Mbi antiekstremizmin

18 Gusht 2014 - 10:28 - Lumir Abdixhiku      

Për të parandaluar të rinjtë tanë - djem jo më shumë se me nga njëzet e ca vjet – që të zgjedhin pjesëmarrjen në organizata terroriste gjithandej nëpër botë shteti jo vetëm që duhet të bëjë arrestime e luftë të pakompromis ndaj secilit terrorist (sepse s’bën ndryshe, ata ose ne), por duhet para së gjithash të parandalojë secilën anomali tjetër ekonomike, shoqërore e kulturore që krijon fole për manipulim, varfërim e mjerim - shkaqet kryesore të terrorizmit

-1-

Nuk do të shkonte larg e nuk do të vononte shumë, para se ekstremizmi të merrte shumë nga ne. Ndërhyrja shtetërore në ndalimin – sepse parandalimi del të jetë i vonë – e aktiviteteve ekstremiste me përmbajtje urrejtjeje ndaj secilit që mendon ndryshe nga ta, ishte përfundimi më logjik i një shteti që ka humbur logjikën e funksionimit tash e sa kohë.

Thirrjet e urrejtjes, të ndalimeve paradoksale, të tjetërsimit e të manipulimit nga disa individë që gradualisht, por sigurt u forcuan shpejt e mjaft – ishin shpërndarë gjithandej tash e pesëmbëdhjetë vjet. Nisur si organizata humanitare, pa shënime transferimesh parash e pa shënime mbi vendimmarrësit, të parat kishin kamufluar e mbyllur mirë idenë ultime të tyre; trushpëlarjen. Në një vend me krizë sociale, ekonomike dhe në fund me vetë idenë e transicionit si katalizator i mundësive trushpëlarëse, këto organizata ishin shpërndarë shpejt dhe me focus kryesisht në zonat më të rënda ekonomike e sociale në vend. Fshehja dikur nuk ishte alternativë. Pasi kishin zaptuar – në stilin e njëjtë zaptues politik që tashmë Kosova veçse e njeh – fillimisht objektet fetare e më pas dhe pjesë të strukturës udhëheqëse fetare, ata kishin filluar predikimin e urrejtjes publikisht – ndaj gjithkujt. Mediat vendore tash e sa kohë kishin raportuar madje se një pjesë e mirë e promovuesve të tillë ishin të ndërlidhur me shërbime sekrete antishqiptare, se disa prej mjeteve elektronike të tyre madje kishin adresë dhe në Serbi e Maqedoni – siç ishte dhe zbulimi i një faqeje me 30 mijë ndjekës që mbahej e menaxhohej nga një serb beogradas. Organizatat ndërkombëtare dhe miqtë më të mëdhenj të pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, kishin kohë që po ngrinin alert; diçka nuk shkonte mbarë emirë as me tolerancën institucionale ndaj fenomeneve të tilla, por as me vetë zhvillimin e dukurive ekstreme – ato, të dyja, mund të rrënonin shtyllat ashtu kështu të brishta të shtetit kosovar.

Secili që ngrihej asokohe kundër lëvizjeve të tilla, ishte pjesë e sulmeve individuale e plot urrejtje nga predikues – fillimisht – e më pas dhe përcjellës agresivë që ndjekjen e kishin të dhënë blanko. Në Kosovë në fund të fundit, siç dhe ndodh me militantë partiakë, më së lehti është ndërtimi i strukturave përcjellëse blanko. Ekstremistët e tillë, dikur, filluan të bazohen në 95% të shumicës myslimane, ani pse 99% e 95% të tyre mendonin ndryshe nga ta – siç dhe u pa në zgjedhje, në protesta e në organizime tjera nga ta. Forca, kërcënimi dhe manipulimi ishin mjetet e vetme të tyre. Të rrezikshëm sa nuk bëhet më.

-2-

Sado impresive e patriotike del të jetë aksioni i arrestimeve policore të katërdhjetë kosovarëve, pjesëmarrës të dyshuar të organizatave terroriste ISIS e “Al-Nusra” - siç i njeh e i konsideron pra e gjithë bota demokratike, e siç duhet t’i konsiderojmë edhe ne po patëm pak mend – them se luftimi i terrorizmit bëhet duke e goditur atë në kokë e jo në bisht; në bisht mund të jetë shumë vonë e shumë vështirë.

E koka e terrorizmit nuk përmban djem trushpëlarë, as disa predikues antifetarë që trushpëlajnë (ndonëse këta kanë hisenë e çmendurisë), por përmban politikanë inkompetentë që u japin mundësi trushpëlarësve e të trushpëlarëve. Pra koka përmban politikanë që me korrupsion e hajni kanë mbjellë fukarallëkun, papunësinë e mjerimin në vend, mjerim që përfundimisht prodhon mundësi për trushpëlarje; politikanë që me padituri e injorancë kanë toleruar veprimin e lirë të organizatave terroriste që me pare dhe me pare shumë kanë financuar ekstremizmin tash e pesëmbëdhjetë vjet rresht; e politikanë që me zaptim të gjithçkaje praktikisht kanë pamundësuar reagimin e shtetit ndaj shërbimeve sekrete antishqiptare e predikuesve manipulues antifetarë që nuk kanë pardon. Pra për të parandaluar të rinjtë tanë – djem jo më shumë se me nga njëzet e ca vjet – që të zgjedhin pjesëmarrjen në organizata terroriste gjithandej nëpër botë – dhe për më tepër – për të minimizuar përkrahjen e gërditshme të disa kolltukofagëve virtualë që në vend të trurit kanë urrejtje e fjalë urrejtje plot, shteti jo vetëm që duhet të bëjë arrestime e luftë të pakompromis ndaj secilit terrorist (sepse s’bën ndryshe, ata ose ne), por duhet para së gjithash të parandalojë secilën anomali tjetër ekonomike, shoqërore e kulturore që krijon fole për manipulim, varfërim e mjerim - shkaqet kryesore të terrorizmit. Të tjerat janë improvizime afatshkurtra; gjithmonë më mirë se hiç, por gjithmonë afatshkurtra.

-3-

Nuk e vë në dyshim se mobilizimi i forcave të sigurisë është bërë pas një nevoje urgjente të qeverisë në ikje për të rirregulluar marrëdhëniet me ndërkombëtarët prezent në Kosovë. Sepse është paradoksale që një qeveri e një ish-kryeministër gjatë dy mandatave të tyre të mos kenë bërë as edhe një arrestim e asnjë përndjekje të vetme për terrorizëm; për të përfunduar në fund me plot dyzet sish. Nuk kishin përndjekur as atëherë kur ide e fjalë urrejtjesh bëheshin gjithandej nëpër Kosovë; ndaj besimtarëve të fesë së njëjtë e ndaj besimtarëve të feve të ndryshme, ndaj figurave me nam nëpër botë e ndaj atyre me supernam nacional – përfshirë madje dhe Skënderbeun. Në të vërtetë, hera e parë që ish-kryeministri kishte marrë qëndrim për ekstremizmin dhe rrezikun terrorist ishte vetëm dy javë më parë. Vetëm kur një raport i sigurisë i lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit – që paralajmëronte rrezikun ekstremist në Kosovë – vetëm atëherë ish-kryeministri i Kosovës, pasi kishte lejuar ekstremizmin për shtatë vjet rresht, mendoi të reagonte. Ky fakt, natyrshëm, nuk e bën alternativën e mosreagimit.

Pra mosreagimi nuk do të ishte asnjëherë alternativë – dhe siç thashë, më mirë vonë se kurrë; ani pse është vonë. Në vend të reagimit si showmedial dhe mosreagimit si alternativë mbytëse e vet shtetit të Kosovës – siç e kemi ndërtuar e siç përpjekjet e patriotëve, mendimtarëve e dashamirëve kanë qenë gjithmonë – them se ka pasur një mes më të mirë e gjithsesi më përfitues për vendin.

Fillimisht, lajmi për plot dyzet arrestime kishte bërë lajmet e botës gjithandej. Një imazh i tillë, sado që arrestimi pra del të jetë i nevojshëm, prek në palcë secilin investitor e secilën bindje pozitive për Kosovën – pra bën të kundërtën, ndjell frikë. Një imazh i tillë, përveç kësaj, mobilizoi gjithë mediat anti-Kosovë, veçanërisht ato nga Serbia, që të shkruajnë e shtrojnë tezën e tyre të kahershme së shqiptarët e Kosovës dhe Kosova me gjithë ta, nuk e meritojnë pavarësinë, sepse pa serbët në Kosovë ky vend do të bëhej fole ekstremizmi. Në të vërtetë, ka qenë mu politika serbe që nga vitet 90 që ka provuar të argumentojë përpjekjen e ballafaqimit tonë këtu si përpjekje për dominancë fetare e jo për liri të një populli. E nuk ka qenë asnjëherë fetare, sepse në të kundërtën – dhe siç u thotë mendja e ekstremistëve tanë – shqiptarët do të ngriheshin barabar edhe ndaj shqiptarëve me bindje fetare të ndryshme nga shumica. Nuk ka ndodhur asnjëherë – sepse nuk ka pasur asnjëherë një ballafaqim të tillë.

-4-

Ekstremistët e Kosovës, të përkrahur nga politikanë që sot përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës e që janë të lidhur ngushtë madje me partinë deri dje në pushtet, mund edhe të kenë shërbyer qëllimisht në një agjendë të tillë – sidomos kur ndërlidhjet me shërbime sekrete veçse janë dokumentuar disa herë. Ata mund të kenë pasur mu këtë qëllim, që imazhin e Kosovës ta dëmtojnë pa zgjedhur formë dhe mjete që u vijnë për dorë.

Ky qëllim do të duhej të ishte kapur nga institucionet e rendit të Kosovës, dhe në vend të një ndërhyrjeje të vrullshme pas përfundimit të mandatit – pasi nuk kishin reaguar asnjëherë – të reagonin me mençuri dhe sistematikisht gjatë gjithë kohës tash e sa vjet. Shërbimi sekret, forcat speciale, e trupat tjera të rendit do të duhej ta kishin bërë reagimin qetë dhe pa zhurmë, gjithsesi me shumë efikasitet. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, bashkë me gjithë liderët tanë të mëparshëm e të tjerët që do të vijnë, do të duhej të ndalonte, mbyllte e konfiskonte gjithë pasuritë, rrjedhat e parasë e ndihmesat tjera financiare të organizatave që thirren si humanitare, por që përfundojnë në nxitje të terrorizmit. Këputja financiare veçse do të dobësonte secilin pretendim për ekstremizëm që ështërefuzuar kaherë nga shumica shqiptare në vend.

Qeveria e Kosovës do të duhej të ushtronte presion edhe ndaj bashkësive fetare, ku uzurpimi e zaptimi kishte ndodhur kaherë. Aty ishin lejuar që mendimet ekstreme të mundnin me forcë e kërcënim predikuesit paraprakë kosovarë, që predikues të urrejtjes e frikës të viheshin nëpër disa objekte fetare, e që udhëheqësi diktatoriale – fëmijët e të cilave bënin thirrje për ekstremizëm e bashkërenditje me terrorizmin botëror – të zaptonin gjithçka e pa pardon.

Natyrisht se asnjëherë nuk kishte ndodhur; dhe me klasën e tanishme politike s’ka për të ndodhur asnjëherë. Përderisa ekstremizmi është letër dorën e zaptuesve partiakë që mund ta djegin karshi ndërkombëtarëve, ata gjithmonë dhe gjithherë do ta ushqejnë atë vetë. Do të lejojnë të krijohet një rrezik, sa për të shpërfaqur veten si antirrezik; madje të pakonkurrencë. Vetëm nëpërmjet rrezikut e antirrezikut ata do ta mbajnë veten të rëndësishëm – së pakunë percepcion.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...