Një dashuri e re gjermane

8 Shtator 2014 - 09:07 - Lumir Abdixhiku      

Përtej simbolikës përfaqësuese që megjithatë bëhet e këndshme dhe e mirë sa herë që një vend i vogël e i rënduar si ky yni e kalon, Konferenca e Berlinit i hapi Kosovës, dhe rajonit gjithsesi, një portë të re partneriteti; një mundësi për bërje të aleancës me shtetin pa dyshim më të rëndësishëm ekonomik, politik e strategjik që ka Evropa sot – me vetë Gjermaninë. Në këtë mundësi Kosova duhet të zëvendësojë shpejt e mirë dominimin ekonomik të Turqisë që përveç marrëveshjeve e allishverisheve me klasën zaptuese politike, nuk ka sjellë asgjë të re për ne

-1-

Konferenca e Berlinit, kjo e sivjetshmja, për dallim nga ajo e njëqind e tridhjetë e gjashtë viteve më parë, na dha kryevëmendje – të dy shteteve shqiptare. Na bëri faktorë duke e trajtuar Kosovën si vend të barabartë me secilin shtet tjetër rajonal – në sy të fqinjëve e në sy të gjithë BE-së, edhe asaj pjese që nuk na njeh; e duke i dhënë Shqipërisë mundësinë e përfaqësimit gjithërajonal. Na dha një kredit të ri për të cilin kishim nevojë tash e sa kohë.

Por përtej simbolikës përfaqësuese që megjithatë bëhet e këndshme dhe e mirë sa herë që një vend i vogël e i rënduar si ky yni e kalon, Konferenca e Berlinit i hapi Kosovës, dhe rajonit gjithsesi, një portë të re partneriteti; një mundësi për bërje të aleancës me shtetin pa dyshim më të rëndësishëm ekonomik, politik e strategjik që ka Evropa sot – me vetë Gjermaninë.
Sepse, përtej takimeve kryeministrore, atyre të rendit të parë pra, në Berlin u ndërtuan si në nisje një sërë takimesh tjera të teknokratëve.

Projekte të mëdha u përfolën, investime të rëndësishme u hapën, e kërkesa të reja u shtruan – të gjitha natyrshëm u bënë si një pjesë e një plani makrogjerman për shtrirje ndikimi në pjesën juglindore të Evropës. Këtu, në këtë fotografi, bëmë pjesë dhe ne. Është fat.

-2-

Nuk kam qenë asnjëherë ithtar i monopolizimit ekonomik të Kosovës nga Turqia; e pikërisht me dhe vetëm me Turqinë, qeveria në ikje e drejtuar nga një kryeministër jo kompetent për të bërë ndërlidhje perëndimore, kishte ndërtuar punë.
Dominimi ekonomik turk në Kosovë, thënë të drejtën, ishte veçse një vazhdimësi e një shtrirje ekonomike e kulturore turke nëpër gjithë Ballkanin; një riotomanizim në shekullin e 21-të. Si një vend i vogël që jemi, lëvizjeve të tilla rajonale vështirë se mund t’u bëjmë edhe shumë ballë.

Por për dallim nga shtetet tjera në rajon, dyert tona për shtrirjen turke në praktikisht gjithçka ishin tërësisht të hapura. Në vendet tjera – për shembull – ndonëse prezenca turke është e konsiderueshme, ajo nuk përbën monopol. Në Serbi njeriu krahas investimeve turke mund të gjejë edhe investime amerikane, austriake, gjermane e aty këtu dhe arabe. Njëjtë edhe në Kroaci, Maqedoni e – më pak – edhe në Shqipëri.
Në Kosovë ndërkaq, dominimi turk kishte marrë në zotim praktikisht gjithçka që ishte për t’u zotuar.

Asetet strategjike të Kosovës, siç janë aeroporti e distribucioni, u janë dhënë në koncesion e në përjetësi turqve thuajse falë; investimet kapitale – ato miliardëshe në rrugë – u janë dhënë po ashtu kompanive turke – këtë herë jo falë, por me çmime bindshëm më të larta se sa mesatarja e ndërtimit të rrugëve nëpër Evropë; sistemi bankar në Kosovë sot dominohet nga banka turke (tri sosh nga gjithsej tetë); industria ushqimore gjithashtu përbëhet nga produkte e biznese turke, me vetë Turqinë eksponencialisht në rritje e sot si importuesi i tretë më i madh në Kosovë; për të mos mjaftuar me asete, investime e import, edhe sistemi i edukimit kohëve të fundit po shpërfaqte shtrirje turke.

Gjatë mandatit të shkuar, Kosova nën qeverisjen në ikje, ishte jashtëzakonisht afër të jepte ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C” tek një kompani e udhëhequr nga dhëndri i presidentit Erdogan; e edhe më afër ishte të dorëzonte telekomin publik – sërish – tek një kompani tjetër turke.

-3-

Jo se ndaj ndonjë aversion ndaj prejardhjes së investimeve në Kosovë; veçanërisht ndaj një vendi të afërm për Kosovën, siç është Turqia; por shpreh mospajtueshmëri kategorike ndaj varësisë së plotë edhe ekskluzive në një vend që dështon të përmbushë kriteret bazike evropiane. Sepse varësia ekskluzive nga e në një vend të vetëm dhe shpeshherë me rrezik në bërje të diktaturës, është strategjikisht e gabuar, politikisht jo e mençur, e ekonomikisht jo e favorshme.

E ka disa arsye – të brendshme – që kanë shtyrë Kosovën në relacione të tilla ekskluzive dhe rrjedhimisht në varësi të plotë ekonomike e potencialisht dhe politike nga Turqia. Pra përtej rritjes ekonomike në Turqi – si arsye për ne e jashtme – janë politikat ekonomike tonat që burojnë nga një lidership jokreativ e jokompetent, bashkë me vullnetin e pashtershëm për korrupsion e përfitim vetjak, që kanë sjellë vendin në një gjendje të tillë siç dhe jemi sot.

Kujtoni të gjitha aferat dhe relacionet biznesore në aeroport, distribucion e autostradë – bashkë me të pandodhurat e të parandaluara (për fat të mirë) në termocentral e telekom – dhe kuptoni përmasën e parregullsive që kanë shoqëruar relacionet e qeverisë sonë me kompanitë turke. Një martesë e shkëlqyer në mes të të korruptuarve dhe korruptuesve; një koekzistencë perfekte në mes të politikanëve kosovarë si të korruptuar lehtë dhe biznesmenëve turq që janë mësuar të korruptojnë edhe më lehtë – tipike për një partneritet ekonomik anarkik e të allishverisheve.

Prandaj dhe u quajtën vëllezër, baballarë e djem – dhe çka jo tjetër – e për më shumë, prandaj dhe sot na shpërfaqen defektet e para në gjithçka që biznesmenë si këta kanë prekur në Kosovë. Nuk janë seriozë, nuk kanë qenë asnjëherë. Janë këtu për të marrë çfarë ka për të marrë – por jo për të dhënë. Kështu pra, një martesë allishverishi bëhet një mallkim strategjik për Kosovën; një strategji e mbrapshtë e në mëshirë të diktatorëve në bërje. Kosova meriton dhe ka mundësi për më shumë. E këtu vjen Gjermania.

-4-

Gjermania ka qenë gjithmonë aleat ekonomik natyror i Ballkanit – përfshirë pra dhe Kosovën. E para, dhe më e rëndësishmja, sepse mundet. Në të vërtetë mundet më shumë se secili shtet tjetër evropian e më gjerë. Dhe në këtë mundësi të tyre lind oportunizmi ynë për të kapur çfarë ne mundemi; si përgjigje reflektuese ndaj mundësive të hapura për të dyja palët.

E dyta, dhe po aq e rëndësishme, Gjermania ka qenë shtëpi e parë e dy-treqind mijë kosovarëve që sot përbëjnë forcën e tretë ekonomike në Kosovën e varfër – vetëm me dërgesa të remitencave madje. Kultura e punës e marrë nga atje, relacionet e vazhdueshme me atje, bashkë me gjithë prurjet e ikjet nga e për atje, kanë bërë Kosovën një derivat të lehtë për investime gjermane. Paramendoni sa lehtë mund të përshtatet një kosovar i natyralizuar në gjerman si menaxher e udhëheqës i një kompanie gjermane në Kosovë.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishme, Gjermania përmban biznese me imazh perëndimor të hatashëm; diçka që i jep vendit tonë siguri dhe thirrje për investime shtesë. Kur ke tyxharë orientalë si investitorë kryesorë në vend, pasojnë “tatlises dynerat” si aksesorë; kur ke Deutche Telekom si operues telefonik, pasojnë “McDonalds” e “Burger King” si përcjellës të sigurisë.
E mbi të gjitha, rëndësia thelbësore e mundësisë së ndërlidhjes me partner të ri, mbetet vetë vullneti gjerman për t’u shtrirë në Ballkan. E shtyrë pak nga varësia ruse, pak nga destabiliteti lindor; gjithsesi shumë nga mundësia dhe nevoja për shtrirje që një fuqi ekonomike në pikun e saj kërkon, Gjermania – siç e bëri të qartë dhe në Berlin – e sheh Ballkanin si vend me shumë potencial.

E për të bërë potencialin mundësi natyrshëm se pakoja e tyre e partneriteti vijnë me disa kërkesa – normale për një shtet normal.

-5-

Mesazhi gjerman ishte i qartë për vendet e Ballkanit. Nëpërmjet kancelares Merkel, gjermanët kërkonin, nga të gjithë e pa përjashtim, përmbushjen e obligimeve në tri fusha kryesore. E para kishte të bënte me themelimin e mirëfilltë të shtetit. Sipas gjermanëve, çfarë ne njohim si shtet, për ta është një vrimë e zezë që kërkon riparime shumë.

Këto riparime nisin nga luftimi i korrupsionit, zhbërja e informalitetit, dezaptimi partiak e deri tek funksionimi i mirëfilltë dhe i pavarur i gjyqësorit. Pra si parakusht për lindje të relacioneve të shëndosha Gjermani-BE-Ballkan, duhet të pastrojmë oborrin e shteteve tona nga mbetjet korruptive e zaptuese që i krijuam vetë.

Fusha e dytë ka të bëjë me investime masive infrastrukturore; jo të pavarura nga njëri- tjetri, por të ndërlidhura në një rrjet gjithërajonal. Hekurudha që lidhin Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën e Shqipërinë u përfolën si të parat. Serbët ishin aq të shpejtë sa propozuan rifunksionalizimin e hekurudhës Nish-Prishtinë; tanët do të duhej të nisnin propozimet për hekurudhën nga brigjet e Shqipërisë për Merdarin e Kosovës; të ndërlidhet me Shkup e një tjetër për Sanxhak. Rrugët e korridoret tjera gjithërajonale – me theks të veçantë në ndërlidhjet me “Korridorin 10” u përmendën gjithandej – nga kancelarja, zëvendëskancelari e deri tek ministrat e tjerë të zhvillimit ekonomik.

Gjermanët pra, përtej ndërtimit të mirëfilltë të institucioneve kërkonin transport të lehtë. Ky transport i lehtë brendarajonal, jo vetëm se do të bënte Ballkanin dhe shtetet në të hiperatraktiv për relacionet e brendshme, por do ta bënin korridor super të rëndësishëm për Gjermaninë, një korridor i ri që zëvendëson atë në drejtim të Rusisë.

Fusha e tretë, dhe jo më pak e rëndësishme, ishte kërkesa gjermane për të ndërtuar sa më shumë shkolla profesionale; pra për të prodhuar sa më shumë zanatlinj. Një kërkesë e tillë vjen pasi sistemi edukativ në gjithë rajonin e Ballkanit – përjashto Kroacinë e Slloveninë – është bërë aq i padobishëm sa për vite të tëra këto vende prodhojnë të diplomuar pa aftësi atraktive ose dalluese për punë.

Shkollat profesionale, në anën tjetër, do të prodhonin një fuqi të re punëtore me plot kualitet; e që lehtësisht dhe me kosto të ulët mobiliteti mund të shndërrohet në forcën më atraktive të mundshme (dhe të lirë) që mund të gjesh në Evropë. Një aftësim i tillë i fuqisë punëtore do t’i bënte këto vende bukur tërheqëse karshi bizneseve evropiane, por do t’i bënte të gjithë – në rastin më të keq – migrues me një zanat që u hyn në punë edhe evropianëve; kryesisht gjermanëve.

-6-

Kosova dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit, mund të mallkojnë veten për shumë çka; nga hiperkorrupsioni tek varfëria, nga izolimi tek urrejtjet ndërnacionale. Fati i lig mund t’i ketë përcjellë të gjitha vendet nëpër kohë – definitivisht shqiptarët më shumë se të tjerët në çdo rrethanë. Por nëse popujt ballkanas kanë arsye për të mallkuar fatin e veten përgjatë kohës, ata kanë më shumë se kurrë arsye për të pranuar një dhuratë të patjetërsueshme – faktin që jetojnë në Evropë.

E në korridor të ndërlidhjeve evropiane me Azinë, ballkanasit – dhe shqiptarët gjithsesi – do të duhet t’i shfrytëzojnë mençur e mirë forcat dhe renditjet e fuqive të mëdha. Sepse, ndodh rrallëherë që këto forca e fuqi të mëdha të përpiqen në mes vete sa për të shtyrë një superfuqi ekonomike si Gjermania të orientojë strategjikisht interesat e veta ekonomike e politike drejt një rruge të re; sepse një e vjetër nuk funksionon – ajo e Rusisë pra. Në këtë rrallësi të ngjarjeve, del se shtetet e vogla tona, të gjitha të varfra, me plot anomali e me pak mundësi për të ecur vetë, të jenë partnerë të vegjël, por tejet të rëndësishëm. Të rëndësishëm saqë me infrastrukturë rrugore e hekurudhore të shndërrohen në transmetues mallrash gjithandej; me kanale gazi të bëhen furnizues kryesorë evropianë; e me forcë të re punëtore të dallohen për të zot e të nxjerrin veten dhe shtetet e tyre nga kjo ngecje që nuk përfundon asnjëherë.

Në gjithë këtë zhvillim, Kosova duhet të gjejë veten të gatshme për të kapur mundësinë e një interesimi gjerman – të ndjekur më pas nga secili evropian tjetër. Në këtë mundësi Kosova duhet të zëvendësojë shpejt e mirë dominimin ekonomik të Turqisë, me një supershtet perëndimor, Gjermaninë. Për këtë zëvendësim do të duhet kohë shumë, por mbi të gjitha vullnet për ndryshim shumë. Nga një klasë e re politike e deri tek një mendësi ndryshe ekonomike, Kosova gradualisht mund të shndërrohet nga një parajsë tyxhare e allishverishesh në një vend të mirëqenies e zhvillimit.

[email protected]
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...