Shfaqja e fundit

31 Tetor 2016 - 08:17 - Lumir Abdixhiku      

Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vjet më pas, për shkak se klasa jonë politike e korruptuar ka qenë e zënë me krim e jo me shtetndërtim, sepse primare ka qenë pasurimi i të vetëve, fëmijëve, motrave, vëllezërve e kushërinjve me akraba, ne kemi lënë kriminelët serbë të lirë, pa u përndjekur asnjëherë dhe kemi përfunduar me trajtimin disproporcional të krimeve në vend

-1-

I paprecedent është rasti i organizimit të seancave parlamentare për të diskutuar vendimet e gjyqësorit. Ndërhyrja e njërit pushtet, në tjetrin, në frymë apo dhe me qëndrim deklarativ mbetet praktikë e rëndë për sistemin demokratik tonin – për aq demokraci sa mund të ketë këndej.

Konfirmimi i dënimit për grupin më të rëndësishëm politik brenda PDK-së, atë të Drenicës, duket se ka nisur një përplasje të re brendapartiake. Përplasja duhet të jetë shkaktuar nga besimi i njërës palë se pasja e pushtetit nënkupton dhe paprekshmëri – ose në rastin më të drejtë të mundshëm korrektësi në trajtim – diçka që të dënuarit provojnë se s’kanë pasur në proces; dhe nga qëndrimi i palës tjetër që ka flirtuar me mbështetjen private për të dënuarit por ka abstenuar në secilin qëndrim publik. Deri më sot. Sot ky nivel i reagueshmërisë ngrihet në nivel Parlamenti.

Në esencë qëndrimi parlamentar është shfryrje publike – për përkrahje partiake – ndaj gjyqësisë që kanë ndërtuar vetë tash 17 vjet. Në esencë, qëndrimi parlamentar është blof, por i kushtueshëm shumë. Blof, sepse nuk ka asnjë mekanizëm demokratik në dorë të Parlamentit që mund të interferojë me një vendim prej gjyqi; i kushtueshëm, sepse intenca tregon fukarallëkun demokratik të kapësve këndej.

E as që dua ta paramendoj një situatë, kur një Parlament i një shtetit, do të nxirrte rezolutë e qëndrim që interferon me gjyqësinë. Për aq sa kanë gatishmëri, dije e vullnet të njëjtët, rezoluta s’do të ishte larg mendsh. Për aq sa kanë frikë nga pasojat ndërkombëtare, të rrimë të qetë.

-2-

Politizimi i proceseve gjyqësore do të jetë temë e vazhdueshme në muajt në vijim. Në të vërtetë, me afrimin e Gjykatës Speciale dhe rasteve që ajo do të trajtojë, Kosova do të përballet me tri reagime.

Në të parën do të jenë përkrahësit militantë, shenjtëruesit e gjithçkaje që ka qenë e luftës – të gjithçkaje pra pa përjashtim, absolutizëm hyjnorë – budallallëk. Do të akuzojnë kuzhina të ndryshme shërbimesh, do të akuzojnë media e mendues të pavarur, do të kthehen në termat e tradhtarëve e patriotëve e do të përfundojnë me kuzhina sërish. Të njëjtët sot janë ndarë në taborë të ndryshëm partiakë, duke përfshirë dhe në rritje madje edhe nacionalistët në opozitë; por në masë të madhe janë të rrumbullakuar rreth PDK-së dhe partive të krahut të luftës. Kapaciteti i tyre për të prodhuar trazira, megjithatë, është minimal. Çështja e arrestimeve të komandantëve nuk ka ngjallur asnjëherë reagueshmëri qytetare; tregues i mjaftueshëm i aversionit që të njëjtit kanë krijuar nëpër kohë.

Por trazira mund të krijojë reaguesit e dytë, politikanët e votuar nga militantët e tillë pra, të njëjtët që në njërën anë janë të painformuar mbi rrjedhat e Gjykatës dhe subjektet që ajo do t’i trajtojë (duke përfshirë dhe disa nga ta vetë); e në anën tjetër të pajisur mjaftueshëm me material negociues përballë ndërkombëtarëve e faktorëve të tjerë vendimmarrës në Gjykatë. Në ditën e nisjes së arrestimeve, do të fillojë dhe kërcënimi i tyre. Nëpërmjet kërcënimit do të provohet delegjitimimi i funksionit të Gjykatës; i trajtimit të saj si diçka e kundër luftës çlirimtare; ani pse me të trajtohen disa individë e jo një organizatë e tërë. Tjetër çka që të njëjtin shohin veten sa gjithë Kosova.

Reagimi i tretë do të jetë ai ndërkombëtar. Tregimet e padëgjuara këndej, herë sepse i kemi konsideruar si të pavërteta e herë sepse njëmend s’kemi besuar se do të ketë të tilla ndonjëherë, do t’i japin Kosovës një faqe të tmerrshme.

-3-

Në Kosovë, në fund të ditës janë vrarë dhe serbë. Familjarë, civil, të pafajshëm – bujq, mësues, ekonomistë, juristë, inxhinierë. Vrasja e tyre, përveçse ishin serb, është animalistike. E barabartë me vrasjet e bëra ndaj nesh. Dhe, sado që të duket joproporcionale, trajtimi i krimeve për shqiptarë e serb – dukje plotësisht e drejtë – ato megjithatë do të trajtohen, sepse s’janë trajtuar asnjëherë. E trajtimi i tyre sërish në vitin 2017, do ta bëjë Kosovën e Evropianëve të rinj vend të horrorit e tmerrit.

Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vjet më pas, për shkak se klasa jonë politike e korruptuar ka qenë e zënë me krim e jo shtetndërtim, sepse primare ka qenë pasurimi i të vetëve, fëmijëve, motrave, vëllezërve e kushërinjve me akraba, ne kemi lënë kriminelët serbë të lirë, pa u përndjekur asnjëherë, dhe kemi përfunduar me trajtimin disproporcional të krimeve në vend.

-4-

E zënë nga reagimi i brendshëm dhe nga imazhi i jashtëm, Kosova e qytetarët e saj do të përfundojnë në zgjedhje. Zgjedhjet mbesin përfundimi më logjik në gjithë këtë rrjedhë alogjike.

E para, sepse Qeveria – dhe Parlamenti – janë në pozitë të palëvizshmërisë. Çështja e fundit e madhe e trajtuar në vend, në rrethanat e tanishme, do të jetë Trepça. Ligji i veteranëve, Asociacioni, Demarkacioni kanë gjasën për trajtim sa të një topi bore në ferr. Në një status quo të tillë, ekzistenca e koalicionit të tanishëm është e pakuptueshme dhe, dorën në zemër, e panevojshme.

E dyta, sepse do të ishte e paimagjinueshme që PDK-ja të lejojë partnerin e saj qeverisës LDK-në, të mbajë pushtet gjatë kohës së arrestimeve të para të Gjykatës Speciale. Fillimisht sepse duan të jenë në pushtet kur kriza të ndodhë njëmend. Më pas, sepse “meritat” e funksionalizimit e largimit të bazës së vet nuk do t’i lërë tek kundërshtari tradicional i saj. Dhe kështu zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme, karakteristikë për secilin pushtet që nga shpallja e pavarësisë, kthehen si opsion real sot. Në këtë realitet vijnë dhe paralajmërimet e kreut të PDK-së.

Për Kosovën e qytetarët ka veç një kosto. Procesi i liberalizimit të vizave do të shtyhet; me të dhe funksionalizimi i MSA-së, një dokument i nënshkruar por i harruar kaherë. Të dyja bashkë, standardi i jetës dhe lëvizja e lirë e qytetarëve, përbëjnë çmimin e fundit që kosovarët do ta paguajnë për pazaret e kërcënimeve të kapësve.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...