22 Prill 2014 - 08:45 - Lumir Abdixhiku
Janë premtimet elektorale ato që më shpërfaqin më së miri – gjithsesi tragjikisht – dobësitë e sistemit tonë financiar; atij planifikues dhe shpenzues. Janë mu këto premtime që rrënojnë secilin dokument planifikues të vendit, nga Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e deri tek planifikimet buxhetore të parvjetshme; thuajse nuk ekzistojnë, thuajse nuk janë bërë asnjëherë – ç’është e vërteta, ato janë bërë sa për sy e faqe.
Pra, planifikimi dhe shpenzimi financiar, në një vend normal, do të duhej të ishin pjesë e një kornize unike financiare, e cila më pas ndërlidhet me gjithçka tjetër që buron nga ajo. Në një vend normal, planifikimi do të merrej seriozisht; sepse tregon maturi, dije, angazhim dhe qartësim të ecjes. Në një vend normal ndryshim radikal i planifikimit makrofinanciar, si rezultat i një politike ditore do të ishte i paprecedent; Parlamenti do të shqetësohej, organizatat buxhetore do të zhurmonin, e secili institucion tjetër i pavarur do të ndërhynte. E mu për shkak të mungesës së respektit për planifikim, besoj, burojnë edhe praktikat e mungesës së plotë të llogaridhënies dhe transparencës në vend. Sepse secili vendimmarrës mbi financat publike ndien se mund të bëjë çfarë të dojë, sa herë të dojë, si të dojë me to. Sepse nga mosrespektimi i planifikimit buron edhe keqpërdorimi.
***
Lidhshmëria në mes të praktikave të mira qeverisëse me mirëqenien e mirë ekonomike dhe sociale është pranuar mbarësisht. Në këtë vijë, transparenca – apo hapja rreth qëllimeve, formulimeve dhe implementimeve – është element kyç në politikëbërje. Buxheti i shtetit, në anën tjetër, është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme që qeveria e parlamenti prodhojnë në vend. Rrjedhimisht, transparenca rreth një dokumenti – të konsideruar si më i rëndësishmi – është parakusht për realizimin e ndërlidhjes mes qeverisjes së mirë dhe prosperitetit ekonomik e social.
Në Kosovë, transparenca buxhetore përfundon larg çfarëdo norme të standardizuar ndërkombëtare, e të rrumbullakuar rreth analizave e raporteve ndërkombëtare që trajtojnë temën në fjalë. Në këtë kolumne, do të provoj t’i përmbledh disa nga defiçiencat më të rëndësishme që ndërlidhen me transparencën buxhetore, me idenë dhe shpresën se në të ardhmen, shpenzimi i parasë publike do të hasë në më shumë përgjegjësi.
Problemi i parë, dhe më i rëndësishmi njëkohësisht, ndërlidhet me mungesën e qëllimit në – fillimisht – planifikimet buxhetore dhe – rrjedhimisht – hapjen e informacioneve rreth këtyre planifikimeve për publikun e gjerë; pra taksapaguesit. Në të vërtetë, buxheti i Kosovës në katër vitet e fundit është shpërfaqur si një dokument ad-hoc dhe pa ndonjë ndërlidhmëni me dokumentet e tjera më afatgjata; në rend të parë pa ndonjë ndërlidhmëni me Planin e Veprimit të Vizionit Ekonomik të Kosovës apo Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve - të dy këto dokumente që do të duhej, së paku në pritje, të kornizonin edhe shpenzimet buxhetore. Pra, mungesa e një planifikimi të mirëfilltë, në thelb është edhe mungesë e një hapjeje rreth qëllimeve financiare të vendimmarrësve në Kosovë. E përderisa qëllimet financiare mbesin të papërcaktuara, fuqia e përdorimit financiar për – le të themi – raste paraelektorale bëhet enorme.
Problemi i dytë, ndërlidhet me kualitetin e diskutimeve rreth hartimit buxhetor – bashkë në përmbajtje të pjesëmarrësve dhe në kohën e alokuar nga Qeveria e Parlamenti. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, institucionet kosovare nuk kanë synuar asnjëherë përfshirjen e grupeve jashtinstitucionale në diskutimet buxhetore – në rend të parë, asociacionet biznesore, shoqërinë civile apo ekspertët e pavarur; të gjithë kontribuuesit më të mëdhenj të mbushjeve buxhetore. Hartimet dhe propozimet kanë qenë kryesisht unilaterale dhe pa mundësi diskutimi në publik. Një praktikë e tillë e mbylljes kufizon kontributet eventuale rreth prioritetizimit të shpenzimeve publike. Përveç kësaj, diskutimet parlamentare rreth buxhetit, jo më të gjata se – në rastin më të mirë – dyditore, shpërfaqin qartazi mungesën e kualitetit dhe participimit të gjithëmbarshëm në hartimin buxhetor. Mungesa e diskutimeve të gjata – dhe përmbajtjesore njëkohësisht – mund të jetë edhe produkt i defiçiencës parlamentare; ku deputetë të shumtë nga pjesa më e madhe e grupimeve partiake preferojnë aprovimet blanko para elaborimeve të detajizuara. Mbaj mend diskutimet në Angli, trejavore në Parlament, shumë të tjera jashtë tij – në publik, medie, debate e diskutime grupesh. Tek ne mënyrën e shpenzimit të gjithë parasë publike e rrumbullakojmë me një e dy ditë muhabet.
Problemi i tretë, ndërlidhet me llogaridhënien rreth shpenzimeve të planifikuara gjatë hartimit buxhetor. Pjesa më e madhe e përmbledhjeve buxhetore, të prezantuara në dokumentin vjetor të buxhetit, janë përmbledhje jashtëzakonisht gjenerale dhe pa ndonjë informacion shtesë rreth përmbajtjes së tyre. Pra, nga prezantimi standard i Ministrisë së Financave që kalon nëpër Qeveri, aprovohet në Parlament e prezantohet në publik, është e pamundur të identifikohet përmbajtja e saktë e shpenzimeve të planifikuara. E fshehja e shpenzimeve bëhet sepse në fshehje mundësohen keqpërdorimi; korrupsioni, hajnia e luksi publik.
Në këtë vijë buron dhe problemi i katërt, që ka të bëjë me raportimin e këtyre shpenzimeve nga organizatat buxhetore. Sipas një analize të Institutit GAP, një numër shumë i vogël i organizatave buxhetore bëjnë publike shpenzimet buxhetore; saktësisht, nga 19 ministri vetëm njëra ofron raport të veçantë dhe më të detajuar të shpenzimeve buxhetore. Njëtrajtësisht, nga 37 komuna të Republikës së Kosovës, vetëm një publikon në faqen e saj raportin e detajuar të shpenzimeve. Një praktikë e tillë e mbylljes, në nivel qendror dhe lokal, shpërfaq më së miri edhe nivelin e llogaridhënies rreth shpenzimit të parave publike.
Problemi i pestë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me informacionet e dhëna rreth kontratave të mëdha që paraqiten në kategorinë e investimeve kapitale të buxhetit të shtetit – ndër të tjera, për shembull, edhe kontrata e autostradës së planifikuar Vërmicë-Merdar. Mbyllja e tërësishme në relacion me informacionet rreth kësaj kontrate paraqet një rast të paprecedent në praktikat e qeverisjes së mirë dhe të hapur, ku rreth 18% e buxhetit vjetor – në katër vite rresht - jepet si shumë e përgjithshme dhe pa të drejtë informimi për parlamentarët e për taksapaguesit kosovarë.
Problemi i gjashtë, buron nga mosinformimi i publikut rreth taksave mbi pasuritë natyrore të Kosovës; apo royalty tax. Institucionet planifikuese vazhdojnë të lënë në terr të plotë informimin e publikut mbi rrjedhën, lidhshmërinë, dhe shpenzimin e taksave si këto gjatë gjithë viteve të shfrytëzimit të pasurive – kryesisht – nëntokësore.
Në fund fare, pra problemi i shtatë, ndërlidhet me përshkrimin e qëllimeve qeveritare rreth shpenzimeve buxhetore, e që rëndom paraqitet në pjesën e analizës makroekonomike të buxhetit. Ky qëllim dhe kjo analizë vazhdon të paraqitet vetëm si dokument shtesë i arsyetimeve politike, ku provohet të argumentohet në baza politike e partiake, në vend të shpërfaqjes së një analize të mirëfilltë ekonomike dhe informuese, në rend të parë, për deputetët e parlamentit, e më pas edhe për publikun e gjerë me interes.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...