Mbi Asociacionin dhe postasociacionin

31 Gusht 2015 - 08:29 - Lumir Abdixhiku      

Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor - me shërbyes civilë e aspak joqeveritarë, me kuvend, kryetar e identitet të veçantë - Asociacioni ka të gjitha elementet e një entiteti autonom

-1-

Paralajmërimi mbi nënshkrimin e katër marrëveshjeve ekonomike e politike me Serbinë të natës së 25 gushtit, u përcoll me një shpërthim histerik të masës gjithandej. Ndonëse nuk ishte publikuar as edhe një shkronjë e vetme nga teksti i marrëveshjeve, shumë kosovarë të parapërcaktuar për gjykim – pa lexim – veçse kishin nxjerrë në shesh makinat e tyre të panikut, të akuzave për tradhti, plot nervozizëm.

Një reagim kolektiv si ky tregonte e dëshmonte sërish nivelin tonë diskutues. Mendimet jepen këndej pa lexuar as edhe një gjë prej gjëje. Ato janë të parapërcaktuara e të paragjykuara kaherë. Koha ka rëndësi për ta se kur duhet të jepen ato – sapo të përfundonte takimi.

Kësaj histerie kolektive i frynte natyrshëm një reagim festiv në Beograd, i diplomatëve e udhëheqësve të tjerë politikë nga Serbia, që nëpërmjet gjuhës së mundjes, zotërimit e vet sportit po shpërfaqnin fitore bindëse në një proces kompromisi të dyanshëm gjithsesi. Festa ishte përcjellë dhe në Kosovë, në Veri më shumë se tjetërkah, ndërsa shqiptarët bënë gjumin me zymtësi.

Do të kishte qenë mirë sikur natën e 25 gushtit politikanët nënshkrues të marrëveshjes – dhe një makineri e tërë publike pas – të shpërfaqte publikisht të mirat (nëse kishte) të marrëveshjes në fjalë, gjithsesi përtej patetizmave të përsëritura tashmë se “... me këtë marrëveshje Serbia ka njohur Kosovën”. Për asociacionin, natyrisht, as edhe një fjalë. Do të kishte qenë mirë, që për pak, pjesë të tekstit t’u jepeshin si garanci kosovarëve që po ndanin mendjen mbi bazën e informacioneve e percepcioneve nga Vuçiqi, Daçiqi e Gjuriqi – secili më i kotë e më i zi se tjetri. Por nuk e bënë. Nata e 25 gushtit shënoi dëshpërimin kosovar.

-2-

Mëngjesi i 26 gushtit kishte sjellë për kosovarët marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Natyrisht, rëndësinë e tyre nuk e përbënin heqja e një barrikade në veri, marrja e një numri telefonik apo krijimi i distribucionit të dytë në veri – herë të kuptuara si pjesë të shtetësisë e herë të mirëkuptuara për integrim – por rëndësinë e tyre e përbënte teksti mbi Asociacionin.

Teksti i publikuar në pesë faqe kishte 22 pika; tri për bazën ligjore, dy për objektivat, dy të tjera për strukturën organizative, gjashtë për relacionet me nivelin qendror, dy për kapacitetin ligjor, tri për buxhet e të tjerat ishin të përgjithshme – pak a shumë kishin përfshirë parimet e organizimit për gjithçka.

Duke e lexuar tekstin si të tillë, dilte gjithëpërfshirja, pa detaje natyrisht (sepse ishte vetëm marrëveshje parimesh, statuti i Asociacionit do të bëhej më vonë), dhe me plot dykuptimësi. Qëllimisht, dhe jo ndryshe, dokumenti ishte ndërtuar për të shërbyer si interpretues fitoreje për të dyja palët njëtrajtësisht.

Elementi i parë, dhe më i rëndësishmi për ne, ishte se marrëveshja (në vazhdimësi e me repeticion) specifikonte ankorimin dhe përputhshmërinë me ligjet e Kosovës – dhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese mbi organizimin që del nga ajo. Si e tillë, marrëveshja, dhe secili trup pas saj, do të rregullohej me kornizën e tanishme kushtetuese.

Ndërsa elementi i dytë ishte se Asociacioni, si produkt i marrëveshjes pra, kërkonte trajtim të veçantë, duke pasur parasysh “karakterin dallues të tij”. Pra, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret të veçantë – i cili duhet të validohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, dekret i cili do të shërbejë si bazë ligjore e integruese e Asociacionit në rendin juridik të Kosovës – duke pasur parasysh natyrën e veçantë të tij.

Në këtë pikë bëhet e qartë se Asociacioni nuk do të jetë një trup i zakonshëm sikurse asociacioni ekzistues i komunave me shumicë shqiptare – sepse ka karakter të veçantë dhe se do të rregullohet me dekret të veçantë, e edhe më pak, se do të jetë një OJQ, çfarë marrëzisht kishin guxuar me indiferencë e plot injorancë të deklaronin disa promovues të marrëveshjes. Kjo veçanti, rrjedhimisht, përbën dhe shkëputjen e parë nga pushteti lokal – nisjen për ndërtimin e një pushteti të tretë; natyrisht të ndërlidhur me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës – me pushtetin qendror. Në këtë pikë lind dhe autonomia. Në fund të fundit, edhe autonomia ankorohet në Kushtetutë; në të kundërtën bëhet shtet në vete.

-3-

Nga leximi i pikave të marrëveshjes shihet se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota pothuajse në secilën sferë të organizimit të jetës, duke dobësuar pushtetet lokale dhe duke rritur angazhimin e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Asociacioni, si organizim me karakter të veçantë e me dekret të veçantë, do të ketë edhe një strukturë të veçantë, që do të suprimojë fuqitë komunale të komunave me shumicë serbe. Kjo strukturë do t’u ngjasojë shumë strukturave paralele qendrore, por nuk do të jetë e tillë. Pra, Asociacioni do të ketë një kuvend të tij, me deputetë jo të zgjedhur drejtpërdrejt, por nëpërmjet zgjedhjeve lokale e delegimit nga andej. Forma e zgjedhjes humb këtu rëndësinë. Ky kuvend do të zgjedhë një kryetar – i cili do të paraqitet si përfaqësues real i serbëve në Kosovë, dhe do të zgjedhë një shef administrate – i barabartë me një ekzekutues të kompetencave që Asociacioni ka; një lloj kryeministri për ta. Punëtorët e Asociacionit, ndërsa, do të kenë status të shërbyesve civilë – që edhe bën gjithë këtë trup tërësisht publik, aspak joqeveritar. Asociacioni do të ketë edhe buxhetin e vet, fondin, territorin e vet, pronat e veta dhe kompetenca gjithandej.

Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor - me shërbyes civilë e aspak joqeveritarë, me kuvend, kryetar e identitet të veçantë – Asociacioni ka të gjitha elementet e një entiteti autonom. Asociacioni, pra, është, në versionin më të thjeshtë një model i autonomisë së gjerë në Kosovë. Së paku është modeluar për të funksionuar si i tillë, dhe kështu ai, padyshim, kalon Pakon e Ahtisaarit. Asociacioni nuk është “Republikë Srpska”, siç na paraqitet nga disa këndej, por është një autonomi e zgjeruar me kompetenca të ekzekutimit, përfaqësimit, organizimit e qëndrueshmërisë.

Përputhja me ligjet e Kosovës, sado lajm i mirë, nuk e zbut shumë këtë fakt. Janë përmbajtja dhe qëllimi, çfarë ka rëndësi. E sikur Asociacioni të kishte qëllime të pro-Republikës e pro-pavarësisë, atëherë ndoshta dhe do të bënte kuptim. Por nuk ka. Ka qëllime të varësisë së saj, të pengimit të saj, të refuzimit të saj - prandaj dhe bën një lajm jo të mirë për vendin. Me Asociacion, Republika nuk i ka afruar refuzuesit e saj, ajo veçse i ka fuqizuar ata.

Pra si kthim, shqiptarët shumicë të Kosovës nuk marrin bashkëpunimin e bashkëqytetarëve të tyre serbë– për një Republikë të përbashkët, por marrin një strukturë paralele qeverisëse, autonome e destruktive për Republikën. Mbi të gjitha, marrin një ndërlidhmëni politike me një shtet tjetër – që, dhe kjo ka shumë rëndësi, shpërfaq vazhdimisht qëllime rrënimi të shtetësisë sonë.

Kalimi i Pakos së Ahtisaarit vazhdon të përbëjë dëmin më të madh të Republikës. Do të jetë një barrë me të cilën ky vend ka për t’u marrë në vazhdimësi. Në bërthamë, ky formacion do të bëjë të kundërtën e interesave shtetërore tonat. Si për kthim, ne kemi marrë asgjë, madje as konfirmim se politika e tolerancës e durimit bën punë. Bllokuesit, barrikaduesit, kryeneçët andej, janë shpërblyer shumë.

-4-

Dhe, natyrisht, në kohë të paqartësive politike lindin kushtet për panik. Në këtë panik mbizotëron kërcënimi me dhunë. Pavarësisht shqetësimeve rreth Asociacionit, të cilat i ndajmë përndryshe të gjithë (nuk ka pronë mbi to askush), formimi i tij nuk i jep të drejtë askujt të kërcënojë me dhunë e me "të gjitha mjetet" asnjëherë. Madje krahasimet e dëmeve mes njërës e tjetrës – si arsyetim i dhunës – janë bërë patetike tashmë.

Kosova është shtet (po është shtet), dhe ka institucionet e veta. Shumica politike e zgjedhur me votë (e pranuar nga të gjithë) vendos për rrjedhat e vendit. Kjo vendosje, nëse konsiderohet si kundërkushtetuese, mund të kontestohet në institucionet tjera – ato që ky shtet i ka pra. Nëse nuk pajtohesh me mendimin e tyre, ofron alternativë, del në zgjedhje, i fiton ato (po pate të drejtë) – bën kështu politikë. Protesta ndaj pushtetit në shtetin tënd ka shumë kuptim. Dhuna kurrë. Sidomos kur edhe njëra, edhe tjetra janë vullnete e organizime partiake e jo qytetare.

Prandaj jam kundër dhunës e kalimit nga një ekstrem në tjetrin, që të dy të dëmshëm. Dhe dhuna – nëse bëhet siç promovohet - ka për të shndërruar sërish një temë me interes për secilin, në fushëbetejë të disave, sërish në humbje. E nëse dhuna është alternativa e vetme e opozitës ndaj pushtetit, atëherë ky pushtet e ka të gjatë.

[email protected]

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...