Zori evropian

21 Mars 2016 - 08:13 - Lumir Abdixhiku      

Mbi mendësinë e bërjes së gjërave jo pse duhet, por pse na thonë

-1-

Gjykata e Tenderëve, siç i thonë ndryshe Organit Shqyrtues të Prokurimit në Kosovë, ishte vënë për një kohë të gjatë si kriter i domosdoshëm në procesin e liberalizimit të vizave. Kriteri, natyrisht dhe fatkeqësisht, nuk ishte vënë nga një qeverisje e vullnetit të mirë e bërjes mirë, por nga një detyrim; nga një zor pra. Zori evropian, për fatin tonë të keq, mbetet mekanizmi i vetëm korrektues i anomalive të gërditshme që prodhohen këndej. Pa këtë zor, politikës kosovare nuk do t’i binte ndërmend të merrej asnjëherë as me tenderët e as me Gjykatën e Tenderëve. Sepse për politikën kosovare nuk ka asgjë të keqe që shkon me këtë gjykatë e as me tenderët e dhënë nga ajo. Për politikën kosovare, kjo gjykatë e trajtimit të secilës euro publike të dhënë nëpërmjet tenderëve, duhet të mbetet pjesë e pazareve partiake dhe ndarjes së pozitave në mes ndarësve të pushtetit. Ani pse e definuar dhe e presupozuar si profesionale dhe neutrale, e njëjta domosdo do të trajtohet si mjet shërbyes i partive.

Në të njëjtën logjikë ishin trajtuar dhe bordet e ndërmarrjeve e agjencive të pavarura. U desh intervenimi i evropianëve, në formë të shkruar e shprehur qartësisht disa herë, që politizimi i këtyre agjencive, nga ish të kandiduarit për partitë në pushtet, të cilësohet si i gabuar dhe i papranueshëm. Dhe do të duhet një zor tjetër evropian, kurdo që të na vijë, që politika kosovare të ndryshojë qëndrim – për diçka të ndaluar specifikisht me ligj.

Për t’u kthyer mbrapa te tenderët, mospajtimi i palëve në pushtet, prodhoi një seancë të dështuar, në të cilën pozita nuk aprovon e kalon emrat e ardhur nga vetë ajo. Një paradoks i tillë të jep dy elemente trajtuese. I pari, se ka një funksionim të përçuditshëm të partnerëve në koalicion, saqë s’mund të koordinojnë as votimin e emrave që i prodhojnë vetë. Dhe e dyta, se kapja e institucioneve publike edhe atëherë kur rrezikon një proces kaq të rëndësishëm evropian për vendin, mbetet prioritare për shumëkë në pushtet. Për aq sa mërziten, Kosova mund të shkojë në dreq të mallkuar po nuk u bë tenderimi siç e mendojnë këta.

-2-

Në fillim të këtij viti kisha shkruar për domosdoshmërinë e punës hiperaktive për të përmbushur kriteret e mbetura që ishin shpallur të përmbushura kaherë. Madje, për ironinë më të madhe, kur lajmi për mospërmbushjen e tyre kishte dalë në Bruksel, këndej ishte premtuar se “kriteret do të ripërmbusheshin përsëri”. Të jepej përshtypja se ato ishin mbushur një herë – por tash do të rimbusheshin sërish – ec e bjeri në fije kësaj. Rimbushja e kritereve të mbushura; kësi interpretimi veç të tanët mund të bëjnë.

Natyrisht se kriteret nuk ishin përmbushur. Nuk ishte përmbushur pra – ndër të tjera – reformimi i Gjykatës së Tenderëve. Dhe ai nuk u bë as këtë herë. Kosovarët vendosën të testojnë zorin evropian; të shohin pra sa serioz është i tilli, para se të ndërmarrin një hap kaq të rëndësishëm për ta. Testimi i këtij zori do të bëhej në vizitën e komisionit faktmbledhës të BE-së.

E sa për të qenë shumë të qartë, edhe sikur sot të vijë rekomandimi pozitiv për lëvizje të lirë në Kosovë, do të duhen plot shtatë deri në dhjetë muaj ratifikim e pajtim nëpër qeveritë evropiane. Thënë këtë, viti 2016, në secilën rrethanë të mundshme, është vështirë i pritshëm, për të mos thënë fare, si vit i lëvizjes së lirë për në Evropë.

-3-

Një zor tjetër evropian kishte shtyrë Odën Ekonomike të Kosovës e atë të Serbisë që t’i shkruajnë Brukselit. Ishte zori i shërbimit e keqperceptimit të nënshtrimit, natyrisht i dalë nga ne. Për habinë më të madhe të secilit, Oda Ekonomike e Kosovës kishte kërkuar nga Oda Ekonomike e Serbisë, që t’i bashkëngjitej në letrën që kjo jona kishte vendosur t’u dërgonte zyrtarëve të lartë në Bruksel, përkatësisht përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Mogherini, dhe komisarit për Zgjerim, Hahn.

Letra nuk kishte të bënte për pabarazinë trajtuese që Serbia i bën Kosovës, por fliste për kërkimndërmarrjen e hapave evropianë që parandalojnë “rrënimin e një partneriteti tregtar në mes të dyja vendeve”, që rrezikohej nga rrokullisja e kamionëve. Natyrisht se letra ishte pranuar me dy duar nga pala serbe; ishin zënë madje dhe në habi. Kush do ta priste në fund të ditës, një dhuratë të tillë – madje në kohë zgjedhjesh atje.

Shumë mirë që Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë i kanë shkruar Brukselit ankesë të përbashkët për rrokullisjen e kamionëve. Qenkan brengosur për partneritetin e ndërsjellë - siç e do rendi i partnerëve. Por, meqë u paska mbetur aq shumë te partneriteti e te rendi, si nuk u kujtuan këto kurrë, veçanërisht kjo jona, t'i shkruajë ndonjëherë Brukselit që Serbia nuk i njeh Kosovës as targat e automjeteve e as pasaportat, dy parakushte thelbësore për tregti e lëvizje? Siç s'i shkruan asnjëherë se përkundër nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë, obligim evropian, Serbia ndalon, kthen e refuzon secilën dërgesë kosovare për atje; ani pse i shet këndej tre-katërqind milionë euro në vit?

Një nënshtrim i tillë, i mjerë e i turpshëm, i panevojshëm, e përfundimisht dhe i padrejtë, që s’flet kurrë për padrejtësitë evidente të bëra ndaj nesh, por i trumbeton elementet terciare deri në Bruksel, tregon edhe vetëdijen nënshtruese të kosovarëve edhe ndaj regjionit, por edhe ndaj të huajve. Në vend se një kanal i tillë komunikimi, të përdoret pandërprerë, siç e përdor pala tjetër për ne vend e pa vend, këta tanët bëjnë të kundërtën. Sikur në të njëjtën letër të kërkohej edhe heqja e barrierave unilaterale të Serbisë në tregti, të kërkohej njohja e certifikatave të Kosovës, i dokumenteve të udhëtimit, i targave e pasaportave – e i gjithçka tjetër në Evropë – ndoshta dhe do të kishte kuptim ankesa për intervenim e “rregullim” të një partneriteti të prishur. Por nuk u tha asnjëra. Ky akt është aq absurd, saqë tejkalon secilin kapacitet gjykues serioz. Është absurd dhe joserioz.

-4-

Përfundimisht elemente si këto tregojnë se këndej gjërat janë prishur keq. Është instaluar pra një mendësi e re, e dobët dhe e ligë, tash e sa vjet, që nuk lejon as mendimin e dinjitetshëm, e edhe më pak, shfrytëzimin e proceseve e rrugëve më të mëdha për interes nacional e republikan. Zori evropian, në një ambient të mirëqenë, as që do të duhej të ekzistonte. Por le të themi se ambient të mirëqenë këndej nuk mund të bëjmë për disa kohë. Atëherë, i njëjti do të duhej të përdorej jo vetëm si domosdoshmëri e lëvizjes përpara, por edhe si mekanizëm i thyerjes së klaneve mafioze e kriminale në vend. Ku ka mundësi më të mirë e përkrahje më të madhe sesa procesi evropian dhe percepcioni qytetar mbi të. Është dhuratë e lehtë për secilin tabor udhëheqësish që do njëmend përparimin e vendit.

Pra ka një mendësi të ligë këndej. Dhe kjo mendësi më nuk është formë vetëm e veprimit politik të atyre që gjenden në pushtet, por është standard i mirëthemeluar i secilit që ka pak të drejtë në një vendim; siç na thotë dhe trajtimi absurd i tregtisë Kosovë-Serbi këtë herë. Pa zhbërjen e një mendësie të tillë, pa nisjen e një zinxhiri të ri mendimi, ky vend kurrë s’ka për t’u ngritur në këmbë.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...