28 Prill 2014 - 08:58 - Lumir Abdixhiku
Përtej histerisë kolektive për pjesëmarrjen e një këngëtari serb në një emision televiziv në Shqipëri – që mori gjithë muhabetet kosovare këndej, aderimeve dhe transferimeve artificiale në prag të zgjedhjeve nga secili që ka dalë – së paku – një herë në televizion, dhe refuzimit të Adnan Januzajt ndaj Kombëtares së Shqipërisë që thau gjithë thirrjet e shpresat për pranim ftese andej e këndej, votimi i Tribunalit të veçantë për krimet e kryera nga kosovarët gjatë dhe pas luftës rrumbullakoi një javë mishmashe, me plot lajme, secila me interpretim “shah në veti” nga një grumbull debutuesish gjithandej – të cilët, megjithatë, nga të gjitha zgjedhjet e tyre racionale e të mundshme, më së paku pritojnë të debatojnë për secilën temë të mundshme që ndodh në këtë vend të vogël, jashtëzakonisht të vogël.
E përderisa tri lajmet e para – në rastin më të mirë – do të meritonin një debat kafenesh dhe jo më shumë, ky i fundit meritonte së paku një diskutim parlamentar, që nuk ndodhi asnjëherë. Jo se kishte zgjidhje shumë për e kundër Tribunalit, por se një vendim kaq i rëndësishëm për një çështje kaq të rëndësishme nacionale meritonte së paku një diskutim të rëndësishëm shtetëror; përtej kafeneve dhe rrjeteve sociale gjithsesi. Sepse të ndërtosh një gjykatë të veçantë për Kosovën, si vendin më të viktimizuar në gjithë Evropën, është punë bajagi e madhe – shumë më e madhe se sa veçse një vendim i radhës që kalon veçse me një vendim të ditës.
Sepse themelimi i një Gjykate të Veçantë do të thotë pranimi i një dështimi enorm në sistemin gjyqësor të vendit, dhe se secili dështim – në rast se qenka i tillë – nënkupton gjetjen dhe mbajtjen e përgjegjësve për një përfundim të tillë, të huaj dhe vendorë pa dallim. Sepse, kur të akuzuarit në proceset e tanishme vendore bëjnë gjumin nëpër spitale e jo në burgje, ku dhe duhet, atëherë kupton qartë se vendi yt ka një sistem vendor kriminal dhe parainstitucional që buron në gjykata, rrjedh nëpër burgje e përfundon në spitale (prandaj dhe sistemi) për të lejuar të burgosurit të bëjnë porosi peshku nga Shqipëria gjatë drekës në dhomat VIP të spitaleve në Prishtinë – siç thuhet të ketë ndodhur shpeshherë këndej. Sepse një sistem i tillë kriminal dhe parainstitucional nënkupton se ti nuk ke dhe nuk mund të kesh drejtësi, prandaj bëhen dhe gjykimet e veçanta, prandaj dhe gjykimet bëhen jashtë Kosovës.
Pra themelimi i Tribunalit nuk është veçse një lajm i zi i radhës nga një proces që zgjedhje nuk mund të bësh, sepse je sjellë para një akti të përfunduar e qëndisur kaherë. Themelimi i Tribunalit është edhe rezultat që kërkon reflektim dhe përgjegjësi mbajtjeje nga vendimmarrësit kosovarë: nga kryeministri tek ministri i Drejtësisë e gjithë deputetët shumicë që në katër vjetët e fundit kanë bërë lëmsh sistemin e drejtësisë – me reagim dhe mosreagim të tyre, të gjithë fajtorë. Një disfatë e tillë nacionale duhet ushqyer me përgjegjësi individuale.
***
Përtej çfarëdo politike tjetër kombëtare që mund të ketë tërhequr vëmendjen e të gjithëve këtë javë, praktika e përforcimeve partiake që komplekson madje edhe transferimet më të komplikuara të futbollit gjithandej, po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme. Dhe për këtë praktikë dua të them dy a tri fjalë.
Së pari, përforcimi i partive politike është plotësisht legjitim, madje do të ishte tragjike sikur ato të mbeteshin të papërforcuara. Përkundrazi, fakti që në 15 vjetët e fundit ne i kemi të njëjtat fytyra politike nëpër medie tregon mjaft se sa larg demokratizimit partiak jemi ne. Një vend demokratik do të kishte parti politike që nuk kanë liderë të përjetshëm – si mbretër – por kanë sistem të përjetshëm që promovon lider të ri, të cilët vijnë rëndom pas humbjes së zgjedhjeve nga liderët paraprakë. Tek ne partitë garojnë me të njëjtin lider për dy dekada rresht, ani pse i njëjti asnjëherë fitues nuk del. E kur nuk demokratizon kokën e partisë nuk ke çfarë të presësh nga pjesa tjetër e saj. Pra, po, përforcimi partiak është esencial nëse dëshirojmë ky vend e ky shtet të ecë para, të bëhet.
Së dyti, përforcimi partiak kishte me qenë më i logjikshëm sikur ai të ndodhte pas çdo cikli zgjedhor, jo para tij. Sepse inkuadrimi në fillim të cikleve nuk jep idenë e oportunizmit ose zënies ngushtë të individëve, jep idenë e angazhimit të mirëfilltë politik e me seriozitet rreth një kauze që ke kohë katër vjet ta promovosh e jo veçse katër javë. Problemi kosovar, megjithatë, është te fukarallëku i mendjeve që mund të bëjnë ndryshim e të cilat shpeshherë nuk kanë luksin e pritjes katër vjet – pa punë – për të bërë ndryshim.
Së treti, inkuadrimi partiak ka logjikë absolute të bëhet nga shoqëria civile – siç ka dhe logjikë absolute të bëhet nga biznesi, edukimi e diaspora. Pra histeria kolektive e individëve që habiten për aktivizimin politik të individëve nga shoqëria civile është tërësisht e pavend dhe buron me siguri nga të tillë që nuk e kuptojnë se çfarë në të vërtetë është shoqëri civile. Kjo sepse të jesh shoqëri civile nuk do të thotë të jesh i paanshëm, apolitik apo dhe joaktiv – pra aktivizimi civil nuk është domosdo mbrojtje e popullizmit, sepse shoqëria civile nuk ka e nuk do ta ketë asnjëherë një mandat të tillë. Aktivizimi civil është zgjedhje individuale, siç është dhe zgjedhja e të bërit biznes, shkencë apo sport – të gjitha me domosdoshmërinë e pasjes së kritereve profesionale në to.
Por, dhe kjo me “por” të madhe, aktivizimi nga shoqëria civile në politikë kërkon korrektësinë e principeve morale, pra shkuarjen me rrjedhën e qëndrimeve të mbrojtura në vazhdimësi. Nëse një individ gjatë aktivizimit civil të tij – pra aktivizimit individual të tij – gjatë gjithë kohës ka qenë kritik i qeverisjes, atëherë do të ishte shumë e natyrshme që në rast të zgjedhjes për politikëbërje të renditej me opozitë, sepse opozita mund të jetë alternativa më e përafërt politike e pozitës të cilën e ke kritikuar në vazhdimësi, kritikë kjo madje që të ka dhënë dhe vend më të diferencuar në opinionbërje. Alternativisht, mospajtimi edhe me opozitë mund të të dërgojë në një lëvizje të pavarur politike. E pajtimi me pozitë gjatë kohës së aktivizimit politik natyrshëm se të dërgon atje – sado që përfitimi i pozitës si këmbim i aktivizimit civil është bukur rëndë i arsyetueshëm moralisht. Por, të kritikosh rëndë pushtetin për katër vjet rresht dhe në fund t'i bashkohesh atij, është hipokrizi. Sepse bashkimi me pushtet pas kritikës do të thotë që ose ti ke qenë gabim gjatë gjithë kohës (dhe kjo të bën të paditur), ose për qëllime oportunizmi ke ndryshuar bindjet e tua bazike (dhe kjo të bën të pakurrizorë). Prandaj anëtarët e shoqërisë civile që i bashkohen pushtetit, të cilin e kanë kritikuar në vazhdimësi - madje nën arsyet se po japin kontribut për ndryshim (heh!) - bëhen veçse hipokritë të paditur e pakurrizorë, vlerë kjo për të cilën Kosova ka më së paku nevojë. Para politikës vjen një “trohë” fytyrë burra: ruajeni sa s'keni mbetur edhe pa të.
Intervencionistë të tillë të oportuniteteve parazgjedhore do të ketë gjithandej sa herë që kemi elitë intelektuale të paaftë për të mbajtur veten moralisht dhe financiarisht, sidomos financiarisht. E përderisa kemi një elitë intelektuale që përpin lehtë dhe pa turp gjithë kauzën mbi të cilën është ndërtuar, nuk do të kemi as demokratizim, as rifreskim e as përmirësim të partive politike – do të kemi veçse perfeksionim të servilizmit intelektual që megjithatë paguhet mirë, aq sa mjafton që intervencionistët të dalin në selamet.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...