake këndej. Dhe gara poentuese mund të largohet, sërish, siç ishte larguar vite më parë me ekipin e unitetit në rrugëtimin për shpalljen e pavarësisë.
Një ekip të njëjtë, të të gjitha partive politike parlamentare në vend – ose së paku shumicës së tyre – Kosova e ka sot për domosdoshmëri. Një ekip i tillë do të kishte forcën e arrestimit të qindra zyrtarëve të MUP-it serb që sillen sot lirshëm nëpër Kosovë. Do të kishte forcën e bllokimit ekonomik, ngatërresës diplomatike – të sherrit e ngritjes së alarmit në pikën që asnjë autoritet serb të mos mendonte provokimin sërish. Do ta bënin këtë, ky ekip, me fuqinë e bashkësisë, pa frikën e garës së brendshme.
-3-
Por uniteti e konsensusi nuk janë domosdoshmëri e këtij rasti të vetëm. Në të vërtetë, në një ndjenjë minimalisht patriotike, kosovarët do të bënin një pakt pajtueshmërie mbielektorale; përtej pra rrjedhave zgjedhore e përplasjeve partiake.
Ky pakt do të duhej të rrumbullakohej rreth tri proceseve kyç nëpër të cilat Kosova po kalon. E para, rreth – asaj që shkrova deri më tani – dialogut të detyruar me Serbinë. Kosova, për aq forcë ndërkombëtare sa ka, do ta ketë me patjetër këtë dialogim, përveç nëse pretendon izolimin. Por, dialogimi i detyruar nuk nënkupton mungesë integriteti. Konsensusi nacional do të siguronte lirshëm këtë integritet.
E dyta, rreth konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë. Palët, ato që dëshirojnë të marrin pjesë natyrshëm në një pakt të tillë, do të duhej të pajtoheshin rreth pranimit të fondamenteve kushtetuese të Republikës, në mënyrë që të njëjtën ta konsolidojnë ndërkombëtarisht – deri në marrjen e ulëses në OKB e anëtarësimin në ndonjërën prej organizatave të rëndësishme – qoftë politike, qoftë ushtarake. Rrugëtimi jonë në këtë drejtim do të duhej të ishte pa alternativë – deri në atë stacion; përtej tij, le të ndahemi sërish. Ky konsolidim, po qe qëllim e intencë e sinqertë nga të gjithë, do ta pranonte Republikën me gjithë përfaqësimin e saj siç është; s’do të humbiste kohë me përplasje kot të brendshme, por me ngritje e vendosje të shtetit në arenën aq të kontestuar jashtë.
Dhe, e treta, rreth çkapjes. Rreth departiakizimit të secilit institucion të pavarur në vend, e që në thelb mbetet i varur sikur të ishte një degë e një partie në pushtet. Çkapja do të siguronte rregulla të reja – të barabarta – për garuesit. S’pretendoj që në një pak konsensual të gjithë të jenë miq – të mbesin kundërshtarë.
Konsensusi rreth tri shtyllave në fjalë do t’i jepte secilës qeveri frymë për t’u marrë më pas me gjëra që njëmend prekin jetën e përditshme të kosovarëve. Me shëndetësinë e sëmurë; arsimin analfabet; e papunësinë rekorde në Evropë. Do t’u jepte qytetarëve dhe mundësinë e matjeve mbi idetë e jo pallavrave turbo-folke.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...