Rrugëdalja para theqafjes

15 Shkurt 2016 - 08:02 - Lumir Abdixhiku      

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje e mirë, por ato bëjnë zgjidhjen më pak të kushtueshme të mundshme

-1-

Takimi i përbashkët i liderëve politikë ishte përfundimisht përpjekja më domethënëse që Kosova kishte parë në shumë kohë. Takimi dhe bisedimi, pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, mbetet alternativa e vetme, më e sigurta dhe më pak e kushtueshme që Kosova ka sot në tavolinë. Secili refuzim për takim është njëkohësisht edhe kërkim për ballafaqim. E lehtësia e mendjelehtësia me të cilën disa liderë kosovarë kërkojnë ballafaqim është frikësuese.

Frikësuese, sepse të gjitha thirrjet për përplasje nuk hesapojnë përkrahjen që palët kanë megjithatë në radhët e veta dhe kaosin që eventualisht një përplasje e tillë mund të krijojë në vend. Në fund të ditës, në raste si këto, nuk flitet për ballafaqim prej dy-tre liderësh në mes vete, por ballafaqim përkrahësish të tyre. Ulja për marrje vesh, qoftë dhe për mosmarrëveshje në fund, është e natyrshme. Është hap i parë, normal dhe i pritshëm që përplasësit marrin sa herë që kanë një mospajtim.

Takimi pra ishte i mirë. Ajo çfarë pasoi pas takimit, ishte e dhimbshme. Gjuha e përdorur për të përshkruar qëndrimet e tjetrit nuk ishte aspak korrekte, e edhe më pak dashamirëse për bashkëbisedim të mëtutjeshëm. Duke dëgjuar pjesëmarrësit se si sulmonin tjetrin, të jepej përshtypja se aty ishin me zor – dhe se – dalja nga takimi ishte përfundimisht çlirim; nga ku nisej goditja e tjetrit. Një gjuhë e tillë thumbuese nuk lë vend shumë për afrim të sërishëm. Nuk lë vend as për bashkëbisedim. Është gjuhë tipike elektorale – por këtë herë – e rrezikshme shumë madje.

-2-

Përtej interpretimit partiak e militant, Kosova gjendet përballë vendosjes së një precedenti të rëndësishëm politik. Dhe në këtë vendosje burojnë edhe dy interpretimet mbi demokracinë; nga një për secilën palë.

Interpretimi i parë është ai i opozitës, i cili në thelb e sheh aktivizmin politik jo si cikël katërvjeçar, por si llogaridhënie e vazhdueshme rrjedhimisht pushtetin si të ndërprerë lehtësisht. I ushqyer vazhdimisht nga angazhimi i lëvizjes “Vetëvendosje”, protesta qytetare është parë gjithherë – këtë herë për shkak të përkrahjes së AAK-së ka arritur pikun e saj – si formë legjitime e ndërprerjes së pushtetit.

Në rrethana të dhëna demokratike, një precedent i tillë ka dy anë. Ana e mirë mbetet e drejta qytetare për të hequr legjitimitetin e pushteteve sa herë që pushtetet ngatërrojnë rregullat ligjore apo morale të një vendi. Pra në rrethana të tilla, ndërprerja si mundësi e mirëqenë, rrit përgjegjshmërinë. Ana e rëndë mbetet përdorshmëria e ndërprerjes edhe në rrethana tjera. Pra nëse Kosova bën ndërprerjen e pushtetit sot, atëherë precedenti i tillë mund të përdoret herën tjetër nga një grup tjetër për një çështje jo domosdo të njëjtë. Mjetet, forma dhe kosto nuk do të merren parasysh. Parasysh do të merret vetëm qëllimi përfundimtar dhe referimi në ndërprerjen e tanishme.

Interpretimi i dytë është ai i pozitës, që në thelb angazhimin e pushtetit e sheh brenda një cikli të dhënë dhe të pakontestueshëm – të pakontestueshëm gjithsesi nëse sjellja është konform kornizave kushtetuese (natyrisht këtu dhe qëndron kleçka e rastit të Kosovës). Sipas këtij interpretimi, pushtetet duhet të kenë të garantuar kohën e marrë me votë e kundërshtarët e pushtetit duhet të ofrojnë alternativë kurdo që ndodh raundi tjetër.

Sërish, në rrethana të dhëna demokratike, një interpretim i tillë ka dy anë. Ana e mirë mbetet siguria e dërgimit të një vizioni – çfarëdo qoftë ai (natyrisht gjithmonë në vijë me Kushtetutën) – deri në fund, pavarësisht bindjeve e përkrahjeve të kundërshtarëve. Këtu, mbështetja shumicë (me perceptim) për një qeveri jo domosdo bën domosdoshmëri për ndryshim. Edhe në SHBA e në demokracitë më të themeluara në botë, shumë liderë gjatë mandateve të tyre humbin përkrahjen e shumicës – në percepcion – por megjithatë nuk sfidohen me ndërprerje mandatesh; shkojnë deri në fund pra. Ana e rëndë e një interpretimi të tillë mbetet papërgjegjshmëria, arroganca dhe mbifuqia që pushtetet (sidomos në shoqëri më pak demokratike) krijojnë për këtë kohë. Thuajse katër vjet janë një dhuratë gjatë të cilave mund të bësh çfarë të duash.

-3-

Kosova, pra, gjithmonë përtej interpretimeve partiake e militante duhet të zgjedhë njërin nga precedentët në fjalë. Zgjedhësit më pas duhet të jetojnë me zgjedhjen që bëjnë edhe kur nesër nuk janë në pozitat që sot mbajnë – pozitë e opozitë pa dallim.

Zgjedhja nuk është fare e lehtë, dhe për të mund të ndërtosh argumente në të dyja anët. Për shembull, dhe ndër të tjera, pro ndërprerjes së mandatit mund të bazohesh mbi baza morale dhe ligjore. Morale mbi jonatyralitetin e koalicionit dhe mashtrimin e votuesve – diçka që nuk do të ndodhte asnjëherë në asnjë demokraci të konsoliduar. Ligjore, për interpretimin kushtetues të marrëveshjes së Asociacionit.

Njëtrajtësisht, kundër ndërprerjes mund të bazohesh në dy argumente të njëjta. Morale, që të mos lejosh dhunën dhe pakicën të vendosë për shumicën – kapadai është lehtë të bëhesh, por me kapadaizëm s’bën të lejohesh të arrish gjithçka. Dhe ligjore, siç po ndodh tashmë, të bazohesh në vendimin e njëjtë kushtetues e të thuash se Kushtetuta nuk është shkelur, sepse akti potencialisht shkelës – themelimi i Asociacionit – nuk ka ndodhur asnjëherë.

-4-

Dhe kështu, në përplasje të tilla, vijmë dhe deri tek zgjidhja që unë mendoj se duhet të ndodhë, sa më shpejt aq më mirë. Këtë do ta provoj ta elaboroj në këtë seksion të fundit.

Nëse palët mbesin në qëndrimet e njëjta, pra asnjëra nuk pranon ndryshim qëndrimin, atëherë ka vetëm një rrugë për të përcaktuar se cilin precedent duhet të zgjedhim tani; dhe ajo rrugë ka emrin e shkruar mbi vete – qytetar dhe votë. Natyrisht se shkuarja në zgjedhje është në një formë para-zgjedhjeje e precedentit të ndërprerjes. Çfarë rëndësie më pas ka interpretimi qytetar kur precedenti është zgjedhur. Por unë besoj, megjithatë, se, një, konfirmimi i votës aktuale (nëse ndodh) do të zbehte precedentin në fjalë, e do të godiste rëndë e përfundimisht promovuesit e tij përherë. Dhe dy, se sot, pas gati dy vjetësh përpjekjesh për të ndërtuar një qeveri, Kosova më nuk ka zgjidhje të mira para vetes. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje e mirë, por ato bëjnë zgjidhjen më pak të kushtueshme të mundshme.

Sepse, në pozicionin e tanishëm të palëve, ku ballafaqimi veçse po shtohet, ka dy skenarë të mundshëm – dhe hiç më shumë. I pari, që palët të qëndrojnë në pozicionet e veta dhe të kërkojnë me ngulm dorëzimin – e asgjë tjetër – të palës tjetër. Kjo distancë e tyre do të rrisë përplasjet edhe më shumë. Pozita do të përdorë secilin mekanizëm të pushtetit për të dobësuar opozitën; e opozita do të përdorë secilin mekanizëm të rrugës për të rrënuar pozitën. Në alternativën më të lehtë, dy-tre vjetët e ardhshëm kalojnë në tension sikurse ky i fundit. Kosova natyrisht humb shumë. Në alternativën më të rëndë, përplasja kalon në rrugë, në përmasat e parikuperueshmërisë. Atëherë nuk ecim më buzë greminës, por veçse jemi në të.

Skenari i dytë mbetet pranimi i zgjedhjeve si alternativë. Modalitetet e kohës së organizimit të tyre mbesin pjesë e diskutimeve e takimeve të nisura nga një autoritet i tretë, siç është presidentja, dhe garantuar nga bashkinvestitorët më të mëdhenj të fatit të Kosovës, njëkohësisht të vetmit që sot kanë autoritet moral mbi palët në konflikt. Ulja në tavolinë, natyrisht, është hap në këtë drejtim.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...