9 Qershor 2014 - 09:09 - Lumir Abdixhiku
Ka rastisur ndoshta, që fillimi i kësaj kolumne të ndërlidhet me fillimin e mandatit të kësaj qeverisjeje. E sa herë kthehem prapa nëpër koleksionin e artikujve të shkruar këtu e çdo të premte, arrij me lehtësi të nxjerrë një emërues të trishtë të përbashkët – gjithmonë nga këndvështrimi im natyrshëm që jo domosdo duhet të jetë i drejtë. Por ja që i besoj percepcionit tim nëpër kohë, dhe kështu çdo kthim nëpër kohë nuk më bëhet fare i këndshëm; në të vërtetë më bëhet shumë i pakëndshëm dhe shumë i rëndë.
Sepse në tre-katër vjet të shkuar nuk arrij të nxjerr as edhe pak brumë për të falur e arsyetuar qeverisësit e tanishëm, antirepublikanët e Kosovës. Një shkret i tërë nga bëmat e trishta të një grupi zaptuesish pa takt.
I shoh si antirepublikanë. Çdokush që sot djeg kontributin e vet të bërë katërmbëdhjetë vjet më parë, në këmbim të zaptimit e pushtetit regresiv katërmbëdhjetë vjet më pas, bëhet antirepublikan. Sepse përpjekja ndaj shtetit nuk është matematikë mbledhjesh e zbritjesh, plusesh e minusesh, apo ngritjesh e rëniesh varësisht kohëve për të dhënë në fund një bilanc përfundimtar; përpjekja ndaj shtetit është ecje njëtrajtshme, e pandalshme, e pazbritshme e parënëshme – gjithmonë njëdrejtimëshe. Sepse çdo ndalje, zbritje apo rënie është antirepublikane për aq kohë sa parandalon kontributin e tjetrit për republikanizëm.
Republika nuk fal; dhe të tillët që kanë marrë peng fatin e një vendi të tërë për të vënë veten para atdheut, do të zihen nga mallkimi i saj kurdoherë. Këtë të diel, këta të fundit që vënë sërish veten në provë para nesh, meritojnë – them unë – zënie nga mallkimi fillimisht nga ne.
***
E pas tre-katër vjetëve reflektimesh, nuk kam ndërmend të mos mbaj anë. Do të mbaj anën e gjithçkaje që duket si antipushtet, pra gjithçka që kundërshton antirepublikanizmin e mbjellë në tre-katër vjet. Sepse po u bë ndryshe, ky vend do të marrë përfundimisht rrugë të mbrapshtë e pa kthim; sepse zaptuesit e antirepublikanët do të marrin zemër e vrull me padije se e kanë mbarë e mirë. Prandaj dhe do të sillen më keq, më ligë e më mbrapshtë; sepse do të mendojnë se e kanë mirë; kur nuk e kanë hiç.
Dhe nuk di se kush mund ta ndryshojë Kosovën për mbarë; nuk kam përgjigje. Në tre-katër vjetët e shkuar ne nuk patëm asnjëherë opozitë të denjë për të marrë notë perfekt, dorën në zemër. Por ndoshta edhe nuk ka alternativë perfekt, ndoshta dhe nuk do të ketë asnjëherë. Ndoshta do të duhet të zgjedhim të keqën më të vogël nga një grumbull alternativash joperfekt sa për të mbajtur gjallë ciklin e rifreskimit dhe ndjenjën e dhënies së përgjegjësisë.
E rëndësishme, ç’është e vërteta, është se ky pushtet – me gjithë koalicionin destruktiv qeverisës që në vete ka – meriton opozitën. Disa për t’u pensionuar përjetësisht, të tjerët për të pasur kohë mjaftueshëm për vetëreflektim. Jo vetëreflektim nga njerëz të ligë e mendjezi, por nga forcat progresive, të vullnetit të mirë që mund t’i kenë diku në vete këto parti. Në fund të fundit, opozita i bën hair secilës ide e secilës alternativë.
***
Rrëzimi i pushtetit sot është akt patriotik. Sepse përveç rikrijimit të dinjitetit në vend, zhbërjes së izolimit nga jashtë e kthimit të shpresës për të gjithë, me pushtetin e rënë do të marrin fund edhe gjithë anomalitë e tjera të bëra e ribëra për katër vjet rresht. Me pushtet do të bjerë edhe propaganda e gërditshme në RTK, edhe analfabetizmi i rrahagjokësve në UP, edhe nepotizmi i militantëve në PTK, edhe mjerimi i burokracisë në QKUK, edhe zaptimi parapolitik në gjyqësor, edhe kapja e rendit në polici, edhe spiunazhi partiak në SHIK-o-AKI; do të bjerë gjithçka e bërë mbrapsht në katër vjet kohë. Pra me rënien e pushtetit fillon zhbërja e zaptimit të shtetit; fillon vetë shteti. E nuk ka akt më patriotik – dhe nuk do të ketë – sesa bërja e shtetit sot.
Prandaj lexues të kësaj kolumne, nuk e kam ndërmend të bëhem i paanshëm; përkundrazi do të marr anë kundër pushtetit më të ligë të mundshëm që ka pasur Kosova që nga çlirimi. Prandaj lexues të kësaj kolumne, kur t'i afroheni kutisë së votimit këtë fundjavë, kujtoni si asnjëherë më parë se Republika e re jona meriton mbrojtje. Jo harresë, jo neglizhencë, jo komfort, por mend, besë e ngulm - për Republikën, nga republikanëdashësit.
Sepse në katër vjet të shkuar i erdhi rendi e kuti secilit cub të paditur e të pavlerë të ushtrojë gjithë vrerin, padhembshurinë e injorancën në Republikën tonë të re; si të mos ishte jona - si të mos ishte e re. Në katër vjetët e shkuar e rropën fillimisht me hajni, e falën duke u zgërdheshur, e mbyllën nga bota me marri, e varfëruan në fund me themel. E shqepën dhe e qepën me arnim një shtet që kishte plot shpresë; na lanë pa dinjitet e pa integritet, neve, të tjerët, Republikën, por jo veten.
Prandaj, nëse je republikandashës e gardian i Republikës, nëse e ndien veten zot të Republikës, ngrihu më 8 qershor e fol në emër të Republikës. Fol me votë derisa cubat të përfundojnë në burg, zaptuesit në çnderim, prepotentët përtokë, e gjithë keqpërdoruesit në dreq të mallkuar. Ky vend nuk guxon të mbesë sërish peng i një grushti parazitësh me mendje të prishur e shpirt të sëmurë.
[email protected]
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...