Mbi dëshpërimet tona

3 Nëntor 2014 - 08:44 - Lumir Abdixhiku      

Në kohën kur i njëjti kryeministër kishte shënuar rritje ekonomike katër herë më të vogël se sa e pritshmja – pra 2.5%; kur kishte rritur deficitin tregtar nga 1.5 në 2.3 miliardë euro në vit; që kishte shtyrë borxhin publik nga zero në plot 1 miliard euro; që kishte mbajtur të punësuar vetëm 300.000 kosovarë nga plot 800.000 sish sa janë të aftë e në kërkim për punë; që kishte rritur korrupsionin në institucione publike, krimin e organizuar në prokurimin publik, zhvlerësimin e aseteve publike në skajshmëri; gjente, besoni ose jo, rangimin në një listë matje procedurash si pasqyrim zhvillimor ekonomik.

-1-

Dëshpërimi ka emër; dhe nuk fillon nga trajtimi getoizues që BE-ja ua bën kosovarëve në lëvizjen e lirë me mosheqje të vizave; as me heshtjen e tyre politike që nuk dënon racizmin serb për vrasje e therje të shqiptarëve gjithandej – mendojeni reagimin eventual evropian e botëror sikur një stadium i tërë të thërriste “vrisni e therni të gjithë hebrenjtë”; nuk fillon as me një vendim politik sportiv sikurse ai i dënimit për moskthim në një fushë dhune që një asociacion evropian futbolli merr; por dëshpërimi fillon me misionin evropian të sundimit të ligjit në Kosovë, me EULEX, aferat korruptive të të cilit filluan të shpërfaqen e shpërthejnë tmerrësisht keq këtë javë.

Paramendojeni, një mision panevropian, i vlerave, i parimeve e i standardeve të mirësisë, drejtësisë e mbarësisë respektivisht, bëhet vend i bashkëjetesës korruptive të korruptuesve kriminelë kosovarë dhe të të korruptuarve – deri dje – me vlera, parime e standarde – evropiane. Çfarë martese e trishtuar del të jetë kjo. Bashkim fatal i së ligës vendore me të paprekshmen evropiane.

Tashti, për të hequr petkun e trajtimit utopik të prezencës evropiane, asnjë nga rastet e përmendura në të përditshmen “Koha Ditore” mund të mos na kapin në befasi. Për secilin me pak interaksion evropian, nga një vizitë turistike e deri tek një lidhje politike e shoqërore atje, korrupsioni evropian është po aq i pritshëm e i pabefasueshëm sa edhe ai kosovar – ndoshta në përmasa më të vogla relative (hiç se hiç absolute).

Për më tepër, në një mision mishmashi me individë prezentë nga të gjitha kombet evropiane, prezenca e “kalëruesve të lirë” është më se e natyrshme. Ky natyralitet humb megjithatë, po qe se kjo prezencë ka orkestrim të organizuar; dhe këtu fillon dëshpërimi im.
Sepse, nëse EULEX-i provohet të ketë pasur dijeni për aferat korruptive – të orkestruara pra – brenda vetes, dhe për më tepër këtë prezencë nuk e ka trajtuar por e ka fshehur disi, atëherë një zinxhir vendimesh, përpjekjesh e mundimesh – të sinqerta ose jo pa paragjykim – bie poshtë njëri pas tjetrit duke na lënë kështu pa shpresë se ky vend, nën trajtimin ndërkombëtar, do të marrë udhë të mbarë.

-2-

Kosovarët kanë kohë që kanë humbur besimin në gjykatat tona. Në secilën anketë e matje të percepcioneve me biznese apo individë, besueshmëria në gjykatës, prokurorë e ligjvënës të tjerë prek pragjet më të ulëta të mundshme. Të vetmin besim – dhe në rritje madje – kosovarët vazhdojnë ta shpërfaqnin përballë misionit evropian në Kosovë, përfshire edhe atij ligjvënës.

Natyrisht se në një vend të vogël, me kaq prezencë të lartë të informalitetit, kriminalitetit e korrupsionit, vendorët kanë gjasa të pakta – në mos të pamundura – për të bërë një luftë të denjë. Prokurorët vendorë janë ose të frikësuar, ose të ndikuar, ose të painteresuar për të bërë mbarësi. Ata të paktët që megjithatë shtyhen nga një idealizëm i pashoq i institucionbërjes e shtetbërjes, janë të margjinalizuar vazhdimisht, jo vetëm nga keqbërësit politikë e apolitikë, por edhe nga një rreth kulturor që nuk arrin t’i ngrejë ata si heronj; siç edhe sinqerisht janë.

Sepse, në secilin ballafaqim me keqbërësit eventualë, në secilin ballafaqim të mundshëm, mediet tona – të shtyra nga një sharlatanizëm i pashpjegueshëm profesional – bëjnë rast për avokatët mbrojtës të të akuzuarve – potencialisht keqbërësve – por nuk bëjnë asnjë rast të vetëm për prokurorët që i ndjekin ata. Vetëm në Kosovë avokatët mbrojtës marrin famë, bëjnë rast, e mbrojnë keqbërësit në minuta publike mediatike – të gjitha falas; në kurriz të padukshmërisë së prokurorëve.

Vetëm këtu, të njëjtët vënë diskursin publik në gjendje të keqardhjes e aty-këtu bindjes publike për të akuzuarit. Ditën që do të shoh një prokuror duke bërë rast mediatik – dhe jo një avokat të keqbërësit në vend të tij – do të filloj të ndërtoj shpresën për ndërtimin e heronjve modernë tanë.
Pra, ne mbesim pa heronj të tillë; prandaj tash e gati shtatë vjet jemi në pritje të një mbifuqie evropiane; këtë herë qëllon ta ketë emrin EULEX. Në këto gati shtatë vite pavarësie, ne kemi shpresuar vazhdimisht për një ndërhyrje të jashtme që nëpërmjet guximit të paprekshmërisë evropiane do të adresojë të gjitha anomalitë që i krijojmë vetë e që nuk arrijmë t’i riparojmë vetë; pak a shumë pritje jofer, gjithsesi e gjitha me shpresë plot.

Por nëse kjo paprekshmëri evropiane na shndërrohet tani jo vetëm në katalizatorë jofunksional, por edhe në barrierë vetjake për të riparuar sistemin korruptiv tonin, atëherë do të mbesim të mallkuar sa s’bëhet më.
Dhe nuk dyshoj në riparimin e shpejtë të EULEX-it nga evropianët, nëse pretendimet korruptive dalin të sakta. Së paku një riparim i tillë është shumë më i mundshëm dhe më i shpejtë sesa një shpresë riparuese vendore. Pra, dua të them, se nuk kemi shumë alternativë në luftën kundër së keqes.

Përkundër të gjitha anomalive e defekteve që mund të burojnë në një mision evropian të sundimit të ligjit, i njëjti mbetet shpresa e vetme afatshkurtër për bërje të zgjidhjes. Sepse, po kuptuam se EULEX-i është i pariparueshëm – sikurse UNMIK-u i dikurshëm – dhe se të gjitha shpresat do t’i varim në fuqitë tona të brendshme, atëherë ecja jonë shtetndërtuese do të jetë e pashpresë për vite me radhë.

-3-

Në ditën e parë të bërjes publike të rangimit “Doing Business” nga Banka Botërore, ministra, ish-ministra e ish-kryeministra, tani deputetë e çka jo tjetër, provuan të marrin meritat e suksesit; thuajse na është bërë nam. Rangimi i Bankës Botërore kishte shtyrë përpara Kosovën, për 6 vende, nga vendi 81 në vendin e 75. Këtë shtyrje, ish-kryeministri, tani deputet, provonte ta katapultonte si sinjal të zhvillimit të tij ekonomik.

Në kohën kur i njëjti kryeministër kishte shënuar rritje ekonomike katër herë më të vogël sesa e pritshmja – pra 2.5%; kur kishte rritur deficitin tregtar nga 1.5 në 2.3 miliardë euro në vit; që kishte shtyrë borxhin publik nga zero në plot 1 miliard euro; që kishte mbajtur të punësuar vetëm 300.000 kosovarë nga plot 800.000 sosh sa janë të aftë e në kërkim për punë; që kishte rritur korrupsionin në institucione publike, krimin e organizuar në prokurimin publik, zhvlerësimin e aseteve publike në skajshmëri; gjente, besoni ose jo, rangimin në një listë matje procedurash si pasqyrim zhvillimor ekonomik.

Për t’i kujtuar secilit tjetër, ndonëse një përmirësim i lehtë i tillë është lajm i mirë, ai mbetet hiçgjë. Sepse, katër vite më parë, nëpërmjet planit bullgar të Banskos, Qeveria e Kosovës, me po të njëjtët ministra, kishte planifikuar që në fund të vitit 2014, pra mu sot, Kosova të rangohej në top 40-shen e parë. Jemi në vendin e 75; gati dy herë më larg. Për më tepër, për t’i shtuar njohuritë modeste të ish-kryeministrit për ekonomi, rangimi në fjalë nuk mat as për së afërmi ambientin biznesor në një vend; pra nuk bën matjen e problemeve si korrupsioni, informaliteti, përkrahja fiskale apo funksionimi i gjyqësorit. Çfarë rangimi në fjalë kur ndërlidhet kryesisht me procedura burokratike biznesore.

Thënë ndryshe, ky rangim, ndër të tjerash, mund të matë sa kohë i duhet një biznesi të regjistrohet, por nuk mat përpjekjet e këtij biznesi për të ekzistuar. Kosova në këtë rangim, për shembull, ka shënuar përmirësim për plot 58 vende në hapje të biznesit; pra tek ne biznesi mund të hapet shpejt. Po punë e madhe po u hap shpejt. Për atë arsye kemi 120.000 biznese të regjistruara e vetëm 60.000 aktive, nga të cilat 20.000 performojnë me fitim. Pra problemi ekonomik i një vendi nuk është sa lehtë një shtet mund të hapë biznes, por sa lehtë mund ta mbajë gjallë atë biznes.

Kosova, për ndryshe, arrin të përmirësojë këto 6 vende vetëm falë kërcimit masiv në shpejtimin e hapjes së biznesit, për plot 58 vende. Në 10 indikatorët që “Doing Business” bën matjen, vetëm në 5 Kosova ka shënuar përmirësim; në 5 të tjera ka rënie. Pra ka shënuar përmirësim (masiv) në regjistrim të biznesit, në leje doganore (me siguri për importet e tepërta, sepse eksporte nuk kemi shumë ashtu-kështu), në procedurat e bankrotimit të bizneseve (shih për çfarë arritje bëhet fjalë) e në forcimin e kontratave.

Por shënon rëndesë në furnizim me energji elektrike, në marrjen e kredisë, në pagesën e taksave e në tregtinë me jashtë. Në pikat kyç të matjes, Kosova pra shënon regres; dhe vetëm falë një superprogresi të parëndësishëm në regjistrim të bizneseve, arrin të mbulojë këtë ngecje – dhe kështu paradoksalisht të na vendosë disi 6 vende më mirë se një vit më parë. Jemi sinqerisht larg.

-4-

Dhe po ecim më larg sa herë që kriza politike në Kosovë stagnon më shumë. Në këtë vijë stagnimi e paqartësie se si të dilet e ecjet tutje, natyrisht se ka një orë që ecën shpejt shumë. Është ora e së drejtës për të shpërndarë paranë publike, buxhetin pra.
Në këtë pikë vazhdoj të habitem se si zyrtarët publikë, ministrat e këshilltarët e tyre, nuk e bëjnë as më të voglën lodhje për të kuptuar se kur përfundon e drejta e Qeverisë për të shpërndarë buxhetin; dhe kështu dalin me deklarata kuturu në publik.

Për secilin me interes. Neni 24 i “Ligjit mbi menaxhimin e financave publike” përcakton qartë kohën e tolerancës së shpërndarjes së parasë publike; dhe me këtë përcakton edhe urgjencën e bërjes së institucioneve. Ky ligj, qartë dhe pa lënë asnjë fije dyshimi, e përcakton se Qeveria e Kosovës, kjo në largim pra, ka të drejtë të shpërndajë (pagat e shpenzimet e tjera publike) vetëm për janarin e vitit 2015 – dhe për asnjë muaj më shumë. Do të kishte të drejtë ta bënte për dy muajt e parë – siç po e keqkuptojnë këta zyrtarë e ministra që përtojnë të lexojnë ligjin – vetëm nëse në katër muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal janë mbajtur zgjedhjet – e që nuk është këtë rasti këtë herë.

Pra Kosova, siç dhe kam paralajmëruar më parë, ka vetëm edhe 90 e sa ditë kohë për të ndërtuar institucionet, në të kundërtën, nga 1 shkurti i vitit 2015, asnjë shërbyes civil, asnjë shpenzim publik e asnjë punë shtetërore nuk mund të kompensohet pa konsolidim të Parlamentit. Në nenin 24 të Ligjit në fjalë, thuhet se e drejta për shpërndarje buxhetore ka dy skenarë. I pari, “a) nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër (4) muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal: (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar dy (2) muajt e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me gjashtëmbëdhjetë dhe dy të tretat e përqindjes (16.67 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”.

Dhe i dyti “b) nëse nuk ka pasur zgjedhje të tilla brenda afatit kohor (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar muajin e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me (8.33 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”.

Ky ligj, i cili paradoksalisht nuk lexohet nga të vetmit që do të duhej ta lexonin, ministrat e qeveritarët pra, përcakton qartë dhe kufirin ultim të bërjes së institucioneve; në të kundërtën ndërprerjen e menjëhershme të secilit aktivitet publik të qeverisë. Dhe përderisa koha e bërjes së institucioneve nuk duket që ka fund, fatkeqësisht, dëshpërimet e reja, të pafalshme e të pamatshme duket se po na shfaqen shpejtë shumë.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...