8 Dhjetor 2014 - 09:39 - Lumir Abdixhiku
Renditemi në nivel të njëjtë me Etiopinë e Malavin, më keq se Xhibuti e Moldavia, më mirë se Bjellorusia e Tanzania. – renditemi mjerueshëm. Pra Kosova renditet sivjet në po të njëjtin vend, në vendin e 110-të sikurse katër vite më parë; për të shpërfaqur kështu dhe gjithë trendin e (mos)ecjes sonë në katër vite të plota
Saktësisht katër vite më parë, kur për herë të parë matej percepcioni i nivelit të korrupsionit në Kosovë nga – pa diskutim – organizata më kredibile ndërkombëtare për matje të tij, “Transparancy International”, pra Kosova renditej në vendin e 110-të nga gjithsej 175 shtete. Në vitin e parë të matjes, kur nuk kishim ndonjë bazë krahasuese me vetveten, ndonëse i trishtë, lajmi për një nivel të tillë megjithatë mbetej pa një storie përcjellëse.
Sepse, nëse përpjekjet për të reduktuar nivelin e trishtë të korrupsionit ndodhnin, atëherë trendi eventual pozitiv mund të zbuste pretendimet për më tepër angazhim. Në këtë kohë lindën qëndrimet deklarative të “tolerancës zero ndaj korrupsionit” që kryeministri – dhe i gjithë kabineti i tij përcjellës – i shqiptonin si në përmendësh. Në vitin e dytë të matjes, Kosova kishte humbur 2 vende; po renditej në vendin e 112-të; duke provuar kështu bindjen e përgjithshme se të gjithë deklaruesit e “zero tolerancës” ishin pikërisht promovuesit e toleruesit e vetëm të korrupsionit.
Se nga institucionet publike, nga vetë menaxhuesit e parasë publike, buronte keqpërdorimi i pasurisë publike. Në vitin e tretë të matjes, pra në vitin 2012, Kosova kishte lëvizur për plot 7 vende në luftimin e korrupsionit; duke u renditur kështu në vendin e 105-të nga gjithsej 175 shtete. Ndonëse alarmant niveli në mbi njëqindtësh, konferencat për shtyp, promovimet mediatike e gjuetia tjetër për merita nuk kishte të sosur. Ministra, zëvendësministra, e çka jo tjetër, po renditeshin njëri pas tjetrit për të marrë nga pak hisen e vet të vëmendjes.
Në këtë lëvizje, dhe hiç më shumë, të gjithë, pa përjashtim, gjenin motivin e një quazizhvillimi ekonomik, të një qeverisjeje të pastër që “zero toleruesit” na e thoshin në vazhdimësi – ishim të marrë e të mjerë që nuk po e shihnim ne. -2- Natyrisht se nuk kishte përmirësim të angazhimit kundrejt korrupsionit; nuk ishte nisur asnjëherë. Prandaj dhe në vitin vijues, në vitin 2013, Kosova renditej në vendin e 111-të.
Të gjithë ato tryeza, takime ndërministrore, këshilla antikorruptive nga Presidentja, të gjitha pra ato qëndrime e bindje kundërkorrupsion, ishin kthyer në hiçgjë; ne sapo kishim shënuar rekordin personal më të rëndë të rangimit korruptiv nëpër botë. Si përgjigje ndaj rangimit – dhe këtu fillon perla e budallallëkut tonë politike – në vend të pranimit e luftimit të paaftësisë kundërkorrupsion, lindën gjykime mbi percepcionin, si kut i matjes së nivelit të korrupsionit.
Kështu, qatipë e mendimtarë brutalë qeveritarë, po edukonin njërën ndër metodologjitë më të zakonshme botërore të matjes së korrupsionit; pikërisht pra percepcionin. Të gjitha ato punime, analiza, kritika e reflektime metodologjike të matësit të korrupsinit – që zënë vend e komfort të mjaftueshëm mes shkencës e edukimit e politikës – po kontestoheshin nga disa thatanikë të mendjes allakosovarçe që me stilin e “rabushit” e “tahminit” po jepnin versionin e tyre të shkencës. Gjithsesi, kjo kishte pak rëndësi.
Rëndësi kishte gjithmonë se të gjitha paraqitjet kozmetike nga pjesëmarrës tryezash e diskutimesh ishin një akt farse e shfaqjeje teatrale para një publiku që po zhvatej e thahej vazhdimisht nga po të njëjtët aktorë. Mbaj mend të kem thënë asokohe se e vetmja formë e parandalimit të korrupsionit në Kosovë do të ishte sikur pjesëmarrësit e po atyre tryezave e promovimeve anti-korrupsion të mbaheshin përgjegjës për korrupsion. -3- Këtë vit, gjithmonës sipas organizatës më prestigjioze për matje të korrupsionit “Transparancy International”, Kosova dhe Shqipëria renditen të dyja njëjtë në vendin e 110-të (nga gjithsej 174 shtete); disproporcionalisht më keq e më rëndë se gjithë regjioni e Evropa.
Renditemi në nivel të njëjtë me Etiopinë e Malavin, më keq se Xhibuti e Moldavia, më mirë se Bjellorusia e Tanzania. – renditemi mjerueshëm. Pra Kosova renditet sivjet në po të njëjtin vend, në vendin e 110-të sikurse katër vite më parë; për të shpërfaqur kështu dhe gjithë trendin e (mos)ecjes sonë në katër vite të plota. Pra, për katër vite të tëra, politikanët tanë që ishin gjithnjë me gojë plot nuk kanë bërë asgjë serioze për parandalimin dhe zvogëlimin e korrupsionit që buron mu nga institucionet që i drejtojnë ata.
Dhe nuk do të bëjnë asnjëherë asgjë përderisa njerëzit e njëjtë, që mbajnë hajninë e vjedhjen në stad të njëjtë, shpërfaqen si protagonistë të kundër hajnisë e ligjit. Ky shtet ka mbetur në nivel të njëjtë në katër vjet; prandaj dhe migrimi, prandaj dhe mosliberalizimi, prandaj dhe ngecja. Janë plot katër vite të humbura për ne. Janë të humbura, sepse, sjellja korruptive e bërë tashmë si normë e zakonshme shoqërore prodhon jo vetëm imazh të rëndë e frikësues për investitorët të jashtëm, sikurse ishte rasti i një fabrike gjermane që i kërkohet hise në pronësi nga politikanët tonë për të përfunduar kështu në Maqedoni me 4.000 vende të reja pune, por prodhon edhe fuqizim të kapjes së shtetit nëpërmjet mbajtjes në fuqi të po të njëjtëve që prodhojnë korrupsionin.
Pra janë individë e grupe të njëjta që jo vetëm se nuk parandalojnë aktivitetet korruptive në vend ndaj gjithçkaje që është publike, por i nxisin dhe stimulojnë ato edhe sikur ato vetvetiu të ndaleshin; që nuk kanë për t’u ndalur kurrë. Për më tepër, këta individë e grupe, që nëpërmjet korrupsionit kanë ndërtuar perandori biznesore, jo vetëm që dëmtojnë shëndetin ekonomik të Kosovës nëpërmjet ofrimit të konkurrencës së padrejtë, por edhe bëhen barriera të pathyeshme për rimëkëmbjen ekonomike tonën.
Prandaj na duhet një dorë e hekurt; një që thënë këtë cikël ngatërrues me veten dhe ngufatës me progresin tonë ekonomik. Një dorë e pastër që nuk kapet nga mbas e që guxon t’i vërë në rend për në burg secilin që ka mbajtur dhe mban peng fatin e një vendi të tërë. Këtë dorë nuk kanë për të na dhënë të huajt; na duhet ta gjejmë vetë.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...