Uzurpatorët e arsimit

12 Tetor 2015 - 08:34 - Lumir Abdixhiku      

Ky sistem uzurpuesish nuk duron ndryshimin. Sepse ndryshimi, ç’është e vërteta, nënkupton krijimin e vlerës. E në vlerë këta uzurpatorë nuk kanë më vend. Sepse ata aty nuk janë për vlerë. Janë për shkak të fuqive uzurpuese që sistemi i gjashtëmbëdhjetë vjetëve të fundit ka pasur për parim. Prandaj dhe kërkojnë ta mbajnë e ta mbrojnë këtë sistem

-1-

Do të jetë me siguri ndër rastet më të rralla – për të mos thënë të vetmet – ku një fushë e bërë lëmsh provohet të ringrihet sot në Kosovë; e kam fjalën për Universitetin e Prishtinës pra. Dhe ky rast, njëkohësisht, përbën modelin më të zakonshëm të përballjes mes së mirës kosovare dhe gjithçkaje tjetër uzurpuese e rrënuese në Kosovë. Është një maket në miniaturë e gjithë përpjekjes në shoqërinë tonë; një test laboratori, siç do ta thoshin shkencëtaret.

E në rast se e mira, në këtë model, triumfon ndaj uzurpatorëve, atëherë triumfi i Kosovës ndaj të shkuarës së saj të hidhur bëhet i mundur. Eksperimenti do të rezultonte me sukses. Ky triumf natyrisht se nuk ka për të qenë i lehtë; në të vërtetë, gjasat e triumfit ndaj kapësve të të gjithë sistemit defektoz të tyre që ka prekur e kontaminuar secilën pjesë tjetër janë minimale. Prandaj dhe sot njeriu gjen pak përballje si kjo. Sepse alternativa e përballjes së tillë është flirtimi me uzurpatorët – rrjedhimisht shpërblimi për flirtim. Këtë rrugë të dytë kanë zgjedhur të ditur e të paditur tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht.

Por këtë rrugë nuk e kishte zgjedhur Ramadan Zejnullahu ditën që ishte vënë si rektor. Këtë rrugë nuk e kishin zgjedhur as anëtarët shumicë të Këshillit Drejtues ditën që e bënë Zejnullahun rektor. Kjo pakicë kishte zgjedhur konfrontimin me uzurpatorët shumicë. Dhe kjo zgjedhje nuk kishte për të qenë e lehtë. Dhe në vijim, asnjërit nga anëtarët e Këshillit Drejtues, përkrahës të rektorit në fjalë, nuk i ishte vazhduar mandati. Mandati u ishte vazhduar vetëm kundërshtuesve të tij. Të njëjtin fat largues e linçues do ta kishin edhe ata pak akademikë universitarë që kishin zgjedhur përballjen në fjalë.

-2-

Trajtimi e largimi i tillë është rezultat tipik i modelit uzurpues në fjalë. Uzurpatorët e arsimit, sikurse në secilin sistem tjetër, kërkojnë nënshtrim; kërkojnë mosndryshim, pra kërkojnë statu-quo. Sepse ky mosndryshim u jep atyre qëndrim të qetë, përfitime mjaft e fuqi plot – punë e madhe, për ta, që nuk ecën asgjë në edukim. Punë e madhe, për ta, që prodhojmë të papunë me nga një copë letre në dorë. Punë e madhe, pra, që gjenerata të tëra mbesin analfabetë modernë.

Ky sistem uzurpuesish nuk duron ndryshimin. Sepse ndryshimi, ç’është e vërteta, nënkupton krijimin e vlerës. E në vlerë këta uzurpatorë nuk kanë më vend. Sepse ata aty nuk janë për vlerë. Janë për shkak të fuqive uzurpuese që sistemi i gjashtëmbëdhjetë vjetëve të fundit ka pasur për parim. Prandaj dhe kërkojnë ta mbajnë e ta mbrojnë këtë sistem.

Dhe rrjedhimisht, për secilën rezistencë me kompetencë ata kanë një antidot idiot. Kanë studentë, politikanë e akademikë – në u thoshin ashtu – që, sërish për shkak të shpërblimit për flirtim, zgjedhin bërjen e argatit për dreqin e të birin.

-3-

Më të veçuarit janë studentët dhëmbkërcëllues që kërkojnë ulje të kritereve. Këta margaritarë të absurditetit është mirë t’i lësh të flasin vetë. Tregojnë mjerimin e qëndrimeve që shtrojnë. E mendoni dot? Kërkojnë kritere më të ulëta, mundësi kalimi e kapërcimi më shumë, vlerë testuese më pak – e në fund, kinse për kritere – kushte mësimi më shumë. Dhe gjithë këtë kërkesë e paketojnë – e këtu përfundon mjeshtëria e tyre – me parime evropiane. Për çfarë Evrope flasin këta?

Evropa nuk ka afate provimesh çdo muaj vetëm pse je absolvent. Evropa nuk ka lotari testimi e gjetje përgjigjes vetëm pse i je nënshtruar të njëjtit provim 20 e kusur herë. Në 20 e kusur herë edhe gjasat e probabilitetit të futkotizimit të favorizojnë kalimin. Evropa mat testin me një e dy herë; po je për dije ecën tutje, nuk je për të, nuk përfundon me domosdo në diplomë. Diploma nuk është letër e garantuar vetëm pse ndjek ligjërata tre vjet. Diploma është certifikim i dijes. Po nuk e pate dijen, nuk e merr. Po e more pa dije, s’të bën punë hiç. Në fund sërish mbetesh i papunë, sepse ka një autoritet tjetër që megjithatë kërkon dije – i thonë shef e i thonë punë.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë universitet në botë, nuk ka pasur asnjë shoqëri ndonjëherë, dhe s’do të ketë asnjë njeri me minimalisht dy-tri mend, që ka kërkuar ulje të kritereve në arsyetimin e plotësimit të cilësisë. Ka të mjerë e individë të paditur sa të duash e gjithandej, ka dallaveraxhinj e përfitues defektesh – por ama ata këtë punë e bëjnë fshehtë. Nuk shfaqin gjithë marrinë publikisht.

-4-

Studentët protestues të kritereve më pak janë vetëm mjet. Drejtues janë uzurpatorët akademikë – në u thoshin ashtu – që kanë kapur njësitë akademike gjithandej. Këta individë, të mbështetur nga politika, kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme, ku plagjiatura, vjedhja e mashtrimi ishin vlera. Sepse në vlera e valuta si këto, në plagjiat, vjedhje e mashtrim, uzurpatorët mund të shesin mend.

Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e drejtuesve të tillë – sikur të kishte pak shtet këndej – do të duhej të ishin nëpër banka gjyqësore sot, për të dhënë përgjegjësi për lëmshet ekonomike të bëra në kohën e ushtrimeve të posteve ministrore. Pjesa më e madhe e tyre, ish-politikanë të përjashtuar nga votuesit, por të mbajtur nga sistemi kapës këndej, janë të ndërlidhur ngushtë me proceset më të dëmshme të bëra ndonjëherë në vend. Dëmin, që duket se e kanë pjesë integrale të angazhimit të tyre, e kanë përcjellë për shumë kohë edhe në Universitet.

Këta rrënues e pengues të secilës reformë do të provojnë tregimin e muskujve e nxitjen e treguesve të tjerë muskujsh në vazhdimësi. Këtë praktikë e kanë treguar në vazhdimësi e sistematikisht në secilën ngritje kundër rektorit dhe ekipit të tij që nga dita e parë e ardhës së tij. Kishin nisur me organizata të dala nga lufta, me veteranë e komandantë të tjerë – me studentë nënshtrues të uzurpatorëve të tillë, e në fund me akademikë universitarë të transformuar në shërbëtorë pa integritet. Nga shitësit e listave e deri tek analfabetët e tjerë, të gjithë përbëjnë një ushtri uzurpatorësh që multiplikohet gjithandej; në secilin sistem.

-5-

Në kohë të marrive e marrëzive kolektive, rastet e individëve që i vihen përballë së keqes janë veçse mrekulli. Ndodhin rrallë. I tillë është edhe qëndrimi i rektor Zejnullahut përballë analfabetëve, kapësve e trushpëlarëve universitarë tash e sa kohë. I ka lodhur. Dhe mu për këtë, e për të saten herë, ai është vënë nën sulmin e po të njëjtëve analfabetë që kanë mbetur pa fuqi e janë zënë në siklet.

Nëse kjo shoqëri ka një fije respekti për veten sot dhe një fije vullneti për të tjerët nesër, atëherë ajo duhet të rreshtohet në krah të individëve që i vinë si mrekulli; në krah të rektorit këtë herë. Ai s'bën të lihet vetë. Jo se ka rëndësi një çështje dite e tij, porse ka rëndësi kauza që një individ si ai simbolizon. E nuk ka kauzë më të madhe për këtë vend sesa bërja e shembullit se e keqja është e mundshme të mundet. Përballja e rektorit, me të tillët, është një rast i mirë për këtë.

Sot, intelektualë, akademikë universitarë me integritet, taksapagues e qytetarë të thjeshtë duhet të rreshtohen kundër uzurpatorëve dhe muskujve të tyre fizikë e politikë që provojnë të tregojnë. Ata duhet të mbrojnë universitetin fillimisht, dhe me këtë Republikën përfundimisht. Ky vend nuk ka luksin e humbjes së kësaj beteje. Sepse po e humbi, do të humbasë edhe guximin e motivin për të nisur e përfunduar të tjera. Sot në edukim, nesër në gjyqësor, polici, ushtri, shëndetësi – e përfundimisht në politikë.

Mbi të gjitha, sot, mijëra studentët e UP-së duhet të ngrihen kundër pakicës që i uzurpon. Nëse këta studentë duan që e nesërmja të sjellë një vlerë për mundin që kalojnë, për kohën e vitet që i kapërcejnë sot, atëherë ata duhet të refuzojnë e dënojnë uzurpimet e thirrjet për devalvim. Në të kundërtën, nëse të njëjtit tolerojnë dhe humbasin një mundësi të mirë për reformë, atëherë le t’i grenë e humbin gjithçka që marrin nga aty – natyrisht, përfshirë dhe vetë diplomën. Nuk ju vlen as për vlerë pune, e as për të arsyetuar emrin student.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...