7 Nëntor 2016 - 08:33 - Lumir Abdixhiku
-1-
Projektbuxheti për vitin 2017 këtë herë zgjoi kureshtje më shumë se në vitet e kaluara, për faktin e proklamimit të një momenti të ri, të vlerës prej 2 miliardë eurove, vlerë e synuar për shumë kohë. Për fillim, dhe për secilin me interes, duhet bërë të qartë se vlera e të hyrave nuk është 2 miliardë; 2 miliardë euro janë shpenzimet e buxhetit në fjalë. Të hyrat, për vitin në vijim pritet të jenë rreth 1.7 miliardë euro. Diferencën mes të hyrave dhe të dalave, Kosova këtë vit do ta mbulojë me borxh.
Në këtë shkrim do të provoj të jap një vështrim mbi karakteristikat e projektbuxhetit, duke i renditur të mirat dhe jo të mirat e tij.
-2-
Në anën e mirë të buxhetit do të rendisja trendin rritës të dy kategorive. E para, kategorisë së të hyrave, dhe e dyta, kategorisë së investimeve kapitale.
Të hyrat në vitin vijues projektohen të rriten për 91 milionë euro më shumë; që i bie se buxheti i Kosovës do të ketë 5.5% më shumë të hyra krahasuar me vitin e kaluar. Trendi, duhet thënë, megjithatë, se është dyfish më i vogël se sa i rritjes paraprake – pra kalimit nga 2015 në vitin 2016. Atëherë, të hyrat ishin rritur për 11%; sot po rriten për vetëm 5.5%. Por edhe një vit më parë se aq, pra në vitet 2014-2015, të hyrat ishin rritur për 10%. Trendi pra është pozitiv, por këtë herë është dyfish më i vogël se sa i dy viteve të kaluara. Me nivelin e lartë të evazionit e informalitetit në vend, një rritje e tillë, ani pse simbolike, është e pamjaftueshme. Do të mund të bëhej më shumë.
Tatimet tregojnë rritje stabile te të gjitha kategoritë, me theks të veçantë tatimi në të ardhurat e korporatave që do të rritet me kontributin për 13.5% vetëm këtë vit. Është indikative, megjithatë, rënia në kategorinë e “Detyrimit doganor” për 10%, një tregues se, me hapjen e tregjeve mbledhja e të hyrave në kufij do të zvogëlohet. Për secilin me interes, TVSH-ja do të mbetet kontribuuesi më i madh në buxhetin e Kosovës, me plot 748 milionë euro në vitin vijues.
Në anën e shpenzimeve kapitale, rritjes pozitive të dytë pra, tregohet një rritje prej plot 44%. Kjo rritje nuk vjen nga financimi i buxhetit të rregullt – siç ka ndodhur deri më tani – por vjen nga financimi i klauzolës së investimeve dhe financimi nga mjetet e likuidimit. Klauzola e investimeve nënkupton marrjen e kredive nga institucionet financiare ndërkombëtare për investime kapitale; ndërsa mjetet e likuidimit nënkuptojnë mjetet e privatizimit nga AKP-ja, që kanë qenë të bllokuara tash e sa vite. Këtë vit Kosova synon t’i marrë rreth 88 milionë euro nga fondi i ngrirë i privatizimit.
Në parim, për mendimin tim, një shfrytëzim i tillë i kredisë dhe i mjeteve të privatizimit është i domosdoshëm. Siç kam argumentuar deri më tani, ndërtimi i rrugëve (të mëdha) me paratë e buxhetit është rast i paprecedent. Pra diversifikimi i financimit dhe heqja e barrës nga buxheti është risi, risi e mirë. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e rrugëve të mëdha ende do të ndërtohen nga paratë e buxhetit si pasojë e kontratave të mëparshme.
Ana pozitive e buxhetit mbetet gjithashtu edhe stabiliteti në kategorinë e rritjes së pagave. Ciklet zgjedhore të kaluara kanë ofruar një keqpërdorim të rrezikshëm të buxhetit për teke elektorale; ku premtimet me rritje shoqëroheshin me humbje të fondeve ndërkombëtare. Nga ky vit, Kosova ka arritur të vërë një kufi të rritjes dhe të vendosë, me ligj, që rritja të trajtohet vetëm si pjesë e Parlamentit e jo si pjesë e Ekzekutivit.
-3-
Kritika ime më e madhe për buxhetin është se ai nuk adreson, as këtë vit, çështjen më thelbësore të mundshme për kosovarët – shëndetin. Pra, për nga struktura dhe përmbajtja, shëndetësia do të menaxhohet e financohet njëjtë sikurse vjet. Nuk do të ketë fonde shtesë për fondin e sigurimeve shëndetësore, parakusht për reformë të njëmendë të kujdesit për shëndet këndej. Kjo më bëhet paksa edhe e çuditshme, kur kontributet individuale në fondin e ri do të nisin nga janari i vitit në vijim. Pra, do të mblidhen në njërën anë paratë, por s’do të ketë paritet të buxhetit për to – një formulë që natyrisht s’është e dizajnuar për të funksionuar.
Në status-quo kanë mbetur edhe fondet për arsim e gjyqësi. Rritje e vazhdueshme e universiteteve publike nëpër vite nuk është përcjellë me rritje të fondeve mbështetëse për to. Rrjedhimisht, universitet e reja – por as të vjetrat – s’arrijnë të prodhojnë as dije e as aftësim. Prodhojnë pra veç letër. E aftësimi i fuqisë sonë punëtore, mbetet domosdoshmëri e investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës. S’po ndryshojmë asgjë.
E nëse krimi i organizuar e sundimi i ligjit janë problem në vend, atëherë të njëjtat do të duhej të trajtoheshin me para shtesë. Është e papritur që një sistem gjyqësie të adresojë problemet e krimit, hajnisë, korrupsionit – po madje edhe të evazionit e informalitetit – të gjithë sistemit forcues në vend, pa përmirësim radikal të parave publike që i mbështetin ato.
Kritik kam edhe për mjetet e veteranëve. Kosova nuk guxon t’i paguajë listat e paverifikuara. Futja në një cikël të tillë na rrezikon që secilin vit të kemi mbi 100 milionë euro shpenzime për kategori të paverifikuara – e pothuajse sipas secilit vlerësim kredibil – të falsifikuara.
Gjithashtu, moszvogëlimi i luksit qeveritar, në kategorinë e pagave, mallrave dhe shërbimeve, tregon se keqpërdorimi i parasë publike nga administrata e saj do të vazhdojë ende njëjtë.
Dhe kritika më e fundit, por jo më pak e rëndësishme, më mbetet borxhi. Të mos harrojmë, Kosova në vitin vijues do t’i krijojë plot 300 milionë euro shpenzime më shumë sesa të hyra, pra do të krijojë borxh.
-4-
Dhe borxhi, si koncept jo domosdo është negativ. Në të vërtetë, nuk ka vend në rajon e Evropë që s’ka borxh. Ka, natyrisht një limit të arsyeshmërisë së borxhit që një shtet duhet të marrë, si proporcion i Bruto Prodhimit Vendor – pra si proporcion i GDP-së. Në një publikim të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar argumenton se nuk ka, siç e quajnë ata, “kufi magjik” të nivelit të borxhit në relacion me GDP-në. Por, duke krahasuar të dhënat e borxheve publike të 100 vjetëve të fundit te 34 shtetet më të zhvilluara ekonomike, ka një mesatare prej 55%. Pra, një shtet i zhvilluar, në mesatare gjatë 100 vjetëve të fundit, ka marrë borxh në kufirin e 55% të GDP-së. Kosova sot ka një GDP prej 6 miliardë eurove. Borxhi publik yni është më pak se 9%. Me kornizën ligjore tonën do të na lejohej borxh deri në 40% të GDP-së.
Pra, në terma të kufijve e tolerancave – matur në numra, jemi në rregull. Por kritika ndaj borxhit s’mund të matet veç me një kufi numri. Borxhi ka kuptim kur merret për projekte që bëjnë kthim, që gjenerojnë ekonomi e vlerë në vend. Borxhi ka kuptim kur s’merret për të bërë lukse publike, për të rehatuar veteranë fals, e për të shpërndarë mëditje për nepotizmin publik në vend.
Qeveria e Kosovës, për të mbuluar borxhin e ri prej mbi 300 milionëve, ka paraparë tri burime kryesore borxhi. E para, kredia e programit të FMN-së në vlerë prej 116 milionë eurove. E dyta, kredia financiare – sipas klauzolës së investime – në vlerë prej 105 milionë eurove. Dhe e treta, emetimi i letrave me vlerë, pra marrja e borxhit të ri publik, në vlerë prej 100 milionë eurove.
Nëse borxhet në fjalë merren për të stimuluar ekonominë, dhe krijojnë një kthim në investim më të madh se borxhi, atëherë, si në secilin relacion investues ia kanë vlejtur. Dy kategoritë e para janë të dizajnuara ekskluzivisht për investime kapitale – sepse s’mund të merren ndryshe si borxh. Por, kategoria e tretë, e letrave me vlerë, 100 milionët e borxhit të ri mund të përdoren si mbulesë për çfarëdo nevoje aty. E nëse nevojë janë lukset, pensionet e listave të paverifikuara apo keqpërdorimet tjera, atëherë kemi futur veten, sikurse shpeshherë deri tash, në borxhe që s’gjenerojnë kthim. Në barrë shtesë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...