Mbi të pamundurën

15 Dhjetor 2014 - 08:41 - Lumir Abdixhiku      

Një paravlerësim i kompozicionit qeverisës dhe hapave të parë të tij

-1-

Nuk ka dyshim se bërja e Qeverisë – në çdo rrethanë – është më e mirë sesa mosbërja e saj dhe shkuarja përfundimisht për në dreq të mallkuar; siç dhe nuk ka asnjë dyshim se bërja e kësaj qeverie – në konstalacionin e tanishëm – është zgjidhja më e keqe e mundshme nga të gjitha alternativat në tavolinë; siç dhe kishin vetëdeklaruar protagonistët e saj deri në ditën e bërjes.

Prandaj, si rrallëherë, një qeveri e re, e presupozuar të nisë me entuziazëm e eufori, nis punën në defensivë e nervozizëm; të gjitha produkt i një deficiti moral. Deficiti moral është i natyrshëm kur ndryshohet diskursi i qëndrimeve e rrjedhimisht bëhet pikërisht e kundërta e promovimit të mosbërjes përgjatë gjithë ngritjes politike. Sepse bashkimi i LDK-së me rivalin e përjetshëm politik PDK-në, përkundër një kauze të votuar për mosbashkim, nënkupton edhe ndryshim kursi politik për këtë parti.

Në këtë ndryshim kursi kundërshtarët e akuzuar për vrasje bëhen partnerë; alternativat e akuzuara për krim e korrupsion bëhen burime të vullnetit të mirë; e secili tjetër që mendon ndryshe nga sot – njëjtë si gjithherë – bëhet kundërshtar e dashakeq. Natyrisht se ndryshimet e kurseve politike kanë për t’u matur e vlerësuar ndonjëherë; më së largu katër vjet nga sot; e kur të ndodhë ashtu do të kemi kohë mjaft e gjatë për të matur e peshuar vlerën e vendimeve të tilla.

Tani për tani mbetet fakt deficiti moral; dhe nga ky fakt buron edhe mbrojtja e vendimit për qeverisje që karakterizon ditët e para të qeverisë së re. Si në pishman e si në kërkim-falje ndonjëherë, aty-këtu nga disa edhe pa çarë kokën fort, Qeveria e re megjithatë futet në rrethanat më të vështira të mundshme politike që një qeveri mund t’i ketë; dhe ky është vetëm fillimi.

-2-

Seanca e parë parlamentare dha pikërisht këtë përshtypje; përshtypjen e një tensioni të vazhdueshëm që do të drejtohet ndaj partnerit të vogël të koalicionit, LDK-së pra, nga jashtë dhe nga brenda partisë, përgjatë katër vjetëve të ardhshëm (nëse ka mandat qeverisës për aq kohë). PDK-ja në këtë rrethanë mbetet gjithsesi më e relaksuar; pak ngase ka një imunitet të vazhdueshëm ndaj kritikës për keqbërje – sikur kritikët janë mësuar me të, është PDK-ja pra, s’pritet më mirë (sic) – pak ngase ka një nivel më të ulët të demokratizimit partiak prandaj dhe uniteti i pakontestueshëm për çfarëdo vendimi; dhe pak ngase për dallim nga të gjitha, megjithatë ka treguar gjithmonë konsistencë – ajo nuk ka refuzuar asnjë parti deri në bërje.

Dhe në këtë relaksim, PDK-ja gjen kohë e luks për të mbrojtur rivalin e vet nga kritikat e para parlamentare dhe shoqërore – paramendojeni këtë. Në gjithë atë hallakamë akuzash për krim, spiunazh e zaptim nga “shikizmi”, PDK-ja gjen kohë të mbrojë partnerin e saj në vend të vetes. Në stilin e keqardhjes të përcjellë me spekulim madje, stil tanimë i zakonshëm i provincialitetit politik që e kanë mbjellë këndej ish-kryeministri, tash zëvendëskryeministër, mbron LDK-në duke provuar t’i vërë të gjithë në një rang të njëjtë – duke i bërë pra të gjithë të ligj.

Kështu ai nxjerr disa letra të bardha në foltore – jep dy a tri spekulime – për t’u larguar më pas nën qeshjet cinike të zakonshme të vetëkënaqësisë prej të pandershmes e manipulimit.

Kjo mbrojtje dhe të tjerat që do të vijnë më pas nuk i bëjnë hair LDK-së. LDK-ja duhet të kuptojë se ditën që PDK-ja i mbron ata, ditën që PDK-ja ndien keqardhje për ta, dhe ditën që PDK-ja jep argumente satisfaksioni për ta, i kanë punët keq e rëndë; jashtëzakonisht rëndë madje; nëse ka ku të shkohet më keq e më rëndë sesa është sot gjithsesi.

-3-

Fotografia e parë e Qeverisë së re të jep një përshtypje të një përbërjeje kryesisht akademike; për çka edhe u ritheksuan në vazhdimësi termat “doktor” gjatë prezantimit. Qeveria e re gjithashtu të jep përshtypje për një ekspoze bukur të detajuar të aktiviteteve të planeve – të cilat – dorën në zemër, po u bënë do të bëjnë mrekullinë.

Por mrekullitë qeverisëse në realitetin e tanishëm janë pothuajse të pamundura; sidomos kur në to ke pikërisht promovuesit e antimrekullisë (prandaj dhe kundërshtimi shoqëror). Kjo për disa arsye të rëndësishme; e para, për përbërjen e vet Qeverisë. Pra kjo qeveri e re, që i bën bashkë në një dy rivalë që nga natyra do të duhej të ishin pra dy, do të ketë sfidë të veçantë funksionimin si një organizëm unik dhe pa çarje.

Fillimisht sepse në të gjenden dy kryeministra – varësisht se nga cili kënd i vëzhgon njëri është mbi tjetrin – e më pas sepse në të rivaliteti i natyrshëm dhe historik do të dominojë mbi nevojën për unifikim. Ky paralelizëm është provuar të zbutet nëpërmjet mospërfshirjes së individëve nga të dyja palët që kanë ngjallur aversion për palën tjetër – një lloj mirëkuptimi i dyanshëm – gjithsesi, tensioni dhe nevoja për dominim ndaj tjetrit është aty.

E dyta, sepse kjo Qeveri ka të gjithë ministrat e PDK-së, pra gjysmën e saj, njerëz tashmë të provuar, të cilët me të gjitha politikat e tyre ekonomike, politike e sociale kanë sjellë ngecje, migrim e dezintegrim. Gjysma tjetër e ministrave të LDK-së, ndërkaq, janë njerëz po ashtu të provuar dhe larg nga premtimi i përgjithshëm për reformë qeverisëse.

Pjesa e mbetur, ndërsa, jo e provuar, megjithatë nuk përbën ekipin e ëndrrave që kjo parti ka më vete; në disa raste ata madje janë tërësisht anonimë. Ekonomistë, juristë e njohës të sigurisë – nga më të mirët madje – mbeten jashtë; shumë nga ta për shkak të një idealizmi e konsistence që vazhdojnë ta mbajnë, e pak nga ta për shkak të mbajtjes së inatit për mospërfshirje qeverisëse.

E treta, sepse kjo Qeveri merr timonin në situatën më të rëndë shoqërore në të cilën është gjendur Kosova ndonjëherë. Gjykata speciale, asociacioni i komunave serbe, dialogimi me Serbinë përbëjnë vetëm disa nga temat me të cilat kjo qeveri e re do të nisë ditët e para të saj – dhe këto nuk janë zgjedhjet e saj madje. Zgjedhjet e saj do të orientohen nga vala e migrimeve, rritja e pagave, privatizimet e aseteve, papunësia (e premtuar në margjinat e panatyrshmes) e varfëria e skajshme. Për t’u dhënë rend pra këtyre temave, kjo qeveri përbërjen e saj do të duhej ta kishte në nivelet e saja të ekselancës; e që nuk e ka.

-4-

Natyrisht do të ishte interes i vendit që një qeverisje e re të superperformojë; të realizojë të gjitha ato pika e premtime në tërësi. Pra do të ishte interes nacional performanca e mirë e Qeverisë; kjo nuk ka dyshim. Zakonisht qeverive të reja u jepen njëqind ditët e para për të bërë matjen e parë; por kjo qeverisje nuk i ka aq. Kjo qeverisje, për më tepër pra, nis rrugëtimin me deficit. Dhe në këtë deficit, në vend të shpërthimit, bën hapat e parë tërësisht gabim. Jo shumë për nga përbërja e qeverisë sa për nga madhësia e saj.

Si Qeveria më e madhe në Evropë – ajo e shkuara pra – meritonte shkurtim; jo zgjerim, siç na ndodhi këtë herë. U deshën karrige shtesë parlamentare për të akomoduar besoni ose jo plot 21 ministri. Do të duhen para shumë për të akomoduar dhe nga dy a tre zëvendësministra, plot këshilltarë politikë, administrues e shoferë të tjerë. Një vit nga sot, në një kolumne si kjo, kisha prezantuar idenë e jo më shumë se dhjetë ministrive; aq sa mund të grumbullohen të gjitha sot. Sepse përveç funksionalitet më të mirë, e kursimit më të madh, një qeverisje e tillë do të jepte shenjat e para se reformimin e kanë njëmend.

E reformimi nuk nënkupton vetëm sjelljen e një çerek njerëzve më ndryshe në qeveri, por ndryshimin e vet modelit të qeverisë e qeverisjes. Prandaj themeli mbi të cilin është ndërtuar ky bashkim – dhe hapat e parë të tij – janë larg nga e nevojshmja dhe e domosdoshmja për të cilën aq shumë kishim nevojë. Gjithsesi kanë katër vjet kohë të na dëshmojnë ndryshe.

abdixhiku@facebook.com
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...