Mësime të reja parazgjedhore

2 Qershor 2014 - 08:24 - Lumir Abdixhiku      

Mbi sjelljet parapartiake në kohë zgjedhjesh

-1-
Kam vendosur të mos përcjell më paraqitje zgjedhore. Janë të cekëta, të mangëta dhe të paartikuluara fare; në fund më japin shumë dëshpërim. Dhe ky dëshpërim nuk më buron nga paraqitja e thatë, por e kamufluar mirë e partisë në pushtet, ky dëshpërim më vjen nga opozita e cila nuk e di se me çfarë takti futet kaq e papërgatitur në zgjedhje. Kur shoh cektësinë e ideve që japin, në përzierje me një eufori të pashpjegueshme karshi gjendjes reale, vë në pyetje se çfarë në të vërtetë kanë bërë opozitarët tash e tre vjet në opozitëbërje?

Si është e mundur se gjithë ai njeri, gjithë ajo strukturë, gjithë ato ide, të mos prodhojnë as edhe një plan të stërdetajiuzuar qeverisës për secilin sektor e secilën temë – jo një broshurë çfarë na japin? Si është e mundur të mos na paraqesin një kabinet me individë të parapërcaktuar për qeverisje, për të treguar kështu se kush janë ministrat e ardhshëm të qeverisë që do të bëjnë namin – siç e paraproklamojnë ata?

Janë kapur të gjithë rreth dy-tri ideve, për një shtet që ka nevojë për një mijë e një sosh. Një palë kapet me progresivitet – e implikimet buxhetore të çfarëdo ndryshimi tatimor nuk mund të jenë më të mëdha se 20 milionë; apo 0.01% e buxhetit të gjithëmbarshëm të vendit. A ia vlen sinqerisht të shpenzohet e gjithë fushata në terma promilësh? Pala tjetër kapet me një fond bujqësie; nga 100 milionë për çdo vit dhe jo më shumë – por premton mrekulli në punësim prej 120 mijë vendeve të reja pune; thuajse punësimi krijohet me subvencion. Një palë e tretë kapet me një termocentral dhe dy a tre mijë megavat prodhim; për të premtuar rritje të pagave në sektorin publik – madje nga 1000 euro paga; thuajse problem janë 85.000 të punësuarit në sektorin publik; por jo 250.000 të tjerë në sektorin privat, apo 700.000 të tjerë të papunë.

Të gjithë premtojnë pra rritje ekonomike 15-20 e 25%, pa ofruar as edhe një mundësi reale që ushqen një rritje të tillë. Me vullnet të mirë nuk arrihet dyfishimi i ekonomisë në katër vjet; vullneti i mirë, ç’është e vërteta, është vetëm parakusht që shtron rrugë për ide të mira. Natyrisht se pa vullnet të mirë nuk do të ketë zhvillim; siç dhe nuk kemi pasur në shtatë-tetë vitet e shkuara, por kjo nuk do të thotë se posa të vendosim njerëz të mirë – rrjedhimisht krijojmë vullnet të mirë – do të kemi dhe zgjidhje të mira. Janë idetë ato që numërohen; e idetë nuk janë askund – të gjithë kërkojnë votë në besë.

-2-

Partitë opozitare kanë një tjetër garë; them unë. LDK-ja, e cila nuk po shpërthen se nuk po shpërthen, tashmë ka vënë gjithë bastin në aktivën e vet, në elektoratin që pret të zgjohet tash e tetë vjet. Në tetë vjet, ndërsa, kosovarë të rinj votues janë shtuar rreth 240.000; skena politike është pasuruar me alternativa të reja – siç është kjo e VV-së – duke bërë kështu insistimin e LDK-së për konservatizëm rreth bazës së vet një ide tejet të bajatshme. E bajatshme shumë duket edhe shija e fushatës pa shije të LDK-së. Sikur nuk kanë fare sy për një paraqitje skenike që ngjallë fuqi e shpresë, jo një qyqarllëk të pashpjegueshëm. Përballë PDK-së që nuk ka brumë por ka skenë briliante, LDK-ja ka brumë por skenë katastrofale.

Sikur u është këputur filmi në vitin 1994 e nuk janë njëzet vjet më vonë, në vitin 2014. Janë mu degët e partisë që janë vjetërsuar në shije; prandaj dhe prodhojnë një paraqitje të frikshme që bëjnë njerëzit të pyeten a janë vërtet këto alternativa e keqalternativës?

E deri sa LDK të këndellet – nëse këndellet ndonjëherë – e të kuptojë se shkuarja para me njerëz që s’i do kosovari i dekadës së dytë të shekullit të njëzetenjëtë, të mileniumit të tretë, partia tjetër opozitare, VV, vazhdon të insistojë në ideologji të panevojshme dhe distancim të stërtepruar nga secila oponencë tjetër; duke rrezikuar kështu të paraqesë veten si alternativë të izoluar – rrjedhimisht të pamjaftueshme – për këto zgjedhje nacionale. Në vend se të bëhen praktikë e pragmatikë, kapen për ide të barazisë utopike, në vend se të ofrojnë mundësi bashkëpunimi me opozitë, përjashtojnë gjithçka të bërë në katërmbëdhjetë vjet përpjekje.

E kuptoj nevojën e distancimit në kohë fushate, por duke njohur anën parimore të VV-së, them se këto distancime vetëm se do të forcojnë edhe më shumë ecjen e vetme të saj – ecje kjo që mund të mos jetë e mjaftueshme asnjëherë në Kosovë. Tashti, nuk pres nga VV-ja afrim me opozitë, por pres që gjithë betejën ta bëjë me partinë në pushtet, jo me opozitë. Sepse duke sulmuar opozitën e njëjta rrezikon shumë që të forcojë pozitën – e me të edhe shkuarjen tonë në dreq të mallkuar.

Ndoshta dhe ky është qëllimi final i tyre, që duke rrënuar gjithë opozitën të shpërfaqen vetë si alternativë e denjë për zgjedhjet e ardhshme dhe jo këto. Ndoshta këtë dhe e meriton opozita jonë, që nuk arriti asnjëherë të shpërfaqet oponencë serioze përballë një strukturë degraduese në pushtet që gjatë gjithë kohës krijon mundësi për t’u rrëzuar; por që nuk rrëzohet asnjëherë. Ndoshta të gjithë meritojmë keqqeverisje e regres e shkuarje në dreq; sepse nuk mblodhëm mend asnjëherë.

-3-

Pjesa më komike e fushatës del të jetë jo PDK-ja, por AKR-ja; dhe atë jo me paraqitjet e propozuesit të kumbullave për ngrohje e kërpudhave për 40.000 vende të reja pune, por me idenë se kjo qeveri meriton rënie, pa e kuptuar – të paditurit – se janë vet qeveri. Madje, për hipokrizinë më të madhe të mundshme në vend, e njëjta nën moton garuese “na kryjmë punë” arsyetohet se megjithatë gjatë qeverisjes së shkuar nuk ka mundur “të kryjë punë”. Pra këta nuk kanë mundur “të kryjnë punë” por duan votë sepse “kryjnë punë”. Përndryshe, për hir të korrektësisë, në gjuhën shqipe megjithatë shkruhet “kryejmë” e jo “kryjmë”; kaq janë munduar të shkretët.

Sinqerisht, kjo parti dhe lideri i saj, meriton pensionim të përjetshëm nga politike. Janë skandalozë në ide, pa fije kurrizi në qëndrime dhe tejet kundërthënës në paraqitje. Deri dje ishin krah të djathë të njeriut që sot akuzojnë për krim, ishin mbështetës të secilit propozim, secilës ide devalvuese nacionale e plot sherr; sot na shpërfaqen si kritikues pa takt dhe vetëpranues të padenjë. Për rikujtim, jo më larg se gjashtë muaj, lideri i AKR-së kishte deklaruar se “Hashim Thaçi, për kontributin e tij në qeverisje meriton Çmimin Nobel”; pak më herët se kjo, se “qeveria e tanishme është më e mira që ka pasur Kosova ndonjëherë”. Si është e mundur që në më pak se gjashtë muaj të konsiderojnë qeverinë më të mirë në qeveri kriminale? Hipokritë.

-4-
Largimi nga skena i individëve që deri dje ndërtuan kryeministrin dhe gjithë regresin e tij në shtatë vite tregon shumë. Së pari, individë të tillë njëmend nuk meritojnë skenë – pjesa më e madhe e tyre skenën e vetme e meritojnë në gjykatë dhe në rrugë për burg. Por ama, distancimi në tendencë e kaq i lehtë nga individë të tillë që kryeministri pretendon të bëjë është i pakuptueshëm dhe thjesht i papranueshëm. Sepse, deri dje, me individë të njëjtë kishte qeverisur; sepse deri dje po këta individë përballeshin me lulëzimin e mbetjeve të qeverisjes së tij.
Misioni i ri, sado që provon të rrumbullakohet e paketohet më ndryshe, mbetet po ai i njëjti pra. Sepse individë të tillë mund të largohen nga skena – në kohë fushate – por ata nuk mund të largohen nga lista zgjedhore, dhe sigurisht me kontrollin e degëve partiake që kanë nuk do të mund të largohen as nga Parlamenti nesër.

Kryeministri – gjarpër – mund t’i djegë këta në kohë fushate, por do t’i mbajë po këta pas zgjedhjeve e do të djegë të aderuarit e rinj që po ashtu me pakurrizorizmin e tyre meritojnë djegie. Përderisa mbahet në pushtet dhe fiton zgjedhje, gjithkush është i djegshëm e gjithkush do të digjet.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...