Mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit

2 Nëntor 2015 - 08:38 - Lumir Abdixhiku      

Një relacion i tregtisë së lirë me BE-në nuk ka alternativë; jo nëse mendojmë se integrimi evropian është cak përfundimtar. Çështja është se ne kemi një orë kohë që po ecën mbrapshtë, dhe përfundimi i kësaj kohe nuk guxon të na gjejë siç jemi sot.

-1-

Këndej as nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk u kalua pa ngjyrosje partiake. Këndej gjithçka tashmë është bërë parti-politikë; natyrisht përcjellë me një dozë të padurueshme polarizimi. Së këndejmi, as edhe një marrëveshje politiko-ekonomike nuk u trajtua në debatet shoqërore politike brenda kornizave të argumenteve e gjetjeve – pse jo – edhe të ndryshme. U trajtua më tepër si një fotografi pompoziteti nga nënshkruesit, dhe si një zhvlerësim patetik nga kundërshtarët e tyre.

Këta të fundit madje nga inati më tepër sesa nga mosdija argumentuan se marrëveshja na sjell dëme, se qenka jo e plotë e se – sepse nuk na njeh dikush – edhe nuk qenkemi shtet. Argumente të njëjta, ç’është e vërteta, dëgjojmë secilën ditë nga fqinjët tanë në veri. Të njëjtit na thonë se derisa nuk na njohin ata dhe disa miq të tyre, ne nuk jemi shtet. Kosova është shtet. Njohjet, që nuk i kontrollojmë dot, nuk e zhbëjnë këtë fakt.

Për secilin qëndrim politik në Kosovë që shpreh pretendime të anëtarësimit në BE, nënshkrimi i MSA-së si proces nuk ka alternativë. Prandaj dhe kundërshtimet e marrëveshjes mbesin të pakuptimta. Kundërshtimet e humbjeve tregtare, të dëmeve financiare, të humbjeve buxhetore (që u shtruan ndër të tjera) si argumente kundërshtuese të nënshkrimit të marrëveshjes, janë bukur hipokrite. Përderisa në njërën anë pretendon anëtarësim në BE, e në anën tjetër kundërshton marrëveshjen duke theksuar humbjet – nuk është se ke ide çfarë bën.

Në argumentin tjetër plotnia e shtetësia, sado të rëndësishme në politikën tonë të brendshme, mbesin sinqerisht me shumë më pak relevancë në procese që nuk arrijmë t’i kontrollojmë dot. Tani më nuk është risi refuzimi i njohjes së Kosovës nga pesë shtete të BE-së; dhe për habinë tonë të madhe – habi që buronte nga një mbioptimizëm i ditëve të para të paspavarësisë – ngurtësimi i mosnjohësve është megjithatë serioz e në rritje. Kosova, me gjithë mekanizmat e vet shoqërorë, politikë, kulturorë e çka tjetër, ka gjasa të vogla – për të mos thënë fare – të ndikojë në bindjet e, le të themi, Spanjës rreth njohjes tonë ose jo. Secili amator politik që ndjek sipërfaqësisht ngjarjet atje dhe hiç më shumë, kupton se të gjitha rrjedhat separatiste në Spanjë, që po fuqizohen e jo zhbëhen, kanë larguar njohjen e Kosovës nga ta edhe më shumë. Dhe përderisa ka vetëm një vend anëtar i BE-së që nuk e njeh vendin tonë si shtet, atëherë – dhe fatkeqësisht – anëtarësimi ynë në BE e njohja jonë si shtet nga BE – do të jetë e pamundur. Ky është fakt.

Fakt gjithashtu është se mosnjohja e Kosovës si shtet nga BE-ja nuk do të thotë se ne duhet të refuzojmë secilin proces – secilën shkallë pra – të anëtarësimit eventual atje. E fakt është gjithashtu se kapërcimi i pengesave si këto, blerja e kohës pra, nuk na ndalon neve e as përkrahësve tanë, të ndërtojmë një shtet të zhvillimit, drejtësisë e mbarësisë – një shtet evropian pra, që nesër do të bindte edhe një refuzues këmbëngulës si Spanja.

-2-

Përderisa skena politike u mor me argumentime sipërfaqësore, debatet e njëmendta për MSA-në megjithatë morën trajtë në diskutimet mediatike. Në përgjithësi, pjesa më e madhe e argumentuesve MSA-në e kuptonte si një hap politik – të rëndësishëm madje – në rrugën e integrimit e formësimit të Kosovës drejt BE-së, dhe – natyrisht – si një hap ekonomik që po nuk u shfrytëzua mençur mund dhe të jetë i padobishëm.

MSA, për pjesën më të madhe të saj, mbetet një marrëveshje tregtare; e tregtisë së lirë – siç dhe kemi me secilin vend tjetër në rajon. Kosova, ç’është e vërteta, ka pasur deri më tani relacione të tregtisë së lirë – të njëanshme pra – me vendet e BE-së. Por nuk ka pasur asnjëherë formalizim afatgjatë e të dyanshëm të tregtisë së lirë. Përderisa produktet e Kosovës kanë mundur të eksportohen lirshëm për në BE, ato të BE-së janë obliguar t’u nënshtrohen tarifave doganore në Kosovë.

Një nënshtrim i tillë ka pasur dy efekte. I pari, se nëpërmjet doganimeve të produkteve e shërbimeve nga BE-ja, Kosova ka gjeneruar të hyra buxhetore. I dyti, se duke shtuar një tarifë shtesë doganore mbi këto produkte evropiane, ato janë bërë më të shtrenjta në Kosovë. Janë bërë pra më të shtrenjta për aq sa është paguar doganë mbi to. Fakti se me MSA-në, Kosova dhe BE-ja do të heqin këto tarifa, nënkupton – natyrshëm – se Kosova, lidhur me argumentin e parë, do të inkasojë më pak të hyra doganore; dhe se, lidhur me argumentin e dytë, do të ketë produkte më të lira evropiane për qytetarët e saj.

Një relacion i tillë, i ndikimit të drejtpërdrejtë e të tejthjeshtuar, nënkupton se paratë e mbledhura si doganë për këto produkte e të mira nuk do të qëndrojnë në buxhet, por në xhepin e kosovarëve. Në fund të fundit, koston e doganave e paguanin qytetarët kosovarë. Për të amortizuar një rënie drastike të të hyrave buxhetore, negociatorët tanë kanë paraparë masa përjashtuese për disa produkte. Për shembull, jo të gjitha veturat do të lirohen nga doganat. Lirimi doganor për veturat që vijnë nga BE-ja (pak a shumë për të gjitha veturat që vijnë në Kosovë) do të bëhet nëpër faza e vite. Në vitin e parë – për shembull – do të lirohen vetëm veturat e reja, të sapoprodhuara. Nëpër vitet tjera do të lirohen edhe ato të mbetura – gradualisht, sipas viteve të prodhimit. Ky programim i jep mundësi Kosovës që të zëvendësojë të hyrat buxhetore të painkasuara për shkak të këtij ndryshimi me burime alternative.

Një relacion i tillë gjithashtu nënkupton se produktet evropiane do t’u bëjnë konkurrencë të gjitha produkteve regjionale, nga ku Kosova sot importon pjesën më të madhe të produkteve. Në radhë të parë, produktet nga Serbia e Maqedonia, që deri dje ishin më të lira e më konkurruese sesa ato evropiane (për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që Kosova kishte me këto dy vende e jo me BE) do të përballen me konkurrencë më të rëndë. Pas marrëveshjes, edhe produktet nga BE-ja do të jenë pa shtesa doganore. Në kuptim të cilësisë së produkteve që kosovarët konsumojnë, kjo bën një lajm të mirë. Sepse ne do të marrim produkte e shërbime evropiane – që supozohen si më të mira se këto rajonale – për çmime më të lira sesa i merrnim më parë.

MSA-ja gjithashtu do të vazhdojë të mbajë të hapur tregun evropian për prodhuesit kosovarë; siç dhe ka mbajtur deri më tani; dhe në këtë drejtim do të hiqen e zvogëlohen kuotimet për disa produkte që kanë pasur kufizime në sasi. Për bizneset që tashmë kanë ndërtuar relacione të mira eksporti për në BE, një hapje e tillë përbën lajm jashtëzakonisht të mirë.

-3-

Por MSA-ja nuk vjen si një dhuratë pa bisht. Bishti i saj nënkupton edhe rritjen e konkurrencës së prodhuesve vendorë, nga një treg shumë më i fuqishëm e shumë më i mirë. E vërtetë se konsumatorët kosovarë do të marrin pra produkte më të mira e më të lira nga një treg evropian, por prodhuesit e tyre, prodhimet vendore pra, do të marrin para e konsumatorë më pak. Për një ekonomi si kjo e jona që ka dëshmuar në vazhdimësi se pa një ndryshim pozitiv të bilancit tregtar nuk do të ketë rimëkëmbje të mjaftueshme, një relacion i tillë nuk mbetet fare i mirë.

Për këtë arsye është e domosdoshme që marrëveshja të përcillet me politika adekuate që stimulojnë prodhimin e krijimin vendor. Lajmi i keq është se me politikat ekonomike të deritanishme, të asfaltit e pagave publike, një rritje e tillë e prodhimit e krijimit vendor ka qenë e pamundur. Serish, me vetë kornizën e marrëveshjes, disa produkte kosovare mbesin të mbrojtura, por në masë të madhe, pjesa tjetër e tregut është e ekspozuar tërësisht. Për më tepër, nëpërmjet fondeve të BE-së, rreth 650 milionë sosh, për disa vjet të ardhshëm do të provohet rritja e kapaciteteve të brendshme në mënyrë që prodhimi e krijimi vendor të jetë sa më konkurrent me atë evropian. Pra, MSA-ja provon që me mekanizmat e vet e me financimet përcjellëse të barazojë sa më shumë që të jetë e mundur efektet në periudhën afatshkurtër – për të shpresuar gjithsesi, se gjatë kësaj kohe kosovarët do të jenë mjaftueshëm të mençur që të gjejnë politika afatgjate që krijojnë prodhim e krijim konkurrues.

Sërish, një relacion i tregtisë së lirë me BE-në nuk ka alternativë; jo nëse mendojmë se integrimi evropian është cak përfundimtar. Çështja është se ne kemi një orë kohe që po ecën mbrapshtë, dhe përfundimi i kësaj kohe nuk guxon të na gjejë siç jemi sot.

-4-

Për mendimin tim, studimi më domethënës i bërë në Kosovë për relacionet tregtare të Kosovës me BE-në, ku edhe bie ndikimi i MSA-së, është ai i dy miqve dhe kolegëve të mi, ekonomistëve Petrit Gashi dhe Geoffrey Pugh. Në vitet 2013 e 2014, të dy duke përdorur të dhënat tregtare të Kosovës me BE-në për tetë vjetët e fundit, kishin ndërtuar një model ekonometrik të “gravitetit” për të parë efektet eventuale të MSA-së. Punimi empirik i publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur ishte prezantuar në Kosovë muaj më parë – shumë më herët sesa MSA-ja të merrte hapësirat qendrore të diskutimeve publike këtu.

Në këtë punim autorët kishin gjetur të pritshmen. Marrëveshja përveçse do të hapë një treg të ri për 90% të produkteve kosovare, ajo do të shpërfaqë Kosovën për investitorët e huaj si një vend me gjasa atraktive më të mëdha. Në fund të fundit, e drejta për të eksportuar lirshëm dhe pa kosto doganore për në BE për të gjitha produktet e krijuara këndej, është mundësi e mirë për shumë investitorë. Një mundësi të tillë e kishim dhe më parë, me masat preferenciale pra, por gjithsesi, rritja e afatit aplikues e bën këtë mundësi më të garantuar. Në të njëjtin studim, autorët theksojnë se barrierat kryesore për bizneset kosovare pas nënshkrimit të MSA-së mbeten ato teknike – më të rëndësishmet, ato të ndërlidhura me kualitetin e produkteve. Pra, në fjalë të tjera, përputhja në kualitet dhe standarde evropiane është parakusht për secilin eksport potencial. Jo gjithçka që do të prodhohet këtu mund të eksportohet për në BE. Mbi të gjitha, autorët gjejnë se me bazën e tanishme të prodhimit, me një sektor privat të nënzhvilluar, me aktivitet të ulët të ndërmarrësisë – pra me determinantët kryesorë të eksporteve e konkurrueshmërisë në nivele jo të mira – Kosova nuk mund të përfitojë mjaftueshëm vetëm me aktin e nënshkrimit.

Modeli i tyre i gravitetit, që ndërlidh rrjedhat tregtare me madhësinë e ekonomisë (të matur me Bruto Produktin Vendor) dhe në mënyrë inverse me kostot e tregtisë (për shembull distancën) kishte gjetur disa elemente të zakonshme e të pritshme në rrugën e tregtisë së lirë ndërkombëtare.

Së pari, sipas studimit, historia e marrëdhënieve tregtare ka rëndësi shumë. Trendi dhe modeli i tanishëm i eksporteve të Kosovës ka gjasa të vazhdojë njëtrajtësisht pas nënshkrimit të MSA-së. Me fjalë të tjera, tregjet e tanishme si destinacione të produkteve kosovare do të forcohen më shumë, përderisa kyçja në tregje të reja në BE do të jetë më e vështirë. Së dyti, në përpjekjen për të matur efektet e të ardhurave evropiane në eksportet kosovare – nëpërmjet aplikimit të “Dynamic Poisson Model” – autorët argumentojnë se rritja e të ardhurave kombëtare nuk korrespondon me rritje të lartë të kapaciteteve eksportuese. Pra, ka – dhe duhet të ketë – elemente të tjera që nxisin eksportet tona përtej rritjes së të ardhurave në BE. Së treti, ka një gjetje të forcuar mirë se distanca e tregjeve luan rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për eksportet e Kosovës në EU. Vendet më të largëta në distancë gjeografike kanë gjasë më të ulët të ndërlidhjes tregtare me Kosovën. Së katërti, efekti i diasporës kosovare është jashtëzakonisht i rëndësishëm për eksportet e Kosovës. Shtetet e BE-së me prezencë të madhe të diasporës kosovare kanë tendencë të pranojnë më shumë produkte e shërbime nga Kosova.

Në vija si këto, them se do të jenë dhe pritjet e relacioneve të reja ekonomike në mes të Kosovës dhe BE-së.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...