Mbi domosdoshmërinë e rreshtimit tonë

30 Nëntor 2015 - 08:13 - Lumir Abdixhiku      

Si u bë që shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit terroristë nëpër Evropë? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur marrëzisht e të përmbushur përplot urrejtje ndaj Perëndimit; ndaj amerikanizmit e evropianizmit. Si erdhëm deri këtu?

-1-

Kohë të vështira janë këto. Përballja në mes të dy botëkuptimeve po ndodh haptas përfundimisht. Për të qenë të qartë, kjo përballje nuk ka karakter as religjioz, as etnik e as regjional. Nuk ka karakter religjioz, sepse po të ishte ashtu viktimat më të mëdha me numër jetësh a refugjatësh nuk do të ishin myslimanë të shkaktuar – nga të tillë që thirren si myslimanë; e as luftuesit kundërterror nuk do të përfshinin shtete me shumicë myslimane. Shkon pa u thënë natyrisht, se jo të gjithë myslimanet janë terroristë, përkundrazi shumica janë luftues të tyre, por të gjithë terroristët thirren (me ose pa të drejtë tjetër debat natyrisht) si myslimanë. Kjo përballje nuk ka karakter etnik, sepse, sërish, diversiteti i kombeve të rreshtuara përballë terroristëve është i theksuar; kontribuues nga të gjithë – tek të dyja palët. Përfundimisht nuk ka karakter regjional, sepse beteja zhvillohet gjithandej nëpër botë; në formën më jokonvencionale të mundshme.

Pra, siç po thuhet tashmë gjithandej, është një Luftë e Tretë Botërore, që bëhet mbi motivet e mendimeve dhe botëkuptimeve; diferencat e të cilave janë shpërndarë për një kohë të gjatë gjithandej nëpër botë. Në njërën anë janë mendimet demokratike e liberale mbi mënyrën e të jetuarit; e në anën tjetër janë kundërshtuesit e kësaj lirie individuale dhe kolektive; janë një grup barbarësh trushpëlarë që nuk zgjedhin mjete në paqe e luftë për të ushtruar terror.

Përballja e nisur tash e sa vite në Lindje, këtë herë u zhvendos në Evropë. Këtë herë ishin Parisi e Brukseli; por mund të ishte lehtësisht – dhe herën tjetër mund të jenë fatkeqësisht – Prishtina, Tirana, Shkupi e të tjerat. Mund të ishim, e mund të jemi, secili nga ne. Fëmijë, pleq, vajza, djem, gra e burra pa dallim, të gjithë që ushtrojmë liritë tona në rrugë, rrugica, shkolla, sheshe, kafiteri, teatro e koncerte – në secilin vend tjetër të zakonshëm. Të gjithë ne mund të bëheshim e bëhemi nesër, objekt i horrave trushpëlarë që i japin vetes të drejtë të marrin tjetrin në qafë veçse s’mendon si ata. Dhe të mbetemi të sigurt, se të tillë kemi përplot këndej. Në fund të ditës, Kosova mbetet kontribuuesi më i lartë për kokë banori i terroristëve në ISIS.

-2-

Si ndodhi kështu? Si u bë që një shoqëri në transformim e sipër nga rruga e gjatë prej komunizmit, pushtimit, çlirimit e shtetndërtimit, të mos e shndërrojë veten në shoqëri të hapur, kritike e demokratike? Gjithë ajo prezencë perëndimore, gjithë ajo diasporë – gjithë kjo hapje virtuale ndaj botës – dhe sërish kaq të mbyllur në mendje e me kaq potencial për shpërthim antiliberal e antiperëndomor? Ku morëm kthesën e gabuar në këtë rrugë? Kur u kapëm nga postçlirimtarët? Kur u eksperimentuam nga unmikistanët? Kur u vodhëm e rropëm nga postpavarësuesit? Kur humbëm identifikimin me shtet? Kur u dëshpëruam nga pritjet tona?

Si u bë që shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit në Paris? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj Perëndimit; ndaj amerikanizmit e evropianizmit. Si erdhëm deri këtu?

Në mos qoftë kështu, hidhjani një sy faqeve online; atyre që kanë nga dyqind mijë ndjekës mesatarisht. Atyre që në ditën e sulmeve të Parisit u kujtuan të nxjerrin nga arkivat historike bëmat e shtetit francez – duke i përfshirë dhe ato në Kosovë – thuajse këta qytetarë e turistë duhej mbajtur përgjegjës për këtë. Të njëjtave që sot vazhdojnë të përhapin materiale propaganduese; të gjoja vdekjes të mijëra civilëve nga sulmet francezë në Siri. Janë përplot të tillë me ndjekës e përcjellës dhe më shumë.

Hidhjani një sy komenteve pas ngjarjeve – qindra sosh që fillimisht relativizojnë ngjarjen, më pas i amnistojnë aktet – në fund kërkojnë hakmarrje. Gjithë këta amortizues që s’duan të japin një mendim troç mjaftojnë për të ngritur alarmin këndej. Alarmin jo vetëm për rreziqet që trushpëlarja ka ndërtuar në Kosovë, por edhe për nivelin dëshpërues të intelektualitetit të një kosovari mesatar. Janë në gjendje, përplot madje, të besojnë në lloj-lloj teori konspirative, të gjejnë arsyetime nga më të gërditshme, e të besojnë në çfarëdo që një faqe online pa identitet ju ofron, vetëm sa për të ushqyer mllefin që kanë për Perëndimin. Në fund të ditës, nga ky mllef? Natyrisht, individë që ditën thyejnë tastierat me plot helm e vrer kundër Perëndimit, natën mendojnë nga t’i thyejnë këmbët për të përfunduar atje.

-3-

Përtej gjithë solidaritetit që tregon zakonisht shumica kosovare sa herë që sulmohen vlerat e lirisë e demokracisë në një zonë paqeje, ishte dëshpëruese megjithatë diskutimi i pjesshëm që pasoi atë. Ishte dëshpëruese se si në vendin tim, ende pa u tharë mirë gjaku i 130 jetëve në Paris, u diskutua më shumë se a duhet ose jo të kishim në Facebook e ndërtesa qeveritare, një flamur të një shteti – që për shumëkë e çuditërisht për bindjet e deriatëhershme të mia – ishte armik, se sa për vet aktin terrorist. Pra u fol shumë më pak për aktin, e shumë më shumë për burimet që bënë aktin.

E para, e kam të pamundur ta kuptoj se si një shtet bombardues i Serbisë e Milosheviqit, njohës i ditës së parë të Pavarësisë sonë, pranues i dhjetëra e mijëra refugjatëve nga Kosova që prej kur mbajmë veten në mend, shkollues i intelektualëve e liderëve këndej, mbështetës i secilit proces tonë integrues – nga BE-ja deri në Kombe të Bashkuara pa dallim – se si pra një shtet i tillë, mund të shihet si armik nga një pjesë e kosovarëve. Dhe e dyta, nuk arrij të kuptoj dot se a e kapërcejmë debatin mbi aktin, rrjedhimisht dhe rrezikun që kemi si pasojë e mbështetësve të akteve të tilla, nga frika e hapjes së diskutimeve të tilla, apo se, duke shmangur debatin provojmë të amnistojmë, me ose pa dije, veprat e tilla.

Them se ka një përzierje të motiveve këtu. Dhe kjo përzierje ka dy burime. I pari, dhe më i rëndësishmi, mbetet niveli arsimor në Kosovë. Ky nivel nuk ka arritur asnjëherë të formësojë kosovarin në frymën perëndimore – kur them perëndimore, e kam fjalën për frymën e respektit të parimeve të lirisë e demokracisë – por as të formësojë atë në formën e ndërtimit të mendimeve. Në të vërtetë, kam besuar deri vonë se paaftësia e ndërtimit të mendimeve këndej ka qenë më tepër mungesë e aftësisë së të shprehurit (e që buron nga mungesa e leximit); se prapa një paaftësie të tillë në shprehje, megjithatë ka një mendim. Prandaj dhe kur dalim para kamerave na mbeten fjalët në fyt. Por së fundi, gjithmonë e më shumë po e kuptoj se këndej kemi mungesë të vetë mendimit; për të mos thënë se një pjesë e madhe e kosovarëve nuk kanë aftësi të ndërtimit të mendimit kritik e logjik. Kanë, megjithatë, siç argumentova, aftësi të jashtëzakonshme të ndjekjes së gjërave sa më konspirative të mundshme.

Burimi i dytë, ndërsa, që duket se e kemi kapërcyer pa trajtim shpesh, është ai i dëmeve të bëra nga një prezencë masive e trushpëlarësve tash e sa vjet, sidomos në vitet e para të pasçlirimit. Kjo prezencë, e kombinuar me një varfëri e papunësi që vazhdon dhe sot, dhe mbi të gjitha me një dëshpërim gjithëpërfshirës ndaj shtetit e identitetit shtetëror, ka prodhuar një ambient të qëndrueshëm për lindjen e individëve që në një masë ose plotësisht mund të arsyetojnë veprime të tilla.

Kur i kujton gjithë ato para të derdhura në Kosovë, gjithë atë prezencë të vazhdueshme nëpër vite të radikalëve këndej, e kupton dhe përmasën e dëmit të bërë në vend. Mos të harrojmë, bëhet fjalë për një gjeneratë të tërë që është trajtuar e mësuar me predikime nga më të çuditshmet të mundshme. Vetëm pak muaj më parë, thirrjet për mosfestim të vitit të ri, për mosdëgjim të muzikës, mos vozitje të veturës nga gratë, për mosdalje, mosshprehje e mosmendim – pra të gjitha ndalesat e lirive individuale që janë karakteristikë për Perëndimin sot – shpërfaqeshin lehtësisht nga imamë radikalë dhe ndjekës të tyre. Mbi to ndërtohej më pas dhe doktrina që dërgon e formëson terroristë më shumë se secili vend tjetër evropian. Ato edhe mund të jenë zvogëluar muajve të fundit vetëm në paraqitjet publike – kryesisht si rrjedhojë e një ngjalljeje të vonshme të sistemit tonë prokurial e policor – por mbesin po aq prezentë në rrethe të ngushta që megjithatë sot veprojnë lirshëm në hapësira fizike e virtuale njëtrajtësisht.

-4-

Parisi – dhe ngjarjet që do të pësojnë – do të formësojë botën natyrisht. Më asgjë s’ka për të qenë e njëjtë. Forcat perëndimore – bashkë me aleatët regjionalë në Lindje – do të rreshtohen përfundimisht haptas krah njëra-tjetrës për të përballur deri në fund lëvizjet radikale që kanë vluar botërisht në këto 20 vite të fundit. Dhe përballja do të jetë e ashpër – gjithashtu e gjatë. Në fund të ditës, ajo do të prodhojë edhe tensione mes superfuqive, siç ishte ky i fundit në mes të Turqisë e Rusisë; fundi i të cilave mund të jetë i tmerrshëm. Do të masë qëndrueshmërinë e aleancave ushtarake, e vendosmërinë e demokracisë për të mundur terrorin. Do të jetë e shumanshme; rrjedhimisht dhe shumëpërcaktuese e së ardhmes së përbashkët.

Kosova, në këtë luftë, natyrisht se nuk mund të kontribuojë shumë. Për shkak të të gjitha kapaciteteve ushtarake, financiare e politike, pjesëmarrja jonë mund të jetë vetëm simbolike. Por, Kosova, në këtë luftë duhet të mbetet megjithatë aktive. Aktive në terrenin e vet; në shtëpi.

Në këtë luftë ajo duhet të nisë haptazi të mbajë përgjegjës të gjithë urrejtjenxitësit, veçanërisht ata që veprojnë jashtë objekteve formale religjioze. Fjalën e kam për gjithë propagandën digjitale që përhapet shpejt e ashpër gjithandej.

Paralelisht me këtë, në këtë luftë, Kosova duhet të vendosë një kontroll rigoroz financiar ndaj llogarive të jashtme e të brendshme që financojnë aktivitete të tilla. Duhet pra të presë dhe burimin e zgjerimit të tyre, dhe mjetet që ushqejnë këtë zgjerim.

Në këtë luftë, ajo duhet të nisë – përfundimisht – një fushatë të hapur në rreshtimin prapa vlerave perëndimore. Pa dorëza më. Fushatë jo që e sheh Perëndimin si ndihmues e pranues i halleve tona, por si formë e mendimit e veprimit që duhet të ndërtohet këndej. Perëndim pra, jo si kontekst gjeografik, por si kontekst i lirisë e i demokracisë, me të gjitha vlerat që ky kontekst bart. Natyrisht, për të nisur një fushatë të tillë, dhe këtu fillon një problem serioz për ne, na duhet një klasë politike e një mendim politik që buron njëmend në vijë me bindjet perëndimore. Këta të tanishmit, pjesa më e madhe kapësve në pushtet e revolucionarëve maoist në opozitë, më së paku janë të tillë. Nëse asgjë tjetër, këta janë po aq antiperëndimorë sa dhe radikalët e deritanishëm. Të tria palët kanë një armik të njëjtë.

-5-

Luftimi i pasojave mbetet një hap. I përkohshëm gjithsesi. Por nuk do të zgjidhim gjë prej gjëje po u morëm vetëm me një grusht individësh që janë të rrezikshëm – ose me potencial rrezikimi në të ardhmen. Na duhet një intervenim në burim. E burimi mbetet arsimimi e ngritja e kosovarit të ardhshëm. Pra na duhet një kosovar i ri, që liritë e njërit – përderisa nuk dëmtojnë të tjetrit – i sheh si vlerë fondamentale të shoqërisë. E kupton pra euroatlanticizmin si pranim të barazisë etnike, gjinore, seksuale e racore; vlera që për ne janë të largëta sa s’bëhet më.

Ky kosovar i ri duhet të formësohet që në fillim me botëkuptime që karakterizojnë sot gjeneratën e tij në Perëndim. Me botëkuptime pra që i hapin mendjen për të përtypur fakte e ndërtuar argumente, e jo për të besuar sa më shumë teori bajate e konspirative – të cekëta e trishtuese si përfundim. Gjeneratat e vjetra e të tanishmet, duke e përfshirë dhe këtë timen, kanë humbur mundësinë për të ndërtuar një model të tillë. Jemi larg me bindje, percepcione e me mendime nga secila vlerë perëndimore sot. E refuzojmë racën, etninë, orientimin seksual e religjioz në pjesën më të madhe të bindjeve. Mbi të gjitha, të dyja gjeneratat bashkë janë bashkëfajtore për prodhimin e përkrahësve antiperëndimorë e promovues antiliberalë; radikalë e të çmendur të tjerë. E vë fajin në gjithë përpjekjen tonë që nuk ka qenë e zakonshme kurrë. Madje kur e mendon, jemi mirë shumë nëpër çfarë kemi kaluar gjatë gjithë kësaj kohe.

Por, njëkohësisht, të dy gjenerata kanë bërë mjaftueshëm për të nisur një masë kritike që mund të krijojë kosovarin e ri. Kjo masë kritike, ka për obligim që sot të flasë; të flasë hapur e të nxisë të tjerët të bëjnë ndryshime rrënjësore në shoqëri; të krijojnë përfundimisht një kosovar që me bindje e vlera – jo me viza – identifikohet me Perëndim. Është, në fund të ditës, obligim patriotik ky.

abdixhiku@facebook.com 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...