Një refleksion ekonomik mbi ikjen

9 Shkurt 2015 - 08:44 - Lumir Abdixhiku      

Gjithsesi, fluksi i madh i ikësve do të ndërpritet shpejt, nuk mund të zgjasë përjetësisht. Dhe kjo ndërprerje do të fillojë në momentin e parë që vendet pranuese do të ngopen. Tani për tani, komforti dhe toleranca e tyre - së paku publike – është sinjal i pranimit, sinjal që kosovarët e kanë lexuar me lehtësi

Se ikja është më e zakonshme, kjo është fakt. Se ajo është e lehtë, është po ashtu fakt. Se është e toleruar dhe e lejuar si ndihmesë për të lehtësuar rëndesën sociale në vend, kjo është vetëm hipotezë. Por në qoftë se del si e saktë një hipotezë si kjo – dhe nuk mund të jetë larg mendsh shumë – atëherë ikësit dhe të mbeturit këndej kanë një pasqyrë krejt tjetër nga perceptimi tragjik i së zakonshmes. E përtej ndjesisë së dhembshurisë, trishtimit e fatkeqësisë që normalisht njeriu ka për zbrazjen e vendit, ikja masive – ky eksod paqësor pra – lë pas vetes dhe disa derivate ekonomike. Në këtë shkrim do të provoj t’i rendis disa nga më të zakonshmet, më shumë dije se të tjerat mund dhe të jenë, tani për tani, të paparashikueshme (në të mirë e të keq).

Por para se të bëj një bilanc të tillë, më duhet të them se ikja e largimi masiv nga vendi është tragjedi. Jo për faktin se migrimi e lëvizja nga një vend në tjetrin është tragjedi si fenomen normal nacional e panevropian, por sepse ikja masive e paparashikuar, me motive mbijetese dhe në përgjithësi e paseleksionuar, merr karakter të zbrazjes së menjëhershme, pra është më shumë se sa migrim. Rrjedhimisht, si e tillë dhe me gjithë konsekuencat morale (jo domosdo socio-ekonomike), për ikësit e të tjerët të mbetur pas ajo mbetet e trishtë. Sepse zbrazja mbetet trishtim.

Dhe ky eksod fatkeq yni – nga plot 1.000 për çdo natë – shpërfaq nivelin e gjunjëzimit e rrënimit të vendit tonë. Dhe këtë gjunjëzim, paradoksalisht, ia bëmë vendit vetë; jo në luftë, por në liri. Në vend se ta gëzojmë lirinë me punë, mirëqenie e përparim, për vetëm 15 vite ne bëmë çfarë dashakëqijtë tanë nuk kishin mundur të na bënin për jetë të jetëve. Ne lejuam një grusht zaptuesish të pacipë e të pangishëm, të na humbin shpresën e të sjellin dorëzimin. Kemi merituar shumë më shumë se kaq.

Tash, ka diçka të pazakontë në gjithë rrugëtimin kosovar për në Evropë, dhe kjo pazakonshmëri buron nga lehtësia e ikjes. Kujtoni, vetëm gjashtë vite më parë plot 15 kosovarë, kryesisht gra e fëmijë, kishin gjetur vdekjen në lumin Tisa, në përpjekje dëshpëruese për të kaluar ilegalisht kufirin për në Hungari. Sot kalimi nëpërmjet lumit Tisa është i panevojshëm, sepse Tisa është zëvendësuar fillimisht me kalime nëpër male (gjithmonë më pak “ilegale”), e së fundi me kalime – besoni ose jo – nëpër rrugë krejtësisht normale, të shtruara e asfaltuara mbarë e mirë, e të cilat qetë dhe paqësisht të dërgojnë në Hungari e Evropë; mu para syve të policëve e gardianëve kufitarë, diçka vështirë e pranuar për një vend që refuzimin do ta kishte ndërmend.

Hipoteza e lehtësisë dhe hapjes së dyerve merr më shumë kuptim kur destinacionet përfundimtare nuk kërkojnë asnjë masë e asnjë veprim nga autoritetet kosovare (nga ku fillon ikja), nga autoritetet serbe (ku kalon ikja) apo nga autoritetet hungareze (tek ku parapërfundon ikja). Pra ka një sërë mekanizmash parandalues që autoritetet evropiane do të mund t’i përdornin për të shmangur këtë fluks. Por nuk e bëjnë. Raportimet e fundit mediatike madje tregojnë se si vendet si Gjermania – ndër të tjera – evidentojnë gjithë kosovarët, i strehojnë ata nëpër kampe kolektive, e në disa raste dhe u japin leje të përkohshme qëndrimi e kurse trajnuese për gjuhë.

Ka tri shpjegime (të ndërlidhura me njëra-tjetrën) në këtë drejtim – gjithmonë nëse hipoteza e tolerimit qëndron. I pari, dhe mjaft i mundshëm, se vendet evropiane në nevojë për të zbrazur tërësinë e pakënaqësisë në Kosovë kanë hapur një ventil shfryrjeje për një masë që jeton në dëshpërim. Kjo shtendosje i shërben lehtësisht stabilitetit social këndej, e i cili në rast të kundërt – i katandisur keq nga keqqeverisja e zaptuesve ordinerë – do të shpërthente për të zhbërë gjithçka.

I dyti, se për vendet evropiane, komuniteti kosovar mund të shihet si më i përshtatshmi. Jo për shkak të pretendimeve hajgare mbi baza racore, por për shkak të prezencës dhe mirakomodimit të diasporës sonë atje; një diasporë që sot zotëron biznese e rrjete punësimi gjithandej. Dhe duhet thënë se një pjesë e madhe e ikësve nga Kosova nuk ikën pa adresë; një pjesë e madhe e tyre kanë familjarë e të afërm mirë të akomoduar nëpër Evropë – që mbajnë biznese, kanë biznese, njohin biznese; pra gjejnë punë lehtë. E një vend që ka një diasporë evropiane sa 25% të popullsisë së gjithëmbarshme, e ka fare lehtë të ndërtojë lidhje të tilla. Kjo përshtatje natyrore do të ndodhte padyshim në momentin e parë që do të kishim liberalizim të vizave. Ka ndodhur nëpër rajon gjithsesi, në Serbi, Maqedoni e Shqipëri.

Të tjerët ndërkaq, pa adresë, do të mbesin pjesë e vendimeve individuale të vendeve pranuese. Dhe këtu fillon shpjegimi i tretë, se tolerimi është më tepër neglizhencë e vendeve pranuese të cilat në përpjekje për të adresuar ligjërisht secilin rast të azilkërkuesve kanë dhënë sinjale të pranimit tek kosovarët e tjerë. E kur fluksi i madh i ikësve do të ndërpritet shpejt, sepse nuk mund të zgjasë përjetësisht, në të kundërtën do të zbrazej – me plot kuptimin e fjalës – Kosova në tërësi, pra kur vendet pranuese do të ngopen me azilkërkim, do të fillojë procesi i trajtimit të të larguarve. Ky trajtim natyrisht nuk do të nënkuptojë kthimin e të gjithëve, do të jetë e pamundur sinqerisht. Disa – të vetëseleksionuarit – do të marrin ushqim, strehim e tolerancë për qëndrim afatshkurtër, ndoshta dhe do të gjejnë punë. Të tjerët ndërsa, do ta kenë ose fatin e kampeve të padurueshme hungareze deri në dorëzim e kthim, ose kapjen nëpër Evropë e kthimin jovullnetar për në Kosovë.

Fillimi i kthimit do të nisë një kapitull të ri po aq të vështirë sa ikja; ripërshtatjen e të larguarve sërish me jetën në Kosovë. Do të jenë të goditur në veçanti ata që kanë pasur një punë apo kanë shitur një pasuri vetjake para ikjes, pas kthimit s'do ta kenë asnjërën. Do të kthehen për të nisur një jetë nga një pikë më të rëndë se nga paraikja – dhe kjo s'ka për të qenë fare e lehtë.

Se çështja e eksodit kosovar është temë emergjence, nuk bën më çudi. Madje, siç e elaboroi me të drejtë miku im, Alban H., ajo zuri vend të bollshëm në rreshtat e paktë të deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. E nuk është punë e paktë të jesh në rend dite me gjithë luftërat në lindje me ISIS-in e në eurolindje me Rusi e Ukrainë, është punë e madhe. Dhe gjithë kjo kërkim-shprese e re, e nisur dhe ngjizur pikërisht nga katandisja socio-ekonomike që është bërë e bëhet në Kosovë vazhdimisht, do të ketë disa derivate shoqërore, në rend të parë ekonomike. Përtej trajtimit moral të ikjes, pra duke mbajtur diskutimin puro në terma socio-ekonomikë, këto pasoja do t’i grumbullojë në dy anë.

Në anën e parë janë dëmet imediate e negative të ikjes masive; efektet e të cilave veçse mund të shihen. Së pari, një largim enorm si ky, domosdoshmërish do të prekë nivelin e kërkesës së brendshme në Kosovë; nëpërmjet prekjes së konsumit e investimeve. Rënia e konsumit në Kosovë do të ketë dy implikime imediate; fillimisht do të bien importet (meqë konsumi ynë në to bazohet) e më pas do të bien edhe të hyrat buxhetore si rezultat i rënies së importeve e vet kërkesës. Rënia e konsumit, përveç tjerash, do të përcillet edhe me rënie të investimeve tek një zinxhir i tërë operuesish në Kosovë. Mos të harrojmë se një blerje – tek kushdo qoftë ajo – nxit një sërë sjelljesh ekonomike të agjentëve të ndryshëm; nga bukëpjekësi, tek bujku, nga bujku tek mësuesi, nga mësuesi tek punëdhënësi; të gjithë pra preken nga secila lëvizje regresive e konsumit.

Së dyti, do të ketë lëvizje të shpejta në tregun e parasë; pra në kreditë bankare. Sërish, kjo për dy arsye. Fillimisht sepse një pjesë e bankave tanimë veçse ballafaqohen me kredi të këqija, të individëve që kanë marrë kredi të vogla e që kanë ikur – një fenomen i shpërndarë gjithandej sidomos në ditët e para të eksodit; e më pas sepse në kohë të paqartësive shoqërore si këto, do të rritet risku i kredidhënies – rrjedhimisht do të rritet çmimi i parasë. Së treti, do të ketë implikime të menjëhershme në tregun e banimit e qiradhënies; njërin ndër sektorët më ekspansivë të Kosovës. Sidomos do të preken regjionet periferike të qyteteve të mëdha, të cilat do të kenë – në terma margjinalë – shumë më të vështirë përballjen me një fluks të tillë ikësish masivë. Së katërti, rastet e lëshimeve kolektive të Kosovës, nga individë e punëtorë madje, do të ketë pasoja për bizneset vendore, të cilat do të duhet tashti t’i zëvendësojnë të njëjtët me forcë të re punëtore të paaftësuar – veçanërisht në sektorët e prodhimit. Kjo natyrshëm do të ndikojë në aftësinë konkurruese të tyre, ashtu-kështu të rëndë.

Në terma afatgjatë ndërsa, gjithmonë duke tjetërsuar moralitetin e pranimin e ikjes masive si normale, dhe mbi të gjitha, gjithmonë duke besuar se ikësit do të akomodohen nëpër Evropë e do të gjejnë punë e krijojnë vlerë, efekti i ikjes do të jetë më i lehtë për Kosovën, në fakt, në disa raste mund dhe të jetë pozitiv (gjithmonë përtej stabilitetit social që pakësimi krijon).

Për të ndodhur një gjë e tillë, natyrisht se largimi do të duhej të ishte selektiv, e jo gjithëfamiljar – siç ishte rasti i një familjeje prej 110 anëtarësh. Pra në rastet kur i gjithë nukleusi i familjes ikën, e s’mbetet kush pas, është e pamundur të ndërtohet ndonjë beneficion remitance nga krijimi i kësaj gjenerate të re të diasporës. Por në raste të tjera, kjo diasporë e re do të shërbejë për mirëmbajtjen e mbarëvajtjen e një vendi të tërë. Sepse, për aq kohë sa punojnë ata, do të krijohen të ardhura të reja, potenciale të reja e (në rastin më të mirë) edhe investime të reja.

Normalisht se rastet e tilla do të duhej të trajtoheshin – në rend të parë – nëpërmjet programeve ndërqeveritare të punësimit; pra duke dërguar fuqinë tonë punëtore në punësime sezonale e afatshkurtër. Natyrisht se zbrazja mbetet tragjedi, dhe në gjithë këtë tragjedi arsyetimet ekonomike e sociale mbesin të zbehta. Por për të ndalur këtë tragjedi, për të zëvendësuar eksodin me punë e vlerë e energji këtu, na duhet të ndryshojmë gjithë paradigmën tonë ekonomike, sociale e politike – praktikisht na duhet të ndryshojmë gjithçka.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...