21 Nëntor 2016 - 08:23 - Lumir Abdixhiku
-1-
Arrestimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës në Serbi, gjuha ofenduese në rritje ndaj palës tjetër, përplasjet e vizitave me e pa leje, si dhe të gjitha lobimet e egra jashtë, janë dëshmi e mjaftueshme se dialogu Prishtinë-Beograd as nuk po funksionon, e as që po i afron dy vendet pjesëmarrëse në të. Ç’është e vërteta, dialogu ka arritur deri më tani t’i afrojë vetëm liderët e dy qeverive përkatëse drejt kryeqendrave evropiane, por vendet e tyre, qytetarët e tyre, vazhdojnë të marrin trajtim disproporcionalisht më pak efiçent, matur me kohën dhe energjinë e investuar në dialog.
Është e natyrshme që vendet të flasin në mes vete. Është plotësisht e natyrshme që dialogu të zhvillohet në mes të dy kundërshtarëve. Në të vërtetë, dialogu ka kuptim pikërisht kur zhvillohet në mes të kundërshtarëve. Në një rajon të sotshëm, mbi të gjitha, do të vlerësohet gatishmëria për të biseduar para gatishmërisë për të mos dëgjuar palën tjetër. Por ama, një dialog që zhvillohet brenda premisave të paqarta e shtyllave të dobëta, nuk ka për të dhënë rezultate, siç, argumentoj unë, s’po jep ky i tanishmi.
Në këtë shkrim do të provoj të rendis disa shtylla dialoguese që duhet përmirësuar për të përmirësuar këtë dialog. Shtyllat janë përmbledhje të qëndrimeve e mendimeve që i kam shpalosur më parë në këtë kolumne.
-2-
E para, dhe më e rëndësishmja, e vërteta e dialogut, siç shihet në sy të bashkësisë ndërkombëtare, duhet të dalë në pah sa më parë. Pra, kjo e vërtetë duhet të definojë se a bëhet fjalë për dialog të Serbisë “për Kosovën” apo për dialog të Serbisë “me Kosovën”.
Deri më tani nuk ka pasur një qartësim të tillë, as në qëndrimet publike të ndërmjetësuesve dhe qeverive respektive, por as në përmbajtjen e temave të diskutuara. Në qëndrimet publike është përdorur qëndrimi zyrtar i BE-së që nuk prejudikon statusin final të Kosovës; dhe ky mosprejudikim lë derën hapur për të diskutuar edhe “me”, por edhe “për” Kosovën. Në përmbajtjen e temave, ndërsa, nuk ka pasur ndonjë filtrim. Për shembull, Marrëveshja për targat e automjeteve në mes të Kosovës dhe Serbisë do të bënte pjesë në dialogun “me Kosovën”. Por Marrëveshja tjetër për kod telefonik, ajo për interkoneksion energjetik, e për pasuritë e ngjashme të Kosovës bëjnë pjesë në dialogë “për Kosovën”.
Dhe në marrëveshje të tilla lind dhe problemi ynë. Po që se është dialog “për Kosovën”, për rregullimin ekstra-kushtetues të Republikës së Kosovës, atëherë pozicioni ynë dialogues duhet të rimodelohet – rimodelim që në esencë kërkon refuzim. Sepse dialog përtej Pakos së Ahtisaarit do të thotë prishje e balancës kushtetuese, që edhe pa rëndesa të tjera, ashtu-kështu mezi po funksionon. Të mos harrojmë, Pakoja e Ahtisaarit nuk është pozicion startues i popullit të Kosovës. Pakoja e Ahtisaarit është pozicion i negociuar i Kosovës, pozicion përfundimtar pra.
Po që se është dialog “me Kosovën” e jo “për Kosovën”, atëherë trajtimi ndërkombëtar duhet të bëjë të qartë dy premisa bazë, e që në princip shkojnë në vijë me qëndrimet politike të shteteve përkatëse që ndërmjetësojnë sot. E para, se në fund të rrugës njohja reciproke është e domosdoshme. Ta dinë palët, pra, çfarë i pret në fund. Dhe e dyta, se negocimi për përmirësimin e jetesës së minoritetit serb në Kosovë nuk guxon të kapërcejë rendin kushtetues të Kosovës,– i cili, megjithatë, garanton më shumë se secili shtet tjetër Evropian të drejta minoritare.
Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e ndërmjetësuar dhe e shtyrë nga ndërkombëtarët, ka shkelur këtë premisë. Si në asnjë rast tjetër më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar draftin e nënshkruar në plot 23 pika si në shpërputhje të plotë e të pjesshme me Kushtetutën e me frymën kushtetuese të Kosovës – dhe me rrezikshmërinë e funksionimit të shtetit të Kosovës. Pra, elemente e dokumente kundërkushtetuese po prodhohen nga një dialog i tillë. Kjo e bën dialogun të duket, ndoshta, dhe siç është, si dialog “për Kosovën”.
-3-
E dyta, po aq e rëndësishme, dialogu po bëhet zëvendësues i nevojave për reforma ekonomike e demokratike në të dyja vendet pjesëmarrëse në të. Shihni për pak trendin e indikatorëve reformues përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të dialogut në mes të dy vendeve. Pjesa më e madhe e tyre kanë shënuar ose regres ose status quo. Të gjitha, megjithatë, po amnistohen me pjesëmarrje në dialog.
Sot, fatkeqësisht, për bashkësinë ndërkombëtare mjafton që të jesh pro dialogut, për t’u parë si partner e për t’i pasur rrjedhimisht duart e lira në politikën e brendshme. Duart e lira në punët e brendshme po prodhojnë në vazhdimësi kapje, korrupsion e pabarazi.
Ky zëvendësim i nevojës për reformë me nevojë për dialog, pra vënia e dialogut para reformës, po krijon edhe një tipar të ri të klasës politike në vend, tipar që kërkon pikërisht këtë zëvendësim. Dhe elitat politike këndej, por edhe në Serbi, e kanë kuptuar lehtë këtë pazar mbështetës. Kanë kuptuar se vlerë e tyre jashtë nuk është numri i rasteve të gjykimeve të profileve të larta korruptuese, as pavarësia e liria institucionale në vend. Vlerë e tyre jashtë është numri i takimeve që bëjnë ndërmjet vete për dialog; ani pse, pjesa më e madhe e po të njëjtave takime nuk ka rezultuar me ndryshim substancial për qytetarët e vet.
Të mos harrojmë, për aq sa përmirësojnë jetën e qytetarëve marrëveshjet eventuale, për aq rëndohet ajo nga papunësia, varfëria, ikja masive e kosovarëve nëpër Evropë – produkt i një tolerance kundrejt një shablloni pjesëmarrës. Prandaj është imperative që të dy proceset të ndahen mirë.
-4-
E treta, dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të funksionojë po nuk pati një Serbi evropiane. Një Serbi që rajoni e komuniteti ndërkombëtar fatkeqësisht nuk po e kërkojnë më, sikurse bënin dikur.
Një Serbi evropiane do të ngrihej mbi të bërat e veta, do të merrte përgjegjësi. Një Serbi evropiane do të pranonte realitetin e ri në Ballkan, siç kanë bërë të gjithë fqinjët tanë e të gjithë akterët relevantë ndërkombëtarë.
Kjo Serbi, po qe evropiane pra, do të pranonte dialogimin e çështjeve që njëmend do të përmirësonin jetën e qytetarëve, shqiptarë e serbë pa dallim. Dhe a e dini cilat çështje do të përmirësonin jetën e qytetarëve këndej? Kërkimfalja për fillim. Kërkimfalja e një Serbie evropiane që pranon përgjegjësinë e trashëgimisë së politikës së saj. Kërkimfalja do të relaksonte dhe relacionet ndëretnike në Kosovë.
Jeta e qytetarëve do të përmirësohej sikur të dyja palët të flisnin për 1700 të zhdukur nga Kosova. Të tregohet njëherë vullnet i mirë ndaj të vdekurve për të marrë respektin e të gjallëve. Të flitet e dialogohet edhe për gjetjen e trupave serbë të zhdukur në Kosovë. Pse të mos sillemi njerëzisht njëherë. Jeta e qytetarëve do të përmirësohej edhe me kthimin e pensioneve të vjedhura, plaçkës së marrë e dëmeve të bëra. Pajtimi s’mund të ketë tjetër kuptim.
Pajtimi nuk do të bëhet me agresionin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj ecjes ndërkombëtare të Kosovës, sikurse fushata e turpshme për UNESCO, krahasimi ynë me ISIS-in, apo paditë për anëtarësim në FIFA. Pajtimi s’mund të ndodhë as me minimin e stabilitetit politik që Qeveria e Serbisë po bën nëpërmjet Lista Sërpskas. Në të vërtetë, përdorimi i serbëve lokalë për të prekur e provokuar secilën çështje shtetërore, nga “Trepça” e deri te formimi i ushtrisë, po distancon dhe tensionon edhe më tej relacionet ndëretnike në Kosovë. Ato s’kanë qenë kurrë më të tendosura sesa sot.
-5-
Kështu, pra, një dialog i dizajnuar për fqinjësi të mirë është shndërruar në dialog që (një) vë pikëpyetje mbi statusin politik të Kosovës; (dy) zëvendëson domosdoshmërinë për reforma; dhe (tre) rrit tensionet në mes të dy vendeve, por edhe në mes të dy etnive që jetojnë në një vend. Ka diçka që nuk shkon, pra, me këtë strukturim.
Për t’i dhënë përgjigje të parës, pra pikëpyetjes së statusit politik të Kosovës, palës sonë i duhet sot unitet. Të mos harrojmë, çështjet politike me Serbinë janë arritur gjithmonë me një unitet të brendshëm politik. Secili presion që mund të vijë nga jashtë, duhet të përballet me një zë të vetëm – të përbashkët – nga Kosova. Uniteti politik kosovar do t’i jepte shtetit tonë më shumë siguri. Marrëveshja, pra, për shtyllat kryesore të ecjes sonë politike është e domosdoshme.
Për të dytën, pra zëvendësimin e dialogut me reforma, na duhet një këndellje e ndërmjetësuesve dhe kthim i procesit në kah të kundërt. Është shumë më e lehtë që negociatat të zhvillohen në mes të dy qeverive që kanë ndjekur reforma politike, ekonomike e demokratike, sesa të atyre që jetojnë në status-quo. Në fund të ditës, pjesëmarrja për sy e faqe kundrejt një regresi shoqëror do të prodhojë veç migrim, varfëri e tension ndëretnik. Nuk zgjidhet asgjë.
Për të tretën ka veç një zgjidhje. Presioni ndërkombëtar për një Serbi evropiane do të prodhojë një komunitet serb në Kosovë që vendos të bëhet pjesë e jetës në Prishtinë e pjesë e jetës në shtetin e tyre Kosovë. Ky komunitet ka të drejta të mjaftueshme, si asnjë komunitet tjetër minoritar në Evropë, për të avancuar pozicionin e vet në një shoqëri multietnike. Bërja krah e nxitjes së tensioneve, në vend të bërjes krah për bashkëjetesë në një Kosovë të pavarur, mund të jetë e kushtueshme për ta.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...