Jemi larg

28 Nëntor 2016 - 08:17 - Lumir Abdixhiku      

Një Kosovë tragjike e komike

-1-
Odat janë bërë maskotat e zgjedhjeve të sivjetme në Drenas; një tregues i fukarallëkut tonë intelektual e shoqëror që s’na lëshon dot. Jo pse odat janë regresive si të tilla, përkundrazi, janë pasuri e shëndoshë e trashëgimisë sonë, porse fushatat elektorale të tilla, që përjashtojnë gra, vajza – e në secilën rrethanë dhe të rinj – shpërfaqin natyrën e marrjes së vendimit për votim këndej – të gjithë në grup, me delegim. Jemi, sinqerisht, larg shumë.

Por burrëria e zgjedhjeve të sivjetshme nuk është lajmi më i keq. Lajmi më i keq është manipulimi me kandidatë; kandidimi, presioni, tërheqja – e në fund mosaftësia për t’u tërhequr e kështu gara me veten, por duke kërkuar vota për të tjerë. Sado komike të duket një skenar i tillë, në vete mbërthen tragjedinë më të rëndë që Kosova ka krijuar vetë – kapjen. Sepse në kapje, integriteti personal formësohet e trajtohet pa hesapuar fare konsekuencat morale në shoqëri. Në kapje mund të bësh çfarë të duash, e në fund të duartrokitesh si kloun – të mendosh se je hero.

-2-

Në të vërtetë tragjedi-komedi ishte edhe refuzimi i PDK-së për të votuar buxhetin; dhe më pas ndryshimi i mendimit të tyre për të shkuar për ani pse në buxhet s’ishte ndryshuar asgjë. Natyrisht se një akrobacion i tillë politik ishte produkt i provokimit të zgjedhjeve. Në secilën rrethanë, mosmiratimi i buxhetit do të nënkuptonte me automatizëm shkuarjen në zgjedhje – është dispozitë ligjore e kushtetuese jona kjo. Rrjedhimisht, nëse do të kishte një gur mbështetës për në zgjedhje, atëherë i njëjtë do të niste nga buxheti.

Të mbesim të qartë. Buxheti i sivjetmë është ndër më të mirët që vendi ynë ka pasur nëpër vite. Nuk është më i miri i mundshmi, larg madje, por është shumë më i mirë se të mëparshmit. Dhe kjo për dy arsye bazë. E para, sepse vë kufizim në rritjen e pagave publike, një thes që rridhte para vazhdimisht. Një kufizim i tillë megjithatë tregon një pjekuri qeverisëse dhe mosshfrytëzim të mjeteve financiare për popullizëm që kushton shumë. Dhe e dyta, sepse vë refuzim në kompensimet e veteranëve.

Dhe listat e veteranëve, në vete janë tallëse publike ndaj së cilës tallje kemi filluar të jemi dhe tolerantë. Përderisa ne flasim këtu, në Kosovë janë bërë mbi 45 mijë përfitues në emër të veteranëve. Këta 45 mijë veteranë fiktivë, do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës, secilin vit, nga 100 deri në 110 milionë euro. Përgjatë gjithë kohëzgjatjes së jetës së tyre, këta veteranë fiktivë do t’i kushtojnë vendit tonë nga 2 deri në 2.5 miliardë euro. Dhe kjo është tragjikomedi serioze – e kushtueshme. Vendi ynë i varfër, do të duhet të akomodojë akraba fiktivë e të rrejshëm, të odave e mëhallëve, shfrytëzues të pataktë të shtetit e të publikes – në kurriz të lënies anash të shëndetësisë e spitaleve të tmerrshme, arsimimit analfabet e gjyqësisë së mjerë.

-3-
E gjyqësia – kjo e mjerë – bën tragjedinë më të rëndë tonën. Këtu s’ka komedi. Fillimisht, sepse, veç në Kosovë, një kryeprokuror nën vëzhgim prej 24 orëve nën orën e policisë, bëhet subjekt i një vjedhjeje. Për këtë, kryeprokurori madje, akuzon për papërgjegjshmëri e implikim vetë policinë. Sasia e vjedhjes nuk ka hiç rëndësi, sa ka rëndësi mesazhi që i dërgohet sot një kryeprokurori. Ky mesazh është i thjeshtë; se kryeprokurori është pasigurt edhe në shtëpinë e vet.

Kryeprokurori, ndërsa, duhet të kuptojë, se sa më parë që nisë betejën me kapësit e shtetit, aq më parë do të jetë i lirë ai, ne e gjithë të tjerët. Të kuptojë gjithashtu se në këtë përballje nuk mund të ketë kompromis, sepse kompromisi do të nënkuptojë partneritet me të njëjtët që s’respektojnë as të drejtën private në shtëpi e familje – për ta kufij nuk ka. Të kuptojë mbi të gjitha që s’është vetëm. Të mbushur me llafazanë avokatësh të kriminelëve, hajnave e kapësve të tjerë që s’na lënë dritë televizive pa mbushur me refrenet e tyre të zakonshme se “klienti im është i pafajshëm”, Kosova ka nevojë megjithatë për një hero; të anës tjetër. Kosova ka nevojë për një kryeprokuror që bën anën tjetër; që përndjek kapës e hajna barabar.

Derisa kjo nuk do të ndodhë, duhet pranuar se sistemi i drejtësi ka humbur gjithë kredibilitetin këndej. Fillimisht për shkak të selektivitetit të trajtimit të rasteve, e më pas edhe për shkak të papërgjegjshmërisë edhe në shfaqjet më flagrante të tij. Pra ky sistem s’është më as i barabartë për të gjithë e as i përgjegjshëm ndaj të gjithëve. Në rrethana si këto humbet dhe besueshmëria në vetë shtetin. Në gjithçka e çfarëdo që i njëjti prodhon. Mund të jetë diçka e mirë, edhe sikurse buxheti, e të trajtohet me plot skepticizëm.

-4-

Epilog. Në kronikën sportive të një televizioni nacional, shfaqeshin garat për Kupën e Kosovës në futboll. Në një stadium të rrethuar me shtëpi të papërfunduara jashtë, e me lloç më shumë se bari brenda, ndeshja luhej në mes të Flamurtarit dhe Australisë. Ndeshja nuk ishte ndërkombëtare; Australia ishte emri i një ekipi lokal në Kosovë. Kronika thoshte se loja ishte ndërprerë për pak në minutën e 81-të. Kamera kapte një fëmijë 6-7 vjeç që në gjithë lazdrimin e tij, po i binte duar e shqelma këmbëve – për aq sa mbërrinte me shtatin e tij – gjyqtarit anësor në lojë. Të afërmit e tij, të grumbulluar prapa telave mbrojtës, po shkriheshin në të qeshura e klithma. Fëmija u largua dikur, u hodh mbi telat mbrojtës disi, nga një lojtar i Australisë.

Jemi larg.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...