Rilindja që na duhet

26 Shkurt 2016 - 09:05 - Lumir Abdixhiku      

“Gjarpri ka këmbë, por nuk i shihen. Ka dhe besë, por nuk i zihet” – nga populli.

-1-

Lexuesit e kësaj kolumne, ata të pasdites e mbrëmjes së të premtes, veçse do ta kenë të qartë procesin e zgjedhjes ose jo të presidentit të ri të Republikës. Deri atëherë Parlamenti me siguri do ta ketë përcaktuar fatin e vendit; futjen në përballje e përçarje edhe më të thellë, ose kapërcimin e përplasjes nëpërmjet zgjedhjeve.

Përçarja e përballja do të vuloset nëpërmjet zgjedhjes së njeriut më përgjegjës për ngecje e regres të Kosovës për tetë vjet rresht; të Hashim Thaçit pra. Vendosja potencialisht e përçarësit më të dalluar në skenën tonë politike, në vendin e presupozuar për unitet, ia humb gjithë respektin institucionit të Presidentit; aq sa i kishte mbetur pra. Pritjet për gjithëpërfaqësim e ndërmjetësim do të zëvendësohen me kapjet e rëndomta partiake që i njëjti ka shtrirë gjithandej. I ka pra për të zakonshme.

Sepse duhet kujtuar – dhe madje shpesh – se i njëjti mbetet përgjegjësi kryesor i menaxhimit të 9.5 miliardë eurove të buxhetit të vendit për shtatë vjet qeverisje, dhe ofrimit si kthim të papunësisë, varfërisë, nënzhvillimit e korrupsionit – në nivelet më të larta regjionale e evropiane madje.

-2-

Është vetëm falë tij se sot në Kosovë, tetë vjet pas pavarësisë, rreth 55% e kosovarëve të rinj janë të papunë. Shumica e tyre po i përmbyllin të njëzetat pa asnjë ditë pune, dhe në rastin më real të mundshëm do të jenë të papunë për pjesën më të madhe të jetës së tyre.

Është vetëm falë tij se pse Kosova sot ka sistemin më të sëmurë shëndetësor, e nivelin më të paditur e të padobishëm edukativ. Sepse kishte vendosur që gjithë paratë t’i ndante për asfalt, pasi kishte injoruar tërësisht shëndetin e edukimin e kosovarëve. Për të, kualiteti i jetës dhe vetë jeta ishin shumë më pak të rëndësishme se shpërndarja e 12 milionë eurove për kilometër.

Është vetëm falë tij se pse në fund të 2014-s Kosova kishte shpërthyer me ikje të banorëve të saj. Disa zgjodhën Perëndimin, plot 100 mijë sish; e të tjerët zgjodhën luftërat në Lindje. Është pra mu për shkak të politikës së tij se pse Kosova ka ndërtuar një imazh frikësues; të refugjatit top tre në botë; dhe të terrorizmit (për kokë banori) top dy në Evropë.

Është vetëm falë tij dhe skemës së ndërtuar nga ai, se pse sistemi i prokurimit publik cilësohet sot pengesë e liberalizimit të vizave. Pse i njëjti sistem kishte favorizuar bizneset partiake, dhe për kthim kishte ndërtuar një sistem të konkurrencës së padrejtë. Mbijetesë bënin vetëm bizneset e miqve, familjarëve e akrabave të tij dhe rrethit të tij.

Është vetëm falë tij se pse investimet e jashtme në Kosovë kanë rënë nga 460 milionë euro, sa ishin në vitin 2007, në 176 milionë euro, në vitin 2014. Secili menaxhues minimalisht i denjë i imazhit ekonomik e politik të Kosovës do të kishte mbajtur – se për rritje s’bëhet fjalë – shumën e investimeve të jashtme në vend. Është e tmerrshme ideja e gati trefishimit negativ të tyre gjatë kohës që ai kishte qeverisur vendin.

Është vetëm falë tij, se pse Kosova në shtatë vjet pas pavarësisë ka pranuar investime veçse turke. Asete të falura, investime të fryra, promovime “erdoganiane” kanë karakterizuar gjithë qeverisjen e tij. Në pjesën më të madhe të këtyre promovimeve argat i bënin një pjesë e njerëzve që sot na shesin moral e përralla në opozitë. Pasi kishin marrë, vjelë e vjedhë secilën euro të mundshme, u rikujtuan për shpëlarje në opozitë.

Mbi të gjitha, është vetëm falë tij se pse Kosova në pesë raste kishte kryetarë komunash (nga partia e tij pra) që u dënuan e u përndjekjen ose për korrupsion, ose për krim. Për më tepër, në të gjitha gjykimet e tjera kriminale, të dënuar e të ndjekur pa dallim, janë kryesisht bashkëpunëtorët e tij dhe të partisë së tij. Pretendenti për pozitë unifikuese, unifikimin e vetëm që ka arritur ta bëjë është mbajtja në një parti e kapësve, e kriminelëve – tashmë të dënuar e të provuar nga gjyqësia vendore gjithandej.

Në arenën ndërkombëtare bëri lëmsh. Përveçse i përmendur për afera të krimit të organizuar, trafikimit të drogës e armëve, i njëjti dështoi në gjithçka që preku. Me gjithë një përkrahje masive të miqve ndërkombëtarë në anëtarësimin tonë në UNESCO, Thaçi nuk arriti asnjëherë të mobilizojë as ato vende që na kishin njohur. Të vetmen gjë që mobilizoi ishte fotografimi i tij, herë në tren, herë nëpër korridore e sallone, por kurrë duke i sjellë vendit një fitore të denjë.

Në procesin dialogues u tregua pranues i gjithçkaje të vënë në tavolinë. Për më tepër, në relacion me kërkesat institucionale të Parlamentit ndaj këtij dialogu, u tregua refuzues i pashoq. Rezolutat, kërkesat e dëgjimet parlamentare ishin të parëndësishme për të. Për t’u tallur me to i vendoste në rend të parë diskutues miqtë e “aferës pronto” që arsyetonin, me dije të ulët e ofenduese inteligjence natyrisht, gjithçka.

Është vetëm falë tij se sot katër vjet pas negocimit të parë, Kosova ndihet e lënë anash në përfitimet evropiane. Të vetmen gjë që Kosova sot pret është atë që Thaçi kishte premtuar qysh në vitin 2010; liberalizimin e vizave. Atëherë ai kishte premtuar dhe anëtarësimin në NATO për vitin 2014.

Thaçi, pra, përgjatë gjithë kohës që udhëhoqi vendin, nuk arriti asnjëherë të kalone përtej bindjeve të tija provinciale e përçarëse. Deklaratat e tija ishin nxitëse gjithherë. Ai do të mbahet në mend si provokues i patakt, partner i pabesë, kapës i pangopur – kurrë lider.

-3-

Thaçi nuk do të bëhej asnjëherë president, sikur për partner të mos kishte një LDK që ka humbur secilin rezon e secilin identitet të ngritur përgjatë gjithë jetës së saj. Derexhenë në të cilën ka rënë partia me kontributin më të madh shtetformues në vend, mbetet për keqardhje. Thaçi, pra, mund të bëhet president vetëm falë etjes së pashpjegueshme e të tmerrshme të partnerit të tij për pushtet.

Nuk i kuptoj dot, e skam për t’i kuptuar asnjëherë, lehtësinë e transformimit që pjesëtarët e LDK-së i bëjnë vetes dhe integritetit të tyre që kanë ndërtuar me vite. Nuk e kuptoj kurrë, e s’kam për ta kuptuar asnjëherë, se si kanë arritur të bindnin veten, familjet e tyre e miqtë përreth për ndryshimin e shpejtë të të gjitha bindjeve e përshtypjeve me të cilat kishin bërë politikë e emër. Pjesëmarrja e votimi për i tyre do t’i vërë kapak gjithë pakuptimësisë, të cilën do ta mbajnë me vete përjetësisht.

Mund, ndoshta, dhe t’i bëjnë vetes arsyetim, se po zgjedhin në mes të anarkisë e një keqqeverisjeje të domosdoshme. Mund t’ia bëjnë rrafsh vetes për gjithçka. Porse, nuk ka anarki më të madhe e nuk ka dëm më të madh sesa zgjedhja e kapësit më të njohur në vend, përçarësit më të dalluar gjithandej, njeriut me mesazhin më të rëndë në botë, për president të Republikës. Dhe, nuk bëhet fjalë këtu për një individ; bëhet fjalë për fuqizimin e një sistemi kapës që ka zaptuar Republikën që nga lindja e saj.

Në rastin më të mirë të mundshëm, këta deputetë do të dëgjonin zërin e elektoratit të vet, të individëve që u kanë dhënë votë njëmend – pra për largim të Hashim Thaçit nga politika, jo për fuqizimin e tij. Dhe ky largim do të ishte plotësisht kushtetues e jo krijues precedenti. E nëse kanë dhe frikë, përjashtimi i tij s’do të ishte as kompensues i angazhimit opozitar. Sepse, me refuzimin e tyre, Kosova do të shkonte në zgjedhje jo për shkak të kundërshtarëve opozitarë – që në shumë pika e shumë individë s’dallojnë hiç nga partnerët e sotëm të tyre – por për shkak të një obligimi kushtetues; për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
Shkuarja në zgjedhje, për shkak të deputetëve që nuk duan të avancojnë një sistem kapës edhe më shumë, ua kthen atyre gjithë integritetin e humbur nga dita e parë e partneritetit e deri më sot.

Për fund fare, s’kam se si të mos shpreh neverinë për gjithë ata deputetë që në njërën anë thonë se do të marrin pjesë në seancë, e në anën tjetër promovojnë votë kundër Hashim Thaçit për president; me plot mburrje madje. Tallje e madhe më bëhet kjo.

Pasi të kenë marrë pjesë në votim, vota e tyre kundër tij s'ka hiç rëndësi. Bërja e kuorumit nëpërmjet pjesëmarrjes është praktikisht votë pro zgjedhjes së tij. Ai ka nevojë për prezencën e tyre, jo për votën e tyre. Është e thjeshtë. Nëse s’e duan njëmend president, mos ta bëjnë kuorumin. E nëse e duan president për pesë vjet, të mos na ofendoni inteligjencën së paku; të mbajnë përgjegjësinë deri në fund. Hyrja e tyre në sallë është mbështetje e tij për president; dhe vonim i shtetndërtimit tonë për plot pesë vjet.

E premtja duhej të na sillte rilindje.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...