10 Nëntor 2014 - 08:21 - Lumir Abdixhiku
-1-
Problemi i konsolidimit institucional të Kosovës duket se ka marrë rrugë të mbrapshtë; në atë nivel mbrapshtie saqë durimi i partnerëve tanë ndërkombëtarë që provojnë ta mbajnë vendin tonë të vogël në korridoret e agjendave të mëdha po merr fund; dhe me këtë marrje fundi përfundon edhe toleranca e shprehjeve diplomatike ndaj klasës sonë politike, që gjithsesi se mbetet e çuditshme.
Jo se janë të gjithë fajtorë; por janë të gjithë pjesëmarrës në prodhimin e ngufatjes – andaj si pjesëmarrës me apo pa faj, të gjithë trajtohen barabartë për faj. Kështu një sistem zaptimi i përhapur nëpër të gjitha institucionet vendimmarrëse të vendit që prodhon një vendim jologjik, por gjithsesi institucional dhe domosdo të respektueshëm – sepse mosrespektimi bëhet dhe më jologjik – bëhet pikë mbështetjeje e zaptuesve të partisë fituese të zgjedhjeve, pra PDK-së. Këtë mundësi mbështetjeje pa dyshim ua dhuron atyre kokëfortësia e bllokut tash e sa muaj, të cilët të thirrur në të drejtë logjike – por të pakonfirmuar institucionalisht – prodhojnë karta jologjike kundër vetes; diçka si mbajtja peng e formimit të Qeverisë për një pozitë kryeparlamentari.
Kjo kokëfortësi e forcuar dhe më tepër në dy muaj rresht – që kur përfundojnë interpretimet kushtetuese në vend – e ka sjellë Bllokun në një situatë edhe më pak të lakmueshme sesa paraprakja, për çka dhe paralajmëroheshin vazhdimisht. Sepse, në këta dy muaj pritjeje e takime sterile, herë thirrje për rrugë e herë për tavolinë, Blloku ka arritur të forcojë dhe faktorizojë vetëm PDK-në. Për veten ka ruajtur ngacmimet e kërcënimet për ndarje e zhbërje. Pra, duke bërë betejën mu në fushën që PDK-ja ka dashur gjithmonë, Blloku ka vënë në rend të dytë diskutimin për Qeveri; për fitoren e pastër dhe të sigurt – kushtetuese madje – që këta kanë marrë muaj më parë.
-2-
Natyrisht se në këtë forcim e faktorizim kontribut të pashmangshëm kanë dhënë presidentja dhe Gjykata Kushtetuese, të cilët duket se mbajnë anë. Me vetë faktin që kërkojnë pajtueshmëri e kompromis palësh, ata mbajnë pra anë. Dhe kjo mbajtje e anëve nga ta – mbështetur e forcuar dhe më shumë nga ndërkombëtarët tanë – do të duhej të shihej jo si dritare e bërjes së drejtësisë, por si mundësi e marrjes së të mundshmes. Sepse, në të kundërtën, për çdo ditë vonese në mosbërje të institucioneve, PDK-ja do të ngrihet si alternativë e bërjes së institucioneve nga ndërmjetësuesit – vendorë e ndërkombëtarë, të cilët, megjithatë, do të duhej të prodhonin zgjidhje, sepse nuk kemi si shtet e vend shumë kohë.
Dhe në këtë insistim të vendimmarrësve, institucionalë apo partnershipi, duhet kërkuar dhe zgjidhjet – në rast se të gjithë nuk i pranojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme pra. Kështu, Blloku, si fituesi më i madh i zgjidhjes politike, duhet të shtrojë para vetes letrat, që i bëjnë rrugë. Në këtë shtrim Blloku duhet të shohë dy vendime kushtetuese, një insistim presidenteje dhe një mbipërkrahje ndërkombëtare – të gjitha që kërkojnë pra kompromis. Të drejtën, logjikën a të mbarësinë ta kërkojnë e korrigjojnë atëherë kur të marrin fuqinë e shtetit. Tashti nuk kanë kohë e luks për të.
Natyrisht se ky kompromis – i thirrur nga ndërkombëtarët e të tjerët përcjellës vendorë – do të jetë plotësisht kushtetues dhe mbi të gjitha, i pacenueshëm nga secili pretendim tjetër partiak. Thënë ndryshe, nëse Blloku pranon vendimin (jologjik) të Kushtetueses dhe e kalon pozitën e kryeparlamentarit tek PDK-ja, duke bërë kështu kompromisin, atëherë të njëjtët hapin rrugën e vet për bërjen e Qeverisë sipas interpretimit të parë kushtetues; gjithashtu i mbështetur e përkrahur nga të gjithë ata që kërkojnë kompromis. Dhe secili pretendim tjetër partiak nga PDK-ja e zaptuesit e tjerë në shërbim do të mbetet tërësisht jokushtetues dhe ekskluzivisht ballafaques me vullnetin qytetar e atë ndërkombëtar.
-3-
Për të bërë një zgjidhje si kjo, të pritshmen pra, me logjikën pra, atë të rekomanduarën tash e sa muaj – të njëjtën që muaj më parë dukej fare e lehtë e tash bëhet peng, Blloku duhet të marrë mbështetjen publike, të ndërkombëtarëve e të presidentes. Kjo mbështetje do të siguronte se kompromisi i kërkuar në mes të palëve nuk ka të bëjë me afrimin partiak e kështu bërjen e institucioneve të përbashkëta mes Bllokut e PDK-së, por me kompromisin e pranimit të së pranueshmes pra, të dy vendimeve të Kushtetueses. I pari që ia jep Qeverinë Bllokut dhe i dyti që ia jep kryeparlamentarin – spikerin e Parlamentit pra – partisë fituese të zgjedhjeve.
Kjo gatishmëri duhet të niset nga Blloku; sepse është mu Blloku që ka më së shumti për të humbur tani. PDK-ja është veçse e mundur tash e sa kohë; ngritja e saj graduale – nga e pamundura pra – bëhet paradoksalisht e mundshme vetëm falë insistimit të Bllokut për më të parëndësishmen.
Në këtë pikë Blloku duhet të shtrojë në tavolinën e vet marrëveshjen e nënshkruar muaj më parë, e cila duhet të konsiderohet si evolutive. Kanë kaluar plot pesë muaj, janë prodhuar vendime kushtetuese, qëndrime publike e zgjerime aleancash; rrjedhimisht marrëveshja e parë e domosdoshme për besëlidhje e mirëbesim duhet të transformohet në të pritshmen e të kuptueshmen e sotshme. Nëse palët e bllokut pajtohen me mbajtjen e saj si në formën origjinale të bërë, atëherë gjithçka do të bëhet e lehtë; por nëse për ndonjë arsye duhet të rikonsiderojnë pozicionet brenda vetes pas gjithë këtyre zhvillimeve, atëherë le ta bëjnë në këto takimet e zyrave – të ngushta e të mëdha që nuk kanë prodhuar as program, as plan e as ide funksionale e të mbështetura ndërkombëtarisht. Të lëvizin pra.
-4-
Kjo lëvizje duhet domosdo të shmangë rrugën dhe protestën. Sepse nuk arrij të kuptoj ndaj kujt duhet të protestohet? Ndaj zaptimit si fenomen? Ndaj Gjykatës Kushtetuese? Ndaj presidentes? Ndaj ndërkombëtarëve? Cila është adresa e pakënaqësisë së rrugës në fund të fundit? Kosova ka një Qeveri në largim – fuqia financiare e së cilës përfundon në më pak se tre muaj; ka një Gjykatë Kushtetuese që nuk funksionon me protestë; ka një Komunitet Ndërkombëtar që institucionalisht nuk ka zë; dhe ka një presidente e cila mund të arsyetohet se nuk po arrin pajtim. Për më tepër, protesta do të bënte të vetmin favor që PDK-ja ka mbetur pa e marrë këto ditë; bërjen e lojës në terren të tyre – të kërcënimit pra – dhe paraqitjen brutale ndaj të tjerëve si alternativë joinstitucionale.
Ka një rrugë më të shpejtë, më të lehtë e më të mençur tani. Kjo rrugë parasheh bërjen e Qeverisë dhe kështu nisjen e zhbërjes së zaptimit nga lart; nga aty ku krijohet tash e shtatë vjet. Kjo rrugë nuk është teatrale, as kërcënuese, por plotësisht kushtetuese. Kjo rrugë do ta kursejë Bllokun nga humbja e durimit, nga përplasjet e brendshme e nga idetë e frikshme për të gjithë ne rreth një koalicioni të gjerë kur gjithçka digjet e asgjë nuk ndërron.
Sepse, nuk do të ketë asnjë skenar tjetër më të dëmshëm, më jokredibil e më konsumues të shpresës sesa një koalicion i gjerë e gjithëpërfshirës, siç dhe mund të ndodhë po qe se partiakët nuk arrijnë ta shtrojnë zgjidhjen – konfrom Kushtetueses. Ky zgjerim vetëm se do ta vërë vendin në status-quo e shtangie; përderisa ka harxhuar gjithë alternativën opozitare të ndërtuar në katër vjetët e shkuar të jetës politike.
Në fund fare, do ta përfundoj këtë kolumne me fjalët e njëjta të përdorura dy muaj më parë në kolumnen time të 12 shtatorit të këtij viti; asgjë nuk ka ndryshuar nga atëherë në të mirë të Bllokut; shumëçka në të mirë të zaptuesve: “...nëse Blloku njëmend dëshiron ta zotojë më në fund Qeverinë e t’iu japë fund gjithë pretendimeve për një qeverisje regresive nga PDK-ja e sotshme, atëherë ka gjithçka në dorë të vet. Në ‘Ditën B’, ditën e Bllokut, të bashkimit apo të rastit të dytë, Blloku – si në një lëvizje të mençur shahu – mund të sakrifikojë mbretëreshën për fitore; të japë kryeparlamentarin për një qeveri të tyre. Secili kërkim për më shumë, ndonëse i mundshëm pa dyshim, hap rrugë për rreziqe të reja, për ngërç dhe më të thellë e pa fund – deri në zgjedhje të reja”.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...