Shul e vek

26 Dhjetor 2016 - 08:14 - Lumir Abdixhiku      

Mbi kontratat që do të dërmojnë keq Kosovën

-1-

Në lojën cicmic mbërrihet një pozitë që, për aq sa kujtoj unë, i thonë “shul e vek”. Lojtari i vënë në pozitë të tillë do të poentohet me humbje në secilën lëvizje të kundërshtarit të tij. Në të dyja anët e gurëve të renditur, i zëni në “shul e vek” humb. Humb keq.
Në “shul e vek” është vënë dhe do të vihet për një kohë të gjatë Kosova. Kontratat që po shpërthejnë me skandale arbitrazhi e dënime multimilionëshe janë të tipit të tillë.

Skema është e thjeshtë. Shteti, nëpërmjet ndërmarrjeve e institucioneve publike, bën kontrata me biznese që i zgjedh vetë. Kontratat, e përzgjedhura, në formën më të thjeshtë të mundshme, janë disfavorizuese për vendin, favorizuese për të kontraktuarin. Janë me parashikime të fitimit multimilionësh fare lehtë. Po u respektua kontrata, përfituesi i tyre është i garantuar. Para e lehtë. Kësaj i thonë “shul”.

Këto kontrata, më pas, shteti i shkel vetë. Bizneset e zgjedhura, ndërsa, dërgojnë shtetin në gjyq. Marrin dëmshpërblim milionësh si përfundim. Kësaj i thonë “vek”. Në të dyja anët, në secilën zgjedhje të mundshme, milionat janë të transferuara lehtë.

Kështu, paratë e shtetit, me miliona e miliona pra, nëpërmjet rrugëve krejtësisht ligjore kalojnë te privatët si në hiçgjë. Këtë herë, në këso skeme pra, 30 milionë euro para publike kaluan në llogari private.

Dënimet e arbitrazhit janë forma të sofistikuara të legalizimit të korrupsionit. Janë përdorur nga oligarkët në plot shtete të ish-bllokut sovjetik. Po përdoren edhe sot në Kosovë. Janë përdorur me të madhe në Rusi, janë përdorur në Moldavi. Janë përdorur në Ukrainë, Gjeorgji, në republikat e “staneve” – Kazakistan, Kyrgystan; Armeni e Azerbajxhan. Kanë nisur së fundmi të aplikohen dhe në Shqipëri; në skandalet e hidrocentraleve atje, e skanerëve doganorë.

-2-

Rasti i PTK-së është një. Në rastin e PTK-së, ndërmarrje e udhëhequr në vazhdimësi nga individë të devotshëm e anëtarë të PDK-së, kontratat janë vendosur nga urdhrat e partisë. Menaxheri i ndërtimit të kontratës ka qenë i partisë. Menaxheri i shkëputjes së kontratës ka qenë i partisë. Menaxheri i dorëzimit tek arbitrazhi është i partisë. Paratë, në fund të ditës, do të jenë të partisë. Pazar i pastër dhe i thjeshtë.

Por PTK-ja nuk ka vetëm një rast. Rasti tjetër, dhe më i madh, na pret në derë. I thonë “Axos”. Kujtoni marrëveshjen për shitjen e PTK-së në vlerën hajgare prej 276 milionë eurosh. Vlera, ishte, në rastin më të lehtë, kthim i investimeve për 3-4 vjet. Nënshkrimi i shitjes për 276 milionë euro ishte kontratë favorizuese. Po u ekzekutua një kontratë e tillë, biznesi i përzgjedhur (për rekord ishte fondacion fantom), do të merrte për lirë një ndërmarrje që kthen profitin vetëm për 3 a 4 vjet punë. Kontrata e nënshkruar nuk ishte ekzekutuar. Mosekzekutimi i kësaj kontrate ka bërë që “Axos” të ngrejë padi, pra të kalojë në anën tjetër të fitimit. Po u realizua padia, do të marrë nga 50 deri në 100 milionë euro fitim, të pastër. Sërish, një skemë e njëjtë, e ekzekutuar me ide e hapa të njëjtë. Përfaqësues të njëjtë, fitues të njëjtë, humbës të ndryshëm – qytetarët e Republikës.

-3-

Sofistikimi i korrupsionit është duke ndodhur. Klasikja e marrjes së 10% fitim mbi tender ka evoluar në forma të ndryshme korruptuese, shumë më të avancuara. Me 10% është pazar joatraktiv. Sepse kërkon shumë ekspozim, shumë risk, pak përfitim. Përfitimet e sofistikuara kanë kaluar në ndryshime ligjore e urdhëresa administrative që japin monopole veprimesh e përfitimesh me kontrata që s’lejojnë ndryshim. Merreni për shembull rastin e homologimit. Një monopol i garantuar që s’guxon të ndryshohet. Po u ndryshua, dënimi prej qindra milionash – pa arbitrazh – me paraparje të kontratës pra, është i garantuar. Dy vjet më parë, qeverisja e re kishte provuar të ndryshonte një vendim të tillë. Ndryshimi ishte ndërprerë pikërisht nga dëmi që priste vendin pas ndërprerjes.

Dhe në momentin e tanishëm, tash që komunikojmë për skema si këto, plot e përplot të tjera janë duke u ekzekutuar, për të dhënë rendiment korruptues vite nga sot. Në rrethana të tilla, janë dy alternativa. E para, që vendi të dorëzohet; që secili gjenerim financiar i tij të kapet e peshkohet nga partia. Herë nëpërmjet tenderëve e herë nëpërmjet skemave që bëhen më të sofistikuara secilën ditë. Do të mbërrijmë shpejt – po qe se s’kemi mbërritur ende – në skema të “Panama Papers”.

E dyta, që të godasim fort pjesëmarrësit në to. Që nënshkruesit e kontratave, mbikëqyrësit e tyre, të mbahen individualisht e penalisht përgjegjës për korrupsion. Në kornizën ligjore të tanishme, atë të menaxhimit të ndërmarrjeve publike, bordet e ndërmarrjeve janë vënë në mirëbesim. Pra, nga ta, s’pritet përgjegjësi ligjore, sepse s’ka targete e synime të vëna për ekzekutim. Kjo duhet të ndryshojë. Që menaxhuesit e tyre të jenë dhe përgjegjës me përgjegjësi të pakufizuara mbi ndërmarrjet që udhëheqin. Që pasuria e tyre, koha e lirë e tyre, të transformohet në larje të dënimit. Le të ndodhë më pas një humbje multimilionëshe po që kanë llogari. Le të shohim më pas sa individë do të dalin përpara për menaxhim partiak të publikes.

Shteti, ndërsa, po pati shtet e po qe i tillë pak, duhet t’i shpallë “public enemies” secilin përfitues të skemave si këto. Të ndërpresë bashkëpunimin me ta, të urdhërojë sanksione ndaj tyre. Të jetë aktiv, proaktiv, në parandalimin e secilit peshkues financiar të vendit më të varfër në Evropë. Do të habitemi se sa pak të tillë peshkues do të mbesin në vend. Në fund të ditës ka shumë më shumë biznese që duan rregull se sa lidhje favoresh.

Për të bërë një gjë të tillë na duhet vullnet. Vullnet politik, që jep guxim, jep shembull e jep mbështetje. Guxim para kapësve, shembull para qytetarëve e mbështetje para prokurorisë që mbetet në gjumë ende.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...