Nga Tirana, me përçmim

17 Tetor 2016 - 08:32 - Lumir Abdixhiku      

Duhet thënë, gjithsesi, se sinqeriteti i Shqipërisë, së paku i elitës, që kanalizon zërat nga atje, për bashkim, është i mjerë. Në gjithë këto vite ekzistence si shtet, nuk ka mbajtur e as shpërfaqur një qëndrim të vetëm politik për bashkim. As kërkesë për referendum, as kërkesë në ecjet ndërkombëtare, e as pozicion politik. Asnjëherë. Shqipëria, dhe politika zyrtare e saj, bashkimin e kanë parë si temë për flirtim. Ndërsa elita intelektuale si çështje trendi

-1-

Çmenduria e elitës së Tiranës ndaj Kosovës vazhdon. E filluan, kohë më parë, me thirrjet mbi tradhti e kërkesën poshtëruese për lënien e Kosovës anash në futboll; thanë forcojeni veç shtetin tonë, turpëroni këtë tuajin. Po s'bëtë këtë s'jeni patriotë, jeni tradhtarë. Ishte hera e parë që forcimi i pavarësisë po projektohej si antishqiptare tek ne. Inferiorët këndej i duartrokitën - shumica u dha përgjigje në stadium dhe jashtë tij.

Por s'u mjaftuan. Këtë javë, të njëjtët nga diskutimi sportiv kaluan në thirrje për aneksim. Jo për bashkim, por për aneksim. Na thanë jeni veçse krahinë jona, hiç më shumë. Ata që duan njëmend bashkimin do të na shihnin si të barabartë - dy shtete plotësisht të barabarta pra, të cilat nën kushtet e afrimit eventual do të ndërtonin një trup që mbron interesat e të dyja palëve barbarisht. Në këtë trajtim të barabartë, po të ndodhte ndonjëherë, nëse duhet të ndodhë ndonjëherë, përfundimi mbi ombrellën nuk do të anonte mbi njërën palë veç pse emri i shtetit u fillon me “Shqip”, sepse shqiptarë, po qenë të barabartë, janë të dyja palët pra. Por hobigjinjtë e nacionalizmit veç të barabartë s'mund të na shohin. Krahina e tyre, e projektuar dhe e publikuar pa marre së fundmi, s'është bashkim, është nënshtrim.

Aventura përfundon, po këtë javë, në Beograd, në normalizimin e relacioneve shqiptaro-serbe. E vërteta është se problemet me Serbinë s'kanë qenë kurrë në mes të Tiranës e Beogradit, prandaj Tirana s'ka çka të normalizojë atje. Beteja e shqiptarëve me serbët është bërë në Kosovë. Politika e Tiranës, për protagonizëm individual, po bie me vetëdije në kurthin e Beogradit, që s'do Kosovën ta trajtojë si subjekt - dhe problemin e shqiptarëve ta kalojë në përballje mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kosova shtet, është tmerr në Beograd. Tirana po u asiston serbëve për mrekulli.

-2-

Shqiptarët e Kosovës – dhe të Shqipërisë natyrisht – duhet të kuptojnë se çështja shqiptare s'ka një qendër rreth së cilës shqiptarët duhet të gravitojnë. S'mund të ketë një të tillë, sepse shqiptarizmi nuk është ndërtuar veç në Tiranë, përkundrazi, më së shumti është ndërtuar - dhe dorën në zemër është mbrojtur - në Kosovë. Dhe Kosova është shqiptare sa gjithçka tjetër shqiptare. Madje, Kosova sot është produkti kryesor i shqiptarizmit, në një model modern shtetndërtues. Si e tillë ajo ka të drejtë të thirret në çështjen shqiptare po aq, në mos dhe më shumë, sa Shqipëria. Simbolika shqiptare, që rastis për shkak të rrethanave gjeopolitike të jetë zyrtare në Shqipëri, s’e bën atë më shqiptare sesa Kosovën. Prandaj s’i kemi borxh askujt, as ekip futbolli, as eksluzivitetin e shqiptarizmit, as fatin me Beogradin - e edhe më pak pavarësinë e shtetin që megjithatë do ta bëjmë.

-3-

Duhet thënë, gjithsesi, se sinqeriteti i Shqipërisë, së paku elitës që kanalizon zërat nga atje, për bashkim është i mjerë. Në gjithë këto vite ekzistencë si shtet, nuk ka mbajtur e as shpërfaqur një qëndrim të vetëm politik për bashkim. As kërkesë për referendum, as kërkesë në ecjet ndërkombëtare, e as pozicion politik. Asnjëherë. Shqipëria, dhe politika zyrtare e saj, bashkimin e kanë parë si temë për flirtim. Elita intelektuale, ndërsa, si çështje trendi. Të njëjtët që sot na llafazojnë për patriotizëm, janë shitur e shpëlarë publikisht e shumë herë si ultrainternacionalë. Tash, kur filluam sukseset tona si shtet, na u bënë brenda natës patriotë. Unë i them kësaj inat, mospërbirje e suksesit të atyre që i kanë parë si të pabarabartë.

Nëse njëmend ka një kërkesë e vullnet për bashkim, nëse qytetarët e atjeshëm shqiptarë duan të bashkohen me Kosovën, atëherë le ta shtrojnë publikisht. T’ua thonë partnerëve në BE, t’ua thonë anëtarëve në NATO. Të shohim, për pak, çfarë përgjigjeje kanë për të marrë njëherë. Të kuptojmë se a janë të gatshëm, qytetarët e Shqipërisë, t’i ndërmarrin sakrificat – eventuale – nga ndjekja e një rruge tjetër jashtë BE-së e NATOs. Do t’i ndjekim hap pas hapi.

Flirtimi i tanishëm, ku shqiptarët e Kosovës shihen si obligatorë e marrës të barrës e bashkimit, është punë hobi për elitën e Shqipërisë. Punë argëtimi televiziv, të çartjes artificiale për diçka që kanë bërë minimalisht angazhim. Zero. Hiç. Asgjë.

-4-

Shqiptarët e Kosovës, ndërsa, duhet të lirohen e çlirohen nga ndjenja e inferioritetit sa më parë. Duhet të kuptojnë, njëtrajtësisht, se shteti i tyre që kanë, pavarësisht ngjyrave me të cilat del jashtë, është shtet shqiptar. I definuar me Kushtetutë si shtet i shqiptarëve. Ata duhet të kuptojnë se aventurat argëtuese të elitave tallëse në Tiranë (konsideratë shumë për përjashtimet) mund të jenë të kushtueshme. Arritja jonë si shtet i pavarur, në rrethanat e tanishme, është e rrallë, e shtrenjtë, e pahumbshme – mëkat prej idioti po e humbëm këtë.

Gjithashtu, shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë se s’ka asgjë të keqe në konsolidimin e shtetit tonë. Dhe konsolidimi i shtetit tonë nënkupton pasjen e gjërave tona, siç i ka Tirana të sajat pra. Sepse, është e pakuptimtë që progresin e shtetit tonë ta trajtojmë nën fajin e antishqiptarizmit. Ta refuzojmë këtë mendësi që e ushqejnë ata. Kjo logjikë s’ka pse të instalohet. Edhe s’kemi për ta instaluar gjithësi. Siç dhe kam thënë më parë, Kosova ka djem e vajza mjaftueshëm që i dalin zot – për ta bërë shtet, të pavarur e sovran, të hapur ndaj secilit; të nënshtruar ndaj asnjërit. Republika do të jetojë.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...