27 Tetor 2014 - 08:28 - Lumir Abdixhiku
-1-
Nuk e kisha pritur kurrë që një ballafaqim sportiv, me fajin më të paktë të shqiptarëve, të shndërrohet në arenë debati të brendshëm gjithëshqiptar – pikërisht mbi gjetjen e fajit ndërshqiptar. Në esencë, një debat të tillë do ta prisja natyrshëm në anën tjetër të ballafaqimit, pra palën serbe, por ta themi se së paku intelektualisht dhe për kah mendimi i lirë, Kosova dhe Shqipëria – pavarësisht bindjeve të mëparshme – janë me vjet përpara Serbisë. Për këtë nuk do të na duhej konfirmimi i “The Economist”, që kishte cilësuar këtë javë shoqërinë serbe si të mbyllur e pa liri shprehjeje.
Këtu tek ne megjithatë shprehen; pale, çfarë shprehje, se!
Këtu tek ne ende pa konsoliduar mirë diplomacinë tonë që të shpërfaqë më së thjeshti e më së miri para botës racizmin, fashizmin e shovinizmin e palës serbe – me gjithë propagandën mediale e institucionale që i vjen pas – ne hapëm e gjetëm kohë për të shpallur tjetrin diku primitiv e mesjetar – sepse kishte ndjeshmëri për simbolet kombëtare – e diku tjetër si projugosllav e tradhtar – sepse ishte i mpirë emocionalisht ndaj simbolikës. Dhe mirë shumë që diskutime si këto hapen e bëhen këndej; gjithçka është në frymën liberale të mendimit e shprehjes së lirë.
Gjithsesi, në këtë garë shtet-dashurie dallohen dy palë. Të parët janë pretendues të pronësisë së patriotizmit – monopolistë tipikë të tij, por që nuk kanë asnjë lidhje me të; e të dytët janë mendimtarë hiperliberalë që nga nevoja për të shtyrë argumentin e tyre në skajshmëri, humbin rezonin sa përfshijnë gjithçka patriotike e shtetërore në një thes llumi me të keqen.
-2-
Të parët janë të njohur e të zakonshëm tashmë. Janë nacionalistë e atdhedashës të shuar tashmë. Niveli patriotik i tyre ka arritur kulmin deri në ditën e parë të lirisë së vendit – kontributi i të cilëve deri në atë ditë ishte jetik, i papërmbledhshëm e heroik; në ditën e dytë të lirisë, ata shndërrohen në antipatriotë, zaptues, hajna e aty-këtu vrasës e kriminelë ordinerë.
Ata – dhe me ta fus gjithë përkrahësit e pandreqshëm që kanë – refuzojnë patriotizmin e mirëfilltë, sepse mirëqenien e tyre personale, nëpërmjet zaptimit dhe gjithë mekanizmit zaptues që vjen me zaptim, e shohin si formë kompensimi për patriotizmin e dikurshëm të tyre; dhe këtë patriotizmi i mirëfilltë nuk e pranon. Ish-luftëtarë të shndërruar në antipatriotë, militantë (mendim djegës, libradjegës e jetëdjegës shpeshherë), pra shohin patriotizmin jo si nevojë konstante për kontribut, por si kontribut të njëhershëm dhe pension të përjetshëm – edhe në ligësi.
Këta turbofolk nacionalistë, mendja e të cilëve është këputur shumë kohë më parë, natyrshëm se shohin si rrezik secilin mendim të lirë; e sidomos e shohin në rrezik mendimin ndryshe që në rrethin shoqëror tonin shihet si i çuditshëm; jo se janë më pak të çuditshëm dorën në zemër ultraliberalët tanë. Këtë ndarje, turbofolkët e shuar – pra ish-patriotët e dikurshëm – e bëjnë me shpresë se duke qenë pjesë e një mendimi shoqëror, ata, si ish-kontribuues të dalluar në luftë, duke dalë në ballë të diskutimit mund të shpërlajnë bëmat e tyre tash e 15 vjet. Natyrisht se ata do të bënin paqe me të tjerët po u falën të gjitha; tash që këta kanë ndërtuar perandori biznesi, klane zaptuese e forcë fisi – pse mos ta bënin vallë?
E rreziku i shtetit tonë, dhe misioni i ri patriotik yni – si formë evoluuese pra – është pikërisht largimi nga prirja e të tillëve. Thënë ndryshe, çlirimi nga çlirimtarët e transformuar është patriotizmi që duhet bërë sot. Sepse, përderisa nuk çlirohemi nga çlirimtarët e transformuar në hajna të shtetit, zaptues të gjithanshëm e dhunues të së lirës, ky vend nuk ka për të parë hair kurrë. E sado cinikë e të padurueshëm mbesin ultraliberalët, ata gjithnjë janë më pak të dëmshëm.
-3-
Në anën tjetër të mejdanit, në Kosovë e Shqipëri njëjtë, na dalin të renditur internacionalistë e mendimtarë liberalë që për nga toleranca ndaj mendimit tjetër duket të jenë më tepër agresivë e ofendues sesa rezonues korrektë e të shëndoshë; tipike antiliberale – për çfarë dhe vë në dyshim kompliancën e sjelljes së disave prej tyre me besimet që ata vetë prodhojnë; mund të jenë artificialë. Pra, në vend se të tillët të ndërtojnë argumentet e premisat e besimit të tyre puro qytetar dhe joetnik, ata ndërtojnë e krijojnë kategori diskriminuese qytetare – siç bëjnë kundër patriotëve – që për besimin e tyre dalin të jenë primitivë.
Tashti, për t’ua shpjeguar definicionin e patriotizmit nuk kam ndërmend: janë të lexueshëm mjaftueshëm sa për ta gjetur vetë. Por nëse me patriotizëm – dhe në patriotizëm – të tillët fusin në një thes gjithë gulçimet turbofolknacionaliste, sjelljet krimorrugaçore, apetitet shtetozaptuese, e në fund dhe fashistët e racistët e tjerë në mesin tonë, atëherë them ta lëmë me kaq, janë ose të pakuptueshëm, ose cinikë.
Dua ta besoj të dytën; sepse kuptimin e kanë të shpërfaqur mirë e guximshëm gjithandej, sa herë që interesat vendore – të sjelljes së mirë e të mbarë janë cenuar ndonjëherë. Pra unë i shoh të tillët patriotë, në një version e kontekst paralel të ekzistencës sonë, por në të tanishmin i shoh si cinikë që patriotizmin e fusin qëllimshëm në një thes me secilin turbofolk e të ngjashëm sa për ta denigruar atë në skajshmëri.
Sepse, për ta kuptuar ata, nëse nuk e kanë kuptuar ende, patriot mund të jetë dhe një njeri që paguan taksa, bën punë, ushqen familje, respekton rregullin, ndihmon tjetrin – dhe në fund – as më pak e as më shumë e do vendin, me gjithë simbolet, historinë, kulturën e mendimin shoqëror që ky vend i tij bart. Dhe kjo dashuri ndaj vendit – në paketë pra – nuk derivon në domosdoshmëri urrejtjen ndaj një patrioti tjetër serb, malazez, maqedonas, kroat e slloven – siç nuk derivon patrioti tjetër urrejtje ndaj patriotit shqiptar po qenë vërtet patriotë të gjithë.
Kjo është punë e nazistëve, fashistëve e racistëve të tjerë – që progresin e vet dhe të vendit të vet e sheh dhe projekton në kurriz të humbjes së tjetrit. Patrioti do të mbrojë vendin pa cenuar tjetrin e bindjet patriotike të tjetrit; përderisa nuk cenohet nga tjetri për bindjet patriotike që ka. Ky lloj patriotizmi, i shtetit, vendit, etnisë e në fund familjes, sot është i përhapur gjithandej nëpër botë, në secilin vend e secilin shtet. Në të vërtetë, nuk ka shtet që në vete nuk mban frymën patriotike; në të kundërtën nuk do të ishte shtet.
-4-
Pra ky lloj patriotizmi nuk është primitivizëm, është po aq modern sa secila pritje e tjetër jona për mirësi. Rrjedhimisht, është i pakuptimshëm atakimi automatik i secilit mendimtar të lirë – që në frymën liberale të veprimit – ndien respekt, mirënjohje e në fund dhe nder për një flamur apo simbol tjetër që vendi e rrethi i tij mund të përfaqësojnë.
Është po ashtu e pandershme që secili që ndien diçka për simbolet kombëtare, për kombin e vet pra, të konsiderohet i paditur. Është jashtëzakonisht kundër intuitës njerëzore, është kundër përpjekjeve evropiane e perëndimore; të cilët ndonëse të bashkuar ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht, mbajnë diferencat kombëtare me gjithë simbolet që vijnë me to si të shenjta e të paprekshme. Kështu duhet të sillen dhe shqiptarët.
Sepse, po humbëm nevojën për të respektuar simbolet, të shkruara në hekur, teneqe, pëlhurë apo arna nuk ka rëndësi, humbim dhe njerëzoren tonë, ndjenjën ndaj tjetrit me të cilin ndajmë diçka bashkë – gjuhë, kulturë, histori, problematikë e hall. Njerëzit janë të prirë të ngjizen në grupe, grupet në familje, familjet në rrethe e rrethet në popuj. Popujt më pas ndërtojnë aleanca vlerash e kuptimesh; siç ndërtojnë sot shqiptarët me Perëndimin, me NATO-n, e serbët me Rusinë e Putinin.
Dhe në gjithë këto grupëzime e aleanca, individët nëpërmjet ndjekjes së interesit personal për mirëqenie dhe me shpresë për mirësi, ndërtojnë dhe interesin madhor të të tjerëve. Kësaj i thonë patriotizëm pra. Ky angazhim ka emër, ka simbol dhe njerëz që – për vlerat më fondamentale të tij, siç mund të jetë liria – japin dhe jetën. Proporcionalisht me kauzën, nga jeta deri tek mbrojtja e simboleve gjithçka bëhet për një qëllim: i thonë patriotizëm dhe atdhedashuri. Nuk ka asgjë më të bukur se kaq.
[email protected]
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...