Ekonomiksi i Kosovës

25 Maj 2015 - 08:58 - Lumir Abdixhiku      

Ku jemi, nga po shkojmë

-1-

Jo shumë larg nga sot, ekonomiksi i Kosovës – përkatësisht qëndrueshmëria ekonomike e saj – ka qenë një nga çështjet kryesore që është ngritur në kontekstin e statusit final të vendit; sidomos nga ata që kanë kundërshtuar drejtpërsëdrejti fizibilitetin e pavarësisë së Kosovës.

Pyetja, në radhë të parë, është adresuar në vijë me madhësinë e Kosovës – përkatësisht popullsinë dhe sipërfaqen; resurset natyrore dhe nivelin potencial të zhvillimit. E njëjta kishte neglizhuar natyrisht evidencën konsistente se madhësia dhe pasja ose jo e resurseve natyrore ka pak ndikim në qëndrueshmërinë ekonomike. Mikroshtetet e zhvilluara kishin provuar një gjë të tillë.

Sot, shtatë vjet pas Pavarësisë, viabiliteti ekonomik i Kosovës nuk dyshohet më. Ani pse e vogël, trendët megjithatë pozitivë të rritjes ekonomike dhe stabilitetet financiare të treguara nëpër vite kanë vënë bazën e prospekteve të ardhme të vendit.

Kosova sot vazhdon të jetë e pasur me resurse natyrore dhe me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në moshë të re e mjaft vibrante. Ajo ka secilin parakusht për të ushtruar zhvillimin e dëshiruar ekonomik. Megjithatë, dhe fatkeqësisht, kualitetet e politikave qeverisëse, aftësimet e fuqisë punëtore dhe mungesa e inovacionit kanë vendosur Kosovën në trendë e nivele larg nga të dëshiruarat.

-2-

Që nga Pavarësia Kosova ka shënuar progres relativ në ndërtimin e institucioneve dhe kornizës ligjore. Mbi të gjitha, vendi ka arritur të mirëmbajë norma të rritjes pozitive e të qëndrojë imun ndaj krizës evropiane të viteve 2008-2010. Kjo për shkak se vendi ishte më pak i integruar në sistemin financiar botëror, dhe rrjedhimisht më pak i ekspozuar ndaj tij. Pavarësisht kësaj, kriza ishte ndier më shumë në rritjen më të ngadalshme të remitencave, në eksportet e Kosovës – ashtu kështu të pakta – dhe në investimet e huaja direkte.

Sot, e ardhura për kokë banori në Kosovë është vetëm sa dy të tretat e një vendi rajonal, dhe sa një e dhjeta e një vendi në BE. Kosova sot ka një bruto produkt vendor prej 5.4 miliardë eurosh, dhe të ardhura për kokë banori prej rreth 3.100 eurosh.

Norma mesatare e rritjes ekonomike në Kosovë, përgjatë dekadës së fundit, qëndron në 4.03%, krahasuar me 4.1% në Shqipëri, 3.1% në Maqedoni, 3.5% në Mal të Zi dhe 2% në Serbi. Për më tepër, në tre vjetët e fundit rritja ekonomike mesatare është vetëm rreth 2.93%, ndërkaq projeksionet për vitin e tanishëm nuk kalojnë nivelin prej 3.3%.

Pavarësisht trendëve ekonomikë pozitivë, rritja nuk është përkthyer mjaftueshëm për të adresuar çështjet më emergjente ekonomike në vend; siç është punësimi. Kështu, Kosova vazhdon t’i ketë – sipas të dhënave zyrtare – plot 30% të papunë. Papunësia vazhdon të jetë dhe më e lartë për gratë – plot 40% - dhe në nivele tërësisht alarmante për të rinjtë – plot 55%. Në kushte të tilla, rreth 35% e qytetarëve kosovarë jetojnë në varfëri, përderisa mbi 12% jetojnë në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova duhet të dyfishojë normat e tanishme të rritjes për të adresuar – në rastin se rritja është gjithsesi proporcionale – të 25.000 punëkërkuesit e përvitshëm në vend. Prandaj, është e nevojshme një rritje prej 7-8% për të adresuar disbalancat ekonomike që vendi ka, dhe për të shëruar kështu një nga sëmundjet më kronike të vendit - papunësinë.

-3-

Disbalanca e parë është se rritja ekonomike e Kosovës është e mbivarur nga konsumi; shumë pak nga investimet. Kështu, proporcioni i konsumit në bruto produktin vendor është plot 107%; dhe në trend rritës madje. Vetëm tre vjet më parë, pjesëmarrja e konsumit në bruto produktin vendor ishte 91%. E gjatë vitit 2014, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, përderisa konsumi ka shënuar rritje, niveli i investimeve të gjithëmbarshme – publike e private – ka rënë për 11%.

Varësia ekonomike e Kosovës në konsum dhe investime publike ka bërë që edhe potenciali i rritjes ekonomike të Kosovës të kufizohet në normat mesatare të tre vjetëve të fundit – përkatësisht tek 3%. Sepse, në pamundësi të rritjes së mëtutjeshme të investimeve publike – të cilat pra kanë arritur kufirin e lartë të ngopjes – janë investimet private që shpërfaqen me potencial; ato do të duhej të merrnin primat.

E investimet private, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbesin në nivele të pavërejtshme për të dërguar normën e rritjes në nivelet e dëshiruara. Madje, investimet e huaja të jashtme – si pjesë e tyre – gjatë vitit të fundit kanë shënuar nivelin më të ulët të regjistruar që nga viti 2007. Ato, vetëm brenda vitit 2014 janë zvogëluar për plot 25%.

Disbalanca e dytë është se Kosova vazhdon të ketë varësi të madhe në import – dhe rrjedhimisht deficit të lartë tregtar. Sipas Doganave të Kosovës, në vitin 2014 niveli i deficitit tregtar ka arritur në 2.1 miliardë euro, përderisa importet kanë arritur në 2.5 miliardë euro. Rrjedhimisht, proporcioni i deficitit tregtar në bruto produktin vendor është plot 41%.

Me nivelin e tanishëm të varësisë, ajo pak vlerë e krijuar në Kosovë vazhdon të eksportohet si para e gatshme jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve që mund – në rrethana normale, të zëvendësoheshin lehtë këtu.

Disbalanca e tretë ndërlidhet me kompozicionin sektorial të outputit kombëtar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2014), aktivitetet e sektorëve ekonomikë – si proporcion në bruto produktin kombëtar – kanë mbetur të pandryshueshme. Agrikultura, prodhimi e shitja me pakicë vazhdojnë të mbesin në stade të njëjta që nga viti 2008 deri më sot.

Në këtë vijë, niveli i prodhimit në 2014, si pjesëmarrje në bruto produkt vendor është po i njëjti me nivelin e vitit 2008; vetëm 11%. Ky mosndryshim e stagnim – veçanërisht në prodhim – por njëtrajtësisht dhe në sektorët e tjerë, provon pandryshueshmërinë e një disbalance të kompozicionit sektorial që nuk mund të sjellë zhvillim – siç ka ndodhur deri më tani.

-4-

Në anën tjetër të politikave ekonomike, atyre financiare pra, menaxhimi dhe stabiliteti buxhetor kanë shënuar dy ecje të kundërta. Përderisa stabiliteti buxhetor është realizuar në të mirë, menaxhimi financiar i ka ngjarë më tepër barazimit të librave. Politikat e deritanishme fiskale nuk kanë arritur të promovojnë nisjen e bizneseve të reja, sjelljen e investimeve të jashtme e ngritjen e prodhimit vendor. Reformat e fundit fiskale, ndërsa, sidomos ato në drejtim të heqjes së barrës për investimet në prodhim, mund të krijojnë ambient më të favorshëm ekonomik.

Në anën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, kufizimet në Administratën Tatimore të Kosovës dhe mekanizmave mbledhës të tjerë kanë bërë që niveli i evazionit fiskal të arrijë në plot 34% të të gjitha shitjeve të realizuara në vend. Mbledhja joproporcionale e të hyrave ka ushqyer gjithashtu konkurrencën e pabarabartë.

Kjo konkurrencë e pabarabartë është ushqyer edhe nga ana e shpenzimeve të parasë publike – përkatësisht nga sistemi i prokurimit publik, shpeshherë i asociuar me nivele të larta të korrupsionit e keqpërdorimeve. Për një vend ku shpenzimet qeveritare përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të bruto produktit vendor – rreth 30% – anomalitë, sikurse korrupsioni në prokurimin publik – jo vetëm që rrisin koston e biznesbërjes, por edhe parandalojnë rrjedhën normale të parasë tek bizneset efiçiente. Në tre vjetët e fundit, vlera e kontratave të dhëna nga prokurimi publik ka arritur – në mesatare – rreth 15% të bruto produktit vendor.

Në përgjithësi, parametrat e qëndrueshmërisë buxhetore janë luhatur me shpenzime enorme në projekte të vetme – siç është rasti i dy autostradave të fundit – dhe me rritje të paplanifikuar e artificiale të pagave në sektorin publik nëpër ciklet zgjedhore. Rritjet e tilla, në një notë të veçantë, kishin bërë që sektori publik të paguante në mesatare gati dyfishin e pagës mesatare në sektorin privat.

Deficitet buxhetore të shtatë vjetëve të fundit janë mbuluar fillimisht nga akumulimet e mosekzekutimit të buxheteve të periudhave paraprake, dhe më pas me ngritjen e borxhit qeveritar. Ndonëse niveli i borxhit qeveritar – në proporcion me bruto produktin vendor – është ende në limitet e lejuara ligjore, rritja e vazhdueshme e tij ngre shqetësimet e para të qëndrueshmërisë afatgjate fillimisht, por dhe të efiçiencës së marrjes së borxheve për financimin e shpenzimeve publike që nuk nxisin vende pune.

-5-

Atëherë cilat janë barrierat kryesore të rritjes së investimeve private në Kosovë? Sipas percepsioneve të sektorit privat, ato mund të grupohen në tri kategori.

Në të parën bëjnë pjesë kostot e larta të financimit. Ndonëse normat e interesit në Kosovë kanë shënuar rënie nëpër vite – duke mbajtur konstant nivelin e kredive joperformuese, financimi i projekteve investive në vend mbetet megjithatë i pamjaftueshëm. Ambienti i pasigurt biznesor dhe mungesa e aftësive planifikuese të bizneseve kanë krijuar një hendek në mes të financuesve dhe kërkuesve për financim. Në këtë vijë, idetë dhe nismat e reja mbesin më të disfavorizuarat.

Në grupin e dytë bëjnë pjesë pengesat e mosefikasitetit të institucioneve publike. Informaliteti, evazioni, korrupsioni e mosfunksionimi i gjyqësorit kanë shndërruar ambientin e gjithëmbarshëm ekonomik në fushë të pabarabartë konkurrimi dhe në prekondita të kushtueshme e të pasigurta ekzistimi e investimi.

Në grupin e tretë, gjithmonë sipas përshtypjeve të marra nga sektori privat, bën pjesë inekzistenca e politikave mbështetëse e favorizuese publike – horizontale pra – që do të ndihmonin zhvillimin e do të rrisnin konkurrueshmërinë e bizneseve vendore përballë atyre të jashtme.

Për fund, mosndryshueshmëria e këtyre pengesave investive nëpër vite, shpjegon dhe stagnimin e investimeve private, rrjedhimisht mosndryshimin e strukturës së aktiviteteve ekonomike, e cila më pas shkakton rritjen modeste ekonomike dhe përfundimisht mospërkthimin e saj në vende të reja pune. Është një cikël që duhet zhbërë nga fillimi.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...