19 Janar 2015 - 08:28 - Lumir Abdixhiku
-1-
11.840 është numri i të vrarëve në Kosovë – numër ky i përmbledhur në një botim të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Nga ta, 1.392 janë fëmijë e 1.882 të moshuar. Nga fëmijët 296 janë nën moshën 5 vjeçe. E mendoni pak? Plot 296 fëmijë të vrarë nën moshën 5 vjeçe; nën 5 vjet për atë Zot. Ky është bilanci i luftës në Kosovë.
Një ministër i Republikës sime – Jablanoviq pra – injoron të gjitha vrasjet sikurse të ketë jetuar shumë larg nga këtu; por s’është ashtu. Ky ministër Republike që ka moshë të përafërt me mua, ka kaluar gjithë jetën e tij në Kosovë, në Leposaviq të Kosovës – jo më larg se tetëdhjetë kilometra nga unë. Dhe, përveç nëse nuk ka tru të çrregulluar nga ndonjë sindromë kretinizmi e mohimi patologjik, ai mban rend e mirë secilën ndodhi të vendit tonë të përbashkët. Ai mban rend e mirë – siç mbaj rend e mirë dhe unë – trupat paramilitare, militare e policore që për vite rresht kishin bërë kërdi çnjerëzore; aq çnjerëzore sa u desh intervenimi i parë i një superaleance perëndimore për t’i bombarduar e ndalur çnjerëzorët si ta. Ai mban rend e mirë – siç mbaj rend e mirë dhe unë – gjetjet e trupave të zhdukur jo në Kosovë, por në Rashkë të Serbisë; madje jo në vitin 1999, por plot 15 vjet më pas, në vitin 2014 – të groposur e të mbuluar me gjakftohtësi jo vetëm me dhe e gurë, por me një ndërtesë të tërë – e gjitha mbi fëmijë e pleq e civilë. Ai i mban rend e mirë të gjitha.
Por si është e mundur që për masakrat në Kosovë ta dijë e gjithë bota mbarë, por nuk e di një ministër Republike që ka kaluar gjithë jetën e tij i rrethuar nga masakrat? Çfarë e shtyn një ministër Republike të komunitetit serb të mohojë një fatalitet njerëzor – nëse jo ndaj bashkëqytetarëve të tij – thjesht ndaj qenieve si ai? Nga kjo urrejtje ndaj të vrarëve që sot nuk kanë zë? Mbi të gjitha, pse është ende ministër një fashist si ky?
E mbrapshta e një ministri model si ky megjithatë nuk mbaron këtu. Vetëm një javë më parë ai – dhe të njëjtët pas tij – i kishte quajtur egërsira nënat e dëshmorëve të atdheut, për ta tjetërsuar Republikën time e tuajën e të tijën në fund si krahinë të Metohisë. Një tjetër ministër si ai kishte hequr stemën e Republikës nga komunikimet zyrtare qeveritare dhe kishte refuzuar rrjedhimisht të komunikonte ministria e tij në shqip; përderisa një komunë tjetër ngjitur me Prishtinën kishte lëshuar komunikatë zyrtare si një komunë që ndodhej në Serbi.
Qëndrimet e tilla vijnë nga zyrat e Republikës, gjejnë mbrojtjen e Republikës, paguhen nga taksat e Republikës – dhe janë kundër Republikës. Kështu, Republika ime mbetet më së paku Republikë. Mbetet e mjerë.
Vetëm muaj më parë, në Qeverinë e Kosovës vendet e rezervuara udhëhiqeshin nga serbë që me përkushtim shpeshherë dhe më të madh se shqiptarët bënin shumë për Republikën. Ata pranonin Republikën si atdhe të barabartë të të gjitha etnive – siç dhe definohet me Kushtetutë. Kishin pasaportë të Republikës, mbronin stemën e Republikës, e bënin vetë Republikën. Të njëjtët u flakën këtë herë, kur në zgjedhjet e kurdisura në të gjitha bashkësitë serbe u shpërfaq një listë serbe që sot – institucionalisht – provon të zhbëjë secilën pjesë të Republikës, përfshirë dhe ato më të ndjeshmet si dëshmorët, viktimat e vet shtetësinë.
Ministra fashistë si këta – në asnjë rrethanë normale – nuk do t’i shihnin zyrat e stemat e Qeverisë për një orë pas qëndrimeve; hiç për më shumë. Sepse Republika dhe Qeveria nuk janë punë mendimesh e interpretimesh të tekeve fashiste individuale; nuk janë këto kopshte fëmijësh me meny përzgjedhjeje të sjelljeve e bëmave. Tjetërsimi i Republikës nga institucionet e Republikës është shkelje e secilit betim, secilit përkushtim dhe secilit qëllim institucional. Mendimet e lira – dhe jo nxitëse të urrejtjes – mund të bëhen jashtë saj. Secila sjellje tjetër, ndërsa, ndjek rregulla; u thonë ligje, u thonë Kushtetutë.
Mosshkarkimi i tyre – në grup pra – përbën fatkeqësinë më të madhe të qeverisë së re. Do të duhej të tregonte fuqi, seriozitet dhe në fund kredibilitet përballë qytetarëve të saj; t’u dalë zot pra të vrarëve, të zhdukurve, nënave të tyre e vet Republikës. Ndryshimet nisin mu nga qëndrime si këto, pavarësisht konsekuencave e presioneve eventuale. Në fund të fundit një koalicion shumicë shqiptare nuk do të duhej as për së afërmi të mendonte derivatet e shkarkimit e përjashtimit – dhe kështu dhënies së shembullit – për refuzuesit të Republikës. Do të vinin të tjerët pas tyre, siç dhe kishin qenë të tjerët para tyre. Sepse po nuk u reagua tani, mu tani, të tjerët do të nxiten njëtrajtësisht. Fjalët kundër Republikës do të shndërrohen në punë kundër saj, bindjet do të marrin hov më shumë e zhgënjimet eventuale do të bëhen realitet.
Lista Serbe mund të dalë e pandreqshme; dhe ky fakt mund të jetë lajmi më i keq që promovuesit dialogues të saj mund të marrin. Lajmi më i keq për të tjerët ndërsa, pra për shtetin e të gjithë etnive, për neve, për vetë serbët e moderuar e liderët e tyre normalë, është se e gjithë përpjekja e përbashkët pesëmbëdhjetëvjeçare është zhbërë brenda një viti. Kështu, në gjuhë të pesëmbëdhjetë viteve më parë, një serb i Kosovës si Jablanoviq mohon gjithçka shqiptare – edhe vetë vdekjen e tyre pra. Ky nuk është progresi që evropianët dhe promovuesit e kompromis-dialogut kishin në mend. Tani madje, edhe gjithë ato kompromise bëhen të pakuptimta kur në kthim kemi marrë asgjë; në të vërtetë kemi marrë shumë më pak se çfarë kishim.
Por ky fakt i ri nuk nënkupton në automatizëm tolerancën tonë. Kjo sjellje jona e tanishme – toleruese pra – mund të dëshmojnë veçse impotencën e Qeverisë sonë, por nuk bën të dëshmojë idenë e një sjelljeje standarde në të ardhmen; toleranca jonë nuk guxon të bëhet standard pra. Dhe në këtë refuzim tonin ne kemi secilin mekanizëm institucional, kushtetues e të votës për të mbrojtur Republikën nga pretendime të tilla që në fund bartin vetë vulën e gjithë Qeverisë. Shkarkimi dhe kërkimfalja përbëjnë vetëm hapin e parë në drejtimin e mbarësisë.
Në të njëjtën gjuhë duhet të reagojmë si shtet e vend edhe kundër agresionit politik të shtruar para nesh nga një kryeministër i një vendi agresor – Vuçiq pra – i cili Kosovën e pavarur e shtroi para minoritarëve serb si djep të Serbisë. Kështu ai jo vetëm se shkel sovranitetin e integritetin tonë politik, duke përhapur agresion destabilizues, por edhe shkel gjithë dialogun e proceset dialoguese aq të pëlqyera nga ndërkombëtarët e aq të pranuara blanko nga të tanët. Deklaratat e tilla do të duhej të pasoheshin me letërkëmbime, qëndrime e alarme ndaj Evropës nga institucionet tona menjëherë; për të kërkuar përgjegjësi dhe mbi të gjitha reagim nga garantuesit dialogues. Secili qëndrim i qetë yni vetëm se do t’i shtyjë ata për më shumë.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...