Mbi përfshirjen e gruas në biznes

9 Mars 2015 - 08:16 - Lumir Abdixhiku      

Sot, fatkeqësisht, mbetet fakt se gruaja kosovare vazhdon të jetë më e kufizuar dhe më e margjinalizuar se burri në pjesën më të madhe të aktivitetit shoqëror të saj; duke gjysmuar e gjymtuar kështu Kosovën me gjysmën e forcës së saj. E një vend që ecën me gjysmë force mbetet gjithmonë gjysmë hapi më pas kudo që të shkojë

-1-

Nuk i kam asnjëherë për qejf ditët e shënimet kur duhet treguar se gruaja është e barabartë me burrin – pse nuk nënkuptohet nuk arrij ta rrumbullakoj; e hiç më pak në Kosovë kur, për të qenë i barabartë me burrat në biznes, politikë, media e shoqëri, nuk është ku me ditë çfarë arritjeje. Alamet standarde nga burrërimi kosovar. Por, megjithatë, e fatkeqësisht, mbetet fakt se gruaja kosovare vazhdon të jetë më e kufizuar dhe më e margjinalizuar se burri në pjesën më të madhe të aktivitetit shoqëror të saj; duke gjysmuar e gjymtuar kështu Kosovën me gjysmën e forcës së saj. E një vend që ecën me gjysmë force mbetet gjithmonë gjysmë hapi më pas kudo që të shkojë.

Një fushë që më mbetet për interes gjithsesi, e që bën ndryshim më shumë për gjithë shoqërinë, është angazhimi i gruas në biznes – si punëdhënëse dhe si punëmarrëse njëkohësisht. Sot do të shkruaj pak më tepër për gruan si punëdhënëse.

-2-

Në Kosovë vetëm çdo i nënti biznes është në pronësi të grave. Them vetëm, meqë po e krahasuam të njëjtin relacion me treguesit e vendeve të tjera kuptojmë edhe deficitet tona në këtë drejtim. Sipas shënimeve të OECD-së, mesatarja e vendeve në zhvillim, ku edhe besohet të bjerë Kosova, frekuenton në relacionin 1 me 5. Pra, në një vend me tipare ekonomike si Kosova çdo i pesti biznes është në pronësi të femrave.

Sipas të dhënave nga një anketë e zhvilluar në kuadër të Institutit Riinvest me 1000 biznese kosovare të shtrira në të gjitha rajonet e vendit, del se bizneset në pronësi të grave – për dallim nga ato në pronësi të burrave – kanë dallime të theksuara; shpeshherë dhe më të disfavorshme.

Këto të dhëna, ndër të tjerash, tregojnë se sot në Kosovë ka shumë pak diversitet në organizimin ligjor të bizneseve në pronësi të grave. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 99% e bizneseve gra, janë biznese individuale. Ortakëritë e shoqëritë aksionare, në mes të grave janë të mangëta, të rralla, të pazakonshme. Tek burrat ndërsa, 89% e bizneseve janë biznese individuale; të tjerat ushqejnë diversitetin organizativ të bizneseve. Pra është evidente mungesa e bashkëpunimit e partnershipit në organizimet biznesore tek gratë; që paradoksalisht do të duhej të ishte minore.

Kjo, sepse sektorët në të cilët janë angazhuar gratë sot – si pronare pra – janë kryesisht sektorë me vlerë të ulët, dhe jo të tregtueshëm – mbi të gjitha. Për shembull, derisa 10% e bizneseve nën pronësinë e meshkujve bëjnë pjesë në sektorin e prodhimit, femrat janë të përfaqësuara me vetëm 3.1% nga totali i tyre në këtë sektor. Numër dallues i pjesëmarrjes së tyre shihet vetëm në sektorët e lidhur me punë sociale, shëndetësi apo dhe shitje – të gjitha me vlerë të ulët të shtuar. Në sektorët si ndërtimtaria, miniera, energjetika, institucione financiare apo dhe transporti, pra në sektorë me vlerë më të lartë të shtuar, dominimi i meshkujve është evident, e pjesëmarrja e ndërmarrësve femra është pothuajse zero. Një ndarje e tillë lë shumë vend dhe nevojë për ndryshime strukturore në të ardhmen.

Bizneset në pronësi të grave janë gjithashtu më të vogla krahasuar me ato në pronësi të meshkujve. Kështu, një biznes i gruas punëson, mesatarisht, 3.5 punëtorë; përderisa një biznes i burrit punëson dyfishin e kësaj – rreth 7 punëtorë. Ky disproporcion rrjedhimisht reflektohet edhe në mundësinë e bizneseve gra për të ofruar paga konkurrente për punëtorët e tyre; kështu paga mesatare në një biznes në pronësi të gruas është 217 euro, përkatësisht 11 euro më e vogël sesa në një biznes të burrave (228 euro).

Bizneset e grave – në mesatare – realizojnë qarkullim vjetor prej jo më shumë se 20.000 eurosh; përderisa tek meshkujt kjo mesatare arrin në rreth 50.000 euro në vit. Gratë dhe burrat nuk janë të barabartë as sa i përket margjinës së profitit që realizojnë në një vit. Kështu, përderisa gratë – në mesatare gjithmonë – shënojnë profit prej 18%, burrat arrijnë në 22%.

Gratë janë të kufizuara edhe sa i përket diversitetit të financimit të aktiviteteve biznesore. Kështu, për pjesën më të madhe të bizneseve gra (mbi 55%) kreditimi bankar vazhdon të mbetet forma më e zakonshme e financimit. Burrat në anën tjetër kanë një sërë alternativash financuese. Ata, përveçse mund të financohen nga bankat (35%), kanë alternativa financimi nga buxhetet familjare, huadhënia e miqve e të ngjashme.

Sa për rrumbullakim të performancës dhe dallimeve ndërgjinore, sipas rezultateve të këtij studimi, gjatë vitit 2014 vetëm 28% e bizneseve në pronësi të grave kanë shënuar rritje; të tjerat kanë pasur stagnim ose rënie. Tek burrat, ndërsa, performanca mbetet më e kënaqshme; rreth 35% e tyre kanë shënuar rritje.

-3-

Disproporcionaliteti në mes të bizneseve gra dhe atyre burra është evident. Është evident madje në secilën fushë krahasimore që dikush mund të bëjë. Për të kuptuar burimin e këtij disproporcionaliteti duhet shikuar tek barrierat që i mundojnë bizneset kosovare sot, dhe dallueshmërinë e tyre kur bëhet fjalë për gratë dhe burrat njëtrajtësisht.

Dallimi i parë nga kjo ndarje buron në relacionin e gjinive me sigurimin e fondeve financuese për bizneset e veta. Përderisa për meshkujt qasja në kredi bankare është e rëndë, për femrat ajo bëhet hiper e rëndë. Kjo për dy e arsye; e para, sepse kredidhënësit kanë thjesht më pak besim në një grua ndërmarrëse, dhe e dyta, sepse gratë kredikërkuese kanë shumë pak kapital të trashëguar nga familja, për të mos thënë fare. E në mungesë të kapitalit të trashëguar garancitë bankare bëhen shumë të komplikuara.

Gratë, për dallim nga burrat, theksojnë korrupsionin e burokracinë si shumë më problematike në operimin e bizneseve të tyre. Kjo aspak befasuese; sepse në çdo rrethanë normale është pak e pritshme që një femër të jetë më shumë e gatshme të vërë bast në aktivitete të paligjshme sesa një mashkull. Rrjedhimisht mosaftësia e tyre për të kooperuar në një ambient kaq të rëndë biznesor krijon çdo parakusht për trajtim jo të barabartë konkurrues.

Gratë kanë shumë më tepër probleme në forcimin e kontratave me furnitorë e blerës sesa që kanë probleme burrat – borxhet, ndër të tjera, janë shumë më të larta tek bizneset gra sesa tek burrat. Gjithmonë sipas anketës e vetëdeklarimit të pronareve, gratë kanë probleme më tepër (sesa burrat) me gjetjen fillimisht e më pas me motivimin e punëtorëve; me konkurrencën e padrejtë e evazionin fiskal (që burojnë kryesisht nga konkurrenca e burrave); e me mbështetjen institucionale – të paketave atraktive që lehtësojnë më shumë interaksionin e tyre me një ambient të rëndë biznesor.

Gratë, pra, në pjesën më të madhe të barrierave që mbesin kryesoret në vend, janë më të margjinalizuara, më të kufizuara në adresimin e tyre dhe përfundimisht më të pafavorizuara. Një ambient ekonomik e biznesor i Kosovës mbetet pak ose fare i lehtë për gratë që provojnë ndërmarrësinë.

Them se kjo shoqëri duhet të marrë më shumë nga gruaja ndërmarrëse kosovare. Për të bërë këtë duhet natyrisht promovimi i nismave të grave në biznes dhe zhbërja e pengesave më të cilat ballafaqohen ato. Sepse femra kosovare ka shumë për t’i dhënë ekonomisë së Kosovës. Të shumtë janë sektorët, nga ku dalloj turizmin, shëndetësinë, tekstilin dhe – pa dyshim – procesimin e ushqimit, ku femra kosovare mund t’i japë vendit jo vetëm potencial të brendshëm, por dhe përparësi krahasuese në rajon; përparësi kjo që në fund mund të zhbëjë disbalancën e tanishme tregtar. Them se Kosova ka nevojë të ndërtojë mbi këto përparësi.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...