Dështim zaptimi i kolltukofagëve

21 Korrik 2014 - 08:42 - Lumir Abdixhiku      

Do ta kenë menduar mirë zaptimin e uzurpimin zyrtarët e PDK-së. Të kapen fillimisht për karrige – kudo që të jenë ato; për deputetë e kryedeputetë. E t’i mbajnë ato fort; të mos i lëshojnë për asgjë hiç; as edhe në kohë pauze madje. Kështu, sikurse “kolltukofagët” e Nolit, ata do të mbanin peng një parlament, një vend një shtet

-1-

Fan Noli e njihte mirë dashurinë shqiptare për karrige; në esenë e vitit 1924 me titull “Pesë Anarkitë” e përshkruante këtë pasion kështu: “...Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin.”

Do ta kenë menduar mirë zaptimin e uzurpimin zyrtarët e PDK-së. Të kapen fillimisht për karrige – kudo që të jenë ato; për deputetë e kryedeputetë. E t’i mbajnë ato fort; të mos i lëshojnë për asgjë hiç; as edhe në kohë pauze madje. Kështu, sikurse “kolltukofagët” e Nolit, ata do të mbanin peng një parlament, një vend një shtet.

-2-

Do të jenë zgjuar të parët kam përshtypjen, për të kapur – si të parët – rendin e mesëm të Parlamentit. Një parti që gjithë të zezat e veta i kishte mbuluar tash e shtatë vjet me interpretimin se çdo devijim duhet të adresohej në institucione, po dhunonte qysh në ditën e parë vendimin institucional të Kryesisë së Kuvendit për ulje të vendit. Inatçorë tipik. Mu atëherë kur nuk kishin zë zaptues në institucione, i dhunonin vendimet e dala nga to.

Dhe ky dhunim institucional po vazhdonte me secilin hap elaborues të kryesueses së rastësishme të seancës. Ishte vendosur me pahir, për shkak të moshës; dhe mu rastësinë e moshës kryesuesja po e përdorte keq e mbrapshtë qysh nga minuta e parë e seancës. Fillimisht, kur nuk evidentoi uljen e parregullt dhe uzurpuese e zaptuese të PDK-së; dhe më pas kur preu qëndrimin politik të partive përbërëse në Parlament – thuajse diskutimi parlamentar është i ndalur me dekret mbretëror – çfarë paradoksi.

U desh pak kohë për të kuptuar strategjinë e PDK-së. Në esencë kjo strategji synonte bllokimin institucional me çdo kusht; jo për të bërë qeverisjen nga ta, por për të ulur në tavolinë negociuse bllokun opozitar, prodhuar kështu një kontest, dhe në fund dërguar atë kontest në interpretim Kushtetues. Sepse, vetëm nëpërmjet bllokimit, që do të prodhonte tavolinën, kjo kontestin e ky Kushtetuesen, PDK-ja mund të shpresonte në zgjedhje të reja – assesi në formim të qeverisë nga ta.

Të mbetur vetëm, të padashur e të injoruar politikisht nga gjithkush, PDK-ja donte të merrte me vete secilin tjetër në rënie; deri sa të rizgjidheshin sërish, derisa të improvizonin një zaptim sërish.

-3-

Dhe kështu filloi cirku. Një pauzë, një fillim, një mbyllje, një rifillim, e në fund një ndërprerje pa fund. Sa për të mos mjaftuar kjo, një kryesuese që përfundon seancën, por që nuk lëshon karrigen. Që ikë, që kthehet, që flet e që bën lëmsh. E gjatë gjithë seancës, të them të drejtën, ndjeva keqardhje për pozitën djegëse të kryesues. Një bagazh i tërë politik e i sakrificës të vihet në shërbim të ngërçeve individuale sinqerisht të mërzitë. Sepse, një zonjë e tillë do të duhej të vinte së paku integritetin individual para interesave paradoksale partiake që duan të mbysin me bllokim shumicën parlamentare.

Sepse, me pak integritet, kryesuesja do ta kuptonte balancën e forcave qysh në momentin e votimit të parë të Komisionit Vlerësues, ku jo më shumë se 44 vota mbështetën propozimin partiak të PDK-së; përkundrejt një totali prej 120 deputetëve; 76 prej të cilëve nuk votuan fare – pra mendonin ndryshe. Në këtë moment, kur u qartësuan forcat reale në Parlament, secili njeri me pak integritet do të pranonte humbjen. Por nuk e bënë. Përkundrazi, vazhduan bllokimin fizik të foltores. Në një situatë të tillë, Kuvendi kishte kuorum por nuk i lejohej puna, sepse një grup politik që me fat kishte më të moshuarën në radhët e veta, po bllokonte një foltore dhe një mikrofon.

Këtu “kolltukofagët” provuan kufijtë e degradimit individual sa që ndryshuan rendin e ditës të përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit. Ky ndryshim do të prodhonte një ngërç të ri politik, ngërçin të cilin zaptuesit donin ta ushqenin me çdo kusht që nga minuta e parë e seancës konstituive.

Në rrethana si këto, lëshimi i sallës nga opozita ishte i vetmi përfundim logjik; siç dhe ishte kthimi i tyre pas ç’zaptimit të foltores e karriges nga partia pakicë. Në kthimin opozitar, Kuvendi ishte mbushur me 83 deputetë; mungonin vetëm 37 deputetë të PDK-së. Deri atëherë, një parti zaptuese po mbante peng një shumicë kualifikuese parlamentare; sinqerisht e pabesueshme.

-4-

PDK-ja natyrshëm ka çdo të drejtë morale, ligjore e kushtetuese të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dy procese të ndara por me qëllim të njëjtë – zhvlerësimin e seancës. I pari do të ndërlidhej me mbarëvajtjen e procesit; nëse mendojnë se ka pasur shkelje eventuale. Dhe njëjtë, sikurse në vitin 2011 kur Kushtetuesja zhvlerësoi procedurën e zgjedhjes së Presidentit, edhe këtë herë ajo mund të zhvlerësojë procedurën e zgjedhjes së kryeparlamentarit. Natyrisht se para se të dërgojnë në Kushtetuese procesin e zgjedhjes, ata duhet të arsyetojnë vendimin e një kryesuese për të injoruar rendin e Kryesisë krye në vete; e injorim ky që solli deri te mocioni shkarkues për të. Me hesapin tim, asnjë Kushtetuese nuk do të provonte favorizimin e një tendence zaptuese.

Procesi i dytë, ndërkaq, do të ishte dërgimi në Kushtetuese i interpretimit për grupin më të madh parlamentar; pra tendenca për të shpallur të jashtëligjshëm grupin “LDK-AAK-Nisma”. Në këtë fushë sërish, nuk arrij të hesapoj asnjë kushtetuese që do të shkelë mbi precedentët e kaluar, siç është rasti i grupit minoritar “6+”, që gjithmonë, sikurse edhe këtë herë, formohej qysh në seancën e parë konstitutive.

-5-

Ecja për formimin e institucioneve është larg prej përfundimit. Sidomos tash pas distancimit dhe mosarritjes së marrëveshjes në mes të treshes opozitare dhe lëvizjes “Vetëvendosje”. Për fatin e mirë të opozitës, një mosmarrëveshje e tillë nuk u reflektua në zgjedhjen e kryeparlamentarit; duke mundësuar fillimisht krijimin e kuorumit, e më pas shfrytëzimin e votave minoritare për procesim.

Megjithatë, nga tash e tutje blloku opozitar duhet të kuptojë se pa një unifikim të gjithëmbarshëm dhe pa shkrirjen e diferencave ndërpartiake, asnjë qeveri me pakicë shqiptare nuk do të jetë stabile. Sepse, përderisa “Lista Serbe” mbetet faktor përcaktues në këtë Parlament, dhe përderisa shqiptarët shumicë mbesin në opozitë e jo në qeveri, asnjë vendim madhor i vendit nuk ka legjitimitet moral; njëjtë sikurse nuk kishin këto të qeverisë së shkuar. Për më tepër, asnjë qeverisje e brishtë nuk ka kapacitet të ndërtojë mirë funksionet antizaptuese në Kosovë; dhe se do të rrezikojë shpeshherë zhbërjen për secilin mospajtim eventual.

Ndarja opozitare gjithsesi se mund të kthejë në lojë partinë – deri dje – në pushtet; sidomos pas afrimit fillestar të saj me dhjetë deputetë minoritarë joserbë; e të cilët në fund megjithatë shkuan me grupin. Gjithsesi një luhatje e tillë lë hapësirë për luhatje të kurdohershme dhe kështu sjelljen e qeverisë – pa VV-në në të – në numra nën 61 deputetë; saktësisht (me gjithë “Listën Serbe”) në 57 sosh.

Në rrethana të tilla komplikuese, pa përfshirë vullnetin e gjykimit e diskrecionit të presidentes për mandatarin e dytë – që nuk dihet se çfarë është – asnjë skenar nuk përjashtohet përfundimisht. Konstituimi i Kuvendit, pra, dhe zgjedhja e kryeparlamentarit të ri nuk përjashtojnë ende bllokimin qeveritar e as shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...