14 Shtator 2015 - 08:03 - Lumir Abdixhiku
-1-
Leme Xhema nuk është vetëm një emër, emër i njohur për mbrapsht natyrisht. Leme Xhema, si emër, simbolizon edhe një sistem të tërë drejtësie në këtë vend. Simbolizon punën e policit, të prokurorit, të gjyqtarit e të parlamentarit, nga ligjvënia deri te ligjbërja.
Leme Xhema, këtë javë, ishte kthyer në Kosovë. Ish-drejtoresha e njërit prej aseteve më të mëdha publike në vend, rrjedhimisht më të keqpërdorur ndonjëherë, pas arratisjes në vitin 2011, për shkak të dënimit të marrë me tre vjet burg për shpërdorim financiar, ishte përfundimisht e lirë. Kodi Penal i Kosovës i kishte dhënë lirinë. Jo sepse ishte e pafajshme, jo sepse ishte dënuar padrejtësisht, por sepse – Leme Xhema – kishte kaluar dyfishin e dënimit jashtë burgut - në arrati gjithsesi. Dhe sepse Leme Xhema kishte kaluar kohën e paraparë për burg në arrati, ajo mbetej e lirë. E përbini dot këtë natyrë të drejtësisë?!
Në ditën e parë të kthimit në Kosovë – si e lirë, sepse ishte në arrati – Leme Xhema u prit me tupan. Në krah të saj ishte dhe një avokat, të qeshur të dy. Po i zgërdhinin, pa fije marreje, një sistemi të tërë të drejtësisë. Ia kishin hedhur të dy. Dhe fjalët e para të Leme Xhemës ishin “unë s’kam kurrfarë problemi”, “ajo çfarë ka qenë, ka kaluar” dhe, si për vulosje, Leme Xhema na tha se e shkuara e saj “nuk bën më të diskutohet”. Natyrisht se për Leme Xhemën, dhe gjithë të tjerët si ajo, gjithçka është në rregull, asnjë problem madje – e shkuar e harruar – dhe detyrimisht e padiskutuar. Një start i ri për ta.
Nuk di çfarë sistemi është ky, çfarë ligjesh janë këto –dhe siç nuk e kuptoj as rezonin e vjetërsimit të dënimit pas arratisë – mbi të gjitha nuk e kuptoj nisjen e akuzës së re për arratisje, nuk i kuptoj asnjërën nga këto sinqerisht – por as që dua t’i kuptoj e mirëkuptoj, sepse nuk më bëjnë sens. Por ama e di se ligjet nuk shkruhen në gurë. Dhe sepse nuk shkruhen në gurë – e nuk zbresin nga qielli – ato mund të ndryshohen nëse sjellin anomali si këto. Sepse në ditën e kthimit të Leme Xhemës në Kosovë si e lirë – pas arratisë – Xhabir Zharku fërkoi duart me plot gëzim. Pas tij dhe shumë të tjerë njëtrajtësisht.
-2-
Hekurani nuk është vetëm një emër. Është simbol i denoncimit të haraçit dhe marrjes së jetës nga haraçvënësi. Ku ishte sistemi i drejtësisë në këtë mes? Asistues i vrasjes. Vrasësi ishte liruar nga paraburgimi, nën atë frazën e zakonshme tashmë “me procedurë të rregullte”, për të bërë një akt të çrregullt, vrasjen e denoncuesit të haraçit menjëherë pas lirimit nga paraburgimi – gjatë procesit të gjykimit pra.
Si Hekurani ka individë e biznese gjithandej sot. Fati i tyre përcaktohet nga mëshira e muskujve, të cilët vendosin se sa e kur të kërkojnë para nga të tjerët. Po nuk u pagua kërkesa e tyre, po u denoncua intenca e tyre – vjen vrasja. Në pikë të ditës.
Haraçi si taksim i dyfishtë i individëve e bizneseve kosovare nga secili me pak fuqi këndej, nga postkomandantët e deri tek mangupat e rrugëve e mëhallëve gjithandej, ka marrë formë të zakonshme. Është bërë pjesë e lojës. Në këtë vijë, përparimi e krijimi i pasurisë është bërë edhe mallkim. Sepse, përderisa bën punë e pasuri me mund e djersë, ka gjithmonë një idiot andej që mendon të ketë të drejtë mbi pronën e pasurinë tënde. Ky idiot edhe lihet më pas i lirë nga një sistem drejtësie që e njeh mbarë e mirë – por e lë pra të lirë. E lë të lirë edhe kur denoncohet, natyrisht “me procedurë të rregullt”.
-3-
Në gjithë anomalinë gjyqësore në Kosovë, nuk kam se si të mos shpreh papajtueshmëri të plotë me promovimin masiv të avokatëve që mediat i bëjnë këndej. Avokatë të kriminelëve, hajnave, vrasësve e keqbërësve – të gjithë të dënuar pas secilit rast mbrojtës të tyre pa përjashtim – kanë mundësinë e bërjes së rastit publikisht. Ç’është e vërteta, avokatët që i shohim madje nëpër televizione, i dëgjojmë në radio e lexojmë në portale gjithandej, kanë më shumë raste të humbura (pra ish-klientë keqbërës gjithandej) se sa të fituara ndonjëherë. E kur i dëgjon, ta mbushin mendjen se qindra kriminelë të tyre janë të pafajshëm, ani pse nuk kanë provuar si të tillë asnjërin nga to. Kaq për kredibilitetin e tyre kur shtrojnë raste mediatike – me bindje – pandërprerë.
E kuptoj rëndësinë e së drejtës për mbrojtje – dhe promovimit njëtrajtësisht – por ama, dhënia e gjithë hapësirës diskutuese për keqbërësin (që dalin rëndom të përfundojnë rastet e tyre), dhe fare për ndjekësin e tij, mbetet e pakuptimtë. Ky vend pra promovon gjithandej mbrojtësit e kriminelëve e keqbërësve, por nuk promovon asnjëherë një prokuror që provon t’i fusë në gjithë këtë anomali të tillët në burg. Nuk mbaj mend e nuk njoh as për së afërmi prokurorë sa mbaj mend e njoh avokatë mediatikë. Madje, thërras secilin nga ju të kujtoni sa avokatë e sa prokurorë i njihni në Kosovë? Dhe nuk besoj se nuk ka prokuror sa për t’i dhënë mjaftueshëm hapësirë. Në fund të fundit, për të gjitha rastet e avokatëve që na dalin gjithandej – të humbura të gjitha njëtrajtësisht – ka një prokuror që punon në anën tjetër.
-4-
Pavarësisht të gjithave, sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet halli më i rëndë, problemi më i rëndësishëm, dhe terri më i zi i një vendi të tërë. Vetëm 23% e kosovarëve sot i besojnë sistemit të drejtësisë. Nuk ka asnjë institucion tjetër publik që shënon nivel kaq të ulët besimi – dhe me të drejtë.
E mosfunksionimi i drejtësisë nuk përbën vetëm një dëm moral të shoqërisë, as edhe një prishje qejfi. Ai, njëkohësisht, përbën edhe barrierën kryesore ekonomike këndej. Barrierat më të mëdha që kanë ndërmarrësit kosovarë këndej, nga një i vogël me asnjë punëtor deri tek të mëdhatë me qindra e mijëra sosh, mbesin të ndërlidhura me sistemin gjyqësor. Evazioni fiskal, informaliteti, korrupsioni, prokurimi publik e vet forcimi i kontratave prekin secilën sferë të biznesit – dhe rrjedhimisht të jetës. Prekin mbledhjen e borxheve, operimin e barabartë, trajtimin korrekt, rritjen e buxhetit, sigurinë për biznes e deri tek kostoja e financimit – kredinë e alternativat mbështetëse si këto.
Kosovarët me të drejtë kanë humbur gjithë besimin. Nuk llogarisin më në të. Madje, për çudi, në vitin 2015 pritja e llogaritja në sistemin e drejtësisë duket edhe naive nga të tjerët. E shihni sa shumë kanë topitur pritjet për trajtim minimalisht korrekt si bërja e gjyqësisë e drejtësisë?
Por nëse ka një pikë nga ku duhet të nisë zhbërja e lëmshit tonë shoqëror, atëherë është mu ky sistem i drejtësisë. Duhet nisur nga korrigjimi i defekteve në letër që sjellin neveri e pabarazi – sikurse tek rasti i Leme Xhemës – e deri tek sjellja kolektive shoqërore për kërkim me ngulm të drejtësisë. Në mes, natyrisht na duhet gjetja e individëve që kanë guxim, kanë mbështetje e kanë fuqi për të gjetur (me prokurori), kapur (me polici) dënuar (me gjyqtarë) e mbajtur në burg (me korrektues) secilin nga ta.
Na duhet gjithashtu një sistem i drejtësisë që është efikas, i shpejtë dhe i barabartë. Ky vend është i vogël. Mbarësia e tij duhet të jetë një mision i lehtë. Për këtë, natyrisht, duhet përmbushur një kusht. Të hiqen nga drejtimi i vendit gjithë ata që nuk kanë asnjë interes për drejtësi këndej. Jo sepse nuk dinë ta bëjnë këtë vend të drejtë, por sepse janë pikërisht ata subjekt i trajtimit të sistemit – po u bë ndonjëherë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...