Të paaftë dhe të rrezikshëm

5 Shtator 2016 - 08:07 - Lumir Abdixhiku      

Në këtë pikë, më s’di as cila e vërtetë do të jetë e mirë. Ajo, që s’është larg mendsh, se kemi një shtet inskenues e diktatorial, apo tjetra, sërish jo larg mendsh, se s’kemi një opozitë më – se e njëjta është shndërruar në SHIK të ri, në të njëjtin SHIK, që vite më parë me bazukë, granata e armë kërcënonte jetën e kundërshtarëve politikë njësoj

-1-

Tashmë është e qartë se Kosova po futet në një cikël të ri dhune. Kjo vjeshtë e hershme, zëvendësuese e nisjes së shkollës, është vjeshtë e paralajmërimeve të përplasjeve. Dhe ky paralajmërim vjen për shkak të pamaturisë së palëve në proces; të të dyjave pa përjashtim – ndonëse me intensitet të ndryshëm përgjegjësie. Në njërën anë, Kosova ka një Qeveri arrogante dhe të paaftë për të bashkuar e afruar ide. Në të vërtetë është mu për shkak të arrogancës së tyre se pse Kosova ka përfunduar në rend të parë në këtë gjendje. I gjithë procesi do të mund të udhëhiqej me shumë qetësi e rezon sikur kundërshtarët e demarkimit të dëgjoheshin qysh në fillim. Por s’u dëgjuan; u injoruan.

Në anën tjetër, Kosova ka një opozitë që ka apetit të pashpjegueshëm për dhunë e përplasje. Ky apetit shtohet e formohet në veçanti nga komisarë ideologjikë nga Tirana, qëllimi i të cilëve është dobësimi i Republikës e rrënimi i gjithçkaje që kemi provuar të ndërtojmë tash e sa kohë. Ata, në fund të ditës, kanë dhe një atdhe të parë. Në këtë agjendë të tyre, mirë e gjejnë veten ideologët revolucionarë dhe naivët liberalë.

Dhe në mes të dyve janë “prontoistët”, konvertuesit më të mëdhenj të benefiteve të dhunës e përplasjes në favore të vete. Në hijen e një Gjykate që po afron, të njëjtët janë në zonën e tyre të konfortit – në paqartësi e rrezik. Është ambient perfekt për notimin e tyre.

-2-

Pra, Kosova në njërën anë ka njerëz të paaftë për të shtyrë përpara interesat nacionale, dhe në anën tjetër ka të paaftë për ta mbrojtur atë nga të paaftët e parë. Çfarë Kosova ka është një klasë politike tërësisht e papërgjegjshme dhe tërësisht jokokëçarëse për pasojat që përplasja e tyre mund të japë. Një klasë të rrezikshme pra. Problemi është se të dyja palët mendojnë se bëjnë mirë; se kanë qëllime të mira. Qëllimet e mira të tyre, po qe se merren si të mirëqena, po japin rezultate të theqafjes. Sot, nëse asgjë tjetër, s’ka gjë për t’u mburrur me rezultate si këto; përkundrazi, secili që ndahet nga flakëvënësit e Republikës është në rrugë të mbarë. Dhe në këtë rrugë vendosën të jenë qytetarët e Kosovës këtë javë kur refuzuan pjesëmarrjen në skenarët e dhunës dhe përçarjes nga politikanët e papërgjegjshëm.

Por përtej idesë se frikshme se fati i Kosovës sot është në duar të arrogantëve, revolucionarëve e prontoistëve, ka dhe një element shtesë që bën gjithë skenën tonë dhe më të tmerrshme. Sot, pothuajse në të gjitha proceset politike e nacionale, fati përfundimtar varet nga vullneti politik i Beogradit dhe i politikës antirepublikane serbe, të shtyrë nëpërmjet Listës Serbe.

Në këtë vijë kishte rënë dhe çështja e demarkacionit. Pra, në një përplasje ndërshqiptare, janë politikat e Beogradit ato që vendosin për rrugëtimin e vendit tonë. Dhe në këtë pazar shantazhi pra, ka një çmim për t’u paguar. Në kthim të mbështetjes së tyre Kosova duhet të japë diçka kundërrepublikane. Kjo pagesë është e mundshme vetëm pse shqiptarët e Kosovës janë të ndarë për çështjet me interes nacional. Se nuk janë të aftë të merren vesh për një çështje që duhet të ketë vetëm një të vërtetë.

Kosova sot, në secilin vendim të madh të saj, nisur nga demarkimi e deri te formimi i ushtrisë, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare – apo dhe vetë zgjedhjen e Presidentit – është e varur nga vullneti politik i Beogradit. Ky fakt s’është për festë; është për vajtim e trishtim.

-3-

Në gjithë këtë përplasje mbi demarkacionin, s’ka se si të mos ndalemi në çështjen e sulmit ndaj Kuvendit dhe arrestimet e ndodhura këtë javë. Pra ka një element thelbësor që duhet zbardhur sa më parë. Sepse, në këtë rast, ne kemi dy qëndrime, mirë të theksuara, të palëve të përfshira. Të parët, janë zyrtarët policorë që këmbëngulin, me fakte ende ta pathemeluara mirë, se sulmi terrorist ndaj institucioneve të Republikës ka qenë sulm i organizimit partiak. Të dytët ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, qëndrojnë në gjithë kapacitetin e tyre politik se sulmi është pjesë e një inskenimi.

Përgjimet kanë dëshmuar se në Kosovë ka një shtet të kapur. Ky shtet i kapur, që prek prokurori e polici, mund dhe të inskenojë ndaj të pafajshmëve. Mund pra, të shfrytëzojë të gjithë strukturën institucionale për të dëmtuar kundërshtarë politikë. E inskenimi ndaj të pafajshmëve kalon secilin parashikim rrezikshmërie në Kosovë; i jep fund shpresës – nëse ka mbetur diçka prej saj më. Inskenimi, po qe i tillë, e shndërron pa asnjë mëdyshje më, Kosovën në një vend diktatorial, të tipit të Putinit në Rusi e Erdoganit në Turqi.

Por fundi i shpresës është i garantuar edhe sikur të arrestuarit të dalin njëmend të fajshëm. Sikur, pra, Lëvizja Vetëvendosje, njëmend të ketë organizuar sulmet terroriste në fjalë. Jo se shpresa është e rrumbullakuar vetëm rreth Lëvizjes Vetëvendosje, porse rrënimi i opozitës – e me terrorizëm ky rrënim është i garantuar – forcon “Pronton”. Pra, aktet terroriste të bazukave e bombave nga struktura paramilitare partiake, po qenë të vërteta, veçse kanë për të forcuar e zgjatur jetën e kapësve këndej. Në mes kapësve e granatahedhësve, kosovari do të zgjedhë asnjërin, dhe duhet të zgjedhë asnjërin.

Në këtë pikë, më s’di as cila e vërtetë do të jetë e mirë. Ajo, që s’është larg mendsh, se kemi një shtet inskenues e diktatorial, apo tjetra, sërish jo larg mendsh, se s’kemi një opozitë më – se e njëjta është shndërruar në SHIK të ri, në të njëjtin SHIK që vite më parë me bazuka, granata e armë kërcënonte jetën e kundërshtarëve politikë njësoj. Është gjithsesi e domosdoshme që kosovarët të kërkojnë zbardhjen e secilit argument.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...