Mbi relacionin kosovar me shtetin

4 Gusht 2014 - 08:25 - Lumir Abdixhiku      

Për shumë kohë është thënë e goditur ideja se distancimi i kosovarëve nga shteti buron nga një praktikë e kahershme e refuzimit të institucioneve dhe të vetë shtetit, sepse shteti dhe institucionet nuk ishin asnjëherë të tyre. Në vitin e pesëmbëdhjetë pas luftës, kosovarët janë bërë me shtet, por jo dhe me besim në shtet – për çfarë edhe mbajnë distancën ende

-1-

Në qershor të këtij viti, siç dhe kishte ndodhur një vit më parë, në kuadër të “Riinvestit” po bënim matjen e percepcionet kosovar në pesë tema; përkatësisht po matnim besimin në institucione, transparencën, participimin publik, llogaridhënien dhe përdorimin e teknologjisë. Anketa me një mijë kosovarë ishte pjesë e një matjeje regjionale – përfshinte shtatë vende të tjera fqinje të Kosovës. Ndonëse krahasimi i gjetjeve këtu me ato rajonale do të prodhonte një fotografi mjaft interesante, them të mos lodh lexuesit me krahasime të tilla, e të rrumbullakojë këtë shkrim me vetëm gjetjen e brendshme.

Sepse, janë mu gjetjet e brendshme mbi percepcionet kosovare ato që na japin një fotografi të qartë të relacionit qytetar shtet dhe reflektimin e secilës grimcë të një relacioni me sistemin e kompliancës që provojmë të ndërtojmë. Në fund të fundit, çfarëdo sistemi që nuk merr aprovimin qytetar, mbetet i kalbur në rrënjë e themel – dhe si i tillë është i predispozuar të zhbëhet.

Do të zhbëhet jo sepse mosbesimi është i pashërueshëm, por se zgjatja e tij e shndërron mosbesimin në normë shoqërore, pra në sjellje të zakonshme e në rutinë qytetare. E është mu rutina qytetare e refuzimit të sistemit që ka bërë vazhdimisht distancën e kosovarëve me shtetin. Jo vetëm sepse, siç dhe ka logjikë, kosovarët kanë qenë gjithmonë në ballafaqim me shtetin (që dikur nuk ishte i tyri), por sepse mosbindjen e zhvilluan si normë shoqërore (kur ai u bë i tyri). Si normë e zhvilluan pra edhe mosbindjen ndaj pagesës së tatimeve, të faturave të energjisë, të mbledhjes së mbeturinave, barazimit me ujësjellësin e çka jo tjetër – refuzuan gjithçka derisa pagesa, pra komplianca, u bë normë e pazakontë shoqërore.

-2-

Pjesa kryesore e anketës, të përsëritur pra në dy vite, ndërlidhej me percepcionin e kosovarëve me institucionet nëpër Kosovë; pra besueshmërinë e tyre ndaj akterëve kryesorë publik në vend. Sipas rezultateve të anketimit, KFOR-i, Bashkimi Evropian, OJQ-të dhe mediat janë institucionet e organizatat që kanë kredibilitetin më të lartë në Kosovë; ato pra besohen më së shumti. Dhe ka një patern interesant në renditjen e besueshmërisë kështu; të gjitha këto grupime kalojnë përqindjen 60; nga gjithsej 100, për të shpërfaqur kështu një diferencim të dallueshëm me institucionet e tjera. E në ndërtimin shtetëror të vendit, bëhet mjaftë i trishtë fakti se percepcioni i besueshmërisë dhe kredibilitetit nuk rendit lart institucionet politikëbërëse të vendit. Ç’është e vërteta, ato jo vetëm se nuk renditen diku në mes nga të parat, pro mbajnë bindshëm fundin e rangimit. Parlamenti, Gjyqësori, Qeveria, Presidenca e krejt në fund partitë politike (të gjitha me 22 deri në 30 për qind) përbëjnë trupat më pak të besueshëm në vend. Në mes të listës renditëse, mbesin institucionet e tjera si EULEX, Policia e Kosovës, institucionet religjioze, shërbimet publike dhe kryetarët e komunave. Për më tepër, janë mu grupimet e mesit që kanë shënuar përmirësimet më të mëdha të besueshmërisë për një vit matjeje; prin EULEX me gati dyfishim të besimit dhe kryetarët e komunave me rritje (të përqindjes) nga 42 në 55; gati 30%.

Pra gjuha e kosovarëve, e matur me përfaqësim të një mijë respondentëve, na thotë se ka diçka që shkon mbrapshtë në institucionet vendimmarrëse, siç ka edhe diçka që shkon mirë – prandaj dhe besimi – me katër institucionet e para. Për dy të parat, pra KFOR-i dhe BE-ja, kosovarët mund të kenë dhënë besim blanko. Sepse janë të huajat, janë pra ndërkombëtare, janë mike (për më tepër) e kanë një sistem vetërregullimi – sepse janë pra ndërkombëtare. Për ty të dytat nga të parat, pra organizatat jo qeveritare dhe mediat, kosovarët mund të kenë dhënë besim si reflektim oponencial ndaj pesë të fundmet – institucionet vendimmarrëse. Në fund të fundit, siç dhe ndodh rëndom, ka një ballafaqim të drejtpërdrejtë në mes të institucioneve vendimmarrëse e politike në vend (në njërën anë) dhe organizatave joqeveritare e medieve (në anën tjetër) – ballafaqim që duket ta kenë fituar (po u matën me kredibilitet) këto të fundit.

Interesante po ashtu mbetet rritja e besimit në EULEX dhe kryetarët e komunave. Përderisa për të fundit renditja natyralizon me konstatimin e përgjithshëm të zgjedhjeve lokale, pra ndryshimin e ngjizur gjithandej, për të parët kam përshtypjen se ka një refleksion ndaj angazhimit të tyre kundër krimeve ekonomike që megjithatë bën diferencën për një vit. Gjithsesi, me 54 e 55 për qind përkrahje, të dy kategoritë mund të gjejnë bukur kënaqësi.

-3-

Për kohë shumë është thënë e goditur ideja se distancimi i kosovarëve nga shteti buron nga një praktikë e kahershme e refuzimit të institucioneve dhe vetë shtetit, sepse shteti dhe institucionet nuk ishte asnjëherë të tyre. Në vitin e pesëmbëdhjetë pas luftës kosovarët janë bërë me shtet, por jo dhe me besim në shtet – për çfarë dhe mbajnë distancën ende.

Në qendër të refuzimit ose pranimit të institucioneve – dhe rrjedhimisht shtetit – mbetet gjithnjë besimi. Pra percepcioni individual i kosovarëve ndaj organizatave publike e akterëve të tjerë institucionalë – i matur me besim – përcakton një linjë thelbësore të frymëmarrjes së shtetit; dhe kjo linjë është e djegur. Është paradoksale që institucionet e thirrura në përfaqësim qytetar të kenë besim kaq të ulët nacional – në mesatare prej 25%. Partitë politike, parlamenti, qeveria, presidenca e gjyqësori – të gjitha të thirrura në popull e nga populli – nuk arrijnë të gëzojnë mbështetjen e as të një nga tre kosovarëve. Në të vërtetë çfarë përfaqësojnë?!

Dhe ka dy shpjegime racionale prapa një relacioni të tillë. I pari, që zë vend logjik shumë, se këto institucione – pa përjashtim – janë shndërruar në grupe klanore e fisnore që përfaqësojnë ngushtë gjahun e përfitimit grupor në dëm të gjithçkaje – dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë me koncept fisnor, klanor e sektar. E sepse janë shndërruar në të tillë, rrjedhimisht shpjegimi i dytë, ka një ndarje gjithënacionale në mes të gjithkujt nga gjithkush. Kështu, në vend të një uniteti nacional, ne kemi ndërtuar – kryesisht për shkak të bindjeve politike – një ndarje të re shtresash në Kosovë. Dhe këto shtresa nuk janë në mes të pasurve e të varfërve, intelektualëve e agrarëve, mendimtarëve e përcjellësve – janë shtresa bindjesh politike që krijojnë ndarje, përçarje e distancime – aq shumë sa që vetëm neutralët (mediat, OJQ-të e ndërkombëtarët) për aq sa mund të jenë edhe atë – kanë kredibilitet; e thonë kosovarët.

Do të ishte element normal i demokracisë trazimi i preferencave poli-partiake – them unë; porse, një bartje e ndjenjave partiake në secilin relacion tjetër tonin, familjar, shoqëror e shtetëror – sepse nuk dimë ta ndajmë politikën nga jeta – na sjell në një situatë ku pesëmbëdhjetë vite më parë – kur nuk kishim shtet – kishim njëri tjetrin si vend; dhe sot, kur kemi shtet, mbesim pikë e pesë me tjetrin.

Kosova ka nevojë për unitet nacional, para së gjithash. Defektet tona nacionale janë enorme dhe ato po thellohen sa më shumë që koha na shkon. Sepse me kohë, të gjitha anomalitë individuale e grupore – siç është koncepti i partiakizimit fisnor e klanor – po bëhen norma të zakonshme shoqërore, aq të zakonshme sa që zhbërja e tyre bëhet koncept i pazakonshëm. Për të kthyer një unitet, aq sa normalja demokratike mund të krijojë, na duhet një mendësi e re qeverisëse, e cila – nisur nga partitë, e përfunduar në shtet – pranon interesin e qytetarit si parimor e primar para klanit, fisit e sektit. Kështu ndërtojmë fillimisht besimin, për të ndërtuar në fund vetë shtetin.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...