Mbi shfaqjet tona

7 Mars 2016 - 08:23 - Lumir Abdixhiku      

Këtë herë kur perdet të hapen e aktorët të ngrihen me të vërteta ndaj të tjerëve, shumë mite do të bien. Me ta do të bjerë dhe paprekshmëria e të fortëve, të cilët për plot 17 vjet gjithë kontributin e dhënë e kanë në rikujtimin e një sakrifice të bërë në luftë

-1-

Kosova tashmë ka një president, por nuk e ka një që i përfaqëson njëmend shumicën e qytetarëve të saj. Nuk i gëzon as votuesit e kundërshtarëve të deridjeshëm të tij, as votuesit e opozitës, e hiç se hiç votuesit e minoriteteve. Zgjedhja e të riut, madje, nuk gëzoi as votuesit që i pati në Parlament. Të njëjtët që kishin thirrur ditë e natë për refuzim votimi, e votuan. E thanë se ishte zgjedhje e domosdoshme; por nuk iu gëzuan zgjedhjes së tij. Kaq mjafton për të kuptuar trishtimin në të cilin kanë futur vendin vetë votuesit e tij. Për trishtimin që kanë futur veten do të flasin qytetarët natyrisht.

Por u gëzuan pjesëtarët e partisë së presidentit të ri; festuan votuesit e tij; pak më pak se një e treta e Kosovës. Disa festues madje u kapën dhe me festë revoleje, hiç më larg se në zyrat qendrore të partisë së presidentit të ri; në mes të Prishtinës; sa për të simbolizuar më së miri ndoshta gjithë rrethin që e karakterizon atë – plumba e anarki, të gjithë së bashku mbi ligjin. Një javë pas ngjarjes së filmuar, prokuroria e vendit nuk guxoi e vazhdon të mos guxojë të hapë rastin ende. Janë bërë të gjithë njëjtë. Të topitur. Të topitur gjithsesi ndaj të fortëve.

Në fund të ditës rezultati ishte ky. Një zgjedhje e rezervuar për pozitë uniteti, iu dha dikujt që ka mbyllur përfundimisht gjasat për unitet në vend. Të mos harrojmë, presidentja në ikje mund të mos kishte qenë faktor uniteti në vend; por nuk ishte as faktor përçarës. I riu, përveçse nuk është unifikues, është përçarës sa s’bëhet më. Dhe është mu përçarja, pse Kosova është futur në një relacion të pazgjidhshëm nga tash e tutje. Nëse në vend kishte deri dje një derë tek e cila një pjesë e partive megjithatë mund të trokisnin, siç edhe kishin trokitur më parë, tashmë me të riun ajo derë është mbyllur për plot pesë vjet.

-2-

Përderisa Kosova ishte mbytur në gaz e molotov – dhe dëshpërim natën e zgjedhjes – një ecje tjetër kosovare kishte bërë nam nëpër botë këtë javë. Filmi “Shok”, i nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”, kishte rikthyer Kosovën në ballinat e medieve më të famshme ndërkombëtare.

Ky rikthim, përveçse ishte freski e lajmeve që Kosova së fundi prodhon, e që të jemi të sinqertë janë lajme të frikshme, përbën gjithashtu edhe diplomacinë më të shëndoshë që vendi ynë mund të krijojë. Pra, nëpërmjet një ngjarjeje me vëmendje enorme nëpër botë, Kosova, artistët kosovarë, pra, kishin arritur të poentonin me temën më të rëndësishme të mundshme – me përpjekjet e kosovarëve për mbijetesë. Ky poentim bëhet i rëndësishëm veçanërisht në kohën që, për pjesën më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare – kryesisht asaj evropiane – Serbia nuk kërkohet të mbahet përgjegjëse për bëmat e shtatëmbëdhjetë vjetëve më parë. Madje, përkundrazi, nëpërmjet një propagande të sofistikuar e insistuese, ani pse me të pavërteta plot, ata kanë arritur dhe të barazojnë e transformojnë vrasësit në viktimë e viktimat në vrasës. Filmi “Shok” thyen këtë propagandë në formën më të mirë të mundshme.

Por, përtej shërbimit nacional që filmi i bën vendit tonë të ri, ai jep edhe një shpresë të re për të rinjtë e të rejat kosovare që vendin e tyre e kanë parë pak ose fare si vend të mundësive e sukseseve. Pra arritjet artistike, sportive e biznesore, qenkan të mundshme të lindin edhe në Kosovë. Për këtë kemi filmin “Shok”, kemi Majlindën, kemi Duan e kemi “Gjirafën” – një biznes vendor që po bën së fundmi nam. Është e vërtetë gjithsesi, se si në pak vende të tjera, ky vend u jep qytetarëve të vet një mijë e një probleme, nga më të çuditshmet madje; por njëkohësisht, është po aq e vërtetë se i njëjti mund të prodhojë talente, kampionë e superbiznesmenë. Them të shikojmë më shumë nga e dyta, pa harruar domosdoshmërinë e largimit të të parëve.

-3-

E të parët kanë punë më të mençura këto ditë. Kanë punë me marrjen rreth ngjarjeve të para 17 vjetëve. Këtë javë, ish-komandantët e ish-luftëtarët më me nam të UÇK-së, filluan të akuzojnë njëri-tjetrin për vrasje, prita e tradhti – madje duke përfshirë dhe figurat e emrat e njerëzve e protagonistëve më me nam në vend.

Një përplasje si kjo bën vetëm fillimin e shpalosjeve të anëve të zeza nga lufta e fundit. E anë të zeza natyrisht se ka mjaft. Dhe do të mbetet fakt, i garantuar madje, se sa më shumë që i afrohemi Gjykatës Speciale, aq më të shpeshta dhe aq më të trishtueshme kanë për të qenë akuzat, tregimet e në fund dhe faktet e ngjarjeve në fjalë.

Kosova kam përshtypjen se ka kaluar mjaftueshëm vite, plot 17 pra, për të kapërcyer mostrajtimin e këtyre temave. Nëse të njëjtat do të hapeshin, le të themi, dy vjet pas përfundimit të luftës, gjërat do të shiheshin me sy më emotiv, më emocional pra, e me plot reagime e kërcënime. Këto të fundit ndonëse nuk i përjashtoj hiç të ndodhin tani, them se i shoh si të izoluara dhe vetëm rreth protagonistëve. Ndërsa qytetarët tash kur kanë kaluar plot 17 vjet, do të jenë më të hapurë e më kritikë – më kërkues gjithsesi – në gjetjen e të vërtetave nga lufta e fundit.

Këtë herë kur perdet të hapen e aktorët të ngrihen me të vërteta ndaj të tjerëve, shumë mite do të bien. Me ta do të bjerë dhe paprekshmëria e të fortëve, të cilët për plot 17 vjet gjithë kontributin e dhënë e kanë në rikujtimin e një sakrifice të bërë në luftë. Kosova nuk do të bëhet njëmend kurrë përderisa nuk lirohet nga të tillët që janë në gjendje të flasin pandërprerë për histori, e as edhe një fjalë ta thonë për të nesërmen.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...