Numrat që nuk i dimë

20 Korrik 2015 - 08:31 - Lumir Abdixhiku      

Kështu, sikur Kosova të kishte një normë joaktiviteti aq sa të rajonit, pra 46.8% në vend të 58.4%; plot 12 pikë përqindje më pak, atëherë ne nuk do t’i kishim forcë aktive vetëm 500 mijë, por plot 639,724 kosovarë. Rrjedhimisht, me vetëm 323,508 kosovarë të punësuar, papunësia nuk do të ishte më 35.1%, por plot 50.1%. E në bërjen e politikave ekonomike, dallimi në mes të një të dytës e një të tretës – si të papunë – është enorm

-1-

Numrat këndej kanë pak vlerë. Numrat socio-ekonomikë dhe më pak. Në të vërtetë, kjo shoqëri është në gjendje të flasë dy javë rresht – ditë për ditë pandërprerë – për eshtra e ri varrime eshtrash të heronjve të një shekulli më parë, por s’është në gjendje të japë as edhe një orë diskutim mbi problemet bazike ekonomike; nisur nga numrat e bërë publik pra.

Debatet e pabëra ekonomike në shoqëri, nga ekonomistë që ky vend prodhon me nga pesë-gjashtëqind në vit, dëshmojnë dhe fukarallëkun e aktivizimit intelektual këndej. Nuk arrij të kuptoj sinqerisht se nga fshihen të tillët në këtë pak vend. Si mund të rrinë të tillë; të fshehur pra?

Dhe, ndonëse në plot fatkeqësi, përveçse ky fukarallëk është i mirëdëshmuar tashmë, mungesa e tij në politikat publike bëhet dyfish fatkeqësi. Sepse as për pak nuk arrij të pranoj nivelin e futkotizmit që politikëbërësit e vendimmarrësit tanë, oratorë sipërfaqësorë, militantë patetikë, e – apo – së fundmi dhe xharrahë masivë, mund t’u bëjnë trajtimeve ekonomike qendrore, rajonale apo lokale, pa përjashtim.

Politikanë e vendimmarrës që marrin vendime politike me tahmin, nuk janë udhëheqës të denjë për vetveten – jo për më shumë. Ata, si të tillë pra, janë vetëm bastvënës, të ligë gjithsesi. Sepse, secili vendim i bërë pa numra bazikë, me tahmin, s’është gjë tjetër veçse aventurë basti amatoresk. Edhe në bastvënie ka një parasupozim.

Pra, na është bërë tashmë e zakonshme trajtimi i zgjidhjeve të papunësisë me premtime për dy-treqind mijë vende pune; na është bërë edhe më e zakonshme shtruarja e muhabeteve se “gjermanët po vijnë”; e gjithsesi, na është bërë plotësisht e zakonshme, dhe e gërditshme gjithsesi, diskutimi i investimeve të vetë votëkërkuesve; nuk e di njeriu a promovojnë të njëjtët mbretëri apo demokraci. Në qendër të kësaj zakonshmërie të pazakontë në princip, unë argumentoj, mbetet sipërfaqësorja e trajtimit të temave me rëndësi. Dhe arsyeja kryesore e trajtimit sipërfaqësor të temave këndej, mbetet kufizimi ynë i madh rreth numrave; rreth numrave që nuk i dimë.

-2-

Ky vend, për të nisur thjesht, nuk di se sa banorë i ka njëherë. Regjistrimi i fundit i bërë në Kosovë kishte shpërfaqur barazinë e votuesve mbi 18 vjet, me gjithë banorët – nga zero deri në njëqind e kusur vjeç. Thuajse jemi alamet vend për të pasur një diskrepancë të tillë.

Ta marrim se listat e votuesve i kemi gabim (dhe sërish nuk e dimë sa votues kemi), se diferenca e pritur mbulohet nga diaspora votuese, e se proporcionalisht gabimi i regjistrimit është po i njëjti me secilin regjistrim – e të themi se jemi 1.8 milionë; aq sa na thuhet pra zyrtarisht. Çfarë tjetër nuk dimë ne pas kësaj, është – e para dhe më e rëndësishmja – se sa të punësuar e sa të papunë janë këndej.

Plot shtatë vjet shtet nuk na kanë mjaftuar për të bërë një llogaritje të denjë punësimi, rrjedhimisht, ndërtimin e një baze informatëdhënëse që ushqen vendimet politike. Mënyra e llogaritjes së parvjetshme, praktikisht, mbështetet në adoptimin e një metodologjie standarde – dhe këtu përfundon argumentimi mbështetës – që vazhdon të na nxjerrë rezultate jostandarde. Në një rast të tillë, një vend normal do të trajtonte mundësinë e ndryshimit të metodologjisë, për të marrë numra sa më kredibilë.

Në llogaritjen e tanishme, dhe të bërë publike javë më parë, Kosova ka plot 1,202,489 njerëz në moshë pune. Prej tyre, rreth 702,238 apo 58.4% janë joaktivë. Joaktiviteti, në përshkrimin më të thjeshtë, nënkupton tërësinë e individëve të aftë për punë, që nuk kërkojnë punë. Pjesa e mbetur prej 500,251 kosovarëve, llogariten sot si forcë aktive. Nga ta, të punësuar, formal e joformal, janë rreth 323,508 kosovarë. Një krahasim me regjistrat e Trustit Pensional të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ku paguhen pensionet dhe taksat e të regjistruarve formalë, del se Kosova i ka rreth 70-80 mijë të punësuar si joformalë; gati një të tretën e të punësuarve formalë.

Për t’iu kthyer llogaritjeve të punësimit, pjesa e mbetur përfundimisht, prej 176,743 kosovarëve, përbën numrin e të papunëve në Kosovë. Ky 176- mijësh, përpjesëtuar me pjesën aktive prej 500 mijë, jep 35% e papunësisë – të bërë publik si numër zyrtar.

-3-

Në këtë formë llogaritjeje, Kosova lehtësisht mund t’i ketë normat më të ulëta të papunësisë. E tëra çfarë duhet është shtimi i joaktivëve – i atyre që nuk kërkojnë punë. Pra, janë plot 58.4 % të fuqisë punëtore në Kosovë, që përjashtohen nga llogaritjet e punësimit këndej.

Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore nga vitit 2014, vura re se me këtë normë të joaktivitetit, Kosova do të renditej në vendin e 5-të nga 182 shtete (me të dhëna të disponueshme) në botë. Kosova do të barazonte Jordaninë me këtë normë joaktiviteti, e do të renditej lehtësisht pas Timorit Lindor (62%), Moldavisë (59.3%), Bregut Perëndimor e Gazës (58,8%) dhe Ishujve Samoa (58.5%). Kosova, do t’i linte pas me joaktivitet një listë të gjerë vendesh nga Lindja e Mesme, dhe më shumë shtete afrikane, ku nga pengesat herë religjioze e herë zhvillimore, gjysma e popullsisë – gratë pra – me automatizëm përjashtohen nga aktiviteti i punës. Dhe nuk ka gjasa që Kosova të ketë një normë kaq të lartë joaktiviteti.

Sa për krahasim, duke iu referuar të dhënave të Eurostatit (viti 2014), vërejta se mesatarja e shteteve nga Bashkimi Evropian është vetëm 27.9% (Italia ka normën më të lartë të joaktivitetit, 36.1%, ndërsa Suedia ka më të ulëtën, 18.5%). Ta themi se nuk jemi Evropë. Për këtë, ju referova sërish të dhënave nga Banka Botërore, për të nxjerrë një mesatare rajonale. Nëse nuk jemi Evropë, me siguri jemi aq sa fqinjët tanë – Mali i Zi, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. E mesatarja rajonale për joaktivitet është vetëm 46.8%.

Kështu, sikur Kosova të kishte një normë joaktiviteti aq sa të rajonit, pra 46.8% në vend të 58.4%; plot 12 pikë përqindje më pak, atëherë ne nuk do t’i kishim forcë aktive vetëm 500 mijë, por plot 639,724 kosovarë. Rrjedhimisht, me vetëm 323,508 kosovarë të punësuar, papunësia nuk do të ishte më 35.1%, por plot 50.1%. E në bërjen e politikave ekonomike, dallimi në mes të një të dytës e një të tretës – si të papunë – është enorm. Nuk mund të kesh politika të njëjta në të dyja rastet; çfarë mund të kesh, dhe siç dhe ka gjasa të jetë, është se ke politika tejet sipërfaqësore që nuk mërziten për numra hiç. U bën të gjithave (sic).

-4-

Kosova, përveçse nuk e di numrin e banorëve, numrin e të punësuarve e atyre të papunë, nuk ka as idenë më të vogël për aktivitetin ekonomik këndej. Ne kemi jo më shumë se 60 mijë biznese aktive, por nuk kemi idenë e as regjistrin më të vogël për të dhënat bazike të tyre – nisur nga adresa e deri tek sasia e investimeve, fushë e zezë për ne.

Rrjedhimisht, ne nuk e dimë as numrin e vendeve të reja që krijohen në sektorin privat, as pagat e tyre, profilet e kërkesat e ardhshme; të cilat, potencialisht, do të mund t’i plotësonim me një sistem edukativ që reflekton.

Një nga numrat më të diskutueshëm ekonomikë këto ditë është ai i rritjes ekonomike. Në njërën anë është shfaqur Banka Qendrore e Kosovës, e në anën tjetër Agjencia e Statistikave e Kosovës. E para me një vlerësim të rritjes nga viti i shkuar prej 2.7%, e fundit me vetëm 0.9%.

Ç’është e vërteta, as 2.7% e hiç se hiç 0.9%, nuk janë numra impresivë. Siç dhe e kam thënë dhe më parë, me këtë trend të rritjes e zhvillimit, vendit tonë do t’i duhen plot 30 vjet për të arritur standardin e sotshëm (jo të 30 vjetëve më pas) të Kroacisë; vendit të fundit në Bashkimin Evropian. Por ama, impresive (për së mbrapshti) mbetet mosballafaqimi i këtyre matjeve. Sepse, ka rëndësi shumë kuptimi i rritjes ekonomike këndej. Ka rëndësi shumë se a kanë ndërtuar politikat e projeksionet tona mbi vlerësimet e 0.9% apo të atyre prej 2.7%; apo janë sërish të përgjithshme, sipërfaqësore – një për të gjithë. Mungesa e një debati bazik mbi numrat më të rëndësishëm ekonomikë, është vetëshpjegues mjaftueshëm; dhe i trishtë gjithsesi.

E për bindjen time, them se 2.7% i prezantuar mban më tepër kredibilitet. Jo sepse është më optimist, por sepse supozimet dhe llogaritjet e bëra mbi të, për dallim nga 0.9%, janë më reale. Për shembull, përderisa rritja prej 2.7% argumenton në rënien e investimeve dhe rritjen e konsumit, kjo e 0.9% argumenton në të kundërtën. E nëse asgjë tjetër, gjatë vitit 2014, vetëm rritje të investimeve nuk kishim. Nuk shpjegohet me asnjë parametër madje. Për këtë, për mua, humb kredibiliteti.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...