1 Qershor 2015 - 08:29 - Lumir Abdixhiku
-1-
Do të kishte qenë gjithçka më lehtë këndej, sikur gjërat të bëheshin me më pak eufori. Për më tepër, do të kishte qenë gjithçka më lehtë sikur gjërat të kishin një rezon e mendim të shkrirë paraprakisht. E në mungesë të rezonit dhe në prezencë të euforisë, fotografitë e Kosovës këtë javë ishin të një shteti hajgare, me plot shfaqje teatrale, me emocione e kërcënime plumbash plot; primitivizëm mendor e kulturor sa të duash. Marrëzi, marri, jemi larg shumë.
Një pjesë e shqiptarëve të Kosovës, dhe fatkeqësisht të artikuluar mirë nga grupe të ndryshme politike nacionaliste – të djathta e të majta pa dallim, vazhdojnë të ndërtojnë institucione e trupa paralele me shtetësinë. Këta hipokritë të rrastë, deputetë e politikanë, në njërën anë, paguhen për të bërë institucione, e në anën tjetër i rrënojnë ato për një ditë. E institucionet e ndërtuara, ato të shtetit pra, janë aq keq të ndërtuara – natyrisht se kush i ndërton – sa që lejojnë secilin grupim që ka zë e gjoks të bëjë çfarë të dojë. Të prodhojë heronj e dëshmorë, t’i varrosë ata ku të dojë, të promovojë luftëra të reja e të caktojë tradhtarë e të patriotë siç e konsiderojnë.
Këta rrahagjoksë që kanë zë e kërcenim plot, të mbështetur pra nga politikanë e parti hipokrite, kanë urrejtjen aq të madhe me pushtetin (me apo pa të drejtë pak ka rëndësi këtu), sa që në një thes me pushtetin kanë futur dhe shtetin. Këtë rrahagjoksë ceremonish teatrale, gjithsesi joshtetërore e rrjedhimisht dhe jorelevante, ringjallin qëllime të reja nacionaliste, të frikës e kaosit – të vetë anarkisë – me shpresë që të ngrihen mbi to.
Lajmi i keq për ta, dhe politikanët hipokritë që i kanë në krah, është se koha e eposeve, e gueriles, e ilegales apo dhe kaçakes ka mbaruar. Koha e djemve e vajzave të shtetit, të Republikës, që kanë një hierarki, një përfaqësim dhe përfundimisht një llogaridhënie është tani.
-2-
Pra rrahagjoksit me zë plot – kërcënime gjithashtu – preferojnë të shfaqen si me vesh në lesh para raporteve e evidencave të agjencive shtetërore të Republikës, për të ecur solo me shfaqjet e tyre teatrale, me uniforma e trupa paramilitare. Këto raporte, që dalin dhe sot, nuk u përmendën nga ta, e nuk hapën as edhe një diskutim shoqëror, të rrjedhshëm e pa eufori siç do t’i kishte hije një shoqërie të mbarë. Të gjithë të strukur në frikë e me prirje konspirative nga më të ndryshmet. Frikën, ç’është e vërteta, ua kanë shtënë rrahagjoksit në palcë. Njëjtë sikurse ekstremistët fetarë, po fole për ta të bien në qafë; të kërcënojnë ty, familjen, të shajnë e fyejnë me gjithçka.
Dhe kështu, diskutim shoqëror u bë një opinion i një gazetari të respektuar kosovar, ndaj të cilit u ngritën dhe thirrje për plumba në ballë – vetëm se po mendonte, ç’është e vërteta, siç mendojnë institucionet shtetërore ku ka sot shqiptarë. Nacionalistët e tërbuar, me gjithë partitë në krah që i kanë, natyrisht se zgjodhën konspiracionin. Refuzuan qëndrimin shtetëror të Kosovës – që megjithatë pra kishte evidencë; refuzuan edhe qëndrimet e të gjitha partive politike në Shqipëri – të majta dhe të djathta njëtrajtësisht, përfshirë dhe vetë qeverinë e Kryeministrinë atje; dhe për fund, refuzuan partitë shqiptare në Maqedoni – refuzuan pra të gjithë. Dhe sapo bënë këtë, u shpërfaqën përfaqësues të vetëm të vlerave të njëmendta shqiptare.
Shih mjerimin. Këta 6-7 milionë shqiptarë që kanë zgjedhur parti e artikulime politike, që kanë dy shtete, dy ushtri (një në NATO e tjera në bërje disi), dy qeveri e nga dy gjithçka, u bënë të pavlerë, jo të denjë për të përfaqësuar – dhe këtu vjen paradoksi – për ta përfaqësuar veten. Mjaftojnë bajraktarët e muskujt për të dhënë mendim; të tjerat janë të parëndësi.
Dhe derisa evidenca po bëhet, këtë herë jo nga qarqe - apo siç kanë qejf t’i thonë këta “kuzhina” – të hurit e të konopit, por nga vetë shqiptarët e institucionalizuar në inteligjencë e në polici e ushtri, këtë çfarë e kemi pra, është mirë që gjithë qytetarët me mendje të aftë për veten, të pandikuar nga euforitë nacionaliste e teatrale, të lexojnë e dëgjojnë, të besojnë dhe në fund të konkludojnë mbi evidencën e nxjerrë për ditë.
-3-
Do të kishte qenë gjithçka më lehtë këndej sikur gjërat të bëheshin me më pak eufori edhe për proceset gjyqësore. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës, fatkeqësisht, ne ende nuk kemi trajtuar as edhe një rast të vetëm të civilëve të vrarë – me arsyetimin se lufta jonë ka qenë e pastër.
Ç’është e vërteta, lufta jonë edhe ka qenë e pastër. Futeni këtë në kokë që të mos e diskutojmë më. Këtë luftë askush deri më tani nuk e ka vënë në kandar matjeje e vlerësimi. Por është po ashtu fakt se janë qindra civilë të vrarë dhe – siç mund të ketë gjasë – ka individë që krye në vete kanë kryer krime.
Për të vërtetuar ose jo këto krime, natyrisht se duhet një gjykatë. Dhe sado që gjykatat tona kanë dëshmuar e stërdëshmuar paaftësinë për të bërë gjykim, ato – dhe gjithë sistemi kontrollues e ankues ndaj tyre – mbesin të vetmet alternativa që kemi. Në të kundërtën, bërja vetë e prokurorit, avokatit e gjykatësit, çfarë mund të jetë dëshira e shumicës prej këtyre rrahagjoksëve, na sjellë neve e të tjerëve në dy-treqind vjet prapështi.
Dhe mbi të gjitha, nuk është e vërtetë – as edhe pak e vërtetë madje – se sot, në ndonjë proces gjyqësor, po gjykohet lufta çlirimtare. Ky arsyetim është vetëm një farsë tashmë bajate dhe e zakonshme e të akuzuarve për të përlyer gjithçka pas tyre. Është e vërtetë, dhe vetëm e vërtetë, se po akuzohen individë, që krye në vete mund të kenë bërë krime.
Nuk po gjykohen as hierarkia ushtarake, as përgjegjësia komanduese – dhe mbi të gjitha – as trashëgimia institucionale e luftës së UÇK-së. Po gjykohet individi për një vepër individuale, krye në vete pra, pa ndonjë ndërlidhshmëri me vetë organizatën. Vetëm ata që e konsiderojnë individin vetë organizatë, pra që çlirimin e ndërlidhin me një, dy apo tridhjetë individë, mund të ngrenë paralele të tilla.
Gjithsesi, në këtë gjykim, paradoksi i paradokseve sërish na shfaqet nga politikanë nacionalistë që në njërën anë bëjnë thirrje për gjyqësor e shtet demokratik, e në anën tjetër akuzojnë proceset gjyqësore – madje edhe ato të Bashkimit Evropian. Ec e bjeri në fije të tillëve tash.
-4-
Fatkeqësia më e madhe e kësaj shoqërie është se ajo ende nuk e ka kuptuar se ka shtet; të lig apo të fortë atë që ka dhe atë që e ndërton vetë. Kujdes, nuk po flas për pushtet, por për shtet. Pushteti zgjidhet, rrëzohet e zëvendësohet - shteti ose bëhet ose s'bëhet. Dhe mos më thoni që s'kemi shtet. Na mjaftojnë këta fqinjët në veri.
E kur ke shtet, apo pretendon se po ndërton një të tillë, atëherë e kupton se gjërat bëhen me një rend; përfaqësimi, interesi, gjykimi, nderimi, lufta, paqja dhe patriotizmi njëtrajtësisht kanë një rend e një artikulim. Nuk bëhen më krye në vete - sepse ndërton një gurë, rrënon njëqind të tjerë.
Por nuk e fajësoj shoqërinë për këtë sinqerisht. Gjatë gjithë kohës postçliruese, shqiptarët nuk kanë arritur të përjetojnë shtet njëmend. Kanë parë mjaftueshëm zaptim, hajni, pabarazi e padrejtësi; pra janë ushqyer mos vet nga pushtete e klane një pas një, për të përfunduar në distancimin prej shtetit dhe gjithçka që lidhet me shtet. Prandaj sot kur mendojmë për mbrojtje, mendja nuk na shkon në ushtri të Republikës që e financojmë, trajnojmë e ndërtojmë, por tek individë epi – në guerile, ilegale, në lëvizje hala çlirimtare. Kur mendojmë për gjyqësi shikojmë nga të huajt, për edukim sa më larg, për shëndet në rrugë - gjithkah, gjithkund, por kurrë në shtet.
Këta kanë vrarë shtetin, pra. Në vend të tij kanë ndërtuar institucione trashëgimie e paprekshmërie – studentë me trashëgimi, beneficione me trashëgimi, vota me trashëgimi, vende pune me trashëgimi, tenderë me trashëgimi, pafajësi me trashëgimi – njerëz të paprekshëm, pacifistë e komandantë të pafajshëm pra në përjetësi. Mos i prekni. Marrëzi. Më nuk dimë kush çfarë është, s'e dallojmë patriotin prej tradhtarit, të ndershmin prej kriminelit, të mençurin prej budallait; të gjithë në një thes, secili krye në vete për të bërë punën lëmsh krejt.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...