Tri fakte, një logjikë

13 Prill 2015 - 08:50 - Lumir Abdixhiku      

Mbi strukjen dhe tjetërsimin e mëtutjeshëm të besimit të djathtë ekonomik në Kosovë

-1-

I pari, madhësia e Qeverisë. Enorme. E panevojshme. Mbi të gjitha e kushtueshme dhe burokratike sa s’bëhet më. E shfrytëzuar për të rehatuar e akomoduar militantë partiakë, individë të mbetur jashtë, madhësia e Qeverisë është shndërruar këndej si një gjellë e gatuar keq, por e zakonshme. Secili pas tjetrit, në stilin e njëjtë me tjetrin, ka vënë një shtresë kripe të panevojshme; e ka njelmësuar atë përtej secilës normë të pranueshme. Kështu Kosova e vogël sot ka njëzet e kusur ministri – me e pa portofol – dhe ka një mekanizëm të tërë përcjellësish që nuk i pyet kush, nuk i duhen kujt.

Nuk bëhet nami, thënë të drejtën, mbi koston e mbajtjes së këtij mekanizmi. Kushtueshmëria do të mbetej edhe e arsyeshme sikur në të do të gjenin vend individë që kanë një fije dije, kanë një kompetencë e kanë një dije; pra të jenë gjithçka veçse militantë e shërbëtorë të dëgjueshëm partiakë. Kosova pra, do të mund të përballonte lehtë pagesën e disa pagave shtesë, mëditjeve e veturave shtesë, sikur në kthim të merrte një vlerë. Por nuk merr gjë prej gjëje. Marrin partitë që rehatojnë militantë, trashëgimtarë e familjarë postesh – rehatojnë gjithçka.

Do të prisja, sinqerisht, nga një qeverisje e re e në promovim të ndryshimit – nëse e kanë sinqerisht – zvogëlimin e Qeverisë, zhbërjen e burokracisë. Në fund të fundit, i thonë vetes të djathtë.

-2-

I dyti, taksimi progresiv. I habitshëm. I panatyrshëm. Mbi të gjitha i dëmshëm për klimën biznesore sa s’bëhet më. Aprovoj dhe miratoj heqjen – jo vetëm uljen – e TVSH-së për produkte bazike dhe kryesisht të shërbimeve publike; në ujë, rrymë e ngrohje njëtrajtësisht. Refuzoj ta pranoj secilën ngritje të normës së TVSH-së për të gjitha produktet e tjera. Kjo për dy arsye. E para, sepse ulja, sado e domosdoshme, barazohet me ngritjet e tjera. Në njërën apo formë tjetër, zinxhiri i produkteve që konsumohen si bazike e ato që konsiderohen (me këtë paketë) si jobazike janë të ndërlidhura ngushtë, në relacion kauzaliteti. Kështu, ndër të tjerash, është e kotë ulja e TVSH-së për miell, kur rritet për naftë. I njëjti bukëpjekës do të blejë po të njëjtën naftë, tashti me çmim të ngritur, për të përpunuar miellin në bukë që mund ta shesë me çmim të ulur.

Së dyti, në një treg të tharë nga keshi, gjëja e fundit që duhet t’i ndodhë është tërheqje të mëtutjeshme – me rritje të TVSH-së pra. Dhe mbi të gjitha, kjo tërheqje të ndodhë nga të vetmit që sot krijojnë vlerë e paranë njëmend – shtresa e mesme. Pra, sado e këndshme dhe toleruese mund të jetë zvogëlimi i tatimit për shtresat e varfra, mbingarkesa e rritja e barrës tek shtresa e mesme – produktet e të cilëve do të shtrenjtohen njëtrajtësisht – mbetet e paarsyeshme.

E paarsyeshme mbetet edhe rikthimi i tatimit në dividend mbi korporata. Tashti, për ta vënë rekordin drejt, taksimi i dyfishtë i korporatave, në fitim dhe të ardhura personale për aksionarët, është praktikë e zakonshme për shumë vende. Megjithatë, nëse për diçka është dalluar Kosova ndryshe në relacion me vendet në rajon, ishte pikërisht atraktiviteti në mostaksim të dividendit. Na bënte pra më ndryshe. Dhe nuk kuptoj, e s’do të kuptoj kurrë se si ngritjet e tilla bëhen për promovim të investimeve. Nuk bëhen gjërat kështu.

-3-

I treti, shpenzimi buxhetor. I humbur. I papotencë. Mbi të gjitha, repetitiv me të shtatë buxhetet populiste paraprake. I vetmi element që nuk e bën këtë buxhet më majtist e më populist sesa buxheti populist e majtist paraprak, është rritja e mëtutjeshme e pagave në sektorin publik; aferim për këtë vendim. Por, jashtë saj, secili proporcion shpenzues, secili target shpenzues, secili trajtim shpenzues, mbetet i majtë sa s’bëhet më.

Vetë ideja e transferimit të pronës private – parave të shndërruara në taksa – në asfalt publik, subvencione e asistencë sociale, bën këtë buxhet majtist. Nuk është marrë as mundi më i vogël pra, për të guxuar e menduar ndryshe, për ta ndarë e shpërndarë më ndryshe atë. Nga vazhdimi i megashpenzimeve për aparatusin shtetëror, deri tek dhënia blanko e subvencionimeve pa fije analize produktiviteti (mëshira mbetet kriter); nga mbështetja pa rezervë e kostove të superudhave, e deri tek mungesa totale e përkrahjes fiskale së bizneseve – pa harruar superndihmat për universitete publike e ndërmarrje publike – bëjnë këtë buxhet të majtë.

Madje vetë ideja e ndërtimit të një fondi që jep kredi – kur ke bankat për një gjë të tillë – bën gjithë ecjen tonë financiare në të majtë. Na duhet një freskim gjithsesi. E majta e të djathtëve nuk po ecën tash e sa vjet.

-4-

Logjika? Dy parti të djathta, me programe të shkruara si të djathta, në pak më shumë se njëqind ditë, bëjnë disa politika puro të majta. Madhësia e Qeverisë, progresiviteti i tatimeve e ngarkesa tatimore ndaj korporatave mbesin hiç më pak e hiç më shumë sesa të majta. Të majtit e Kosovës madje do të mbesin të kompleksuar në të ardhmen. Kanë shumë pak hapësirë për të bërë majtizëm më shumë.

Dhe si promovues i së djathtës, unë kam problem me një qasje të tillë. Atë në dy rrafshe. Në ta parin, që në një vend të ngarkuar me populizëm e majtizëm në vend të reformave të guximshme Reganiane e Thatçeriane, ne zhytemi dhe më shumë në populizëm e majtizëm ndaj sektorit privat. Në fund të fundit, e gjithë kjo aventurë paguhet nga një sektor privat që mezi mbijeton; por që përveçse duhet të taksojë një mekanizëm të madh joefikas, duhet edhe të durojë shtesa fiskale – paradoksalisht nga të djathtët. Kam dëgjuar njëherë një anëtar të rëndësishëm të Qeverisë së tanishme, i vetëdeklaruar si i djathtë, të thotë se majtizmin e përdorin sepse gjërat janë keq tani, dhe do të orientohen djathtë kur të përmirësohen ato. E kuptoni budallallëkun? Sikur e djathta për biznes na qenka e keqe për kohë të mira; e majta na qenka e mirë për kohë të këqija. Besimi në drejtim nuk shkon me faza e periudha; shkon me bindje se politika në fjalë do të mbjellë thjesht sukses.

Dhe në rrafshin e dytë, se nëse dy parti të djathta kanë programe të djathta, promovojnë ide të djathta, por marrin vendime të majta; këtu unë shoh shumë hipokrizi e padituri. Ose janë të majtë në bindje, por qëndrojnë në një ambient të djathtë – rrjedhimisht dhe hipokrizia; ose nuk kanë ide se çfarë përfaqëson e djathta dhe e majta në qeverisje – rrjedhimisht padituria. Nëse besojnë se e majta është zgjidhje e duhur, ta thonë qartë në orientim; nuk ka për t’i gjykuar kush, por së paku trajtohen e mësohen si të tillë. Nëse mendojnë se e djathta është zgjidhje, atëherë të lexojnë më shumë për të ngritur dijet e veta. E nëse ka dikush që pretendon irelevancën e ecjes djathtë apo majtë me politika, atëherë të mos merret me qeveri. Politika, lexues, është për t’u marrë mu me gjëra si këto. Padituria e inferioriteti i zhvlerëson ato.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...